Kur fitoi kurorën e “Miss Albania 2007”, Egla Harxhi ishte një 16 vjeçare, që e udhëhequr nga shpirti rebel vendosi t’i largohej botës së shoëbizz-it për t’iu dedikuar arkitekturës. Tani pas gati një dekade i afrohet artit si aktore dhe si femër e lirë, që guxon të shfaqet nudo pa rënë kurrsesi në grackën e vulgares. Ka çuditur plazhistët e kësaj vere në Dhërmi dhe Palase, pasi ka hyrë në det dhe ka marrë rreze topless. Për Eglën, mentaliteti ndryshohet kur e bëjnë të gjithë dhe askush nuk e vë më re, ndaj zgjodhi të jetë e para për të thyer këtë tabu shqiptare, që në Europë është diçka normale. Dhe për më tepër të tregojë linjat natyrale me këto foto ekskluzive dhe këtë rrëfim për revistën “Story”. “Në fillim nuk e dija nëse do të qëndroja në Paris apo jo. Ndaj vendosa në verën e 2015 të shkoja për një muaj për të parë pa i thënë njeriu, madje as familja ime nuk e dinte arsyen pse po shkoja. Mund të them tani me bindje që në momentet e para të mbërritjes në Paris, i thashë vetes: “Ah, dakort, ky është vendi”… kështu nis filmi i ri i jetës si aktore për Egla Harxhin.
Fitove kurorën e “Miss Albania 2007” dhe vendose të zhdukeshe nga vëmendja e publikut, shkëputje që pak fituese në gara bukurie e bëjnë. Cila ishte arsyeja?
Pjesëmarrja në konkursin e “Miss Albania” ishte rastësi në atë kohë. Të gjithë ishin entuziastë për mua, ndërsa unë e shihja si një aventurë të bukur vere. Nuk e mora në asnjë moment seriozisht. Kur mora titullin e “Miss Albania” në vitin 2007 nuk kisha mbushur ende 16 vjeçe dhe papritur u gjenda përpara një fakti të kryer, të cilin nuk e kisha menduar që do të ndodhte. Në këtë moshë është vështirë të perceptosh suksesin, famën dhe të ardhmen.
Pse, ku qëndronte vështirësia?
Jetoja në një të tashme ku vuaja çdo padrejtësi dhe e rritur në një ambient ku më ishte ushqyer arti, që në fëmijëri ëndërroja mbi epoka revolucionare artistike, si secesioni vienez, bauhaus, punku, rocku. Kur u gjenda brenda një bote missesh, mediash dhe shoëbiz-I, shumë shpejt kuptova që ishte larg idealeve të mia. Kjo botë më ngjante tejet false, sipërfaqësore, dhe krijova një distancë automatikisht ndaj saj.
Dhe si e reflektoje këtë distancë me botën si një vajzë që fitove kurorë miss-i kur ishe 16 vjeçe?
Kjo distancë më lejoi të jetoja një adoleshencë rebele, të bëja ç’të doja, të kërkoja vetveten, larg vëmendjes së medias. Kuptova që të jesh njeri publik duhet të kesh diçka të rëndësishme të tregosh, pasi është një përgjegjësi e madhe ndaj publikut tënd. Kur përhumbesha në vargjet e Jim Morrison, Tupac, kur dëgjoja Linkin Park, Depeche Mode apo kur shikoja interpretimet e Merlene Dietrich dhe Greta Garbos, më dukej vetja shumë e vogël dhe qesharake në atë famën dhe suksesin spontan që të ofron kurora e një konkursi bukurie. Ndaj vendosa të largohesha nga skena dhe të fokusohesha në formimin tim për t’u rikthyer ndoshta në një moment, kur do të isha gati. Modelet në kokën time ishin shumë të mëdha për të qenë thjesht një Miss.
Mediat të kanë prezantuar si arkitekte, por ndërkohë në Shqipëri ishe këtë verë për një projekt filmi. Ç’ishte ky kapërcim nga arkitektura tek kinemaja?
