“American Brexit”, kështu e kanë quajtur pothuajse të gjithë analistët fitoren e presidentit të ri të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Efektet që ka pasur te masat globalizimi sollën në krye të vendit më të rëndësishëm të botës dikë me prirje radikale dhe të orientuara mbi deklarata fobike dhe paragjykime sociale, kulturore dhe ekonomike.
Nëpër biseda të ndryshme dhe pyetje se çfarë do t’i ndodhë botës tani, pas zgjedhjes së tij, të gjithë janë në një mendje: kjo është e bukura, askush nuk parashikon dot se çfarë do të ndodhë! Me Hillary-n çdo gjë ishte e thjeshtë, e parashikueshme, e qetë dhe pa emocion. Ajo që është e sigurt, është që bota, politika e jashtme dhe ekonomianuk do të jenë më njësoj!
Tronditja e tregjeve pas zgjedhjes së Trump
Jo të gjithë në Shqipëri mund ta kuptojnë se përse është i rëndësishëm reagimi i tregjeve financiare pas një vendimmarrje të caktuar, qoftë kjo një deklaratë e Bankës Qendrore apo një rezultat zgjedhjesh. Mungesa e bursës ka bërë që,edhe pas ndërhyrjeve konkrete në ekonomi, reagimi te çmimet, normat e interesit apo rritja/ose tkurrja e kërkesës konsumatore të sjellin një rezultat të vonë. Një gazetar i punësuar për rreth 20 vjet në prestigjiozen Bloomberg (Mathieu Robbins) thotë që, nëse do të kuptosh se çfarë ndodh në të vërtetë në politikë, në ekonomi pas një propozimi, iniciativë apo vendimi, atëherë shih reagimin e tregut të kapitaleve. Askush më mirë se një investitor nuk e di se çfarë efektesh priten. Nëse vendimi për Hillary Clinton kishte qetësuar tregjet (në bazë të fushatës së saj për të vijuar reformat kryesore të demokratëve, deri tani të udhëhequra nga Barack Obama), tashmë një pjesë e mirë e bursave botërore shënoi rënie. Por e kundërta ndodhi me tregjet në SHBA-së. Indeksi i Dow Jones u rrit me 1.4% duke shkuar në 18,590 pikë, ndërsa S&P me 1.1% (21,163) dhe po aq dhe Bursa e Nasdaq (1.1% rritje dhe 5,251 pikë). Fitimet më të mëdha vinin nga korporatat private të operatorëve të burgjeve, kompanitë farmaceutike dhe ato të naftës. Të gjithë këta sektorë do të ndesheshin me një politikë ndëshkuese nën presidencën e Clinton, nëse do të zgjidhej, dhe tashmë do të përfitojnë nga misioni i Trump për të liberalizuar më shumë bizneset. Mark Crawford, kryetar i Dhomës Amerikane të Tregtisë në Shqipëri, por dhe një anëtar i Partisë Republikane në SHBA, thotë se nuk ka asgjë për t’u frikësuar me politikat që do të zbatojë Donald Trump. Për të parë më mirë platformën e tij qeverisëse, Crawford shprehet se duhet të presim dhe pak. “Nuk e di konkretisht se çfarë efekti do të ketë në ekonominë globale zgjedhja dhe zbatimi i reformave të tij. Duhet pritur të shpallen reformat konkrete, sepse çdo gjë është aritmetikë, edhe pritja është aritmetikë. Por nga ajo që pashë me reagimin e bursave, çdo gjë është në rregull, tregjet në Amerikë reaguan në rregull”, shprehet ai.
Ndryshe nga sa pritej, për një dobësim të monedhës amerikane, nëse zgjidhej Trump, dollari arriti nivelin e tij më të lartë në katër muajt e fundit kundrejt jenit japonez. Jeni humbi 4% brenda natës. Po kështu, goditje të madhe mori edhe pesoja meksikane duke u dobësuar me 13%.Ndërsa interesat e obligacioneve 10-vjeçare të shtetit amerikan u rritën me 2%, më të lartat që prej janarit.
