Nga Ilir Sinanaj
Mendjet e mëdha mendojnë në njëjtat linja. Kështu thotë një shprehje anglo-saksone. Në urimet e tyre të shumta për Vitin e Ri 2017, në faqet përkatëse të rrjetit social “Facebook”, si deputeti i Listës së Barabartë (LIBRA), Ben Blushi, ashtu edhe Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, nuk kanë ngurruar të shpotisin kundërshtarët e tyre, duke lënë të kuptohet edhe rrugëtimi politik i secilit nëpërmjet statuseve lakonikë. Tek mesazhet e të dy politikanëve vihet re siguria në vetvete për të ardhmen si edhe ngadhënjimi i politikbërjes së re ndaj asaj të vjetër.
Të dy kanë bindjen dhe sigurinë e plotë të mposhtjes së kundërshtarëve të tyre..
Ben Blushi
Veprimtarinë e tij politike intelektuali Ben Blushi e ka bazuar mbi idenë, ndërsa koalicioni “rililindje”-PD-LSI mbi “kultin klanor” e adhurimit dhe ndjekjes së individit. Në statusin e tij Blushi flet për varfërinë e ideve të kundërshtarëve të tij, duke theksuar se varfëria e ideve do të thellohet për ta. Kjo është mëse e qartë sepse koalicioni “rilindje”-PD-LSI është ndërtuar duke qëndruar hermetike ndaj zbatimit të ideve të reja, aq të rëndësime për të përballuar sfidat e ndryshme, gjithmonë dinamike, që sjell bashkëkohësia.
Për sa i përket Blushit, në lidhje me këtë çështje, në daljet e tij të shumta publike, ai ka nxitur të gjithë anëtarët e LIBRA-s të investojnë në formimin e tyre dhe ta përdorin hapësirën e kësaj lëvizje për të shpalosur idetë e tyre. Gjithmonë duke qëndruar të hapur për njerëz të rinj në ide. Nga të paktët politikanë deri më tani që, në fjalimet e tij publike, ka hedhur këtë koncept nismëtar për një forcë politike.
Gjithashtu Blushi është një njohës i mirë i të gjithë lojtarëve të arenës politike të Shqipërisë dhe “nuk i konsideron” fare si “problem” kundërshtarët e tij politik. Madje, duke iu përmbajtur statusit të tij, ai i vlerëson ata si të parashikueshëm në dështimin tyre. E pra, për ata që kanë lexuar veprën “Arti i Luftës” e gjeneralit kinez Sun Cu, këtu një paralelizëm, midis statusit të Blushit dhe vargjeve të mëposhtëm nga vepra në fjalë: “Njih vetveten, njih kundërshtarin dhe çdo betejë është e fituar Njih vetveten dhe mos njih kundërshtarin dhe një në dy beteja janë të fituara Mos njih vetveten, mos njih kundërshtarin dhe çdo betejë është e humbur” Besoj që kundërshtarët e Blushit, nuk arrijnë as ta kuptojnë mendësinë e këtij intelektualit, e jo më ta njohin…
Statusi i intelektualit Ben Blushi më 31/10/2016, ora 16:06
“NJË URIM SPECIAL KUNDËRSHTARËVE
Kam një urim special për gjithë ata që këtë Vit e harxhuan duke u marrë me njeriun dhe jo me idenë. Ideja shkon më larg se njeriu dhe njeriu që shkon pas idesë ecën me larg se njeriu që shkon pas njeriut! Megjithatë duke e ditur se do bëni të njëjtën gjë edhe gjatë Vitit te Ri dua t’ju uroj! Urime kundërshtarë. Takohemi Vitin tjetër kur do jeni më pak dhe shumë më te pasur me ide të varfra! Ju pres!”
Donald Trump Donald Trump një sipërmarrës i suksesshëm, i sprovuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe mbarë botën. Ai është tërësisht e kundërta e “politikanëve zyrtarë servilë” të varur nga “bamirësitë” e donatorëve, që nuk mund të sjellin strategji të reja zhvillimore (pasi janë të varur nga donacione).
Ashtu siç Trump ishte i suksesshëm në sipërmarrje, ashtu ndodhi edhe në politikë, duke bërë që populli amerikan ta zgjedhë në krye të shtetit të tyre. Në statusin e tij, Trump i jep të kuptojnë kundërshtarëve të tij se fitorja e tij ishte totale.
Por ndërkaq, ai tregon ‘Clementia Caesarea (mëshirë si e Qezarit)’ për kundërshtarët e tij, të cilët “nuk dinë se çfarë të bëjnë”, nga humbja e thellë që pësuan. Mëshira e Qezarit mbeti e famshme sepse, shtetari romak, gjeneralët e mundur në luftë nuk i ndëshkonte, por i falte, në mënyrë që ato të kishin mundësi t’i bashkoheshin atij, duke u bërë kështu pjesë e ndryshimeve të cilave u kishte ardhur koha.
Urimi për kundërshtarët i Trump lë të kuptohet: Nuk duhet të lëmë të kaluarën të na diktojë ajo që jemi, por duhet që ta lejomë të kaluarën të na ndihmojë për atë që do bëhemi. Trump është negociator dhe me sfidat që përballet bota, nevojitet një sipërmarrës që negocion të ardhmen, e jo të merret me njerëzit dhe metodat e së kaluarës.
Prandaj, koncepti i ‘Clementia Caesarea’ e Trump, në sa u tha më lartë, përfshihet në fund të statusit të tij, ku pasi i ka shpotitur keqazi kundërshtarët e tij, e mbyll me një fjalë të vetme: Dashuri!
Statusi i Presidentit të zgjedhur të SHBA-ve Donald Trump më 31/10/2016, ora 18:00
“Gëzuar Vitin e Ri të gjithëve, përfshirë kundërshtarëve të mi të shumtë dhe të gjithë atyre që me kanë luftuar dhe kanë humbur aq keq sa nuk dinë çfarë të bëjnë! Dashuri!”