Ne, mosha e tretë e shoqërisë që kontribuuam dje me punë e sakrifica në këto pasuri, jemi sot shtresa më e persekutuar sesa të persekutuarit e vërtetë, jemi shtresa më paqësore, por edhe më e papërfillura. “Ata që nuk respektojnë moshën e tretë, – thotë populli, janë të destinuar të mohojnë veten e tyre, e këta jeni ju pushtetarët e radhës”. Masa dërrmuese e pensionistëve, jeton sot me lëmoshën qeveritare prej 14000 lekë në muaj si pension i plotë pleqërie. Mos do të thotë kjo për ju, se vetëm ju paskeni të drejtë të jetoni? Ky pension siç dihet është më i vogël se minimum jetik, i llogaritur po nga ju si qeveritar të radhës, sipas oreksit tuaj. Atëherë si guxoni të na lini në këtë gjendje? Po të krahasoni pagën që ju na jepni, me vendet fqinje, edhe me ato vende që kanë pasur të njëjtin regjim e persekucion si vende të Europës Lindore, rezulton se është tallës dhe qesharak e ju përsëri vazhdoni të rrisni pagat tuaja. Kaq shumë ju ka hyrë vetja në qejf? “Kur të hyn vetja në qejf, të vjen fundi”, thonë në Shkodër. Prandaj e përdorin këtë shprehje si mallkim. Paradoksi thellohet po të krahasosh pensionin minimal të pleqërisë me pagat e larta të hierarkisë tuaj, ku rezulton se raporti del l me 50, raport ky që nuk e kanë as Europa e vendet më të zhvilluara, tek të cilët ky raport varion deri 1 me 10 apo 15 herë. Paradoksi i radhës. Presidenti i vendit realisht duhet të qëndrojë në majën e piramidës së pagave, por aktualisht është inferior ndaj disa pushtetarëve që janë vartës të tij. Paradoks tjetër. Si bëhet e mundur që me taksat e taksapagueseve shqiptarë të subvencionohen universitetet private, në emër kjo të reformës në arsim? Ecja përpara në demokraci bëhet nëpërmjet reformave në të gjitha fushat e jetës e atëherë hajde të financojmë të gjitha bizneset e sipërmarrjet private. E kundërta duhet të ndodhë, të taksohet edhe universiteti privat si çdo biznes tjetër, e në përgjithësi gjithë bizneset të mbahen nën kontroll për të mbrojtur nivelin e jetesës të popullsisë.
Unë tradicionalisht nga origjina e formimi i përkas të majtës dhe e deklaroj se për atë kam votuar, por nuk mund të pajtohem me praktikat e të majtës aktuale, që është e tillë me premtime, me llafe e slogane, por me veprime është krejtësisht e djathtë ekstreme. Është tejkaluar koha që votohej me lista të mbyllura, e kandidatët ishin puthadorët e kryetarit dhe një pjesë nga ata që janë pasuruar në rrugë të paligjshme, duke vjedhur pjesë të pasurisë kombëtare. Sot duhet të votohet jo më për parti, por për kandidat me emër, për të na përfaqësuar ai më i miri, s’ka më rëndësi përkatësia partiake.
Paga e pensionistit sot është e pamjaftueshme për të blerë as ilaçet që i kemi kusur nga mosha, por edhe nga kequshqyerja në rininë tonë, duke punuar kudo nëpër Shqipëri, me ndërgjegje e përkushtim. Ka plot fakte të tjera, por besoj se lexuesit e nderuar do t’i pasqyrojnë ato në faqet e kësaj gazete, specialistët e staticienët në pension që disponojnë shifra për ilustrime, gjithashtu besoj se nuk do të heshtin, e të gjithë së bashku të bëjmë uraganin e të trondisim themelet e pushtetarëve që nuk mendojnë për ne, por për veten e për fëmijët e tyre.
Ne pensionistët jemi të ndërgjegjshëm për forcën që përfaqësojmë, por jemi tepër paqësor, të arsyeshëm e të duruar. Unë e përçmoj me neveri cinizmin e ndonjë pushtetari që krekoset në TV, duke thënë se do të rriten pensionet në masën 1,6 %, sa një kafe që ai pi në Rogner apo Sheraton. More pushtetar i mjerë, si nuk të vjen turp që e thua?!
