Lideri i opozitës, Lulzim Basha i ka mëshuar sërish kërkesës së Partisë Demokratike për votim elektronik në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
“Sulme shpifje gënjeshtra justifikime nga ata që nuk e duan votën e lirë të qytetarëve, por shqiptarëve u kanë borxh t’u thonë çfarë propozojnë. Nëse kanë propozim të mirë jemi të gatshëm të shqyrtojmë dhe pranojnë. Nëse nuk kanë ne nuk tërhiqemi nga propozimi ynë”, tha sot Basha para nisjes së mbledhjes së kryesisë së PD-së.
“Të gjitha strukturat e PD do angazhohen në një dialog me të gjithë qytetarët shqiptarë për të siguruar votën e lirë”, deklaroi kryetari i PD-së nga selia blu.
Më tej Basha u shpreh kandidatët e PD-së do i nënshtrohen Vettingut, ndërsa çdo anëtar dhe qytetar duhet të jetë i qetë, pasi kandidatët do jenë të pastër si kristali. Basha tha se çdokujt do i jepet mundësia për të propozuar kandidatët e PD-së për deputet përmes faqes PD.al.
“Çdo qytetar do votojë, dhe askush nuk do fusë duart tek votat e shqiptarëve. Nuk do ketë kuti votimi për të futur duart, ndërsa ushtritë e militantëve të tjetërsojnë votën e shqiptarëve. Qytetarët janë ata që do vendosin, as kriminelët dhe as militantët. Do fitojmë së bashku këtë betejë. Sulmet e shpifjet që mund të kemi nga ata që nuk duan votën e lirë, por shqiptarëve ju kanë borxh të propozojnë nëse kanë propozim më të mirë se votimi elektronik. Sulmet dhe denigrimet nuk na bëjnë përshtypje, pasi beteja jonë është për shqiptaret. Strukturat e PD do angazhohen në dialog, jo vetëm me anëtarësinë, por me të gjithë qytetarët që të sigurojmë lirinë e votës, pa të cilën nuk ka as ekonomi të shëndoshë, as integrim. Një çështje tjetër janë kandidatet e PD. Propozimi im është për një konsultë të hapur me degët e partisë, konsultim me qytetarët, me botën akademike dhe studentore. Pra me të gjithë Shqipërinë, me njerëzit që gëzojnë kapacitete morale dhe ideale për të përfaqësuar shqiptarët. Çdokujt do i jepet mundësia për të propozuar për kandidatët e PD-së përmes faqes PD.al. Ky proces duhet të përfundojë brenda datës 25 shkurt. Kandidatët e PD do i nënshtrohen Vettingut. Çdo anëtar i PD-së të jetë i qetë se kandidatët tanë janë të pastër si kristali. Të mos bëjmë asnjë gabim, kjo është një kthesë për të eliminuar çdo njollë kriminaliteti e korrupsioni nga PD. Nesër nisem për në SHBA me ftesë të republikanëve për inaugurimin e Donald Trump si president. Dua t’u informoj se do kem takime me zyrtarë e drejtues të lartë të institucioneve politikbërëse në SHBA, të cilët na asistojnë. Në kthim do kem takime në Bruksel dhe Berlin. Partitë simotra të PD në Evropë do asistojnë dhe trajnojnë anëtarësinë e PD. Ky dimër i ashpër padyshim do apo s’do Rama, do i lërë vendin pranverës. Një pranverë politike për shqiptarët”- tha Basha.