“Globalizmi” që mbështeti Trump-in
Nëse nuk do të ishin efektet e globalizmit, Trump do ta kishte të humbur betejën për zgjedhjet presidenciale. Askush nuk arriti të parashikonte se një masë e votuesve në vende si Wiskonsin, Ohajo apo Arizona, të cilët kanë humbur vendin e punës për shkak të zhvendosjes së fabrikave amerikane në vende si Kina, India e Meksika do të ishin vendimtarë për këto zgjedhje. Një pjesë e popullatës, të zhgënjyer, të mbetur pa punë, përqafuan ideologjinë e Donald Trump, i cili godiste pasojat që ka dhënë në SHBA globalizimi. “Përse Amerika, një nga vendet më të fuqishme në botë, duhet të rrisë ekonominë e vendeve të tjera, kur njerëzit që jetojnë këtu janë pa punë dhe po mbajnë ekonominë e shumë shteteve?”, ka thënë shpesh gjatë fushatës Donald Trump. “Do të vazhdojmë me marrëdhëniet tregtare, por tani nuk do të shkojnë më fabrikat e mëdha në tregje të tjera. Fabrikat duhet të jenë në SHBA dhe të punësojnë amerikanët. Tregjet janë të lira të hapen kudo, por edhe Kina, Meksika apo shumë vende që preken duhet të bëjnë të njëjtën gjë si ne. Të hapin fabrikate tyre dhe jo të marrin tonat për shkak të krahut të lirë të punës”, shprehet Mark Crawford.
Trump ka premtuar se do të prishë të gjitha marrëveshjet tregtare dhe të vendosë tarifa të larta në importet që vijnë nga Kina dhe Meksika, dy nga partnerët më të mëdhenj tregtarë të SHBA-së. “Ekonomia globale, tregtia ndërkombëtare dhe tregjet financiare tashmë përballen me një botë të pasigurt, me një lider të ri… i cili ka të ngjarë të marrë një rrugë të re drejt izolimit”, tha për CNN drejtori i investimeve në bankën DBS në Singapor.
Por, cili është në të vërtetë qëllimi i Donald Trump?
“Let’s make America great again” është një nga shprehjet më popullore të tij. Për shkak të krahut të lirë të punës në vendet në zhvillim, shumë kompani amerikane shfrytëzojnë sot fuqinë punëtore të shteteve që kanë një numër të lartë të popullatës dhe jo të njëjtin zhvillim ekonomik si SHBA. Një pjesë e mirë e firmave amerikane, të cilat kishin hapur fabrika aty, janë larguar për shkak të taksave të larta në Amerikë dhe kostos më të lirë të nxjerrjes së një produkti. Kjo bëri që në vitet e fundit, eksportet e Kinës të shumëfishoheshin duke e kthyer atë në një nga ekonomitë më të rëndësishme botërore. Nën qeverisjen e demokratëve, Shtetet e Bashkuara arritën taksimin më të lartë të korporatave. “Do të ketë më shumë investime në infrastrukturë, do të zbresë tatimi mbi fitimin për korporatat në mënyrë që të risjellim kompanitë në SHBA, taksa 35% mbi korporatat që ka sot Amerika është më e larta në të gjithë botën. Kemi taksë progresive me 5 nivele dhe republikanët do ta thjeshtojnë atë për ta sjellë në 3 nivele”, sqaron Mark Crawford.
