Kryeministri Edi Rama I ftuar në emisionin “Studio e Hapur” në moderimin e Eni Vasilit ka thënë se koalicioni me Lëvizjesn Socialiste për Integrim vazhdon të funksionojë në normalitet, dhe se nuk ka asnjë përplasje ndaj palëve. Ai është shprehur skeptik se LSI nuk do të vazhdojë koalicionin me PS duke thënë se nuk beson se do të ketë supriza.
Këtë fakt sipas tij e dëshmojnë më së miri përpjeket për të bërë reforma. Rama tha se edhe në parlamentaret e 2017-ës do të jetë në koalicion parazgjedhor me LSI-në.
“Nuk e diskutoj, sepse Ilir Meta nuk e ka vënë në diskutim këtë çështje. Por, sigurisht ata janë edhe në fushatë tani dhe kuptohet që fushata ka ato të vetat. Kur të mbarojë fushata, kur të zgjidhet kryetari ne do ulemi dhe do diskutojmë përsëri dhe unë besoj që nuk do ketë surpriza”, tha Rama.
Pjesë nga intervista
A ka një lloj tensioni brenda koalicionit tuaj me zotin Meta dhe zotin Idrizi. Një gazetar i njohur, zoti Baze në një editorial të tij tha diçka të tillë, që në fakt ka një luftë midis Metës dhe Ramës dhe jo midis Greqisë dhe Serbisë. Duke patur parasysh miqësinë që ju i shprehni Serbisë dhe një lloj tensioni me Greqinë. Ka një luftë midis Metës dhe Ramës?
Unë kam kuptuar një gjë që lufta midis meje dhe Ilir Metës, që kurse ne jemi bashkuar në një koalicion është një nga burimet që frymëzojnë gazetarinë tonë dhe vazhdimisht prodhon skenarë, prodhon tablo sinoptike, prodhon analiza. Por luftë midis meje dhe Ilir Metës nuk ka. Ne jemi në një koalicion jo në një parti. Nëse më tregoni një koalicion, jo këtu por në të gjithë Europën që nuk ka fërkime, kontradikta, atëherë unë do t’ju them, po paska dhe një të tillë. Unë ju them që në funksion të reformave koalicioni ynë është më kompakt se çdo koalicion tjetër që ka në Europë. Kur bëhen përpjekje për të bërë reforma në vende të tjera të Europës, koalicionet shkojnë deri në përplasje të natyrës që një parti del me ministrat në protestë, partia tjetër rri me ministrat në zyrë. Ne nuk kemi gjëra të tilla. E mbaruat me çështjen çame?
Nëse keni mbaruar ju…
Unë doja vetëm të theksoja këtë, që çështja çame thuhet çështje çame për tu kuptuar, por është çështje shqiptare, është çështje e Shqipërisë dhe ndoshta përsëritja thjesht si çështje çame për tu kuptuar lë shpesh herë dhe shteg për të bërë dhe abuzime, spekulime të natyrës jo ata bashkëpunuan me nazistët jo andej , jo këtej. Jo, s’ka lidhje farë. Kjo është një çështje e Shqipërisë, është në dosjen e diskutimeve që do bënim me Greqinë, meqë ra fjala ne me Greqinë nuk kemi ndonjë tension luftarak, ne me Greqinë kemi që nga dita e parë disa kërkesa të thjeshta, për tju dhënë marrëdhënieve një hov të ri. Askush nuk mund ta mohojë, as ata nuk e mohojnë që marrëdhëniet kanë pësuar një ngërç me paktin famëkeq të detit, të cilin ne e kundërshtuam dhe Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë e rrëzoi. Po ashtu ne kemi një tjetër çështje që ne duam të zgjidhet. Dhe duam të zgjidhet jo sepse duam tensione, por pikërisht sepse duam paqe harmoni, vëllazëri me fqinjët tanë të dashur, që është ligji i luftës. Unë i mirëkuptoj grekët kur thonë ç’është kjo, kjo është një gjë kot. Meqë është një gjë kot, ta fshijmë këtë gjë kot, mos ta lemë aty. Dhe aq kot nuk është. Ne kemi gatishmërinë që këtë gjë ta zgjidhim me dialog. jemi në dialog të vazhdueshëm dhe unë personalisht mund t’ju them që me qeverinë e kryeministrit Cipras e kemi intensifikuar këtë dialog.
