Nëse e bëjmë dallimin në mes të etnisë dhe kombit, e me komb nënkuptojmë përkatësinë në një shtet-komb si Zvicra, atëherë nuk ka dyshim se do të ndërtohet ose jemi në procesin e ndërtimit të një kombësie kosovare, në të cilën do të bëjnë pjesë përveç shqiptarëve edhe pakicat.
Kështu ka thënë në një intervistë ekskluzive dhënë gazetës ”Zëri”, analisti nga Shqipëria Fatos Lubonja. Lubonja më tutje ka shtuar se ai megjithatë përkrahë tezën se është për një ”shtet më të mirë, e jo një shtet më të madh”.
Megjithëkëtë, ai ka thënë se edhe ideja e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë ka bazë.
”Padyshim që ka bazë. Ka bazë në një vullnet historik të shqiptarëve për këtë bashkim. Ka bazë sepse kemi të bëjmë me një etni, se flitet një gjuhë edhe pse me dialekte të ndryshme.”, ka thënë ndër të tjera Fatos Lubonja.
Zëri: Cili është identiteti i kosovarëve dhe a kanë ata pos trungut etnik dhe gjuhësor të përbashkët edhe histori të përbashkët me Shqipërinë?
Lubonja: E para gjë që më vjen të them është se në pyetjen tuaj çështja shtrohet sikur identiteti është një dhe i ngurtë. Mendimi i sotëm, përgjithësisht i pranuar i studiuesve është se identiteti është një proces. Pra, nuk mund të flitet për një identitet shqiptarë qysh nga koha e ilirëve e këtej sikur nuk mund të flitet për një identitet kosovar qysh nga kohët më të vjetra. Në periudhën osmane shqiptarët kanë qenë një etni me një gjuhë të përbashkët (shqipen) brenda një identiteti osman, por kanë pasur edhe identitete të ndryshme fetare, lokale etj. Nuk mund të mohohet se kosovarët janë pjesë e etnisë shqiptare që me një kontekst historik tjetër kanë zhvilluar edhe identitete tjera. Për shembull, identitetin jugosllav. Për shembull, shumë kosovarë kanë folur gjuhën serbo-kroate, të cilën shqiptarët e Shqipërisë nuk e kanë njohur. Kur bëjmë krahasimin në mes të shqiptarëve dhe kosovarëve duhet të vëmë re dy gjëra, mendoj unë. Vullnetin e kosovarëve për të ndërtuar një identitet si ai i shqiptarëve të Shqipërisë – mjaft të kesh parasysh përqafimin e gjuhës standarde – si dhe një kontekst historik që e ka penguar këtë lloj identifikimi, qoftë në periudhën e Jugosllavisë, qoftë edhe pas ngjarjeve që kanë ndodhur me formimin e shtetit të Kosovës sipas një negocimi me ndërkombëtarët të cilët kanë imponuar një flamur me gjashtë yje, himin etj. Edhe këto janë pjesë e një procesi që ndikon për të krijuar një identitet tjetër nga ai i shqiptarëve të Shqipërisë.
Zëri: A po ndërtohet kombi kosovar?
Lubonja: Ne duhet të bëjmë marrëveshjen e fjalës për atë se çka nënkuptojmë me fjalën komb. Duhet të bëjmë dallimin në mes të etnisë dhe kombit. Në qoftë se me komb nënkuptojmë përkatësinë në një shtet-komb, atëherë mund të thuhet se në Zvicër të gjithë i përkasin kombit zviceran, edhe pse disa prej tyre janë frëngofolës, disa janë italotfolës e disa të tjerë gjermanofolës. Në Ballkan ka një konfuzion lidhur me etninë edhe kombin. Në qoftë se do të ndërtohet një shtet-komb kosovar i qëndrueshëm, atëherë nuk ka dyshim se do të ndërtohet, ose jemi në procesin e ndërtimit të një kombësie kosovare në kuptimin që në të nuk do të bëjnë pjesë vetëm shqiptarët, por edhe serbët edhe pakicat tjera.
Shtetin kosovar nuk e krijoi vetëm kombi shqiptar
Zëri: A e ka krijuar kombi unik shqiptar shtetin kosovar apo shteti kosovar po e konstrukton politikisht kombin kosovar?