“Lufta” me Ford-in
Pasi kompania Ford shpalli planin se do të zhvendoste prodhimin e makinave të vogla në Meksikë, Trump shfaqi planin e tij për të vendosur tarifa të larta me këtë shtet. I shqetësuar nga këto deklarata, drejtori i përgjithshëm i kompanisë, Mark Fields, tha se do të krijoheshin 2 000 vende të reja pune në Meksikë, por nuk do të shkurtohej asnjë vend pune në SHBA. “Është e pafat kur politika futet në rrugën e fakteve. Është e vërtetë që Ford punëson ende 85 mijë punëtorë amerikanë dhe e ka rritur këtë numër me 50% në 5 vitet e fundit. Ne mund të kemi afërsisht 8800 punëtorë meksikanë”, deklaroi një përfaqësues i kompanisë. Por Trump nuk do të tërhiqet për të taksuar me 35% çdo makinë që Ford do të prodhojë në Meksikë dhe që do të shitet në SHBA. Por për ekspertët, kjo politikë e tij është e gabuar, pasi do të ndodhë vetëm një rritje e çmimit për makinat që do të blejnë qytetarët amerikanë dhe kompania do të vijojë të marrë fitimin mbi koston e prodhimit të saj. Kjo për shumë ekonomistë do ta dëmtojë më shumë Amerikën.
Marrëveshjet tregtare TTP dhe NAFTA
Vazhdimisht Trump ka fajësuar marrëveshjen e tregtisë së lirë NAFTA që SHBA ka me Kanadanë dhe Meksikën. “Kjo marrëveshje ka shkatërruar vendin tonë” është shprehur gjatë gjithë fushatës, duke premtuar se,ose do ta rinegociojë, ose do ta shfuqizojë. Prishja e marrëveshjes NAFTA mund të jetë shumë e rrezikshme për të tre ekonomitë dhe ka pasur mjaft personazhe publikë, të cilët e kanë cilësuar si të padrejtë prishjen e njëanshme të saj.
Mjaft sipërmarrës, të cilët sot punojnë dhe kanë ndërtuar fabrikat e tyre në SHBA, por janë eksportues në vende si Kanada dhe Meksika ndihen të frikësuar nga efektet që do të ketë në ndërmarrjet e tyre prishja e këtyre marrëveshjeve. Kostot e produkteve që do të merren nga Meksika do të jenë më të larta dhe po ashtu edhe kompanitë që eksportojnë në vendet afër me SHBA do të kenë më pak fitim, pasi produktet e tyre nuk do të jenë më konkurruese në çmim. Industria e manifakturës, e cila kryesisht punon me vendet përreth, parashikohet të jetë më e prekura, pasi importon lëndën e parë dhe më pas rieksporton produktet. Trump ka fajësuar lëvizjen e këtyre fabrikave jashtë kufijve, siç është dhe ajo e kompanisë Ford, për humbjen e mbi 5 milionë vendeve të punës në Shtetet e Bashkuara, por askush sot nuk di të thotë nëse këto vende kanë humbur si pasojë e globalizimit të tregtisë dhe specifikisht marrëveshjes NAFTA, apo si pasojë e rritjes së kapaciteteve teknologjike? Që prej vitit 1993, kur SHBA kishte nuk kishte nënshkruar këtë marrëveshje, eksportet e saj drejt Meksikës janë rritur me 470%. Po kështu, shumë analistë ekonomie mendojnë se forcimi ekonomik i Meksikës ka sjellë rritje të sigurisë për SHBA-në. Këto argumente përbënin dhe hedhjen poshtë të tezës së Donald Trump, të cilën amerikanët e besuan. Menjëherë pas fitores së tij, peso arriti nivelin më të ulët historik përballë dollarit, ndërsa pritet që të gjitha mallrat që vijnë nga Meksika në SHBA të ngarkohen me një tarifë prej 35%, duke e bërë çmimin e tyre tmerrësisht të lartë.
