Grupi i kultivuesve të cilëve ju sekuestrua hashash pak ditë më parë gjatë një operacioni në Kurbin, janë “dorëzuar” pas korrjes së hashashit por megjithatë kanë shpresa të shpëtojnë diçka.
“Ka ngel pa djeg, ti shpëtojmë”, thonë trafikantët në bisedat mes tyre. “Gazeta Shqiptare” vijon sot publikimin pjesës së tretë bisedave ku ata ju referohen policëve si “ujqër” dhe vendndodhjes së drogës si “te lopët”. Në këtë operacion u arrestuan 7 persona dhe u shpallën në kërkim disa të tjerë. Më poshte biseda telefonike, e sjellë nga “GSH” në mënyrë autentike sipas dosjes së prokurorisë duke ruajtur origjinalitetin e dialektit.
PERGJIMET E PLOTA
Më datë 21.09.2016 në orën 15:51, Lefter Nelaj telefonohet nga Albani, i cili i tregon se ata janë të gjithë të krahut të Lezhës. Lefteri i thotë se e ka marrë vesh pasi i kanë thënë policë, si dhe i kërkon që të shkojë dhe të shohë njëherë. Albani i tregon se do justifikohet sikur i ka humbur ‘lopa’. Në orën 16:50 Lefter Nelaj telefonon personin me numër 068 XX XX 813, të cilin e pyet nëse ka dalë për t’i parë. Personi i tregon se ka shkuar andej, pasi i ka humbur një lopë dhe po e kërkon deri në Sharrë-Bardhë. Lefteri i kërkon që ta njoftojë nëse ka gjë dhe personi pohon. Lefteri i kërkon që t’i tregojë a kanë mbaruar punë. Personi i thotë se kur të shkojë, do i tregojë.
Në orën 17:16 Lefter Nelaj i dërgon SMS, të cilin e pyet nëse kanë dalë për të parë se çfarë është bërë sipër. Hashimi i tregon se Lami i ka thënë që kanë mbaruar punë. Lefteri e pyet nëse në të dyja, si dhe i kërkon që të shkojnë lart dhe të shpëtojnë ato që kanë mbetur. Hashimi i tregon se ata janë aty akoma. Lefteri i tregon se ka folur me plakun, i cili i ka thënë se nuk janë dhe këta duhet të dalin në arë të bozës dhe tek antenat dhe nuk ka kush punë me këta. Hashimi ka thënë se janë akoma aty, pasi e kanë ndaluar. Në orën 17:48 Lefter Nelaj telefonohet nga Albani, i cili i tregon se kanë mbaruar punë në të 4 anët dhe lopët kanë ikur. Lefteri e pyet nëse kanë mbaruar punë dhe Albani i thotë komplet. Lefteri e pyet për ‘barinjtë’ nëse kanë ikur dhe Albani mohon. Nga përmbajtja në tërësi e bisedave më poshtë rezultoi shqetësimi i tyre për bimët narkotike të asgjësuara, të prera e djegura nga policia dhe bisedojnë se ç’mund të bënin me bimët narkotike që kishin shpëtuar pa djegur.
Në orën 17:55 Lefteri kontaktohet nga Albani.
Albani: Kanë mbaruar punë vetë, të jenë shnosh kalamajt. Mos u mërzit. Nuk ke çfarë me bo. Kur të të marrë Astriti se mua nuk më del, ja kam marrë atë telefon… ia pata lënë me një brimë aty poshtë. Kanë dalë në kodër, aty ku kemi mbledh sqarin, tek ai stani pranë Pëllumbit, tek antenat.
Leferi: Do të dal me çunat.
Albani: Që tani.
Nga përmbajtja në tërësi e bisedave më poshtë rezultoi shqetësimi për korrjen e parcelave dhe biseda për të mësuar se kush ishin policët që e kanë bërë këtë.
Në orën 18:13 Lefteri kontaktohet nga Albani
. Albani: Prej kujt e kemi?
Lefteri: Jam t’u e marr vesh, por nuk ka rëndësi prej kujt e kemi.
