Turizmi dimëror në Shqipëri nuk po arrin dot të shfrytëzojë potencialin që ka. Mungesa e theksuar e infrastrukturës dhe strukturave akomoduese na bën lehtësisht të konkurrueshëm kundrejt fqinjëve
Nga Elona Bedalli/Monitor
Sezoni dimëror ka pak që ka filluar, por sinjalet që vijnë nga operatorët turistikë në zonat malore nuk janë aspak pozitive. Dardha, Voskopoja, Razma si dhe Puka janë bërë gati e kanë pritur edhe mbërritjet e para të turistëve. “Dëbora e parë ra, por vetëm dy ditë mbajti”, thotë Thoma Tasho, një trajner i njohur dhe drejtuesi i së vetmes pistë skish funksionale në Shqipëri, ajo në Bigëll të Boboshticës (Korçë), 700 metra e gjatë. Një pistë modeste që prej 10 vjetësh njeh vetëm investime private dhe angazhimin e drejtuesve për ta bërë të njohur e për të tërhequr sa më shumë. “Gjithçka varet nga temperaturat, nga kushtet atmosferike”, thotë z. Tasho, i cili tregon edhe për pajisjen e re që bën të mundur krijimin e dëborës artificiale, e që mund të vihet në përdorim nëse do të favorizohet nga moti. Krijimi i dëborës artificiale kërkon që të paktën temperaturat të jenë afër zeros. “Janë investime të vogla, që ne i kemi bërë vetë. Nga 50 palë ski që kemi pasur dikur, tashmë kemi 200. Ne kujdesemi edhe për pyllin në afërsi të pistës së skive, mbjellim pemë dhe e mirëmbajmë, por shteti në asnjë rast nuk na ka ndihmuar”, thotë ai. Turizmi dimëror në Shqipëri ka shumë potencial, thekson z. Tasho, duke qenë se ofron çmime të favorshme dhe disa herë më të lira në krahasim me fqinjët, si Maqedonia apo Mali i Zi. Të dy këto vende kanë resorte të dedikuara për turizëm malor dhe pista moderne skish. Kjo na bën ne inferiorë sa i përket zhvillimit të turizmit dimëror.
Megjithatë, ata që e frekuentojnë më shumë këtë turizëm janë vetë shqiptarët, kryesisht nga Tirana, Durrësi, Elbasani, Fieri etj., shumë më pak nga Kosova. Ndërsa turistët e huaj tërhiqen më shumë nga kërshëria. Ofertat që shohin online i bëjnë ata të ndërmarrin udhëtime për të shijuar Shqipërinë në dimër, ku gjejnë hotele me kushte të mira, ushqim tradicional, por edhe infrastrukturë të dobët, e ndonjëherë edhe mungesë të energjisë elektrike.
Tasho flet me optimizëm për zhvillimin e turizmit dimëror, veçanërisht në zonën e Dardhës gjatë viteve të fundit, por ai do të donte të shihte edhe dorën e shtetit për të nxitur këto investime.
Ai tregon se shpesh e kanë ndihmuar të huajt që të përmirësojë infrastrukturën; makinerinë për dëborën artificiale thotë se ia solli një zviceran me çmim të leverdishëm, i cili kishte mbetur i mahnitur nga natyra shqiptare dhe mikpritja. Sipas tij duhet të shfrytëzojmë avantazhin e kostos së ulët, pasi një ditë ushtrimi me ski, kushton 1,200 lekë dhe këtu përfshihen edhe pajisjet, veshjet, këpucët, si dhe asistenca nga trajnerët. Dy vajzat e tij janë gjithashtu trajnere. Teleferiku është gjithashtu një element që e bën pistën e Biggëlit të veçantë. “Të gjithë e preferojnë këtë sport. Fëmijët, të rinjtë, të rriturit. Nuk ka rëndësi as nëse nuk di të qëndrosh mbi ski, pasi të gjithë marrin instruksionet e duhura. Madje për nxënësit e shkollave, pagesa është shumë e ulët vetëm 300 lekë dita”.
