Është promovuar të shtunën në ambientet e Pallatit të Kulturës Kamëz libri me poezi “Lajme nga dielli” të autorit Tomorr Kotarrja. Në këtë veprimtari merrnin pjesë miq, kolegë dhe bashkëpunëtorë të autorit, si dhe dashamirës të librit e studiues të krijimtarisë artistike. Libri u vlerësua për vlerat e tij artistike që sjell nga redaktori i librit, poeti Islam Çenga, nga studiuesi Fejzulla Gjabri, nga ish-ambasadori i Shqipërisë në Maqedoni, z. Arben Çejku, si dhe nga të pranishëm të tjerë në sallë. Gjatë veprimtarisë e cila u moderua nga Iva Mera, u shfaq një dokumentar për vendlindjen e Kotarja, Kalisi i Kukësit. Nuk munguan recitimet, të cilat erdhën nga aktorja Suela Konjari. Po ashtu, me interpretimin e tyre përshëndetën këngëtarët Ingrid Jushi dhe Nexhip Dida.
Redaktori i librit Islam Çenga në fjalën e tij tha se: -“E kam “shtrydhur” mendjen fort për shprehur përmbledhtazi në promovimin e vëllimit poetik, “Lajme nga Dielli” të poetit “Tomorr Kotarja”. Trokitja e Tomit në shtëpinë e poezisë ishte e natyrshme, e bukur, e këndshme, siç një udhëtar me dufin e erës, me vërshimin e përrenjve, me pyjet e lisit, me tërfilin e kullatave, me mallin për vendlindjen, me revoltën, me dashurinë për jetën, familjen, nënën, babain, miqtë e shokët… erdhi Tomi me traditat më të mira të krahinës së tij, Kalisin e Lumën, me gjyshin emër madh, Han Kotaren; vjen me të sotmen ku Tomi kërkon më shumë mirësi, më shumë drejtësi: “drejtësi për mua/ drejtësi për ty/ pak më shumë qeshje/ më shumë dashuri…” sepse “Jam përpjekur/ Kam luftuar/ dhe përpiqem/ dhe punoj/ kryelartë/ besnik e soj…”.
“Vargun e poezisë së T. Kotares, në vëllimin poetik me titullin sinjifikativ, “Lajme nga Dielli”, e përshkon tej e tej sinqeriteti, se poeti është poet e zemrën ta jep në dorë. Në shumë vargje e poezi vjen arome e luleve, e lisnes, e dashurisë, e elegancës, e kujtimeve të fëmijërisë, e revoltës ndaj ëndrrave të parealizuara, të plagëve të papunësisë, të korrupsionit, të harbutërisë e makuterisë, të veseve e xhveshjes nga vlerat njerëzore. Nuk gjen shteg ku të “ankohet” Tomi dhe i drejtohet djalit në poezinë për ditëlindjen, si amanet, so testament “Atë që nuk e realizova në jetë, me punë e përkushtim/ uroj ta realizosh ti shtrenjti biri im!”. Keni në dorë tashmë vëllimin poeti të Tomorr Kotares, “Lajme nga Dielli” të cilat përcjellin mesazhin e dashurisë për jetën, për njerëzit, atdheun e natyrën, që gurgullojnë si uji i borës në pranverë. Po i mbylli këto shënime, siç dëshironi të shpreheni secili prej jush: Tomi, sjellsh në këtë tokë bujare me male e det shumë, lajme sa më të bukura nga Dielli, për ne e brezat që do të vijnë. Me një vëllim tjetër shoku, sa më shpejt të jetë e mundur. Presim “Lajme… “ të tjera”, theksoi në referencën e tij Islam Çenga, redaktor i librit.