Lubonja: Përgjigja ime është kjo: Shtetin kosovar nuk e ka krijuar vetëm kombi shqiptar, por edhe një kontekst gjeopolitik që u krijua. Pra, pa ndërhyrjen ndërkombëtare ndoshta nuk do ta kishim shtetin kosovar. Kurdët kanë kaq kohë që e quajnë veten “jemi një komb” por nuk kanë shtetin e tyre, sepse askush nuk i ndihmon. Pra, shteti kosovar është ndërtuar nga etnia shqiptare, por me ndihmën ndërkombëtare. Këtu vijmë tek ideja e konstruksionit të kombit nga shteti. Pra, ndërtohet shteti dhe shteti fillon pastaj krijon identitetet e veta të ndryshme nga të tjerët, si për shembull Iraku dhe Siria ndërkohë që ideja fillestare ishte për një komb arab të bashkuar, por ja që nuk ndodhi ashtu. Prandaj kur flitet për identitete thuhet nganjëherë se identiteti edhe negociohet. Kështu më duket se është rasti i Kosovës në njëfarë mënyre. Ka pasur një negocim me ndërkombëtarët të cilët kanë ndihmuar që ju të ndërtoni këtë lloj shteti me këtë lloj identiteti dhe jo atë lloj shteti që ndoshta donit ju me flamurin shqiptar me Shqiponjë, sepse po t’ju lihej vetëm shqiptarëve në dorë, sigurisht se ata do të zgjidhnin flamurin me Shqiponjë. Në këtë kuptim mund të them se shqiptarët në Kosovë u nisën për të ndërtuar pavarësinë e tyre dhe idenë e bashkimit me Shqipërinë (shumica mendoj unë), por konteksti gjeopolitik, ata që e ndihmuan në këtë proces i kanë kërkuar tjetër projekt. Dhe këtu tani duhet të shikojmë se sa ky projekt do të jetë i suksesshëm dhe sa do të jetë i pasuksesshëm.
Bashkimi, aspiratë legjitime
Zëri: A ka bazë ideja e bashkimit të kombit në shtetin unik shqiptar?
Lubonja: Padyshim që ka bazë. Ka bazë në një vullnet historik të shqiptarëve për këtë bashkim. Ka bazë sepse kemi të bëjmë me një etni, se flitet një gjuhë edhe pse me dialekte të ndryshme. Ka bazë sepse të dyja palët e kemi krijuar identitetin edhe si konfrontim me fqinjët serbë apo grekët që i kemi parë si armiq dhe kërcënim. Në këtë kuptim mund të konsiderohet si një aspiratë legjitime. Por megjithatë, këtu vijmë tek problemet që krijon ideja apo projekti i ndërtimit të një shteti të pastër etnik apo një “Shqipëri e Madhe”, siç e quajnë disa. Sepse këtë kanë kërkuar edhe serbët. Këtë kanë kërkuar edhe kroatët. Dhe kjo s’bëhet veçse me luftëra ashtu siç janë të ngërthyera popullsitë në Ballkan. Ajo që duhet të vihet në peshore në fund fare është e mira e njerëzve që jetojnë në këto treva. Pyetja shtrohet: a u duhet atyre krijimi i një shteti etnik, apo të krijohen shtetet në bazë të konceptit të shtetit të qytetarit, ku të gjithë të ndiheshin pjesë të këtij kombi qofshin shqiptarë, serbë, grekë, kroatë boshnjakë, romë etj..
Zëri: Në këtë moment politik edhe ekonomik, a do të ishte më i mirë një bashkim i Kosovës me Shqipërinë apo dy shtetet të vazhdojnë rrugën e tyre si të pavarura?
Lubonja: Në këtë moment politik unë mendoj se më e mira është që edhe në Kosovë edhe në Shqipëri të ndërtohet shteti. Në kuptimin e një shteti që i shërben qytetarit, një shteti të institucioneve, sepse kemi shtete të partive që kanë degjeneruar në banda. Kam qenë dhe mbetem i tezës që kemi nevojë për një shtet më të mirë, jo për një shtet më të madh. Pra, energjitë e shqiptarëve duhet të përqendrohen këtu. Ideja se një ditë mund të bashkohemi ose mund të qëndrojmë të ndryshëm duhet të jetë sekondare. Kufijtë mund të bëhen të parëndësishëm, pa rëndësinë që duan t’i japin një pjesë. E rëndësishme është që shqiptarët dhe kosovarët të jetojnë mirë, me dinjitet dhe të mos ikin nga Shqipëria dhe nga Kosova, siç po ikin. Ky është prioriteti. Të ndërtojmë shtete të mira, të institucioneve dhe jo shtete të partive banda. /Zëri