Albani: Veç te ne. Askund tjetër.
Në orën 18:29 Lefteri kontaktohet nga Albani.
Albani: Ke folur me çunat mos po dalin lart në mal?
Lefteri: Ata nuk janë të sigurt.
Albani: Sapo kam ardhur te stani dhe brenda e kanë bërë krejt rrëmujë dhe çantën e kam gjetur në tokë, te era.
Lefteri: Kanë dëmtuar përciptas apo kanë mbaruar punë plotësisht?
Albani: (Te stani) kanë mbaruar punë krejtësisht dhe lartë kanë mbaruar punë krejt. Lart e poshtë.
Në orën 19:08 Lefteri kontaktohet nga Albani.
Albani: Krejt. Na kanë lënë vetëm domatet.
Lefteri: Nuk ka çfarë me mbledh nesër.
Albani: Kanë lënë të vrana të këputura.
Lefteri: Ka gjë për të mbledh?
Albani: Ka pa djegur sa të duash.
Lefteri: Hiqi ato që aty dhe të vijmë nesër t’i rregullojmë. Të bëjmë ndonjë punë, se duhet të merrem
me punë të tjera mbrapa, t’i lëmë te plaku.
Albani: Ka sa të duash se nuk kanë arrit me i mbledh krejt. Mos kanë vënë ndonjë gjë këtu?
Lefteri: Nuk kanë vënë gjë. Mblidh sa të mundesh, mos i lër bashkë, por të ndara. Në orën 19:15 Lefteri kontaktohet nga Albani.
Albani: I hoqa. Më shumë se gjysma janë të paprishura. Vetëm dy turra kanë djegur.
Lefteri: Atje lartë?
Albani: Atje vetëm i kanë këputur.
Lefteri: Shko deri aty te ‘miza’, nëse i kanë marrë ato të bërat.
Ora 20:04. Albani: E kanë mbledhur komplet, i kanë vënë flakën. Atë tjetrën e kanë marrë çunat më tha Preni, atë të thatën.
Lefteri: Lidhu me atë (personin e tretë) e të vijnë nesër në mëngjes. Lefteri do të gjejë edhe 3-4 veta të tjerë.
Në orën 20:19 Lefteri kontakton Lanin.
Lefteri: Ke folur me Albanin, i ka futur brenda gjëkundi?
Lani: Përjashta. Nesër në mëngjes nga ora 4.
Lefteri: Nëse ngrihesh herët, tregoja pak Astritit sa është aty kun a tha, mos e bëjmë aty poshtë atë, afër teje. As 35% nuk e kanë ashtu (prishur). Vetëm e kanë rrëzuar.
Më datë 22.09.2016 ora 16:52:11, Lani i thotë Lefterit se “fterja e parë u vu në zjarr”, duke ju referuar një parcele, e cila është djegur.
Në orën 17:24 Lefteri komunikon me SMS me Astritin.
Lefteri: Ku ndodhet gërshëra (nënkupton policët që presin)?
Astriti: Tek pisha e thatë te burimi sipër.
Lefteri: Ku e ke mbytur gjarprin (nënkuptohet fshehur lënda narkotike)?
Astriti: Pak më këtej tek një pishë e thatë.
Në datën 27.09.2016 forcat e policisë përsëri kanë shkuar në operacion asgjësimi dhe ky reflektohet edhe në bisedat e të hetuarve, të cilët ndjekin lëvizjet e policisë. Në orën 12:21 Lefteri komunikon me SMS me Mirin, të cilit i kërkon të shohë çfarë bëhet nga ai pasi nuk shikon gjë. Në orën 12:23, mes tyre bëhet kjo bisedë:
Lefteri: Hë re… fol.
Miri: Ra mjegull qatje ka na.
Lefteri: Ku ra mjegull?
Miri: I kanë fut flakën.
Lefteri: Ba be… Aty ken a?
Miri: Po (duke iu referuar gjetjes së lëndës narkotike dhe asgjësimit).