Si asnjëherë tjetër, pjesëmarrja e artistes Elvana Gjata në tapetin e kuq të “Grammy Awards” u përshëndet në mënyrë gati unanime nga shqiptarët. Përveç ndonjë komenti tek-tuk në Facebook, që do të ishte e çuditshme të mos ekzistonte, gati të gjithë përgëzuan daljen e saj, madje disa komentuan se ajo e meriton të jetë aty.
Fakti është që Elvana shkeli në tapetin e natës më të rëndësishme të muzikës botërore, si e ftuar speciale e bashkëpunëtorit të saj, Poo Bear, njeriu që ka gisht në rikthimin e fuqishëm të Justin Bieber dhe që tashmë ka kthyer sytë nga këngëtarja shqiptare.
Duke lënë mënjanë inferioritetin shekullor që ne shqiptarët kemi ndaj të huajve, na duhet të pranojmë se artistja e lindur në Tiranë, meriton të jetë aty jo më si e ftuar, por edhe si e nominuar, përkrah të gjithë këngëtarëve me famë botërore të muzikës pop.
Sepse përpara Ritës, Erës, Duas (pa mohuar talentin e tyre të jashtëzakonshëm), është Elvana ajo që në sytë tanë, u kthye në të parën Pop Star të merituar shqiptare. Anabel.al ka renditur disa arsye se përse kjo artiste, e cila shkëlqeu në tapet edhe pa “ulëritur’ se ishte aty, meriton vëmendjen e botës:
Pikë së pari, Elvana ka talent
Elvana këndon. Ngjyra karakteristike e zërit të saj e bën të dallueshme mes mijëra zërash të tjerë. Edhe pse nuk ka zgjedhur të njëjtën rrugë si e motra, Migena, e cila është një soprano mjaft e talentuar që po korr sukses në Gjermani, artistja e “ Lejlja” është po aq e aftë sa të kapë notat më të larta (shembuj mbeten “1990” apo “Të dy”), por ndërkohë di si t’i përshtatet çdo rryme këngësh, si ato që kërkojnë patos: “Gjaku im”, ato më rock (“Ngado që jam” ), por edhe baladave që kërkojnë një interpretim më tradicional shqiptar (“Si unë”).
Por nuk është vetëm zëri ai që e bën të dallueshme artisten me 100 milionë klikime në Youtube, por edhe interpretimi. Ashtu siç ndodh rëndom me shumë këngëtarë shqiptarë, në rastin e Elvanës, nuk janë këngët në funksion të këngëtares, por është ajo në funksion të këngës, duke e kuruar deri në detaje performancën e saj, si në interpretim, ashtu edhe në veshje.
Elvana ka disiplinë
Fakti që ajo bëri bujë që në daljen e saj të parë dhe vazhdon të jetë një ndër këngëtaret më të lakmuara shqiptare, do të thotë shumë edhe për punën e saj. Rreth 15 vjet në qendër të vëmendjes dhe gjithmonë me hite njëri-pas-tjetrit , pavarësisht se shumë të tjerë lindin e perëndojnë në tregun muzikor shqiptar, tregon për një punë sistematike.
Nëse shohim të gjithë ecurinë e karrierës, kuptojmë se Elvana nuk ka rrëshkitur asnjëherë nga qëllimi final: Për të sjellë një produkt që do të përqafohet menjeherë dhe do të marrë vlerësimin maksimal. Edhe kur ky produkt kerkonte shkallë të lartë rrezikshmërie, siç ishte rasti i ecjes së saj me taka mbi tren, teksa ai lëvizte mbi një prej urave më të larta në Shqipëri, gjatë xhirimit të “Lejla”.
Falë edhe mendjes krijuese të Flori Mumajesit, kompozitori i gati të gjitha këngëve të saj, hite në Shqipëri deri më sot, Elvana ka treguar të njëjtin përkushtim dhe asnjëherë nuk ka “rënë rehat” me suksesin e saj, por është munduar të tejkalojë parashikimet, duke sjellë gjithmonë risi, atëherë kur të tjerët prisnin që ajo të pushonte e të shijonte kënaqësinë e suksesit të mëparshëm.
Përkushtimi dhe disiplina e saj nuk janë parë vetëm në muzikë. Edhe gjatë spektaklit “Dancing with the Stars”, ajo dëshmoi se sa rigoroze është dhe deri më sot, fitorja e saj është një ndër fitoret më të merituara të atij spektakli.
Elvana është trend- setter
Që nga performancat e saj të hershme e deri më sot, këngëtarja asnjëherë nuk ka përsëritur asgjë të realizuar më parë në trevat shqiptare. Elvana ishte e para që përdori dialektin e Kosovës dhe solli bashkëpunime me repera nga Kosova, si në rastin e klipit “Mamës”, që ishte në vijë të drejtë me realizimet ndërkombëtare pop.
Rikthimet në kohë (“Disco Disco”, “1990”), ndryshimet në look që më pas kopjoheshin nga këngëtarë të tjerë, realizimet e klipeve gjithmonë ndryshe nga çdo tendencë e momentit– të mos harrojmë se si “Love me” arriti sukses të jashtëzakonshëm edhe pse i xhiruar nga një celular– janë të gjitha dëshmi që këngëtarja ka qënë gjithmonë një hap përpara. Por, më e rëndësishmja, asnjëherë nuk e ka humbur identitetin e saj si artiste, vetëm e vetëm që t’i përshtatej garës gjithmonë e më të egër në tregun muzikor shqiptar.
Elvana kushton!