Dy marrëveshje të tjera të rëndësishme, të negociuara nga presidenti Barack Obama mund të shkaktojnë po ashtu efekte të mëdha në ekonomi. Marrëveshja e Paqësorit, Trans Pacific Partnership, dhe ajo Transatlantic Trade and Investment Partnership rrezikojnë të zhbëhen pas marrjes së presidencës së re nga republikani. TPP lidh vendet e katër kontinenteve, kryesisht ato të Azisë Lindore, të cilat kanë një shkëmbim tregtar i cili në 2015-n arriti në 27.4 trilionë dollarë. Pjesë e saj janë shumë vende të detit të Karaibeve, zonave në Paqësor të njohura si parajsa fiskale dhe një pjesë të qyteteve në Australi. Marrëveshja mes 11 vendeve dhe SHBA-së ende nuk është ratifikuar nga Kongresi. Kreu i Dhomës së Senatorëve është shprehur se ajo ka defekte serioze dhe se nuk do të kalojë brenda këtij viti. Rimarrja e Kongresit nga republikanët, do të sjellë edhe prishjen e saj. Trump e ka quajtur atë të “tmerrshme” dhe se do të “grabitë” mijëra vende pune. Vetë Presidenti Barack Obama ka thënë se ajo do të ndihmojë ekonominë amerikane dhe se në kohën e globalizimit nuk duhen vënë barriera ekonomike, të cilat vështirësojnë marrëdhëniet mes vendeve. Për demokratët, nuk është faji i globalizimit për vështirësitë që po has ekonomia amerikane, por mungesa e masave të këtij cikli natyror që nuk u morën në kohën e duhur.
Po ashtu, marrëveshja që është duke u negociuar nga SHBA-në dhe28 vendet anëtare të Bashkimit Europian rrezikon që të ndalet. Një zyrtar gjerman ka thënë se bisedimet kanë qenë “de facto të vdekura”, në një kohë që edhe Franca nuk ka treguar interes për ta pranuar këtë marrëveshje të re, që do të hapte dyert e tregtisë së lirë mes Amerikës dhe Europës. Ekspertët thonë se kjo është shumë e vështirë, Trump do të kërkojë për të ndjekur marrëveshjen. “Fitorja e Trump mund ta përkeqësojnë atë që deri më tani ka qenë një trend për të bërë më të mbrojtur botën perëndimore”, tha Holger Schmieding, kryeekonomist në Berenberg, një bankë gjermane. “Rezultati i saj do të jetë një rritje ekonomike më e ngadaltë”, është shprehur ai për rrjetin CNN.
“Inati” me Kinën
Kina, ekonomia e dytë më e madhe në botë, ka qenë shpesh e goditur nga president i sapozgjedhur Trump. “Ne nuk mund të vazhdojmë të lejojmë Kinën të vjedhë vendin tonë, sepse, në fakt, këtë po bën”, është shprehur Trump në maj, duke iu referuar faktit që Kina eksporton më shumë në SHBA se në çdo vend tjetër të botës. Donald Trump ka akuzuar vazhdimisht Pekinin se manipulon monedhën në mënyrë që të bëjë eksportet më konkurruese. Për këtë, Trump do të ndëshkojë mallrat kinezë me një tarifë më të lartë dhe se ato meksikane. Për Kinën tarifa doganore do të jetë 45%. Kjo ka trembur ekspertët e ekonomive në të gjithë botën për rinisjen e një lufte të re tregtare.
Por një pjesë e mirë e liderëve të SHBA-së mendojnë se ajo që Trump ka deklaruar për Kinën është e drejtë: Kina thyen rregullat e tregtisë së lirë. Edhe kritikët e Trump bien dakord me këtë. Administrata e Obama-s ka paraqitur një rast kundër Kinës në Organizatën Botërore të Tregtisë. Kina akuzohej se jepte subvencione të padrejta për fermerët e saj, në mënyrë që të ulte çmimin e produkteve. Por kjo nuk është çështja e vetme e kundërshtuar nga amerikanët. Kina akuzohet se ka vjedhur sekretet e shumë bizneseve së bashku me software të cilat janë patentë e firmave amerikane, ka manipuluar monedhën dhe duke e mbajtur atë sa më poshtë ka arritur të shesë më lirë dhe të fitojë padrejtësisht më shumë në tregti.