Shqetësimi im është gjë tjetër. Ju folët për një mbarëvajtje kaq të madhe..
Se u ndjeke shumë e kërcënuar, mos u shqetëso!
…mbarëvajtja e koalicionit, ju po thoni që e keni në tryezën e bisedimeve çështjen çame, ndërkohë që gjatë vizitës së tij Zoti Meta thuajse nuk e artikuloi. Ka këtu ndonjë problem?
Gaboni gjithmonë kur kërkoni që unë dhe Ilir Meta të flasim njësoj. Nuk jemi njësoj, nuk flasim njësoj. Jemi në koalicion, nuk jemi as në një parti, as në një tipologji si njerëz. Jemi dy parti të ndryshme dhe jemi dy tipa komplet të ndryshëm.
Ju po thoni që janë dy qëndrime krejtësisht të ndryshme për çështjen çame?
Jo unë nuk thashë këtë. Mos kërkoni që kur dëgjoni Ilir Metën t’ju kujtohet Edi Rama apo kur më dëgjoni mua t’ju kujtohet Ilir Meta se kjo nuk ndodh.
A po mendoni ta zëvendësoni LSI-në me PDIU-në si aleate qoftë edhe për një koalicion parazgjedhor?
Ta zëvendësoj?
Po, ta zëvendësoni, ta ndryshoni.
LSI-ja është në vendin e vet dhe PDIU-ja është në vendin e vet. Ne sigurisht jemi në vendin tonë. Nuk e kuptoj pse ta zëvendësojmë.
Dibra tregoi që patët një bashkëpunim shumë më të madh me PDIU-në se me LSI-në…
Konteksti në Dibër ishte i tillë që pati një angazhim më të madh nga ana e PDIU-së por nuk mund të thuhet që s’pati interesim nga LSI-ja pasi ju kujtoj që të dyja rastet që unë kam qenë në Dibër kam qenë i shoqëruar me figura të larta të lidershipit të LSI-së.
Por dhe diferencën sapo e thatë vetë: impenjim të madh të PDIU-së dhe një lloj interesimi nga LSI-ja.
Pati një angazhim atje më të madh për shkak dhe të një strukture shumë vibrante që ka PDIU-ja në atë zonë.
Ju keni thënë se shumë shpejt do të shpallni vendimin për koalicionin me LSI-në për zgjedhjet e 2017-ës. Kur do ta bëni këtë?
Kjo është një çështje që formalisht dhe normalisht duhet pritur edhe për zgjedhjen e kryetarit të LSI-së sepse ju e dini që LSI-ja është në një fushatë intensive për zgjedhjen e kryetarit. Mbase të zgjidhet kryetari i LSI ne do ulemi dhe do diskutojmë.
Ndërkohë që unë duke besuar që nuk do kemi surpriza në ato zgjedhje mendoj që kjo do të jetë një formalitet pasi në diskutimet tona me kryetarin aktual të LSI-së, herët e fundit jo vetëm që nuk është vënë në pikëpyetje koalicioni në 2017-ën por është folur për domosdoshmërinë e një funksionimi edhe më të mirë të tij.
Pra ju nuk e diskutoni këtë gjë. LSI-ja do të jetë pjesë e koalicionit parazgjedhor të 2017-ës?
Nuk e diskutoj, sepse Ilir Meta nuk e ka vënë në diskutim këtë çështje. Por, sigurisht ata janë edhe në fushatë tani dhe kuptohet që fushata ka ato të vetat. Kur të mbarojë fushata, kur të zgjidhet kryetari ne do ulemi dhe do diskutojmë përsëri dhe unë besoj që nuk do ketë surpriza.
A do ta votoni Ilir Metën si president në maj të 2017-ës?
Kjo është një temë për të cilën ne do diskutojmë brenda koalicionit