Kryeministri Edi Rama ka sulmuar deputetin gjerman Krichbaum që deklaroi tre ditë më parë nga Tirana se grupi parlamentar të cilës i përket CDU-CSU, do t’i kërkojë Bundestagut gjerman që mos të hapen negociatat për Shqipërinë pasi vendi nuk i ka përmbushur 7 kushtet.
Në video-komunikimin e çdo të diele, Rama e quajti deputetin gjerman “zë të huaj” që nuk flet në emër të Parlamentit, por mban një qëndrim personal dhe madje të parëndësishëm.
“Të gjithë e patë ngazëllimin e hatashëm të Saliut, Lulzimit dhe gojëve, syve e lapsave të SHQUP-it për qëndrimet agresive të disa të huajve kundër Shqipërisë. Tamam në momentin delikat që Shqipëria pret të marrë nga Këshilli Europian në dhjetor mbështetje të mëtejshme në rrugën drejt çeljes së negociatave me BE-në. Prandaj ia vlen të thuhen sot, disa të vërteta. E para, është më se normale që në këtë proces të shfaqen në çdo parlament të PE-së deputetë që do iu dalin kundër qëndrimeve të Brukselit, do iu bien ndesh qeverive të tyre. Do iu vihen me ose pa dashje në krah Saliut e Lulzimit për të bllokuar Shqipërinë në këtë proces. Jo sepse këta tipa kanë domosdoshmërisht ndonjë gjë kundër vendit tonë. Ata thjesht shfrytëzojnë rastin për ta përdorur edhe vendin tonë si ushqim për populizmin e tyre në politikën e brendshme të partive a vendeve ku janë”, tha Rama
Rama i ka quajtur deklaratat e deputetëve “destruktive’ dhe shtrembëruese. Ai tha se ata flasin thjesht në titull personal dhe nuk kanë asnjë mandat, nga askush.
“Mund të shpikin kushte të reja për Shqipërinë dhe t’i ndajnë ato me publikun shqiptar, mund të shtrembërojnë hapur, siç bënë, konstatimet e Komisioni Europian dhe mund të gjejnë në mediat shqiptare një akses që në vendet e tyre as e ëndërrojnë. Deklaratat e tyre destruktive mund t’u shiten shqiptarëve nga të paudhët apo të paditurit e këtushëm si bomba të vetë shteteve të tyre mbi Shqipërinë. Po përtej një grushti hiri që iu japin me apo padashje Saliut dhe PD-së për tua hedhur në sy atyre që ende besojnë në gënjeshtrat dhe shpifjet e SHQUP-it ata nuk kanë çi bëjnë fare Shqipërisë. Sepse praktikisht nuk kanë asnjë mundësi që ta ndryshojnë qasjen konstruktive të KE-së dhe qeverive të vendeve anëtare ndaj Shqipërisë në këtë fazë kyçe të procesit. Për më tepër ata flasin thjesht në titull personal. Domethënë nuk kanë asnjë mandat, nga askush.
E dyta, këta zëra të huaj që ngrihen bam diku e bum këtu mund të përkojnë me nevojën e Partisë Demokratike për të justifikuar bllokimin që i ka bërë SHQUP-i ligjit të vettingut, duke bllokuar praktikisht reformën në drejtësi dhe çeljen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Evropian, por nuk përkojnë gjëkundi, jo vetëm me qasjen e përgjithshme të vendeve anëtare aktualisht por as me ndonjë nevojë të parlamenteve të tyre për t’u shprehur në këtë fazë lidhur me çeljen e negociatave.
Parlamenteve të BE-së, do t’u duhet të shprehen vetëm kur të jetë momenti për të ratifikuar datën e çeljes zyrtare të tryezave të negocimit”, deklaroi kryeministri.