Sipas tij, ka shumë arsye që ky sport nuk shfrytëzohet si duhet, e ku përveç mungesës së infrastrukturës është edhe përvoja e pakët për të zhvilluar investime të mëdha në këtë fushë.
Vitin e kaluar, kujton Tasho, gjatë gjithë sezonit dimëror, vetëm 10 ditë u shfrytëzuan, pasi temperaturat nuk favorizuan. Ai shpreson që këtë vit, situata të jetë më e mirë dhe numri i frekuentuesve të shtohet.
Jo vetëm Dardha në Korçë, por edhe Voskopoja, Razma, Boga e Thethi janë kthyer në destinacione që joshin gjatë gjithë vitit. Agjencitë shqiptare që merren me promovimin e turizmit dimëror në vend, thonë se gjatë fundjavave, këto destinacione i gjen të populluara.
Por për të zhvilluar këtë lloj turizmi, asnjëherë nuk është bërë mjaftueshëm. Drejtuesi i hotel ‘Royal’ në Voskopojë thotë se ditët e festave të fund të nëntorit gjallëruan disi frekuentimin. Pjesa më e madhe ishin shqiptarë e më pak nga diaspora apo të huaj. Por, sipas tij, në zonat afër Voskopojës vuajnë pasojat e një infrastrukture të rënduar, ku rrugët janë në gjendje të vështirë, ku mbizotëron balta, gjë që dëmton imazhin e turistik. Ai thotë se i është dhënë prioritet një zone, veçanërisht asaj drejt Lekasit, ndërsa zona të tjera janë lënë pas dore. Kjo panoramë, thotë drejtuesi i këtij hoteli, – nuk përputhet me investimet private, që përpiqen të ofrojnë standarde, por në kushtet kur shërbimet utilitare mungojnë apo kur infrastruktura rrugore nuk lehtëson mbarëvajtjen e udhëtimit.
Edhe drejtuesit e resorit “Natyral” në Razëm shprehin të njëjtin shqetësim në lidhje me infrastrukturën, por edhe me rënien e fuqisë blerëse. Sipas tyre, prenotimet në këtë periudhë janë rritur lehtë, me më pak se 10% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndërsa çmimet nuk kanë ndryshuar.
Puka, është gjithashtu një destinacion që aktualisht ofron mundësi për turizëm dimëror. Por, drejtuesit e hotel ‘Puka’ thonë se nuk ka frekuentim. Bëhet fjalë kryesisht për turizëm të fundjavës e më shumë të natyrës së aventurës, me ngjitje në malin e Tërbunit. Sipas drejtuesit të saj, z. Xhimi Begeja, pritet që fluksi i prenotimeve të rritet nga janari.
Edhe drejtuesit e agjencive që specializuara në ofrimin e shërbimeve turistike “outdoor” thonë se ky lloj turizmi kërkon shumë më tepër promovim, pasi ndodhet në një moment të rëndësishëm. Sipas tyre duhet t’i hapet drita jeshile investimeve të mëdha, pasi pa to, ky sektor do të mbetet fillestar dhe në nivel lokal.
Përjashtuar Greqinë, të gjithë fqinjët e tjerë po e zhvillojnë fort, duke nisur nga Maqedonia me Mavrovën, Kosova me Kodrën e Diellit apo edhe Mali i Zi me Kolashinin, që kanë përfituar maksimumin. Ekspertët thonë se mungesa e këtij produkti lidhet edhe me faktin se investimet në këtë fushë kanë një kosto të lartë, janë teknikisht të vështira dhe kërkojnë kompani të specializuara, që kanë shumë përvojë. Zhvillimi i turizmit dimëror do të sillte shtrirje në kohë dhe në shërbime të turizmit në përgjithësi në Shqipëri.
