Mediet e Beogradit kanë transmetuar sot pjesë nga replika në Këshillin e Sigurimit të KB të ministrit të Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiç, me ambasadoren e Kosovës në Uashington, Vlora Çitakun.
Ambasadorja Çitaku gjatë shqyrtimit të raportit tremujor për Kosovën në KS të OKB ndër të tjera tregoi për synimet kolonialiste të Serbisë në Kosovë.
Këtë pohim të saj u përpoq ta hedhë poshtë ministri i Jashtëm serb.
“Ne nuk jemi kolonizatorë dhe nuk lejoj që të flitet kështu për ne në KS të KB”, tha ai në replikën e tij.
“Për çfarë kolonializmi flisni ju këtu? Këtu qëndrojnë vende të cilat janë liruar nga kolonializmi. Në Kosovë ndodhet kryeqyteti i parë i Serbisë, kishat serbe, ju mendoni se mjafton që keni ardhur këtu dhe që ju përkrahin vendet e perëndimit se mund të flisni të pavërtetat”, citojnë mediet e Beogradit Daçiçin.
Sipas tij, nga fjalimi i Çitakut për Kosovën del se bëhet fjalë për një vend që ka pamje ideale.
“Habitem sesi migrantët që kalojnë nëpër Ballkan nuk shkojnë në Kosovë, kur është kështu vend ideal, por qytetarët e saj ikin nga Kosova në Europën Perëndimore. Për cilin vend flisni ju”, tha ai.
Ai foli edhe për bombardimin e Serbisë dhe tha se vendimi i marrë ishte jolegal dhe pa vendimin e KS të KB.
“Ju nga fillimi keni pasur në plan bashkimin me Shqipërinë, ju nuk jeni kosovare por shqiptare, këtu bëhet fjalë për pakicë kombëtare në vend të huaj që ka shpallur njëanshëm pavarësinë”, tha Daçiq.
Ai tha se Serbisë nuk i duhet mbështetja e askujt nga jashtë.
“Hajdeni të zgjidhim problemet, ju po fshiheni pas vëllait të madh. Askush nuk do tua sjell zgjidhjen ashtu siç ua solli me bomba më 1999. Kjo kohë ka perënduar për fatin e keq tuaj”, u shpreh Daçiq.
Të përkujtojmë se ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku, në mbledhjen e KS të KB me argumente hodhi poshtë pretendimet dhe akuzat serbe ndaj Kosovës, duke luajtur rolin e viktimës. Ajo tha se Beogradi nuk kishte asnjë të drejtë pronësie mbi Trepçën, se këtë madje as me Rezolutën 12 44 të KB nuk e kishte, as me Planin e Ahtisarit, e as me Kushtetutën e Kosovës.
/Koha/