Grupi i kultivuesve të cilëve ju sekuestrua hashash pak ditë më parë gjatë një operacioni në Kurbin, kanë qenë nën survejim të paktën që nga muaji korrik.
Bisedat mes trafikantëve janë përgjuar edhe në momentin e ndërhyrjes së policisë në plantacionet e kanabisit. “Gazeta Shqiptare” vijon sot publikimin e dialogjeve plot nervozizëm që trafikantët shkëmbejnë me njëri-tjetrin duke ju referuar policëve si “ujqër” dhe “krushq” dhe vendndodhjes së drogës si “te lopët”.
Trafikantët janë nervozë sepse ata kishin bashkëpunëtorë në radhët e policisë dhe nuk e kanë pritur operacionin. Në këtë operacion u arrestuan 7 persona dhe u shpallën në kërkim disa të tjerë. Më poshte biseda telefonike, e sjellë nga “GSH” në mënyrë autentike sipas dosjes së prokurorisë duke ruajtur origjinalitetin e dialektit.
PERGJIMET E ZBARDHURA
Personat e tjerë të përfshirë në këtë veprimtari janë Alban Gj., me numër telefoni 068 XX XX 184, 067 XX XX 419; Hashim N. me numër telefoni 068 XX XX 910, Elton H. me numër telefoni 068 XX XX 122, Astrit T. (Titi), Aldo alias Oltion Xh., Bashkim K., Bajram H. (Lani) si dhe punonjësi i policisë, Zan Kasmi. Nga përmbajtja në tërësi e bisedave në vijim rezultoi shqetësimi i tyre për parcelat me bimë narkotike, pasi kishte shkuar policia dhe bisedojnë se sa vetë ishin, nga ishin, me çfarë makina kishin shkuar, etj..
Nga bisedat telefonike rezulton se në orën 08:11, në datë 21.09.2016, Lefteri, me numër 069 51 51 922 merr SMS nga Titi: Jan t’u ardh krushqit me marrë nusen tha.
Lefteri: Kur fole me ta? Ku janë?
Titi: Kan ardh. Te veni.
Lefteri: A je t’u u tall!?
Titi: Për Zotin nuk kam pse.
Lefteri: Kaj kan ardh?
Titi: Ka stanet.
Lefteri: Në kam? Bereli.
Titi: Po.
Lefteri: Ku janë tani? Sa krushq janë?
Titi: Aty ku ke vra leprin. 5.
Në orën 08:32 Lefteri kontakton Titin.
Titi: Ku ndodhesh tani?
Titi: Jam diku larg te kodrat.
Lefteri: Si kanë shkuar tani bash te themeli?
Titi pohon.
Lefteri: Kanë hyrë brenda?
Titi: Po. Shkuan njëherë, paraqitën, pashë mjegull dhe nuk ashtu…
Lefteri: Sa veta janë?
Titi: Janë 5-6.
Lefteri: Ka të tjerë?
Titi nuk përgjigjet.
Lefteri: Kanë filluar punimet te ajo?
Titi: Nuk shihet se ka mjegull.
Lefteri mbyll telefonin.
Në orën 08:37 Lefteri i dërgon SMS Titit: Sa krushq janë?
Titi: 5.
Lefteri: OK.
Titi: Aty ku ke vra leprin.
Në orën 09:41:22 Lefteri kontakton Hashimin, ku mes tyre zhvillohet kjo bisedë:
Lefteri: Çfarë duket aty janë te objekti?
Hashimi: Ka mbaruar punë.
Lefteri: Si ka mundësi kaq shpejt?
Hashimi: Direkt.
Lefteri: Kush janë atje?
Hashimi: Po aty qesh unë.
Lefteri: Ti e ke të sigurt? Sa punëtorë qenë?
Hashimi: Ishin nja 7 ose 6, nuk e di mirë…
Lefteri: Erdhën në këmbë?
Hashimi: Erdhën andej nga Zefi.
Lefteri: Po ato i pyeti në telefon i tha?
Hashimi: Ku di unë? Ai llaveshi më tha mua. Mori në telefon. Tha kështu, kështu. Unë e disha thashë, ndoshta dy-tre orë.
Lefteri: Kur mori ai paskan ardhë sipër?
Hashimi: Ai tha tash janë duke ardhë. Shkova atje vetëm kur plasën këto.
Në orën 08:51 Lefteri kontakton Hashimin, të cilit i kërkon numrin e Albanit të keq.
