Mes personave që përfitojnë lirinë nga amnistia që nisi sot në burgjet e vendit është edhe prokurori Haxhi Giu.
Mes 130 persona kanë nisur të lënë sot qelinë e burgut të Peqinit, bie në sy edhe emri i prokurorit që njihet si njeriu që hetoi dosjen e “shekullit”, atë të vrasjes se deputetit të PD¬së, Azem Hajdari, Haxhi Giu. Ish-Prokurori i Krujës, Haxhi Giu që i kishin mbetur edhe 9 muaj e 17 ditë burg ka përfitur sot nga amnistia duke lënë qelinë e burgut të Peqinint që në mëngjes.
Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda e dënoi ate me 2 vite e 4 muaj burg, duke lënë kështu në fuqi vendimin e shkallës së parë. Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi dënimin me 3 vjet e 6 muaj burg. Ish¬prokurori i Krujës u gjykua me gjykim të shkurtuar, ndaj dënimi i tij shkon në 2 vjet e 4 muaj. Atij gjithashtu iu hoq e drejta që për tre vjet të ushtrojnë funksion publik. Giu akuzohet për korrupsion pasiv. Prokuroria e Krimeve të Rënda kishte kërkuar dënimin e Haxhi Giut me katër vjet burg. Sakaq, 1 vit e 4 muaj burg u dhanë nga gjykimi i shkurtuar edhe për Aleks Shporin.
PËRGJIMET
Një nga provat kryesore të Prokurorisë së Krimeve të Rënda për Haxhi Giun mësohet se janë përgjimet telefonike. Regjistrimi i bisedave ka nisur për shtetasin Paulin Shpori, i arrestuar për trafik droge në vitin 2014. i burgosuri është përgjuar teksa fliste me vëllain e tij, Aleks Shpori. Mësohet se kanë qenë thëniet e Aleks Shporit ato që kanë zbuluar implikimin e prokurorit në çështjen penale. Vëllai gjatë bisedave i shpjegonte të arrestuarit përpjekjet që po bënte për t’i mundësuar lehtësimin e akuzës dhe të dënimit pas kapjes me drogë të Paulin Shporit.
Pikërisht në këto biseda mësohet se janë përmendur takimet me prokurorin Haxhi Giu dhe më pas shuma që i është ofruar atij prej 29 mijë eurosh. Prokuroria ka nisur edhe një hetim për pasuritë e Haxhi Giut, duke kërkuar të dhëna nga Inspektoriati i Deklarimit e Kontrollit të Pasurisë, pasi rezultoi se i arrestuari disponon pasuri rreth 50 milionë lekë të rinj.
FILMIMET
Paulin Shpori është arrestuar dhe akuzuar për “trafik lëndësh narkotike” në vitin 2014, së bashku me disa persona të tjerë. Ai pas arrestimit është dërguar në gjyq dhe gjatë procesit vëllai i të akuzuarit, Aleks Shpori, në shtator 2015, është vënë në kontakt me prokurorin e çështjes, Haxhi Giu. Pas disa takimeve e negociatave, ai i ka ofruar 29 mijë euro në këmbim të lehtësimit të akuzës për të vëllain e arrestuar.
Në vazhdim ata kanë shkuar në një pikë këmbimi valutor, ku Aleks Shpori ka depozituar një shumë parash prej 10 mijë eurosh, si “garanci” për shërbimin antiligjor që do t’i kryente prokurori. Pikërisht pamjet e kamerave të kësaj agjencie janë sekuestruar si provë nga prokuroria. Në to duket vëllai i të arrestuarit dhe prokurori Haxhi Giu që shkojnë aty e më pas dalin së bashku.
Punonjësit e pikës së këmbimit në fjalë janë pyetur në prokurori dhe kanë thënë se paratë e lëna nga Aleks Shpori ishin depozituar si “garanci”. Në këtë kohë rezulton se Haxhi Giu është vënë në lëvizje për të plotësuar kërkesën korruptive të Aleks Shporit nga Shkodra. Giu ka dërguar letër në Prokurorinë e Përgjithshme ku propozonte akuzën moskallëzim krimi për të arrestuarin për trafik droge. Ky propozim nuk është pranuar, duke bërë që i arrestuari të dënohej me 8 vjet burg për drogë, ndërsa Aleks Shpori ka marrë mbrapsht 10 mijë eurot e lëna në pikën e këmbimit si “garanci” për “shërbimin” e prokurorit.