Drejtuesit e agjencive thonë se është bërë shumë pak për hedhjen e një produkti të vetëm dhe tërësor të turizmit dimëror. Sipas tyre Shqipëria (me anë të institucioneve përkatëse) duhet të përpiqet që të bëhet e konkurrueshme në rajon.
Mungon ndërgjegjësimi i duhur për turizmin, jo vetëm për atë dimëror i cili konsiderohet deri diku elitar, pasi përfshin një fokus grup mesatar ose mbi këtë nivel. Nga ana tjetër, thonë ata, nuk duhet të harruar se konkurrenca mund të vijë duke u rritur edhe nga Kosova. Por, pista e famshme e skive në Brezovicë edhe ajo po mbahet peng e investimeve dhe e statusit të saj. Qeveria e Kosovës nuk e di ende se çfarë do të bëhet me të pas dështimit të mëparshëm për ta kaluar në duar të të huajve. Për skiatorët e përparuar, shpatet e Brezovicës dhurojnë një larmi të madhe itineraresh sfiduese dhe shpejtësi marramendëse. Falë edhe stacionit të teleferikut, një numër baresh dhe restorantesh të vogla e të këndshme ofrojnë mundësi për çlodhje, pije dhe ushqim në përfundim të skijimit, ndërsa akomodimi mundësohet nga disa hotele të kategorive të ndryshme në të cilët mund të hyhet dhe dilet me ski në këmbë.
Resortet dimërore në Serbi, Bosnjë-Hercegovinë, Bullgari dhe Mal të Zi kanë përmirësuar ndjeshëm infrastrukturën, aksesin në rrugë, kapacitetin e pistave të skive, madje nuk ka munguar edhe përdorimi i dëborës artificiale për të joshur turistët e huaj.
Mali i Zi ka përmirësuar infrastrukturën e resorteve gjatë këtij sezoni, gjë e cila do të ndikojë në rritjen e numrit të vizitorëve. Ka gjithsej 4 zona për ski dhe për vitin 2016, numri i vizitorëve llogaritet në rreth 250,000, nga të cilët rreth 25% janë të huaj. Të bësh ski në këto retorte kushton rreth 15 euro, një palë ski mund të merren me qira për 10 euro, ndërsa 1 orë leksion kushton 20 euro.
Vendi më i njohur turistik në Maqedoni për sezonin dimëror është padyshim Kodra e Diellit në Tetovë, ku ofrohet edhe mundësia e skijimit gjatë natës. Por, mund të përmendim edhe Zare Lazarevski, Popova Sapka. Maqedonia ka 8 zona për ski dhe numri i atyre që i shfrytëzojnë llogaritet në rreth 300,000, nga të cilat 10% e totalit janë të huaj.
Qëndrimet në këto destinacione kushtojnë mesatarisht nga 40–70 euro për person (all inclusive) përfshirë këtu edhe pajisjet për ski, si dhe shoqërimin me instruktor.
Timeout.com ka realizuar një renditje të destinacioneve ekonomike për të bërë ski dhe në të është përfshirë edhe Shqipëria, por duke theksuar se nuk ka resorte të mirëfillta. Më të “mëdhenjtë” për realizimin e këtij sporti mbeten padyshim Zvicra, Austria, Franca, Italia dhe Gjermania.
Ndërsa sipas tourismreview.com, ky sezon dimëror pritet të jetë më i shtrenjtë në krahasim me një vit më parë. Në Europë, mesatarisht një ditë qëndrimi në një resort dimëror skish do të kushtojë rreth 54 euro.
Çmimi për një ditë qëndrimi për të rritur në Austri, do të rritet me 1.14 euro ose rreth 2.72%. Mesatarisht, një austriak do të paguajë 43 euro në ditë.
Në Zvicër, çmimet do të rriten me rreth 0.65 euro ose me 1.13%, për një total prej 43 eurosh.
Italia parashikon rritje të çmimeve për qëndrimin njëditor në resortet dimërore me rreth 2.37 euro, për një total prej 43 eurosh.
