Nga Dr. Bledar Kurti
Një nga gabimet më fatale të analistëve të sotëm, dhe padyshim e pseudo-analistëve, qofshin ata mysafirë të paneleve televizive apo mburravecë në tavolina miqsh, është se e bazojnë logjikën e tyre analitike mbi politikën tradicionale, precedentët zgjedhor, dhe perceptimet bazike mbi koalicionet, qeverisjen dhe trendin e votës.
Kësisoj, lexojmë e dëgjojmë shpesh deklarata profetike mbi rezultatin e zgjedhjeve, dhe në ditët e sotme, konkretisht, për rezultatin e zgjedhjeve të ardhshme të qershorit 2017. Ajo çfarë pak analistë, e sidomos kategoria e mendimtarëve të përgjithshëm të politikës, nuk e kuptojnë është që formula parti + koalicion + qeverisje + opozitë + votues + propagandë + media ka ndryshuar.
Ky ndryshim nuk ka ardhur aspak nga partitë apo votuesit, por ka ardhur nga ai pushtet i cili dikur njihej si i katërti por tashmë ka kapëcyer në të parin: MEDIA, dhe më saktësisht, Media Online. Ka kaluar pothuajse një gjysëm dekade që Media tradicionale ka përjetuar një transformim rrënjësor, dhe sot ajo njihet si New Media (Media e Re) pasi zhvillimi tejet i shpejtë i teknologjisë dhe dhënia pas e qytetarëve, në përmasat e një sëmundje të frikshme, ka bërë që rrjetet sociale të kenë ndikimin më të madh në perceptimin e individit.
Ky fakt njihet mirë nga politika ndaj ajo, brenda së drejtës së saj të arsyeshme, mundohet ta përdorë sa më shumë. Por këtu qëndron një problem shumë i madh, sepse politika apo qeverisja injekton një realitet vitual por nuk merr asnjë feedback (prapaveprim) nga qytetarët, kësisoj e bën atë tërësisht të shkëputur nga realiteti, gjendja reale, opinioni real, shqetësimet dhe problematikat e vërteta të cilat përjeton qytetari.
Në këtë marrëdhënie të njëanshme, një qeveri apo parti vetëm sa flet, propagandon, dhe injekton realitetin e saj, ndaj edhe gjatë viteve të fundit shumë qeveri e parti në botë kanë pësuar zhgënjime duke humbur zgjedhje apo popullaritet të theksuar.
Ky fenomen është edhe më i theksuar në Shqipëri, ndaj në zgjedhjet e ardhshme, qeverinë dhe partitë kryesore në vend i pret një surprizë shumë e madhe, dhe rezultati i zgjedhjeve do jetë përtej çdo imagjinate analisti dhe pretenduesi për marrjen apo vazhdimin e karriges së pushtetit.
Zgjedhjet e para pak javëve në SHBA e nxorrën në dritë këtë fenomen, dhe tashmë formula e re politike dhe raporti i saj me Median e Re janë objekt analize për mjeshtrit e botës së komunikimit, drejtuesit e partive, kryerdaktorët e televizioneve më të njohura në botë, madje edhe e personazheve të shquar të globit.
Dështimi total i gjigandëve televiziv dhe shtypit të shkruar, humbja e besuesshmërisë ndaj kompanive më me zë në botë të sondazheve, kanë frikësuar liderët botëror jo vetëm për të ardhmen e tyre politike por edhe për të ardhmen e popujve të tyre pasi gjatë viteve të fundit shumë shtete të mëdha kanë mbajtur dhe dëshirojnë të mbajnë referendum për shkëputje, përshembull, Skocia nga Britania, Britania nga BE, Baskët nga Spanja, Austria, Franca dhe Hollanda nga BE, etj.
Dhe duke mos e kuptuar paraprakisht qëndrimin e opinionit publik këto iniciativa shndërrohen në misione vetëvrasje dhe vetëshkatërrimi. Media ka qenë gjithmonë mjet i pushtetit, qoftë i një pale tjetër apo duke qenë pushtet per se, por ajo tashmë jeton me kujtimet e një të shkuare të lavdishme, sepse pushtetin e sotëm e ka Google, Facebook, dhe Twitter.
Madje dhe dezertori i NSA Edward Snowden e ka evidentuar këtë monopol të pushtetit online, dhe madje ka ngritur argumentin që janë vetë rrjetet sociale ato që sjellin rezultatin e kundërt të asaj që pritet. Snowden u shpreh që Facebook lejon shpërndarjen e lajmeve të rreme, dhe qytetarët apo votuesit mashtrohen prej tyre. Në Shqipëri janë 1,815,146 përdorues të internetit dhe 1,300,000 përdorues të facebook.
Pavarësisht zërave të pavarur ndaj lajmeve apo qëndrimeve politike qeveria ka një avantazh më të madh pasi ka luksin të angazhojë me mijëra njerëz të cilët janë në gadishmëri ti bëjnë lajka drejtuesve të qeverisë, politikave të saj, aktiviteteve të përditshme, të sulmojë kundërshtarët, dhe të ndikojnë në mënyrë të ndërsjelltë në opinionin e të tjerëve.
Përtej kësaj, çdo mendim ndryshe luftohet apo sabotohet, duke e kthyer këtë marrëdhënie të njëashme qeveri-qytetar në një boomerang të paevitueshëm, dhe një rezultat zgjedhor surprizues për vitin 2017, pasi opinionin real të një qytetari të thjeshtë askush nuk e dëgjon dhe askush nuk e përfill. Por, ndonëse qytetari është i privuar dhe bombarduar nga propaganda, ai është aty, ai jeton me shqetësimet e përditshme, dhe ai ka armën e tij, votën.
Prandaj edhe Hillary Clinton humbi, prandaj edhe liderët në Francë dhe Itali janë të frikësuar, prandaj edhe në Shqipëri i është tronditur vetëbesimi disa prej drejtuesve kryesorë të politikës shqiptare sepse prej vitesh vetëm kanë folur, kanë propaganduar, kanë imponuar opinionin publik, e kanë egzagjeruar me arritje të paqena virtuale, dhe nuk kanë dëgjuar ata miliona qytetarë të cilët kanë diçka për të thënë, jo madhështore e as të bukur, por të thjeshtë dhe mbi të gjitha reale. Media e Re ka pushtetin të rikrijojë mënyrën se si ne mendojmë.
Përveçse kjo është e frikshme, është gjithashtu shkatërrimtare, sidomos për të ardhmen e një vendi. Në këtë gjendje që ndohet vendi ynë, nëse zgjedhjet do të bëheshin nesër rezultatet do ishin surprizë. Partitë kryesore duhet të krijojnë think tank: institute, ose grupe të organizuara ekspertësh për zhvillimin e ideve, anektimeve ekonomike, politike, sociale dhe ndërdisiplinare, dhe të hartojnë plane për zbatim, bazuar mbi problematika dhe perceptime reale.
Ky ishte suksesi i Donald J. Trump, dhe ky do jetë suksesi i asaj partie në Shqipëri që do e bëjë këtë përpara zgjedhjeve të ardhshme. Qasja reale sjell rezultate reale, ndërsa ajo virtuale të bën të mendosh se je i ulur në karrigen e pushtetin, kur në fakt je thjeshtë i ulur në një stol në baçen e shtëpisë.
(Boldnews.al)