Prindërit e mi më kanë ushqyer gjithmonë dashurinë për artin dhe kulturën. Mamaja ime është arkitekte dhe babai është regjizor filmi, ndaj mund të them që kam marrë nga të dy shumë. Mbas një kërkimi të gjatë të vetvetes, kuptova që shpirti im i përkiste artit. Pas një adoleshence tejet të ngarkuar kisha nevojë për një formim sa artistik po aq dhe të strukturuar. Arktitektura u kthye shumë shpejt në një pasion të fortë ku i dedikova disa vjet të jetës sime. Në fund të masterit shkencor pata fatin e madh të ftohesha nga një nga arkistarët më të rëndësishëm të arkitekturës kontemporane, Kengo Kuma, i cili më ftoi për të punuar në atelienë e tij në Tokio dhe për vazhduar një master tjetër në Universitetin e Tokios. Në fillim kjo ofertë më entuziazmoi, por kur u gjenda përpara kthimit të një email-i konfirmimi, pata një moment hezitimi. Ai ishte momenti kur kuptova që arkitektura nuk ishte e vetmja gjë që dëshiroja të bëja në jetë…
Pse, në ç’aspekt ndiheshe e paplotësuar?
E bukura e arkitekturës është që të hap mendjen në shumë drejtime dhe papritur u gjenda në një dilemë shumë të madhe. Për mua në ato momente ishte mbyllja e një cikli dhe dëshira për të filluar një cikël të ri. Nuk e dija çfarë doja të bëja ekzaktësisht në ato momente, por e dija që doja të ndryshoja. Në vend të shkoja në Japoni, vendosa të shkoj në Paris për të studiuar për aktrim, një pasion që lindi natyrshëm. Në muajin korrik ndodhesha në Tiranë për të xhiruar një film me regji të babit tim, Ilir Harxhit, ku në të luajnë aktorë të nderuar si Robert Ndrenika, Enver Petrovci, Natasha Sela, Mehdi Malkaj.
Kthehemi tek ditët e verës. Le ta konsiderojmë aventurë shfaqjen topless në plazhet e Jugut të Shqipërisë, kryesisht në Dhërmi e Palas. Si lindi ideja?
Ideja e setit të fundit, pas disave që kemi realizuar në këtë linjë në Paris, na erdhi kur ndodheshim në jug të Shqipërisë me fotografin Ale de Basseville, stilisten e televizionit M6 në Francë, Laurence Ounini dhe ish-menaxheren e Alexander Mc Queen, Nathalie Pachiaudi. Menduam që në Shqipëri nuk ka asnjë plazh natyrist, ose minimumi ku femrat mund të bëjnë plazh topless. Dakord u thashë, e kuptova çfarë doni të thoni dhe hoqa të sipërmet e rrobave të banjos, duke bërë plazhin kështu përgjatë ditëve që ndodheshim në jug. Kjo e inspiroi fotografin dhe tha që kjo është diçka që Brigitte Bardot, ka bërë në Saint Tropez para 60 vjetësh. Prandaj dhe u realizuan këto foto.
Plazhi i Dhërmiut është i preferuari i personazheve të njohur në Shqipëri. Si reagonin kur të shihnin?
Të habitur. Vëzhgonin gjithë kohës, por nuk reagonin.
Të pëlqen të jesh e para, pra të thyesh ato tabu që kanë ngelur ende pa u thyer?
Është momenti që në Shqipëri t’i tejkalojnë disa fanatizma. Në fakt, në foto nuk ka asgjë provokuese nëse mendojmë drejt, pasi të qenit nudo është gjëja më e natyrshme. Por si e trajton nudon ka shumë diferencë. Nëse bën foto nudo për arsye seksuale është një zgjedhje dhe ka shumë që e bëjnë, por nudoja artistike duhet të bëjë të ëndërrosh, të reflektosh. Ajo duhet të tregojë një histori./Story.al