Në SHBA dhe Kanada, çmimet do të shënojnë rritje mesatarisht me 6.04% dhe 6.81%. Në SHBA, një ditë qëndrimi do të kushtojë mesatarisht 84 euro, ndërsa në Kanada rreth 65 euro.
Por, në krye të klasifikimit si destinacioni më i lirë këtë vit është Republika Çeke, ku një vizitor do të paguajë mesatarisht 27 euro për një ditë qëndrimi.
Në të gjithë botën, sipas raportit të vitit 2016 për turizmin dimëror dhe malor llogariten 66 shtete që ofrojnë destinacione skish. Në total janë identifikuar 2,131 resorte skish. Numri i shtretërve në këtë industri llogaritet në rreth 6 milionë. Pjesa kryesore gjenerojnë rreth 100,000 vizita për ski në vit.
Parashikohet që deri në vitin 2020, numri i turistëve që bëjnë ski të arrijë në rreth 420 milionë.
Guida dimërore
Sipas raportit botëror për turizmin dimëror dhe malor, Shqipëria, edhe pse ka 70% të territorit malor, nuk është e njohur si destinacion skish dhe i vetmi teleferik është instaluar vetëm në vitin 2012. Edhe numri i personave që bëjnë ski për sport apo për pasion është i vogël. Pjesa më e madhe e tyre, thotë raporti, shkojnë në vendet fqinje. Zonat për ski, sipas raportit, janë 10 dhe nuk ka vende ku mund të ketë infrastrukturë të mirëfilltë.
Po ku mund të shkohet për turizëm dimëror në Shqipëri?
Në malin e Dajtit gjendet qendra turistike ‘Panorama’, e cila ofron mundësi për të shijuar kënaqësinë e dëborës.
Juglindja dhe verilindja e Shqipërisë po bëhen së fundmi destinacioni i synuar fort, pas ndërtimit të hoteleve dhe fshatrave turistikë modernë. Hoteli në Dardhë të Korçës nuk ka asgjë më pak se hotelet në pika dimërore të Europës. Çmimet përafërsisht fillojnë tek 3,000 lekë personi, duke përfshirë edhe mëngjesin. Po nëse nuk doni ose nuk mundeni të shijoni kushtet luksoze që pa dyshim kushtojnë, të gjitha shtëpitë e Dardhës do t’iu mirëpresin me zjarrin në oxhak dhe me gatimet e shtëpisë, duke iu bërë të ndiheni mes miqsh. Në Voskopojë hotel “Akademia” prej vitesh pret jo vetëm turistë në fundjavë, por grupe të tëra që zhvillojnë gara me ski në pistën e fshatit, përveç pushimeve dimërore. Midis Ersekës dhe Leskovikut, ndodhet ferma “Sotira”, një fermë e këndshme që nëse gjatë verës ofron gjelbërim, freski, peshkim apo edhe shëtitje në natyrë. Në dimër bëhet edhe më e ngrohtë dhe mikpritëse. Çmimet fillojnë tek 3,000-4,000 lekë për person. Në Parkun Kombëtar të Tomorit, ka pista natyrale të mrekullueshme për ski, të cilat presin vetëm që ju t’i shkelni. Në Razëm të Shkodrës, gjithashtu mund të bëni ski dhe pjesën e pushimit ta shijoni në Natyral Razma Resort, që është edhe kompleksi më i ri turistik, i cili përveç karakteristikave dimërore (kuzhinë, ambiente të ngrohta, oxhak me dru etj.), ju ofron edhe pishinë, sauna dhe shërbime të tjera luksi, që pa dyshim ekzaltojnë dhe mbushin me kënaqësi pushimet tuaja. Është një alternativë e cila të ofron një larmi të pasur zgjedhjesh dhe argëtimesh.
Në Pukë, ndalesën mund ta bëni te hotel “Turizëm Puka”, që ju ofron kushte bashkëkohore, komoditet, kuzhinë me produkte natyrale dhe natyrisht guida njerëzore që ju ndihmojnë të eksploroni zonën në çdo stinë.