Asaj që ekspertët i tremben më shumë, është hapja e një lufte të re tregtare, të cilën populli amerikan e vuajti gjatë periudhës së Depresionit të Madh. Në vitin 1930, kur SHBA vendosën tarifa mbi shtetet e tjera, të njëjtin kundërveprim bënë dhe ato vende ndaj mallrave amerikane. Lufta tregtare dëmtoi rëndë ekonominë amerikane e cila u pasua më vonë me krizën ekonomike. Skuadra e Trump ka marrë si referencë për mbrojtjen e kësaj teze, tarifat e aplikuara nga presidenti Reagan, por ato janë shumë herë më të larta se modeli i Reagan. Ekspertët thonë se modeli më i afërt me ish-presidentin republikan është ai i Obama-s me Organizatën Botërore të Tregtisë, pasi vetë Reagan ishte i mendimit se luftërat tregtare nuk janë të mira për asnjë ekonomi.
Lehtësimi i marrëdhënieve tregtare me Rusinë
Trump ka premtuar se do të punojë më ngushtësisht me Rusinë dhe kjo mund të ndihmojë në qetësimin e sanksioneve ekonomike që Perëndimi ka vendosur ndaj vendit të Presidentit Vladimir Putin. Me sa duket tashmë Rusisë i hapen dyert për të negociuar një marrëveshje të re. Kjo mund të kompensohet me marrjen në këmbim të një Rusie më pak agresive në politikën e saj me Europën Perëndimore dhe Sirinë. Por pavarësisht kësaj, Europa tashmë nuk është në fazën që kërkon të heqë sanksionet e vendosura mbi Rusinë.
Por asgjë nga këto nuk pritet të ndodhë përpara betimit dhe marrjes së stafit të punës nga presidenti i ri. Shumica e analistëve presin që figura të ndryshme do të vendosen në krye të departamenteve të sigurisë, marrëveshjeve tregtare apo në krye të thesarit. Përgatitja e kabinetit të ri do të jetë një sinjal i qartë ku Trump do të tregojë se çfarë do të vijojë të zbatojë nga premtimet e bëra gjatë fushatës.
Megjithatë, presidenti i ri, i cili më me fat se Obama, do të ketë një Kongres të vetin, pasi si Senati dhe Dhoma e Përfaqësuesve janë me shumicë republikane, nuk do të ketë dorë të lirë për çdo marrëveshje. Një pjesë e mirë e republikanëve të zgjedhur nuk i kanë mbështetur shumë prej ideve të tij dhe Kongresi mund të jetë po ashtu një barrierë e fortë, për barrierat që Trump kërkon t’u vërë vendeve që ka marrëdhënie tregtare. “Nuk besoj se Kongresi do t’i japë dorë të lirë presidentit për çdo gjë. Por unë ende nuk kam folur me grupin tim të Partisë Republikane në SHBA, sepse kemi qenë duke festuar. Por duhet pritur se kush do të kryesojë në sektorë të ndryshëm për të biseduar dhe për të kuptuar më qartësisht politikën që do të zbatohet”, sqaron kreu i Dhomës Amerikane të Tregtisë në Shqipëri.
Trump në marrëdhëniet me Ballkanin
Për të gjithë ata që mendojnë se zgjedhja e Donald Trump do të hapë fronte të reja lufte, në fakt duhet të qetësohen. Trump është shprehur gjithmonë për një buxhet më të vogël për sigurinë dhe anëtarësinë në NATO, ndërsa kërkon të rishikojë marrëdhëniet e jashtme të dobëta që amerikanët kanë pasur historikisht. “Do të ketë më pak para në buxhet për luftë”, thotë Mark Crawford. “Me Ballkanin besoj se do të kemi bashkëpunim të mirë dhe nuk besoj se kufizimet tregtare me vendosjen e tarifave kanë në qendër vendet tona. Të gjitha kanë të bëjnë me Meksikën dhe Kinën”.
Edhe pse Ballkani është jashtë vëmendjes kryesore në SHBA, disa pika ekonomike mund të jenë të rëndësishme për Shqipërinë nëse barrierat tregtare zbatohen për të gjitha vendet njësoj. Së pari, monedha amerikane do të jetë e paqëndrueshme për një periudhë disamujore. Edhe pse reagimi i investitorëve nuk lëvizi, dollarin amerikan, zbatimi konkret i reformave të deklaruara nga ai, ose rinisja e një lufte të re tregtare mund të lëkundë ndjeshëm kursin e këmbimit valutor ndërkombëtar.