Është e vërtetë që ne mosha e tretë, nuk dalim masivisht për të protestuar në rrugë e sheshe, e as t’ju qëllojmë me vezë apo sende të tjera, sepse nuk kemi një edukatë të tillë. Ndoshta pushteti i radhës, këtë na e merr për dobësi. Dijeni se ne dimë të flasim edhe ndryshe, e do e themi fuqishëm fjalën tonë në mënyrën sa më demokratike. Si çdo fillim që ka një fund, mendoj se ka ardhur ky moment.
Duke ndjerë mospërfilljen dhe pandjeshmërinë e qeveritareve ndaj nesh, nuk mund të pranojmë më që një deputet, i çdo ngjyre politike qoftë, pa asnjë kontribut real në zhvillimin e vendit, pa i dhënë asgjë konkrete shoqërisë, pa patur fillimisht as librezë pune, merr nga shoqëria 30-fishin e pagës minimale të pensionit të plotë tonin, që i kemi dhënë shoqërisë 35-50 vjet mund e djersë. Po ashtu, kur ky të dalë në pension do të marrë 20-fishin dhe deri atëherë merr kompensime të tjera. E theksoj, shoqëria i detyrohet moshës së tretë. E keni për detyrë parësore të bëni me kujdes harmonizimin dhe shpërndarjen e pagave. Ne jemi vërtet vendi më i varfër në Europë, por kjo varfëri nuk duhet t’i faturohet vetëm shtresës tonë, ndërsa ju të nginjeni.
Për të tëra ato që u shpreha më lart, duke qenë sot si zë i vetëm, kërkoj që brenda vitit 2016 të bëhet nga qeveria ligji që pensioni i plotë i pleqërisë në fshat e në qytet të behet minimalisht 30.000 lekë, duke aplikuar edhe indeksimin në vite. Kërkoj për këtë, solidarizimin e bashkëmoshatarëve vuajtës, por edhe atyre që presin të dalin në pension së shpejti, që të mos kenë fatin tonë të deritanishëm.
Hedh për diskutim tek ju që keni të njëjtin mendim me mua për t’u shprehur nëpërmjet gazetës. Kur del në pension, të gjithë kanë të drejtën që të jetojnë mirë në vitet e fundit të jetës tokësore. Shpejt apo vonë do të marrim 2 metra katror vend të përkohshëm në këtë planet. Për kontribute të ndryshme gjatë punës pranohet diferenca në paga. Por kur ne pensionistët nuk punojmë, përse të vazhdojë persekucioni me diferenca të theksuara në pagesë? Tokës për këtë periudhë njëlloj i rëndojmë.
Në rast heshtje e mos reflektimi të qeverise ndaj kësaj kërkese, ne duhet të reagojmë fillimisht duke bojkotuar plotësisht zgjedhjet e radhës, e në vazhdim çdo lloj takimi e tubimi duke përshkallëzuar kërkesën tonë në nivele të tjera brenda dhe jashtë vendit, në rrugë demokratike.
Dikush prej jush, të nderuar lexues, që patët mirësinë të lexoni këto rreshta, mund të thotë: Për momentin është e pamundur, apo, është e parealizueshme për mungesë fondesh, apo, është utopi, mund të thotë një tjetër. Përgjigja ime është: Jo të nderuar lexues, nuk kërkohen fonde shtesë, vetëm rregullimi brenda për brenda, mirëshpërndarje e të ardhurave e përgjegjësi morale nga pushtetarët tanë. Nuk të lejon Kushtetuta, mund të ngrihet një zë nga fundi. Ne jemi dëshmitarë, deri tani të gjallë, që, kur duan të dy anët e politikës e ndryshojnë Kushtetutën për 24 orë, ashtu siç e bënë në vitin 2008.
Pyetjes se nga do të dalin lekët për shtesën që unë pretendoj, përveç korrigjimeve në shpërndarje, po radhis disa burime të tjera.
