2016-a ishte viti i shthurjes. Normat e njohura u shpërbënë bashkë më të. Idetë e vjetra u sfiduan dhe u hodhën poshtë. Bota jonë siç e njihnim, u trondit dhe ne u shokuam nga e reja. Që nga Lufta e Dytë Botërore, dhe më herët, ka patur një konsensus, sipas së cilit tregtia qe shumë më tepër se sa vetëm ekonomi. Ishte një instrument për paqe.
Reduktimi i barrierave tregtare, nxiti rritjen ekonomike dhe prosperitetin. Ai konsensus ka pësuar tashmë një krisje. Tregtia globale mund të rrisë ekonomitë, por nga ana tjetër zhduk vendet e punës në sektorin e prodhimit. Një nga fitimtarët e një viti trazirash politike ishte proteksionizmi. Marrëveshje të gjera shumëkombëshe të tregtisë së lire u përballen me sfida. Donald Tramp, ka sinjalizuar se Shtetet e Bashkuara do të tërhiqen nga marrëveshja e Partneritetit Trans-Paqësor. Prirja është drejt marrëveshjeve dypalëshe, shkruan Gavin Hewitt në BBC.
Edhe në të majtë – veçanërisht në Francë – zërat të ndryshëm bëjnë thirrje për ndërtimin e një shteti të fortë, për të mbrojtur vendin nga interesat e huaja, nga globalizimi. Nacionalizmi është rrikthyer. Jo në formën e tij të vjetër, por është rishfaqur nacionalizmi ekonomik. Donald Tramp ka rrimarrë një slogan të vjetër izolacionist, Amerika e para. Në marrëveshjet e tregtisë, në marrëdhëniet ndërkombëtare, faktori vendimtar nuk do të jetë policimi i rendit botëror, por shërbimi i interesave amerikane.
Në Mbretërinë e Bashkuar, aktivistët në favor të largimit nga BE-ja iu ofruan votuesve mundësinë “për të rimarrë sërish në dorë kontrollin e vendit”. Ishte Britania e para. Në Francë, politikani i qendrës së djathtë politikani Fransua Fijo – dhe njeriu që ka më shumë gjasa të jetë banori i ardhshëm i Pallatit Elize- ka deklaruar se “politika e jashtme franceze duhet t’i shërbejë interesave franceze”. “Le ta lëmë mënjanë”- tha ai, “ëndrrën e një Evrope federale”.
Ish-sekretari amerikan i Thesarit, Lerri Samers, ka folur për një “nacionalizëm të përgjegjshëm”. “Ai fillon”- thotë ai, “nga ideja, se përgjegjësia parësore e çdo qeverie është mirëqënia e qytetarëve të saj, dhe jo nga ndonjë koncepti i rendit ndërkombëtar”. Gjithashtu duke shkaktuar
një rikthim – të burrit të fuqishëm, udhëheqësit të fortë. Në mesin e rrethit të njerëzve të Donald Tramp, ekziston një admirim për “forcën” e Putinit.
Ne jemi dëshmitarë të ngritjes së demokracive joliberale. Autoritarët e rinj, ngazëllehen nga dëshira për të parë restaurimin e rendit global, në një botë komplekse globale. Krahas Vladimir Putin qëndron Rexhep Taip Erdogani i Turqisë, dhe në një masë më të vogël hungarezi Viktor Orban. Në krahë pret Franca e Marin Lë Pen. Disa janë të prirur të shtojnë edhe emrin e Donald Trampit në këtë listë.
Ajo që autoritarët e rinj ndajnë, është një përbuzje për organizatat ndërkombëtare. Tramp hodhi poshtë NATO-n si “të vjetëruar”, para së të tërhiqej nga ajo deklaratë. Putin injoron marrëveshjet që e kushtëzojnë, prandaj strukturat ndërkombëtare të pasluftës janë dobësuar. Izolimi është rrikthyer. Si në SHBA ashtu edhe në Evropë, ka pak oreks për fushatat ushtarake ndërkombëtare.
Në Siri janë rusët, dhe në një masë më të vogël turqit, ata që janë duke formësuar realitetin në terren.
Perëndimi është rrudhur nga përbrenda. Edhe pse Bashkimi Evropian ka ruajtur sanksionet kundër Rusisë si pasojë e veprimeve të saj në Ukrainë, udhëheqësit e rinj janë duke kërkuar rivendosjen e marrëdhënieve të tyre me Moskën. Sado që fyen vlerat e tyre, evropianët kanë qenë thjesht tepër të gatshëm për të arritur një marrëveshje me presidentin turk Erdogan, në rast se ai premton të zvogëlojë rrjedhën e refugjatëve drejt Evropës.
Nuk është se vlerat themelore që lidhin Evropën me Amerikën e Veriut janë hedhur poshtë, por demokracia liberale perëndimore duket në pozita mbrojtëse dhe e pasigurtë. Kohët e fundit, ish-sekretari amerikan i shtetit Henri Kisinger komentoi se “për herë të parë që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, raporti i ardhshëm i Amerikës me botën nuk është plotësisht i zgjidhur”.
Identiteti kombëtar ka sërish rëndësi. Në Francë, Fransua Fijo, kandidati i qendrës së djathtë, thotë se “jo, Franca nuk është një vend multikulturor”. Në Gjermani, Angela Merkel këmbëngul se “ne nuk duam asnjë shoqëri paralele. Ligji ynë ka përparësi para rregullave fisnore, kodeve të nderit dhe Sheriatit”. Dhe kështu, në të gjithë Evropën dhe Amerikën e Veriut, mprehet debati mbi integrimin.
