Artistja shqiptare që jeton dhe punon në SHBA Eriola Pira, për shumëkënd që nuk e ka njohur më përpara u bë e njohur nëpërmjet mediave në Shqipëri, pas kritikave që i bëri kryeministrit Rama, ditën e hapjes së ekspozitës së tij në Nju Jork, ku ndër të tjera e akuzonte për censurë.
Ajo tha se kryeministri qeveris me dy standarde prej më shumë se 3 vitesh, në pamje të parë u kaluan me “sportivitet” nga Rama në sy të të ftuarve të huaj, por nga shumëkush përgjigjen e tij e cilësoi, si një kërcënim të maskuar.
Eriola Pira në një shkrim të gjatë te “Peisazhet e Fjalës” me titull, “Më e keqja e censurës është…” shpjegon situatën e asaj dite dhe çfarë mendon ajo për kryeministrin shqiptar në raport me artin, censurën, korrupsionin etj. Po ju sjellim disa pasazhe të kësaj analize interesante.
Përplasja me Ramën
“Në takimin që kryeministri shqiptar, piktori Edi Rama, mbajti te Galeria Marian Goodman në Nju Jork, shtrova pyetjen se sa prej atyre që ishin mbledhur aty për të festuar ekspozitën e tij, pra atë të një artisti-politikan, realisht dinin diçka për pikërisht politikat e Ramës dhe të qeverisë së tij gjatë 3 viteve të fundit. E vetmja përgjigje nga salla erdhi në formën e një pyetje se kush isha unë, nga artisti Liam Gillick, që edhe ka ngjyrosur një prej pallateve në Tiranë gjatë kohës që Kryeministri ishte Kryebashkiak. Ndërkohë përgjigjja e Kryeministrit, sikurse mund të pritej para adhuruesve të tij në New York, ishte që unë, njëlloj si të gjithë ata që e kritikojnë apo akuzojnë, “thjesht nuk po e kuptoja (you don’t get it).” Pyetjen time të plotë si dhe përgjigjen e Kryeministrit e gjeni në videon që tashmë është shpërndarë gjerësisht në mediat elektronike në Shqipëri, ndaj s’po e riprodhoj këtu? por tani po ndalem veç tek një pjesë të vogël e asaj që më tha Rama dhe që shumë vëzhgues e kanë interpretuar si kërcënim, sado të maskuar. Kryeministri e pa të nevojshme të më sigurojë mua, dhe nëpërmjet meje publikut të tij në sallë, që asgjë nuk do të më ndodhte mua pas kësaj kritike¬me-pyetje, madje më ftoi që edhe unë të përdor hapësirën e COD për protestën time, gjithë duke qenë e përgatitur që të marr edhe përgjigjen përkatëse në shqip. Aty për aty ia ktheva që ajo përgjigje sigurisht do ishte më e ashpër, siç edhe nënkuptohet.
Censura ndaj medias në Shqipëri, korrupsioni dhe artistët
“Pas takimit, pata mundësinë të bisedoj me disa të pranishëm të interesuar të mësonin më shumë rreth kritikës që ngrita. Më pyetën si është kjo puna e censurimit në Shqipëri, pasi media është me gjasë private dhe nuk kontrollohet nga shteti, pra as nga Rama. Pasi u shpjegova pak si, jo ndryshe nga kudo tjetër, mediat në Shqipëri në mos pronë e partive të ndryshme politike, janë pronë e pronarëve që kanë interesa të lidhura ngushtë me pushtetin? me atë pushtet që shpërndan, në mos gjë tjetër, tendera e kontrata për miqtë që e sollën dhe e mbajnë në fuqi, dhe i përmenda vetëm dy rastet më të fundit: censurimin e investigimit të vrasjes së Ardit Gjoklajt dhe konfliktin e interesit të tenderit për restaurimin e Teatrit Kombëtar. Por realisht korrupsioni në Shqipëri nuk i bën kujt përshtypje, siç dëshmoi artikulli në The Guardian për ekspozitën e Ramës në Marian Goodman, dhe nga ky aspekt, çfarë duhej t’u kisha përmendur me të madhe bashkëbiseduesve të mi është situata e artistëve në vend.
Kohët e fundit kam vënë re (sa në dy vizitat e mia të fundit në Tiranë aq edhe te statuset e aktivizimi në Facebook) si shumë artistë çdo ditë e më tepër po tërhiqen a po fshihen, duke treguar kujdes të jashtëzakonshëm që të mos shprehin ndonjë bindje a qëndrim politik dhe as të mbështetin apo dhe “shihen” publikisht me ndonjë që edhe thjesht duket sikur flet kundra këtij apo atij pushteti. Edhe ndonjë artist që qëllon të bëjë art “politik” a të angazhuar, nuk është se e sheh të marrë pjesë në protesta ambientaliste a të kërkojë drejtësi për vrasjen e një 15¬vjeçari në landfill. Jo, jo! Këtë artist nuk e sheh as të denoncojë korrupsionin në vetë fushën e artit ku lëvron? as të revoltohet kur pushtetarët që s’kanë bërë asgjë për të deri dje, sot i mohojnë punën dhe marrin merita për arritjet e tij? as të refuzojë të marrë pjesë në ekspozita të çelura në bunkerë apo edhe jashtë Shqipërisë, bie fjala në Francë, ku arti bashkëkohor trajtohet si dekor në rastin më të mirë dhe si objekt etnografik në rastin më të keq. Këtë kisha parasysh kur konstatova që skena artistike nuk ka qenë ndonjëherë më keq se ç’është nën pushtetin e Kryeministrit¬artist dhe përgjigja e tij që asgjë nuk do të më ndodh mua, nuk është se vlen edhe për ata artistë në Shqipëri që i druhen protestës dhe kundërshtimit publik…”
Brandi “Edi Rama”
“(…)Këtë lloj atmosfere shtypëse nuk besoj se e regjistron dot ndonjë instrument a raport i Komisionit Europian, por ajo është akoma më e ndjeshme sesa efekti butaforik i ngjyrave me të cilat vijon të krekoset Kryeministri. E nëse ai kërkon të marrë meritat që beson se i takojnë për përmirësimin e sjelljes dhe të jetesës së qytetarëve të tij me një të rënë të lapsit, atëherë do të na duhet t’i faturojmë edhe dëmin që po shkakton sa me retorikën ofenduese ndaj bashkëbiseduesve, pra të njëjtëve qytetarë të tij konsumatorë të ngjyrave, aq edhe me psikozën dhe frikën e instaluar nëpërmjet favoreve apo ndëshkimeve që lëshon. Ndaj shumë artistë i janë bashkuar tashmë pushtetit për të përfituar nga ndonjë kontratë pune si reklamaxhinj (dikush duhet t’i filmojë e të montojë gjithë ato orë propagandë që prodhojnë Kryeministria e Bashkia për projektet e tyre!)? si organizatorë e DJ festivalesh? a si artistë zyrtarë që ekspozojnë artin e tyre në COD – ndërsa të tjerë thjesht po presin, disa madje duke bërë të pamundurën, që të shalojnë valën e brandit Kryeministër, për t’u katapultuar vetë si artistë ndërkombëtarë? ose në një rol ku besoj s’do të ngurojnë të bëjnë artistin shqiptar, që sipas kërkesave të vëmendjes dhe tregut global të artit bashkëkohor, do të thotë të bëjnë art për gjendjen socio-politike në Shqipëri(…)”.