1- Të quhen të mirëqena zgjedhjet kur pjesëmarrja në votime është mbi 70% e numrit të përgjithshëm të votuesve. Në mos plotësimin e kësaj kuote, financimi përsëritës të bëhet nga partitë. Nuk ka më kuptim e logjikë që partia të sundojë shumicën.
2- Në bazë të normativave të vendeve ku aspirojmë të vemi, për popullsinë që kemi nuk ka nevojë për 140 deputetë, por për 60-70 të tillë.
3- Rroga e deputetit si vendi më i varfër në Europë e ndoshta edhe në botë, të jetë të themi në raportin një me tetë krahasuar me pensionin minimal të plotë të pleqërisë dhe kur ai të dalë në pension të jetë deri 1 me 1.5.
4- T’u hiqen deputetëve shpenzimet për telefon, makina, zyra, sekretare, pagesa suplementare për pjesëmarrje në komisione parlamentare e benefite të tjera të shumta që as deputetët e vendeve më të zhvilluara nuk i përfitojnë.
5- Të rritet pragu elektoral i partive duke kufizuar financimet e tyre.
6- Të eliminohen partitë fantazmë që nuk kane anëtar, apo qe deklarojnë numër fiktiv. Sot, kur çdo shqiptar ka një numër identifikimi është i mundur verifikimi i anëtarësisë së tyre.
7- Largimet pa kriter nga puna për arsye partiake apo të tjera, të cilat gjykata i gjen të gabuara dhe i rikthen në vendin e punës e më pas duke u dhënë edhe pagat e prapambetura përbën një faturë financiare të lartë që duhet ta zhdëmtojë ai që ka faj.
8- Prishjet e ndërtimeve edhe shesheve, sa herë që ndërrohen kryeministrat, është një dukuri provinciale e mentalitetit hakmarrës tipik shqiptar dhe fatkeqësisht, fatura përballohet nga taksapaguesit.
9- Vende shumë më të pasura, me popullsi të shumtë, e territore shumë herë më të mëdha se ne, qeverisen me më pak dikastere. Kufizimi i tyre dhe i shumë institucioneve të tjera, i numrit të administratës publike, që së fundmi mendoni ta rrisni, përbën burimin tjetër nga mund të përfitohen fonde. Në këto institucione vegjetojnë sot parazitë militantë të pushtetit të radhës dhe po të llogarisësh edhe përfitimet e tjera të padrejta të tyre, e rrisin vlerën e kursimit në interesin e tërë shoqërisë. Në një kohë kur qeveria çdo gjë e privatizon dhe shton pa fund koncesionet, kërkon shtimin e numrit të administratës publike. A është ky tjetër paradoks?
Në vazhdim të kësaj nisme, specialistë e staticienë besoj se do të pasqyrojnë të tjera argumente, nga rezultantja e të cilave do dalë qartë (jo se nuk dihen) se do të teprojnë fonde, edhe për të shtuar investime në fusha të tjera sociale.
Në 104 vjet shtet, sa shumë është vjedhur e shpërdoruar pasuria kombëtare?! Le t’ua lëmë analizat e tyre ekonomistëve e historianëve dhe në fakt ata po e thonë fjalën e tyre.
Në vitin 1990 ishim të gjithë pothuajse njësoj. Kur nisi starti kuptohet që nuk mund të ecnim të gjithë me një hap, por një pjesë i zuri darka pa bukë e mëngjesi milioner. U bënë disa, shumë shpejt miliarderë, duke grabitur e vjedhur nga pasuritë e popullit. U bënë të tillë pa punuar. Kjo është borgjezia e re, e mbështetur dhe e mbrojtur nga drejtësia që krijoi kjo borgjezi, për të përjetësuar pasuritë e vjedhura në vite. Kjo elitë e të gjitha krahëve të politikës është fare e pandjeshme, e në momente të veçanta godet, e në ndonjë rast të eliminon. Janë shumë aktuale vargjet e Ali Asllanit, që artisti i popullit Reshat Arbana, i papërsëritshëm për nga niveli artistik, i reciton në përsosmëri të rrallë. Ministri i Brendshëm (dhe këtu kërkoj mirëkuptimin tuaj se për të kam respektin e duhur) si përfaqësuesi i qeverisë, kërkon që t’i dorëzojnë armët ata që i kanë. Unë në këtë rast solidarizohem me poetin e madh Arben Duka dhe them jo t’i dorëzojnë, por të legalizohet mbajtja e tyre. Shtoj në këtë rast që të lejohet që të pajisen edhe të tjerë, duke i legalizuar kur kanë arsye për vetëmbrojtje. Nga kush ka frikë qeveria? Apo i doni për skrap, ashtu siç vepruat me gjithë arsenalin ushtarak?