Ekziston një ndryshim, një hap drejt inkurajimit të asimilimit, për t’i bërë emigrantët e rinj të përqafojnë vlerat liberale ekzistuese. “Mbulimi i plotë i fytyrës me shami nuk është diçka e përshtatshme”- thotë Angela Merkel. “Kjo duhet të ndalohet kudo që është ligjërisht e mundur”. Në Gjermani, entuziazmi për ‘willkommenskultur’- kulturën e mirëseardhjes ndaj emigrantëve, është venitur.
Neve na është thënë se rradhët e refugjatëve që shkonin në Gjermani në vitin 2015 nuk do të përsëriten më. Në Shtetet e Bashkuara, një pikë qëndrore e fushatës së Tramp qe premtimi për të vepruar kundër imigrantëve pa dokumente, duke përfshirë zotimin për të “ndërtuar një mur të madh në kufirin tonë jugor”. Teksa përgatitet të hyjë në Shtëpinë e Bardhë, disa nga planet e Donald Trampit mund të jenë zbutur, por debati mbi emigracionin, që ishte tipari kryesor i fushatës Brexit, do të vazhdojë sërish të turbullojë ujërat politike.
Ekonomia e shpërndarjes së mirëqenies është rrikthyer. Në Amerikë, do të ketë ulje të taksash për të gjithë, duke përfshirë edhe të pasurit, me besimin se kjo do të nxisë një rritje më të madhe ekonomike. Administrata Tramp, është duke planifikuar një stimul fiskal masiv, përmes pompimit të parave në rindërtimin e infrastrukturës së vendit. Do të jetë një mori rregulloresh. Gjithashtu edhe në Evropë, me kalendarin e shenjuar nga zgjedhje të rëndësishme, angazhimi për zbatimin e reduktimeve të mëtejshme të defiçiteve buxhetore do të dobësohet.
Qe menduar se argumentet kryesore mbi ngrohjen globale qenë të qëndrueshme, por ato janë sërish në pikëpyetje. Marrëveshja e Parisit, e angazhoi komunitetin ndërkombëtar për të kufizuar rritjen e temperaturës globale. Ndërkohë Donald Tramp ka zgjedhur si kreun e të ri të Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit, një njeri që ka vënë në pikëpyetje shkencën e ndryshimeve klimatike.
Tashmë do të ketë një betejë të madhe për ndihmësin e presidentit të ri, nëse ai e tërheq SHBA-në nga Marrëveshja e Parisit. Të gjitha qeveritë perëndimore do të përballen me këtë pyetje:a mundet shteti të ofrojë mbrojtje ndaj globalizimit? Miliona njerëz në Evropë dhe Amerikën e Veriut, kanë hequr dorë nga partitë politike të establishmentit, për shkak se ata dyshojnë nëse këto të fundit mund të shpërndajnë mirëqenien. Deri më tani, socialdemokratët – qendra e majtë – kanë qenë në gjendje ta bëjnë pasigurinë dhe pabarazisë si kauza të tyre.
Beteja politike do të zhvillohet mbi atë se kush është i pozicionuar më mirë, për të ndihmuar ata që nuk u ngritën në aspektin ekonomik dhe social nga vala e globalizmit. Beteja për mendjet e votuesve, do të zhvillohet në një epokë të politikës së pas së vërtetës, të lajmeve të rreme që përzihen me teoritë e konspiracionit. Si në Mbretërinë e Bashkuar dhe SHBA, media u përball me një ekuivalencë të rreme. Ekspertët u hodhën poshtë.
Në Amerikë, disa prej atyre që qenë pranë fushatës së Tramp, u përpoqën të ripërcaktojnë të vërtetën. Nuk është bërthama e fakteve në ndjekje të një të vërtete objective, që ka domosdoshmërisht rëndësi, argumentojnë ata. Por është fakti se shumë njerëz e besojnë se diçka, edhe një komplot, që e bën atë të vërtetë. Mediat do të jenë në qendër të kësaj beteje idesh. Aktivistët anti-establishment besojnë se kanë fituar. Një figurë kryesore në Frontin Kombëtar në Francës, është shprehur se establishmetnti i botës “është duke u shembur. E jona është duke u ndërtuar”. Najxhëll Farazh, ish-lideri i UKIP, ka folur për një “revolucion demokratik”, i cili sapo ka filluar.
Bepe Grilo nga lëvizja italiane Pesë Yjet, thotë se “ata që marrin në sy rrezikun, kokëfortët, dhe barbarët, do ta çojnë botën përpara”. Shumë të tjerë i shohin barbarët para portave të demokracisë liberale. Ndaj viti 2017, do të jenë arenë e betejave të mëtejshme mes këtyre dy vizioneve konkurruese. Në njërën anë gjenden ata që janë të përkushtuar për të mbrojtur shtetin-komb, dhe instinktet e të cilit janë duke ndërtuar muret kundër një bote të rrezikshme dhe të paqëndrueshme. Në anën tjetër, ndodhen ata që besojnë tek internacionalizmi liberal, tek hapja, tregtia e lirë dhe institucionet ndërkombëtare. /bota.al/