“Ndërkohë që ne e dimë vetë dhe e kemi thënë që ditën e parë të marrjes së rekomandimit se nuk jemi në momentin e përcaktimit të datës. Siç e kemi nënvizuar publikisht dhe qartësisht, në bazë të rekomandimit pozitiv të KE-së, ky është momenti për të nisur përgatitjet për organizimin e tryezave të negocimit dhe për të filluar padyshim zbatimin e ligjit të vettingut. Pa këtë të fundit nuk ka dhe s’ka si të ketë fillim zyrtar negociatash me BE-në. E treta dhe më e rëndësishmja, thonë çfarë thonë sot deputetë të ndryshëm në Gjermani, Austri, Holandë apo kudoqoftë, kjo në këtë moment nuk ka pikë rëndësie sepse në këtë moment ka rëndësi vetëm çfarë do të thotë në mes të dhjetorit Këshilli Europian, domethënë tryeza e liderëve të BE-së kur të shqyrtojë rekomandimin pozitiv të Komisionit. Çështja është nëse ajo tryezë do ta mirëpresë rekomandimin pozitiv të Komisionit për hapjen e negociatave bashkë me kushtin e vetëm që të fillojë zbatimi i ligjit të Vettingut dhe natyrisht ndërkohë Shqipëria të vazhdojë të bëjë progres të gjithanshëm me 5 prioritetet apo jo. Kjo mbetet për t’u parë”, tha ai.
Kreu i qeverisë theksoi se teksti final i KiE-s nuk do të ketë të bëjë me fletë-rrufetë e PD-së, që sipas tij janë deklaratat e bëra nga deputetët për Shqipërinë.
“Por jam i sigurt dhe dua t’ju siguroj qysh sot të gjithë dhe sikur të shtohen jo një por dhe 20 kushte të tjera, teksti final i KiE-s s’do të ketë asnjë lidhje me fletë-rrufetë skandaloze të PD-së në dëm të Shqipërisë, të cilat mund t’i lexohen publikut dhe në gjuhë të tjera të BE-së, nga lloj-lloj deputetësh populistë që as e kuptojnë sa e rëndësishme është jo vetëm për shqiptarët por dhe vetë BE-në ecuria jonë evropiane dhe as duan t’ia dinë fare për fatin e vendit tonë”, u shpreh Rama.
Ai ka përdorur fjalët e Konicës për të akuzuar opozitën shqiptare.
“Dhe një fjalë e fundit, jo për deputetët e huaj, ata tek e mbramja janë në hallin dhe në punën e tyre por për këta tanët, levantinë dhe karanxhollë të Faik Konicës që këtë javë u hodhën përpjetë prej fletë-rrufeve në gjuhë të huaj kundër Shqipërisë me një ngazëllim që i ngjante entuziazmit për golin e fitores së Kupës së Botës nga kuqezinjtë e De Biasit. Shqipëria ka parë gjithnjë në historinë e saj bejlurçinë e dallkaukë të tillë, pa Din e as Iman. Agallarë e Qehajaj që për fe kanë gënjeshtrën dhe për atdhe kanë pushtetin. Xhahilë e servilë që nuk kanë ngurruar as t’i vënë flakën dhe as ta bëjnë copë në sytë e botës këtë vend për t’u nxjerrë sytë kundërshtarëve këtu brenda dhe për ta përçarë këtë popull me thikën e prapambetjes. Njerëz që kanë bashkëpunuar me dreqin e me të birin në histori për të mos e lënë Shqipërinë të zhvillohet dhe të rritet jashtë sferës së interesave të tyre të votgla dhe të frikrave të tyre të mëdha. Këta nuk janë as të parët e as të fundit që i bien në qafë këtij vendi, duke bërë sikur mbrojnë me të madhe interesat e tij. Ndryshimi i vetëm është se levantinë e karanxhollët e sotëm kanë edhe tmerrin e frikës nga reforma në drejtësi, nga drejtësia të cilën mund ta vonojnë por s’mund ta bëjnë kurrë që t’i harrojë ata dhe padrejtësitë e tyre ndaj këtij populli”, u shpreh Rama.