Unë sot ju drejtohem juve pushtetarë të nderuar mbas një heshtje e pritje të gjatë, me qytetarinë që më karakterizon nga edukata e marrë në vite, si brezi i moshës së tretë, por jam shumë i bindur se shumë shpejt do të bëhemi shumicë. E në rast se do të vazhdoni të heshtni apo të na mashtroni si deri më sot, të jeni të sigurt se do t’ju drejtohemi edhe ashpër ashtu siç do ta meritoni. Mos vazhdoni ta quani, si deri më sot, qëndrimin tonë dobësi, sepse njohim edhe anën tjetër të medaljes, e ne s’kemi se çfarë të humbasim më tjetër. Ne kemi privilegjin e jetës që si prindërit tuaj nga mosha, apo vëllai i madh i një pjese prej jush, mund t’u tërheqim veshin, por edhe t’ju ndëshkojmë kur nuk na siguroni e plotësoni nevojat minimale të jetesës. E di që një pjesë prej jush që sot janë në moshën e dytë e kanë parapërgatitur bazën ligjore që kur të dalë në pension, të marrë më tepër se sa pretendoj unë sot, që përfaqësoj bindjet e një pjese të moshës së tretë.
Është mjerimi juaj që na keni lënë në këtë gjendje financiare të mjeruar. Ju sot jetoni në luks, shkolloni fëmijët jashtë shtetit, kuroheni familjarisht po jashtë vendit, festoni me madhështi edhe gëzimet e thjeshta familjare e bridhni nëpër botë etj. Ndërsa shtresa jonë, ne që ju kemi sjellë në këtë jetë, na dridhet dora nga skamja, mendojmë për bukën e përditshme, nuk provojmë dot kënaqësinë për t’i bërë një dhuratë simbolike nipit apo mbesës për ditëlindje, nuk organizojmë dot një festë të vogël familjare, nuk shkojmë dot të shohim fëmijët nëpër botë. Për gjëra të tjera, luks, pushime e kurime jashtë shtetit, nuk guxojmë as t’i mendojmë, sepse ju na e keni vrarë atë shpresë. Edhe ilaçet që na i premtuat falas, vazhdoni të na i jepni me lekë dhe të skaduara, ato që bota i skanon për t’i hedhur. Për të gjitha këto, e të tjera që do t’i themi në rast se heshtni, turpi ju mbuloftë e në rast se nuk skuqeni, se ju ka plasur cipa, do të na keni përballë deri në plotësimin e kërkesës tonë. Me përshkallëzimin e kësaj nisme, që unë momentalisht do ta quaj kauza jone, do të bëjmë të mundur përzgjedhjen e një përfaqësie që të luftojë për të drejtën tonë, brenda e jashtë vendit, pasi sindikatat i keni eliminuar.
Të nderuar shtetar! Mos bëni sot të paditurin dhe as të fshiheni pas gishtit, por bëjini ndryshimet e nevojshme kushtetuese, po qe se ju pengojnë, për të bërë ndryshimet e duhura në kohën e duhur. “Nuk mban më ujë pilafi”, thotë populli, prandaj: Meritojeni e kuptojeni mirë sjelljen tonë. Plotësoni pa hezitim kërkesën tonë jetike. Respektoni prindin apo vëllain tuaj të madh. Mos mohoni veten tuaj.
Me respekt, nga pensionisti A. P.