Edhe pse ka heshtur deri më tani për akuzat që i janë bërë për privatizimin e dyshimtë të rafinerisë së përpunimit të ARMO, kryeministri Rama i shoqëruar nga Ministri i Energjetikës dhe Industrisë Damian Gjiknuri, sot inspektoi personalisht biznesin që i ka dhënë mikut të tij të ngushtë Besnik Sula.
“Megjithëse ky është një biznes privat, ne nuk mund të mbyllnim sytë ndaj një problemi të madh social dhe detyra jonë dhe kryeministrit Edi Rama është investuar personalisht që rafinerisë të mos i mungojë nafta. Vetëm biznesi që është rreth kësaj rafinerie, zinxhiri që nga furnizimi dhe pjesa tjetër prodhimi janë disa qindra milionë dollarë që janë pjesë e ekonomisë shqiptare”, u shpreh sot tejet euforik ministri Gjiknuri.
Vini re çfarë thotë Gjiknuri; kryeministrit Edi Rama është investuar personalisht që rafinerisë të mos i mungojë nafta.
Por si është historia e rivënies në punë e ARMO-s, pas falimentimit?
Ionian Refining dhe Trading Co. – IRTC SH.A (IRTC) është një kompani internacionale pas së cilë qëndron biznesmeni Besnik Sula, e cila ka marrë në shfrytëzim rafinerinë problematike të naftës, ARMO, që prej muajsh kishte ndërprerë prodhimin dhe kishte lënë punonjësit pa paga. Që në fillim të kësaj afere ku është përfshirë personalisht Edi Rama nisën dyshimet, pasi asgjë nuk u bë trasparente. Lajmi u mësua më 1 shtator, jo nga qeveria, as nga kompania e sapokrijuar përfituese, por nga prodhuesi më i madh i naftës në vend Bankers Petroleum. Në një deklaratë për shtyp kjo kompani bëri të ditur nënshkrimin e një marrëveshjeje të kushtëzuar në tregun vendas me kompaninë, në bazë të së cilës Bankers do të shesë deri në 65% të prodhimit të naftës bruto te IRTC. Marrëveshja do të bëhej efektive pasi Bankers të kishte disa përfitime. Sipas vetë njoftimit të saj atëherë, ajo do merrte miratimin nga qeveria shqiptare për programin e propozuar të shpimit të kompanisë për tremujorin e katërt 2016 edhe në disa zona të tjera, si dhe pas respektimit një marrëveshje me Albpetrol për tërheqjen e pjesës së prodhimit të naftës së prodhuar në Patos-Marinzës që i përkiste Albpetrol.
Pra pas plotësimit të kushteve që kërkoi Bankers nga qeveria, ARMO-s me pronarë të rij do ti mundësohej një furnizim i madh me naftë bruto. Ky është kontributi i parë i Edi Ramës në këtë histori, siç e dekonspiroi sot edhe ministri Energjitikës.
Të frikësuar nga detyrimet që kjo kompani mund të krijonte karshi saj, Bankers u kujdes që të marrë garanci për lëndën që do t’u shesë menaxherëve të rinj të ARMO-s, e cila nuk është pak, por 65% e prodhimit të saj.
“Sapo të bëhet efektive, Bankers do të shesë deri në 65% të prodhimit të naftës bruto në bazë të kësaj marrëveshjeje. Kompania do të marrë garanci pagese në avancë për ngarkesat e naftës bruto. Në përputhje me marrëveshjen, ngarkesat e naftës do të shiten gjatë periudhës 1 tetor 2016 – 31 dhjetor 2017”, njoftoi më 1 shtator ajo.
Por në këtë periudhë, mediat zbuluan se ka qenë këmbëngulja e qeverisë për të mundësuar këtë marrëveshje, në mënyrë që sipas saj të vijonin punën punëtorët dhe rafineria të mos amortizohej tërësisht. Kanadezët nuk do t’ia shesin më shtrenjtë naftën konsorciumit të ri, por çmimi do të jetë i njëjtë me atë të eksportit duke zbritur kostot e transportit. “Çmimi i naftës, sipas kësaj marrëveshjeje, bazohet në atë të eksportit, duke zbritur kostot e transportit dhe tarifat portuale. IRTC do të përpunojë naftën bruto në rafineritë vendase të Fierit dhe Ballshit. Pjesa tjetër e naftës së prodhuar nga Bankers do të vijojë të shitet në tregun e eksportit”, vijonte njoftimi i saj.
