Nga Lorenc Vangjeli
Në datën 14 shkurt shumëkush ka marrë komandë si në ushtri: Dhuratë bëj! Ca sipas takatit dhe ca pak më shumë sipas inatit me fqinjin e në garë me të. Të dy e kanë nxjerrë foton e dhuratës në facebook. Edhe pse në darkë çifti mund të ngryset me urrejtje, dashuria “shoqërisht korrekte” e ka kryer funksionin e saj. Vajza dëshmon dhuratën që ka marrë, djali flet për dhuratën që ka bërë dhe anasjelltas, të dy në pritje të rënies së re të bilbilit për festën e ardhshme, në të cilat, fatmirësisht shqiptarët nxitojnë gjithmonë të bëhen bashkë. Në Bajram kur festojnë dhe urojnë edhe të krishterët që nuk kanë mbajtur kurrë Ramazan, në Pashkë, kur urojnë dhe festojnë edhe myslimanët që nuk kanë ngrënë gjithashtu kurrë vezë të kuqe. Për ta bërë më të fortë kontrastin, në mes janë ata që përbuzin festa të tilla si Shën Valentini, që e quajnë atë si një “hipokrizi katunarësh” që shkelin barin nga Liqeni. Ndodh që pikërisht këta janë ose më interesantë, ose më vanitozë. Por në të gjitha rastet, edhe më të vetmuarit.
Mban mend dikush një dasmë shqiptare, një të vetme të tillë që është mbyllur pa një sherr mes të afërmve të çiftit? Mban mend njeri një dasmë kur një dajë që i ishte harruar emri në tavolinën kryesore ta ketë kaluar “incidentin” me shaka dhe jo me sokëllimën: Unë ika! Apo një dasmë tjetër kur një xhaxha që kishte mbetur mbas kolonës së lokalit dhe nuk arrinte të shihte çiftin, nuk jepte komandën për gjithë familjen e tij me grua e fëmijë: Çohuni të ikim! Apo një dasmë kur një halle që ju servir mishi i ftohtë dhe një teze për të cilën nuk u ngrit dolli…, pra njëri nga ta ose disa nga ata nuk kanë ikur pa kthim nga ahengu me valle tropoje dhe këngë tiranase me DJ? Mban mend njeri një dasëm pa sherr brohoritës për këto arsye, ku i ikuri për shkak të fyerjes, mungesës së respektit kur ai vetëm i ka respektuar të gjithë, nuk bën betimin solemn: Ne nuk shihemi as në këtë dhe as në atë botë!
Shpesh, më pak se nëntë muaj mbas dasme, siç është tradita në këtë botë të rrëmujshme moderne e plot ritëm, kur çifti bëhet me fëmijë, të “ndarët për së gjalli” për shkak të mungesës së respektit në dasmë, mungojnë me urim edhe në maternitet. As lule për lehonën dhe as një palë rroba ngjyrë blu për djemtë dhe ngjurë pink për vajzat. Ndjekin rritjen e fëmijës nëpërmjet “çerdhekopshtit” të Facebook-ut, venë baste se me kë ngjan më shumë, gjejnë ngjashmëri edhe me veten, por inati është shumë më i madh se qejfi dhe betimi i bërë për t’u ndarë “në këtë dhe në atë botë” është ende në fuqi, sa kohë që nuk ju është kërkuar falje për fyerjen e bërë. Domethënë për mungesën e respektit në dasmë.
Në funerale sërish bëhen bashkë. Zakonisht më shumë qan jo më i afërti, por ai/ajo që kishte vite që nuk fliste me atë që ka ikur përfundimisht nga kjo botë. E shoqërojnë me lot, kurrora, vajtime, betime e kujtime të ndjerin në banesën e fundit, shajnë bashkinë/bashkitë që nuk u kujtuan kurrë të shtrojnë rrugët e varrezave, që kalojnë mes banesash të ndërtuara pa leje, bëhen pak nostalgjikë se kujtohen ata që kanë ikur më herët dhe secili i fut një dorë të qarë me dhe pa lot edhe për halle tërësisht vetjake. Varrezat janë vendi perfekt ku burrat kanë mundësi të shfryjnë dertet e tyre me lot pa i quajtur njeri të dobët “si gratë, pra”.
Këtu e nja 13 vjet më parë, në Bulevardin Dëshmorët e Kombit u bë një nga protestat më të mëdha të opozitës shqiptare. që si atëherë, edhe sot është partia e cila ka “shpikur” protestën e rrugës në Shqipëri. PD, në epilog të mandatit të dytë të lodhur të socialistëve, mundi të thërrasë nën flamurin e zemëratës një turmë të jashtëzakonshme qytetarësh. Slogani ishte “Nano ik!”. Vite më pas, një tjetër opozitë, kësaj here ishin socialistët në rrugë, mundi të kapërcejë përmasat e asaj proteste. Për fat të keq, katër vetë u ekzekutuan pa gjyq në bulevard, ndërsa dhjetra të tjerë u plagosën dhe u arrestuan nga policia. Dita që mbeti në histori si e Premtja e Zezë e 21 janarit, është ende plaga e hapur e shoqërisë shqiptare dhe e politikës që ajo ka prodhuar.
E bashkëjetesës nervoze në festë e vaj.
Mes këtyre dy protestave ka pasur dhe të tjera. Nga ato që nisën me arkivol dhe përfunduan me grusht shteti dhe me organizatorë të të cilit që u mblodhën sa një grusht sapo shtetit i erdhi zëri dhe fytyra. Ka pasur dhe protesta që zgjatën me ditë të tëra me uri dhe dinjitet në shesh. Në fakt të gjitha beteja që bëheshin për fytyra dhe jo ide; fytyra të cilave ju thuhej e do t’ju thuhet edhe më tej si zakonisht “Ik!”.
Të shtunën do të ketë një protestë tjetër përpara kryeministrisë, strehëzës së saj të bardhë dhe kërpudhës më në skaj. Opozita ende nuk është e qartë se çfarë do të bëjë, por gjithçka pritet të vendoset nga e shtuna, nga numri i shqiptarëve që do të donin të largohej Edi Rama nga zyra e kryeministrit. Po të ketë shumë njerëz, protesta do të tentojë të tejkalojë limitet kohore, ndoshta edhe do të përdorë çadra për t’u instaluar në rrugë së paku deri në datën 20 shkurt, data simbol kur shqiptarët rrëzuan një tiran bronxi nga zemra e Tiranës.
Nga data 14 në datën 18 ka ende një lumë ditësh. Gjithçka mund të ndodhë.
Në ditën e Shën Valentinit fotot e dhuratave kanë mbushur Facebook-un. Të githë dinë se çfarë kanë bërë të gjithë. Dhe për këtë shkak, të gjithë krahasohen me të gjithë. Mjerë kush ka gabuar në dhuratë! Shqiptarët janë edhe mesdhetarë me gjak që përvëlon, edhe ballkanas me trurin plot me barut. Me kokën në mal dhe këmbët në det, ata janë të gatshëm të bëjnë sherr në dasmë, të mos pajtohen as në maternitet, të festojnë njëherësh edhe Bajramin, edhe Krishtlindjet, janë në gjendje të qajnë në funeralin e armiqve dhe të besojnë, të besojnë sinqerisht se politika bëhet në rrugë të madhe. Të gjerë si bulevardi dhe të gjatë sa bulevardi me kokë tek kryeministria dhe me këmbë që zgjaten deri tek ish-hotel Dajti.