Policia shpërndau disa foto nga stadiumi Elbasan Arena pas largimit të tifozëve të Partizanit. Duket qartë që në fushë janë hedhur stolat nga tifozeria e Partizanit, në përleshje me policinë.
Sipas njoftimit zyrtar dy policë janë dëmtuar nga hedhja e stolave në fushë. Dy tifozët e Partizanit që u dërguan në spital, një djalë dhe një vajzë kanë pasur dëmtime të lehta. Sipas policisë përplasjet kanë nisur ende pa filluar ndeshja kur “Gjatë  ardhjes së tifozëve të Korçës me autobuz, në orën 16:35, në  Unazën e qytetit është qëlluar me sende të forta autobuzi me targa KO 1750 B, ku  është thyer një xham”. Dy nga personat që u përfshinë në këtë ngjarje u shoqëruan në polici.
Më pas policia ka shpjeguar si nisi përplasja me tifozët e partizanit brenda në stadium.
“Në minutën e 80, rreth 670 tifozë  të  Partizanit  të dislokuar në pjesën C3 të stadiumit, filluan të hidhnin ne fushe  fishekzjarre, kapsolla dhe  lëndë piroteknike. Janë këshilluar disa herë me foni nga  drejtoria e Stadiumit për mospërdorimin  e sendeve të ndaluara,  të sharjeve dhe ofendimeve  karshi tifozëve të Skëndërbeut. Pas daljes me karton të kuq të lojartit të Partizanit,  tifozët e Partizanit,  thyen stolat dhe  tentuan të kalonin rrethimin me qëllim që të futeshin  në fushë. Forcat e policisë  të dislokuara në  këtë sektor sipas planit të masave kanë  vepruar konform proçedurave standarte  sipas instruktazhit të  dhënë duke mos lejuar tifozët të futeshin në fushë. Tifozët kanë vazhduar me thyerjen e stolave duke goditur punonjësit e policisë. Nga këto veprime, janë dëmtuar dy punonjës policie si dhe janë thyer  paisjet mbrojtëse të shërbimit të tyre. Kjo situatë, ka zgjatur rreth 10 minuta. Punonjësit e policisë, kanë dalë në rrethimin e jashtëm duke krijuar një perimetër dhe pas komunikimit të vazhdueshëm, u bë normalizimi i situatës dhe vazhdimi i ndeshjes deri në përfundim të saj. Nga ana e policisë, janë kryer veprimet proçeduriale, janë shoqëruar 7 shtetas në Komisariat, ndërkohë vijon puna për identifikimin e shtetasve të tjerë. Mbi bazën e deklarimeve  të marra, sqarojmë se shtetasi F.B, 24 vjeç, banues në Tiranë  është dëmtuar lehtë nga stolat e hedhur nga pjesa tjetër e  tifozërisë. Ndërsa shtetasja T.T, 18 vjeçe, banuese në Tiranë, nuk ka patur asnjë lloj dëmtimi, por gjëndje të rënduar  emocionale. Pas kontrollit mjekësor të dy shtetasit, janë larguar pa probleme në banesë”
 
	    	


 
 