Në fjalën e tij, kreu i Bashkisë Kamëz, Xhelal Mziu, u shpreh se ndihej i privilegjuar dhe i emocionuar që ndodhej në këtë aktivitet. “Faleminderit për mundësinë që më dhatë për të qenë në këtë audiencë! Dua të falënderoj të gjithë pjesëmarrësit në këtë event! Ndihem i privilegjuar, por edhe i emocionuar për këtë aktivitet, sepse është një aktivitet për mikun tim, Tom Kotarja”, tha Mziu, i cili shtoi më tej: “Duke qenë pranë me Kotaren, jam i sigurt që në libër ka gërshetuar disa gjëra; rreze dielli për patriotizmin, për fisin Kotarja, për Kalisin, vendlindjen e tij, për Kukësin. Jam i sigurt që në këtë libër nuk mungon përmbajtja, nuk mungon ideja, rima etj.”, u shpreh kreu i Bashkisë, duke thënë më tej se Kotarja është një person që përveçse ka lëvruar më së miri poezinë, është edhe një administrator dhe aktivist i mirë politik. Me këtë rast, Mziu i ka uruar të pranishmit për festat e fundvtit dhe për një vit të ri sa më të mbarë. Ndërsa autori i librit, z. Tomorr Kotarja, ka falënderuar përzemërsisht të gjithë të pranishmit, në veçanti ata që folën dhe e vlerësuan librin e tij, “Lajme nga dielli”. Në fund të veprimtarisë pati edhe një koktej për pjesëmarrësit.
“Poezia është gjuha që këldon, thoshte poeti i njohur francez Paul Eluard. Ky përcaktim shumë domethënës ndaj shprehjen e vetvetishme, plot ndjenjë dhe çiltërsi, me spërdredhjen e sforcuar sterile. Vellimi poetik me titullin e bukur “Lajme nga dielli” qëndron në anën e gjuhës që këndon. Autorit Tomor Kotarja i këndon zemra në secilin prej motimeve të larmishme të frymëzimeve të tij, ky spikat si një fill tejpërcues drita e magjepsjes me ekzistencën e tij, drita e dashurisë, mirënjohjes dhe mirësisë, drita e rrezatimeve diellore që kthen në vargje dhe këngën shpirti i pushtuar nga Poezia”, citon Preç Zogaj në vlerësimin e tij për librin.
Në promovimin e librit ishte i pranishëm dhe ish-ambasadori i Shqipërisë në Kosovë dhe Maqedoni Arben Çejku i cili e vlerësoi librin dhe autorin dhe në shënimin e tij për librin ka theksuar: “Tomorr Kotarja është një zë i ri poetik tepër i veçantë dhe origjinal, që prej sot po i bashkohet familjes së poetëve shqiptarë me vëllimin e tij të parë “Lajme nga Dielli”. Unë pata fatin që ti lexojë poezitë e Tomorrit para së ata të hynin në procesin e botimit dhe mund të them me bindje se, lirikat në këtë vëllim janë një buqetë me vlera të qëndrueshme artistike. Pasardhës i një familje tub shquar, rrethuar nga peizash i bukur malor, siç është Luma nga vjen, brumosur me vlerat më të larta të traditës, historisë dhe kulturës sonë kombëtare, Tomorri na sjell përmes vargjeve të tij një tabllo epike plot me ngjarje, emra shoqëruar me peizazhe ekspresioniste”.
Ndërsa studiuesi Fejzulla Gjabri ne fjalen e tij tha se: “… Tomorri ka arritë ta shfaqë atë që ndien, se poezia së pari është ndjenjë. Tomorrin e njihja si administrator të mirë të punëve publike e private, në kuptimin që s’di të shpërdorojë, por të ndërtojë, e njihja si djalë i një dere të mirë, iniciator e si krahinar i imi. Ndoshta këto cilësi të karakterit të tij, nëpërmjet përceptimit ndiesor të këtij realiteti, na sjell në poezi botën e tij të brendshme. Tematika e poezisë së tij ka shtrirje nga vendlindja, Kalisi, në trotuare qytetesh si në Tiranë, Shkodër, Kamëz e deri në brigjet e deteve adratik e Jon. Brenda temës së vendlindjes është së pari familja, babai e deri te loti i nënës e Kalisi: “Aty babai im,/ me gjysh e stërgjysh, me zemrën e bardhë,/me koparan e Tirq…?Nënat motrat, gjyshet, aty aty lidhnin shamitë, vajzat thurnin andrra, dashuritë”. Në fund të aktivitetit autori i “Lajme nga dielli”, Tomor Kotarrja falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen dhe vlerësimin rreth librit.
Vlerësimet rreth librit nga Preç Zogaj, redaktori Islam Cenga, ish-ambasadori Arben Çejku, studiuesi Fejzulla Gjabri