Së dyti, më pak investime të huaja. Taksat e ulëta që do të vënë në zbatim republikanët do të ndikojnë indirekt edhe në Shqipëri. Tatimi mbi fitimin në SHBA sot është 35%, dhe është premtuar që të ulet në 3 shkallë. Shqipëria ka një taksë të këtij lloji në nivelin 15%, e cila, edhe pse më e ulët, nuk bën që vendi ynë të japë të njëjtat lehtësi për investitorët siç japin SHBA. Nëse republikanët do të zbatojnë për të gjitha importet, tarifa të larta, atëherë edhe investimet e kompanive amerikane mund të bien.
Së treti, projekti i gazsjellësit TAP merr më pak rëndësi. Nëse qëllimi i ndërtimit të Trans Adriatic Pipeline ishte zbehja e varësisë së Europës ndaj gazit rus, tashmë ky projekt mund të jetë më pak i rëndësishëm nëse SHBA mbështet në politikën e saj produktet ruse dhe heq embargon tregtare që është bërë deri tani. Tregjet do të kuotojnë më pak në të ardhmen aksionet e TAP, nëse Rusia përmirëson marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara.
Së katërti, rritje kostosh për disa eksportues shqiptarë. Një pjesë e fabrikave shqiptare, të cilat janë të pakta në numër dhe prodhojnë bimë aromatike mjekësore, mund të ndikohen nga barrierat tarifore nëse vendosen për të gjitha shtetet. Shqipëria ka 50% të importeve të Shteteve të Bashkuara për bimë mjekësore dhe kjo mund të rritë indirekt kostot për prodhuesit tanë.
Të gjithëve mund t’iu jetë kujtuar “Përplasja e qytetërimeve” që parashikonte Samuel Huntington. Universalizmi do të sillte pasojat e veta negative dhe do të krijonte tentativa për një rend të ri botëror, por siç parashikonte edhe ai në fund, nuk ka një Amerikë pa kulturën e Europës, sepse askush nuk del kundër identitetit të tij. Lufta e shteteve për të bërë një perandori të madhe globale do të ishte e kotë, pasi nuk do të kishte kuptim bota pa kulturën ndryshe. Për të, e rëndësishme ishte që bota të kishte balancë, të kishte dialog dhe jo heshtje. Kurrsesi izolim.
Post-modernizimi e futi qytetërimin në një krizë më të thellë për të njohur kufijtë dhe identitetin e vetes. Jo të gjithë arrijnë të kuptojnë nevojën e figurës së “tjetrit”, dhe se sa i rëndësishëm është ai për ekzistencën e vetes. Një pjesë e mirë e kombeve, siç ishte dhe surpriza e daljes së Britanisë, apo forcimi i partive politike ekstremiste në Itali, Spanjë, Greqi, Holandë etj., po kthehen në linjat e identitetit kombëtar pikërisht të kulturës post-moderniste të prodhuar së fundi. Nëse ne nuk e njohim tjetrin dhe do të jetonim në një botë vetëm, atëherë si do ta bënim dallimin mes tij dhe vetes? Tjetri është i rëndësishëm për ne që të dallojmë ekzistencën tonë. Por deri në cilët kufij tjetri arrin te ne? Ne flasim me një gjuhë të njehsuar nga shoqëria, gjykojmë mbi baza morale të vendosura nga ajo e në shumë raste të tjera vlerat e vendosura nga vetja na kanë futur në një krizë të thellë për të vënë në dyshim lirinë individuale. Mbase për këtë kombi amerikan kërcënohet nga tjetri, nga vlerat e tij që kanë përqafuar shtete të tjera dhe që tashmë kërkon t’ia marrë mbrapsht! /Monitor/