Me pak fjalë do të mjaftonte një shëtitje e shkurtër në këto vende dhe ato do të shndërroheshin në destinacionet ideale për të kaluar momente të bukura dimërore.
Më shumë vëmendje
Voskopoja, Dardha, Llogoraja, Thethi, Valbona, Razma dhe mali i Dajtit. Kryesisht në këto zona ofrohet vetëm thjesht akomodim dhe ushqim. Edhe këto struktura vuajnë nga sëmundja e hershme e turizmit shqiptar që është mungesa e argëtimit brenda dhe përreth qendrës. Mungojnë lehtësitë e nevojshme si pishinat e mbyllura, ato të turizmit të shëndetit, si xhakuzi, banjat turke, sauna, wellnes, ambientet sportive, ato të kalimit të kohës së lirë si skitë, bowling, fusha tenisi, mini golfe, bilardo etj. Të gjitha këto do ta plotësonin këtë produkt, do ta bënin më konkurrues me alternativat e tjera turistike në vend, por edhe me produktet e ngjashme në rajon.
Në Shqipëri, akomodimi në struktura që ofrojnë turizëm malor ka çmime të ndryshme në varësi të investimeve që janë bërë. Një njeri mund të gjejë çmime shumë ekonomike (20 euro fjetja dhe mëngjesi i përfshirë) nëse zgjedh të qëndrojë në shtëpitë e banorëve vendas (guesthouse), si në Theth, Valbonë, Voskopojë. Pak më i shtrenjtë (2-3-fish më të larta çmimet) nëse zgjedh hotelet që ofrojnë shërbime cilësore në Dardhë, Razëm apo Llogora. Ky lloj turizmi preferohet kryesisht nga vendasit për shkak se produkti ka ende nevojë që të plotësohet për të qenë konkurrues me vendet e tjera të rajonit. Gjithashtu ka nevojë për shumë marketing që të bëhet i njohur.
Ka disa përmirësime në infrastrukturë në disa zona, siç është rruga e Voskopojës, ajo e Valbonës (e cila është hapur, por nuk është asfaltuar ende), ajo e Razmës dhe e Llogorasë, por është e nevojshme që këto rrugë të ngrihen në standardet perëndimore (sepse ato përdoren më shumë gjatë dimrit, kur edhe kushtet atmosferike janë më të vështira) dhe mbi të gjitha të hapen dhe shtrohen rrugët që të çojnë në destinacionet e tjera të bukura të vendit, si në Lurë, Vermosh, mali i Tomorit në Skrapar, Përmet etj.
E në këto kushte, vështirë të thuhet se po konkurrojmë me vendet fqinje, deri diku ndoshta vetëm me çmimin.
Shifra
10 numri i zonave për ski
Tur për ski
Periudha më e përshtatshme për të ushtruar këtë sport është nga muaji nëntor deri në muajin prill. Një itinerar interesant që ju sugjerohet për të bërë ski ose për të rrëshqitur me raketa dëbore do të ishte në malet e pjesës veriore të Shqipërisë:
– Rrethinat e malit të Jezercës (2,625 metra)
– Rrethinat në Valbonë
– Maja e Rosit (2,524 metra)
– Mali i Korabit (2,751 metra) maja më e lartë në Shqipëri
–
Në jug të Shqipërisë– Mali i Tomorit (2,416 metra)
– Mali Nemërçka (2,489 metra)
– Mali Ostrovica (2,383 metra)Nxitja
Shteti duhet të luajë një rol shumë të rëndësishëm në stimulimin e këtyre investimeve, por edhe në promovimin tek investitorët që shprehin interes në këtë fushë
Domosdoshmëria
Nevojiten projekte të mëdha për ngritjen e stacioneve të mirëfillta të skive që do të mundësonin ekzistencën e turizmit dimëror në Shqipëri me standarde europiane.