Fatkeqësisht, matjet e suksesit në Shqipëri për shumë artistë bëhen ende nga like-t në Instagram apo nga numri i kopertinave të revistave. Por, rasti i Elvanës është rasti i çdo këngëtareje të suksesshme në botë: Nuk ka vlerë fama, nëse llogaria bankare është bosh.
Falë edhe një menaxhimi të shkëlqyer, këngëtarja ka arritur të jetë një ndër më të vlerësuarat financiarisht në tregun muzikor shqiptar dhe ka thyer rekorde kontratash bashkëpunimi, si në rastin e “Albtelekom”, por edhe me kompani të tjera ku ajo ka qënë imazh.
Ndërkohë që shumë kolegë arrinin marrëveshje në disfavorin e tyre, duke pranuar kushtet e të kënduarit në skena të improvizuara, Elvana ishte ndër të parat që vendosi kushte performance dhe kërkoi trajtimin e një ylli, ku përfshihej: dhomë private zhveshjeje, skenë me parametra për live, si edhe fjetje në hotelet më të mira.
Këngëtarja theu po ashtu rregullin e artë të klubeve më të famshme shqiptare, kur pranoi të këndonte në një prej tyre për një pagesë që deri atëherë u rezervohej vetëm të famshmëve që vinin nga bota. Dhe jo vetëm kaq, por edhe investimet e saj jashtë muzikës, kanë qënë të mirëmenduara dhe fitimprurëse.
Elvanën e do gjithë familja
Pavarësisht se çfarë gjuhe flet një publik, ndjeshmëria ndaj së bukurës në këngë apo në pamje, është e njëjtë në të gjithë botën. Elvana është nga ato artiste të pakta që ka një mbështetje unanime në familje. Prindër e fëmijë, nuk bëjnë dallime kur bëhet fjala për këngëtaren, e cila sado guxon në look, gjithmonë ruan një pamje aspak agresive, por shumë miqësore dhe mban një profil të ulët të jetës private, duke ngjallur sa kërshëri, aq edhe respekt për mënyrën se si ajo e menaxhon imazhin e saj. Dhe meqë jemi tek imazhi, le të themi që:
Elvana e ka menaxhuar veten si në Hollivud, pa qenë në Hollivud
Duket sikur çdo lëvizje kërkon një përllogaritje të ftohtë me laps e letër, por në fakt, këngëtarja është thjesht e rezervuar; dhe me kalimin e kohës, ka treguar se mund të jesh e dashur dhe popullore, pa qenë nevoja të tregosh të gjithë jetën intime në rrëfime televizive apo intervista në gazetë.
Duke mos kërkuar të predikojë, duke mos bezdisur njerëzit me çdo lëvizje të sajën që nuk ka lidhje me punën dhe projektet, duke qëndruar e përulur dhe pa u mburrur për privilegjet financiare, duke ruajtur raporte të mira me të gjithë kolegët, pa u bërë asnjëherë pjesë e debateve publike, duke kontrolluar daljet e saj mediatike, Elvana është përpjekur t’i qëndrojë besnike shprehjes “puna flet” dhe në rastin e saj, puna ka fikur çdo tymnajë thashethemi që mediat apo njerëz të zakonshëm online, janë përpjekur të ngrenë mbi figurën e artistes.
Edhe në rastin e projekteve të saj të fundit ndërkombëtare, nuk ishte Elvana ajo që foli, por ishin mediat që zbuluan për bashkëpunimin, përmes postimeve që producenti Poo Bear dhe kompozitori Sasha Sirota kishin bërë për Elvanën në llogaritë e tyre private në Instagram.
Po ashtu, edhe tapeti i Grammy-t nuk u shfrytëzua nga këngëtarja për të “bërtitur” se e shkeli edhe ajo, por artistja e menaxhoi siç ka bërë gjithmonë: Besnike e identitetit dhe shijes së saj, pa kërkuar me dhunë vëmendje, edhe pse tashmë atë e mori nga mediat.
Natyrisht, përtej dëshirës sonë të mirë për ta parë Elvanën në skenat ndërkombëtare, ekziston edhe dyshimi i “Peshkut të madh në liqenin e vogël.” Industria amerikane e muzikës është një oqean me shumë peshq të mëdhenj që luftojnë çdo ditë për të mbijetuar, për më tepër kur vetë peshkaqenët si: Beyonce apo Lady Gaga, përpiqen dyfish, duke sfiduar edhe të rinjtë më energjikë në biznes.
Të hysh në tregun amerikan është ëndërr edhe për këngëtarë anglezë, e jo më për këngëtarët e tjerë nëpër botë. Një shembull janë emrat e famshëm të shtetit tonë fqinj, si Eros Ramazzotti apo Laura Pausini, që edhe pse po korrin sukses në Amerikën Latine, nuk iu afruan asnjëherë Shteteve të Bashkuara.
Por përse të mos shpresojmë për artisten tonë, e cila është e sigurt që nuk po i futet “me këmbë” këtij oqeani të madh, por me llogaritje të kujdesshme dhe me më të mirët e momentit në muzikë, të cilët nuk do ta përkrahnin nëse nuk do të shihnin atë “yllin” që ne kemi parë gjithë këto vite?
Sytë dhe veshët tanë nuk ndryshojnë shumë nga sytë dhe veshët e botës, ndaj mjafton vetëm që t’i japim besimin dhe mbështetjen për së largu e të rrimë të qetë në faktin, se sapo t’i jepet mundësia, është e sigurt që Elvana do ta justifikojë me çdo centimetër të talentit dhe përkushtimit të saj të pashoq.