Rritje e akcizës për gazin e lëngshëm, heqje e rimbursimit të akcizës për peshkimin, dyfishim i akcizës për purot, ndryshim i bazës së referencave për llogaritjen e rentës janë disa nga ndryshimet kryesore fiskale të vitit të ardhshëm…
Viti 2017 shënon të katërtin vit radhazi ku politika fiskale e vendit po anon nga rritja e taksave, ndonëse do jetë me ritme shumë më të zbutura se dy vitet e mëparshme.
Përqasja i vjen për shtat një viti të ri elektoral, ku pritet të ketë rritje modeste të taksave mbi gazin dhe disa lloj cigaresh.
Politika e re fiskale e qeverisë nuk do të sjellë ndryshime thelbësore në klimën e biznesit, por gjithsesi ajo jep sinjale pozitive për heqjen dorë nga mjetet represive ndaj ekonomisë private. Gjithsesi, Shqipëria vijon të jetë vendi me rendimentin më të ulët në Ballkan në grumbullimin e taksave në raport me PBB.
Rritet akciza për gazin e lëngët
Qeveria ka planifikuar që në janar të vitit që vjen të aplikojë akcizë për gazin e lëngshëm në nivelin 3 lekë për litër. Ministria e Financave ka arsyetuar se kjo masë ka qëllim përafrimin me standardet e BE-së dhe të vendeve të rajonit që e taksojnë këtë produkt. Duke llogaritur që importi vjetor i gazit të lëngshëm është rreth 100 mijë tonë në vit, efekti në të ardhurat buxhetore do të jetë 540 milionë lekë nga akciza dhe 107 milionë lekë nga TVSH. Në total, 647 milionë lekë.
Diferencimi i këtij produkti, në raport me nënproduktet e tjera të naftës, bie ndesh me politikat e përafrimit gradual me nivelin e detyrueshëm minimal të taksimit që aplikohet në BE, ku aplikohet akcizë në nivelin e detyrueshëm sipas direktivës, argumenton Ministria e Financave në relacionin përkatës për paketën fiskale të 2017-s. Për të mos ndikuar në rritjen e shpenzimeve nga përdoruesit familjarë të industrisë dhe për të shmangur abuzimet që mund të ndodhin duke aplikuar nivele të diferencuara, me qëllim inicimin e procesit të përafrimit siç edhe ka ndodhur me produktet e tjera të akcizës, është propozuar një nivel minimal taksimi 3 lekë për litër.
Hiqet rimbursimi i akcizës për peshkimin
Qeveria ka vendosur të kufizojë përjashtimin e sektorit të peshkimit nga rimbursimi i akcizës së karburantit. Nën presion edhe të Fondit Monetar Ndërkombëtar, që ka vlerësuar skemën si shkaktare të evazionit fiskal, qeveria do të heqë dorë nga skema aktuale.
Skema përjashtuese që aplikohet aktualisht ka krijuar humbje në praktikë përtej nivelit real të konsumit për qëllim peshkimi. Për 9-mujorin 2016, janë përfituar përjashtime nga Akciza për 7000 tonë karburant me efekt negativ në të ardhura 214 milionë lekë. Nga disiplinimi i skemës, nëpërmjet heqjes dorë nga përjashtimi, vlerësohet se e ardhura shtesë nga kjo masë në buxhetin e vitit 2017 do të jetë 100 milionë lekë.
Dyfishohet akciza për purot, ulet për duhanin vendas
Akciza për purot dhe cigarillot e importuara do të dyfishohet vitin e ardhshëm, ndërsa për duhanin prodhim vendi, do të ulet me 43%.
Për purot dhe cigarillo nga 2250/2500 lekë për kilogram që është aktualisht shkon në 4400 lekë. Bazuar në të dhënat e vitit 2016, sasia e pritshme e importit të kësaj kategorie produktesh duhani, pritet të jetë 2 tonë. Për vitin 2017, nëse nuk do të ketë efekte negative në deklarim për shkak të rritjes së akcizës, efekti në të ardhura do të jetë 38 milionë lekë.
Qeveria ka vendosur të shfuqizojë akcizën e cigareve të programuar për 2017, duke e riskeduluar rritjen në vitet 2018-2021.
Rritja e parashikuar e akcizës më 1 janar 2017 për cigaret nga 5500 lekë për 1000 copë në 6500 është shtyrë për 2018. Ministria e Financave synon të ndryshojë nivelin e taksimit gradualisht, në mënyrë që të shmangë efektet e krijimit të stokut në avancë nga importuesit, siç rezultoi në vitet 2013-2015. Nga ana tjetër, niveli i akcizës në vendet e rajonit ka ndikim në presionin e kalimeve ndërkufitare të udhëtarëve dhe rritja e menjëhershme në nivelin 47.4 euro siç është parashikuar aktualisht në ligjin në fuqi do të krijonte risk të rritur.