Megjithatë askush nga qeveria nuk dha asnjë informacion lidhur me ndryshimin e shfrytëzuesve të rinj të ARMO-s. Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Turizmit është pronare e rafinerisë me 15% të aksioneve, po ashtu Ministria e Energjisë dhe Industrisë është përgjegjësja për ecurinë e rafinerisë.
IRTC është një kompani me një kapital aksionerë prej vetëm 35 mijë dollarësh, por tashmë ka në përdorim rafinerinë e ARMO-s nga e cila priten të gjenerohen deri në fund të vitit tjetër, qindra milion euro fitim. Ajo është e regjistruar në një vend offshore, ishujt Vixhinia dhe përfaqësuesit e saj sipas shtypit në SHBA, më parë kanë mashtruar edhe vetë qeverinë amerikane.
“ Ne kemi mbështetjen e qeverisë për të zgjidhur disa çështje të komplikuara që kanë mbetur dhe për të rivënë në jetë uzinën”, është shprehur në të vetmen deklaratë për mediat Harry Seargent, përfaqësues i kompanisë që po administron ARMO-n.
Me një këshill drejtues të përfaqësuar nga tre persona, Kompania IRTC ka zgjedhur në krye të saj një shtetas dominikan të lindur në Jordani për të qenë kryetar i Këshillit Drejtues të saj. Në statut, kompania kujdeset të shpjegojë se në aktivitetin e saj nuk e përjashton mundësinë e dhënies dhe marrjes me qira të pasurive të paluajtshme, edhe pse qëllimi kryesor është rafinimi i lëndëve hidrokarbure. Kjo pikë e rëndësishme e statutit, vendos një pikëpyetje të madhe për qëllimin e vërtetë të investitorëve të rinj, të cilët nuk përjashtojnë mundësinë e dhënies në përdorim të aseteve që kanë në palë të tjera. Po ashtu, vetë Bankers Petrolium nënvizonte që marrëveshja për të shitur lëndën që nxjerr nga nëntoka shqiptare zgjat deri në fund të vitit të ardhshëm!!
Duket hapur se kemi të bëjmë me një aferë të madhe të shpejtë, duke shfrytëzuar me shpejtësi për një vit këtë aset të pasurisë publike, pa bërë asnjë investim.
Nga ana tjetër Ministria e Industrisë dhe e Ekonomisë nuk dha as atëherë dhe as sot, asnjë informacion se në çfarë marrëdhënie kontraktuake ka hyrë kjo kompani e re e Besnik Sulës me rafinerinë ARMO dhe si do të veprohet me detyrimet e shumta që ka ARMO, kur tashmë është mësuar se pronarët e rinj kanë mashtruar edhe qeverinë e SHBA-ve më parë.
Rafineria ARMO, ka qenë një nga kompanitë më problematike në Shqipëri, sepse është edhe kreditori më i madh i vetëm i keq në banka dhe ka një mal me detyrime ndaj shtetit dhe të tretëve.
Në fund të tremujorit të parë të 2016-s, detyrimet e kompanisë ARMO në total kanë arritur në 595 milionë dollarë sipas burimeve në Ministrinë e Energjetikës. Të njëjtat burime bëjnë me dije se, nga totali i detyrimeve afërsisht 300 milionë dollarë janë kredi bankare dhe pjesa tjetër e borxheve ndahet ndërmjet Albpetrolit, tatim-taksave, të tretëve dhe punonjësve, ku vetëm shtetit i ka të paktën 100 milionë euro.
Por se si do të veprohet me këto borxhe qeveria nuk është deklaruar asnjëherë, ndërkohë që puna tashmë ka nisur dhe fitimet pritet të jenë marramendëse.SYRI.net