Hashimi: Nuk kam me çfarë ta çoj, apo ta çoj me numrin e ri?
Lefteri: Numër të ri, po. Ku janë të tjerët?
Hashimi: Aty i lanë në një cep ata të dy, kurse unë e Sabashi jena këtej.
Lefteri: Domethënë kanë mbaruar punë ë?
Hashimi: Për pak ju kemi. Nuk di gjë. Po për të mbaruar po.
Lefteri: … djegin mbeturinat, ato letrat, ato çfarë kanë ngel.
Në orën 08:59 Lefteri kontakton Albanin.
Lefteri: Do të dalë lart te lopët për qejf. Kush ka ardhë atje?
Albani: Po janë fut malit, nuk jemi duke i dhënë dum. Furgonat janë në sektor të pestë. Ata janë futur natën sipër (tërmal).
Lefteri: Ku janë tani ato makinat e punës?
Albani: Nuk dimë gjë se janë shpërndarë. Nuk kanë shkuar në destinacione në asnjë vend, por janë shpërndarë domethënë dhe janë në drejtime të paditura. Ka has dikush në rrugë me to, është fsheh ai natën duke zbardh dita. Janë fut lart… shtëpisë sime… po çfarë drejtimi kanë marrë, nuk di gjë.
Në orën 09:13 Lefteri kontakton Albanin, i cili e pyet se çfarë thotë (personi i tretë).
Lefteri: Nuk di gjë, nuk po marr vesh sesi kanë ardhur e çfarë kanë bërë. (I kërkon Albanit nëse ka njeri atje që të rrijë e të shohë).
Albani: E kam bërë ka herë unë atë punë, që kur e kam marrë vesh.
Lefteri: Shif kush dreqin janë ata, tanët a? Kush dreqin janë?
Albani: Kanë ardhur mbrëmë natën, kanë parkuar dy makina, një fuoristradë dhe një tjetër e atyre. Dhe ka has dikush në rrugë, te ujësjellësi tek ajo kabina kah nalt, për shtëpinë time poshtë dhe është përplas me to.
Albani (e sqaron): Po i kanë larguar makinat se fola me Nikollën tonë atje lart. Kanë ardh tha, natën vonë shumë. Ka ardh njëri duke zbrit poshtë me ik në punë të vet dhe është përplas me to… Aty nuk i dihet e vërteta se është fsheh ai dhe nuk ka parë çfarë drejtimesh kanë marrë. Se nuk i ka pa. Ata janë fut malit me prit me shku për baza. Ose janë shpërndarë, ose kanë vënë roje kund për pika me i pa. A futet kush për pika duke punuar a jo?
Lefteri: Rri aty dhe kur të vijnë ata.
Albani: Emri im dhe këtyre tre çunave ka arrit atje.
Lefteri: Po çfarë lidhje ka, rri atje larg dhe shiko kush është ndonjë.
Albani: Po. Pa merak se kam vënë dy veta duke parë nga kodrat. Unë u nisa me mend me dalë vetë, por po vij poshtë.
Në orën 09:36 Lefter Nelaj telefonohet nga Albani, i cili tregon se po dërgon Nikollën deri atje, pasi ka kaluar njëri dhe e ka ndaluar. Gjithashtu, i tregon se është duke parë dhe atje tek sheshi janë dy fuoristrada, një e zezë dhe një e bardhë. Lefteri e pyet nëse janë tek ai sheshi që janë takuar për ftesën e dasmës. Albani pohon dhe i thotë se në makinë janë vetëm 2 shoferë, por tani do nxjerrë Nikollën që t’i shohë më mirë.
Në orën 10:38 Lefterin e telefonon personi me numrin 067xxxx, i cili i thotë se janë në Lezhë (për punonjësit e policisë) dhe shton: “‘Ujku’ është futur aty dhe nuk i dihet se ku mund të bëjë dëm, mund të bëjë dëm gjithandej, por mund të mos hajë asgjëkund”. Mirë – thotë Lefteri. – Personi shpreson se dhe tek parcelat e tyre do jetë gjithçka në rregull. Lefteri thotë se nuk di asgjë. Personi i kërkon Lefterit që të interesohet, pasi ata (punonjësit e policisë) kanë ardhur deri afër, kanë ardhur gjatë natës. Lefteri shprehet se ka qenë m’rregull, por shpreson që ‘Ujku’ të mos ketë bërë ndonjë dëm.
(Gazeta Shqiptare)