Me qëllim formalizimin, qeveria ka projektuar të reduktojë akcizën për duhanin prodhim vendi, nga 4400 lekë për kilogram në 2500 lekë për kilogram. Nga kjo masë pritet të arkëtohen 75 milionë lekë më shumë në buxhetin e 2017-s. Kjo do të vijë si rezultat i formalizimit të këtij sektori, nëpërmjet trajtimit të diferencuar fiskal dhe monitorimit të zinxhirit të kultivimit, përpunimit dhe importit të lëndëve ndihmëse, proces që ka filluar në vitin 2015 dhe që pritet të japë rezultatet e para në vitin 2017, referon Ministria e Financave.
Për shkak të nivelit shumë të ulët të deklarimit të duhanit prodhim vendas dhe marzhit të ulët të nivelit të taksimit midis duhanit të grirë dhe cigareve, propozohet që të ruhet niveli ekzistues i taksimit të duhanit duke mos aplikuar rritje për vitet 2018-2021, me qëllim përafrimin me diferencimin që ka duhani i grirë me cigaret. Për duhanin e hapur të importit, është ruajtur niveli aktual në vitet në vazhdim, duke arritur përafrimin me direktivën e EU ku raporti midis akcizës së cigareve dhe duhanit është në nivelin 2/3. Për vitin 2017, të ardhurat e planifikuara nuk kanë përfshirë të ardhura shtesë nga rritja e akcizës së duhanit. Vlerësohet rritje progresive e deklarimit të prodhimit vendas, duke parashikuar për vitin 2017 deklarimin e 30 tonë duhan prodhim vendi për vitin 2017 me efekt 0.075 miliardë lekë.
Renta, ndryshon baza e referencave
Një nga masat e reja fiskale të vitit 2017 është reduktimi i Rentës Minerare për mineralin e destinuar për përpunim. Të ardhurat si rezultat i ndryshimit të përqindjes së taksës së rentës nga 4% (2/3 e 6%) në 3% për mineralin krom, të destinuar për përpunim brenda vendit, pritet të jenë 0.1 miliard lekë. Por, nga ana tjetër, do të aplikohen vlera referuese për bazën e taksimit të rentës, bazuar në çmimet e tregut ndërkombëtar dhe shitjet brenda vendit dhe për eksport. Efekti pozitiv i kësaj mase në të ardhura është llogaritur 500 milionë lekë, bazuar në nivelin e vetëdeklaruar nga kompanitë eksportuese të naftës bruto gjatë viteve 2013-2015.
Tregu kombëtar i industrisë minerare prej gati dy vitesh ndodhet në një rënie të theksuar, e cila reflektohet në ulje të theksuar të çmimeve dhe rrjedhimisht në vështirësi të mëdha për një pjesë të subjekteve minerare, deri në falimentimin dhe mbylljen e disa subjekteve të tjera që ushtrojnë veprimtari për nxjerrje, përpunim dhe tregtimin e mineraleve. Nga listëpagesat e tatimpaguesve me aktivitet nxjerrjen e mineraleve joferrore rezulton se në këtë veprimtari janë të punësuar 3,369 punonjës. Për vitin 2017, të ardhurat e parashikuara do të ulen me 10 milionë lekë për ndryshimin e përqindjes së taksës së rentës nga 4% (2/3 e 6%) në 3% për mineralin krom, të destinuar për përpunim brenda vendit.
Por Ministria e Financave analizon se efektet negative për shkak të rimbursimit prej 5% kompensohen nëpërmjet rritjes së rezultatit financiar të kompanive eksportuese në rajon, duke rritur volumet. Në rastin e eksportit të produkteve shqiptare me ambalazhe plastike apo qelqi, për të cilat është paguar taksë ambalazhi në momentin e importit apo shitjes pas prodhimit brenda vendit, propozohet të parashikohet rimbursim pas paraqitjes së dokumentacionit që vërteton pagesën e taksave dhe eksportin. Ndryshimi i propozuar vlerësohet të ketë një efekt pozitiv prej 500 milionë lekësh sipas nivelit të çmimeve të vitit 2016 për të ardhurat nga renta minerare.
Në vitin 2017, tarifat e qymyrit koks nga 2% aktualisht do të bëhen zero. Ky produkt importohet kryesisht nga vendet EU, CEFTA, EFTA me tarifë 0%. Duke marrë parasysh të dhënat vjetore për këtë produkt të importuar në vitin 2015, efekti i reduktimit të kësaj tarife nga 2 në nivelin 0%, parashikohet të ketë efekt negativ në të ardhura me rreth 30 milionë lekë. Monitor