John Edward Alite, shqiptari që ishte krahu i djathtë i John Gotti, i bosit të familjes së krimit Gambino në SHBA, ka rrëfyer në një intervistë historinë e jetës së tij.
Alite ka thënë se gjyshi i tij nga ana e babait ka lindur dhe është rritur në Gjirokastër. Kurse e ëma e tij vjen nga Tirana. Madje ka treguar se në Shqipëri jeton vëllai i tij Andri dhe të afërmit e tjerë më të cilët edhe mbanë kontakte.
“Unë kam qenë me fat, pasi jam rritur mes disa kulturash. Për nga gjaku jam shqiptar. Ia kam thënë këtë gjë edhe të dashurës time, qysh në fillim. E dua shumë atë. Bëj shaka se si ajo e flet rrjedhshëm gjuhën, ndërsa unë jo.”
“I kam thënë se jam më shqiptar se ajo, sepse jam rritur në një shtëpi me gjyshërit në katin e poshtëm, xhaxhallarët në atë përdhes, prindërit në katin e mesëm, tjetrin xhaxha dhe hallë në atë sipër nesh dhe tezen matanë rrugës.”
“Në atë kohë Shqipëria identifikohej me komunizmin dhe kishte shumë pak shqiptarë këndej pari. Kur njerëzit më pyesnin nga isha dhe unë u thosha “nga Shqipëria”, ata s’ia kishin idenë ku ishte ky vend”, ka shtuar Alite.
“Më thoshin se isha pak a shumë italian, ndërsa unë ua përsërisja se jam shqiptar. Jam shqiptar dhe gjithmonë krenar për përkatësinë time. Nga ajo mënyrë jetese kam mësuar tradhtitë, gënjeshtrat dhe lëvizshmërinë italiane, ndërsa dija dhunën shqiptare. Ne jemi të dhunshëm. Fatkeqësisht edhe unë u bëra i tillë”, ka pohuar Alite. Ai ka deklaruar se zyrtarisht është akuzuar për një numër të caktuar vrasjes, gjashtë sish, ndërsa jozyrtarisht ky numër ka lëvizur shumë. Sipas tij, as ai vend nuk e di me siguri, pasi kjo i ishte bërë natyrë e dytë, njofton Klan Kosova.
“Është vështirë ta di. Has në vështirësi vazhdimisht me këtë numër. Por ligjërisht jam akuzuar për gjashtë vrasje dhe besoj rreth 30 plagosje, 37 besoj se ishte numri për të cilin kam dëshmuar. Jam akuzuar se kam vrarë dhjetëra, pesëmbëdhjetë apo gjashtëmbëdhjetë. Disa nga ata nuk kanë trupa, për ç’arsye nuk akuzohem, por këto janë aspekte ligjore. Kur avokatët e mi morën në duar çështjen dhe dolëm në gjyq, Gotti thoshte se kam vrarë pesëdhjetë apo gjashtëdhjetë persona për të. Nuk i kam numëruar, sepse ishte pjesë e përditshmërisë sime”.
Alite është shprehur se nuk e ka parë veten si vrasës, por si biznesmen, pasi lidhjet me politikanë dhe zyrtarë të shtetit e kanë bërë të kuptoj se as ata nuk janë të ndryshëm nga gangsterët. Edhe biznesmenët e kanë parë aty si një prej tyre, pasi ata kanë dështuar që dimensionin tjetër, atë të njeriut “në të zeza” ta kenë të dallueshëm.
“Siç u thashë, është si kur bëhesh pjesë e ushtrisë, nuk mban llogari për këto gjëra. Nuk e kam parë në këtë mënyrë. E kam parë veten si biznesmen, dhe me kalimin e viteve, ndërsa forcoja lidhjet me politikanë dhe zyrtarë policor, kur dilja në drekë me drejtorin e policisë e shihja veten si ai, aspak të ndryshëm. Ose një detektiv që vriste me mua. E shihja veten jo më si kriminel të zakonshëm, por si biznesmen legjitim dhe bizneset e mia si të tilla. Isha i përfshirë edhe në komisionim(brokerage) dhe në Ëall Street. Një kushëri imi ishte një nga pronarët e një kompanie të madhe aty. Në këto kushte luan në tjetër nivel. Nuk je më bandit rruge, edhe paratë i fiton në tjetër rrugë. Fiton miliona dhe marrëveshjet i ke me milionerë. Kështu fillova të thelloj lidhjet me njerëz shumë të pasur. Për ta isha biznesmen, sepse më shihnin në të tilla rroba. Shumica më shihnin si dikush që po fitonte para. Por nuk e shihnin anën tjetër timen, kur hiqja këto rroba dhe veshja diçka të zezë për të mos u parë, ndërsa në ndonjë vend të errët vrisja dikë. Ky është dimensioni që njerëzit nuk e shohin – ai që mbetet i ndryrë”.
Ish-gangsteri shqiptar dhe dikur një nga njerëzit e afër të ish narkoshefit John Gotti, ka thënë se në ditët e tij më të mira fitonte 5 milionë dollarë, në vlerë të sotme. Ai është shprehur se megjithatë nuk e di me siguri vlerën e të hyrave që ka pasur, por se ajo ishte e lartë, pasi njerëz në rangje më të ulëta merrnin nga 1050 mijë dollarë në muaj.
“Minimalisht kam bërë një milion dollarë në muaj. Por nga dëshmitarët kundër meje, njëri nga të cilët i afërt i familjes Gotti, por që punonte për mua, thoshte se me shumë gjasë kisha më shumë të hyra se kaq. Ai ishte në rangje të ulëta të organizatës dhe merrte prej 10 deri në 50 mijë dollarë në muaj. Është e vështirë ta them me siguri, pasi kam pasur rreth 300 njerëz që kanë punuar për mua, në mënyrë direkte dhe indirekte, ndoshta më shumë. Ka pasur burime të ndryshme, por besoj që në vlerën e sotme kam fituar 5 milionë dollarë në muaj”. Alite ka deklaruar se ka pasur shumë biznese që i sillnin të hyra të mëdha, përfshirë klube nate, biznes droge, fajdesh, parkingje të shumta e të tjera.
“Kam pasur shtëpi në disa shtete, por kur isha në arrati ato u braktisën. Po ashtu kam qenë pronar i një kompanie parkingu në disa shtete. Por e humba pas disa proceseve gjyqësore. Më pas ajo u shit për rreth 16.7 milionë dollarë. Kam qenë pronar i një klubi nate që gjeneronte fitime prej dy milionë dollarësh në vit. Një biznes droge nga i cili merrja një milionë në muaj dhe një tjetër biznesh fajdesh. Kam pasur një biznes llogaritarie nga i cili merrja minimalisht 300 mijë dollarë në muaj. Merrja para në të gjitha drejtimet. Isha i përfshirë në shumë në shumë biznese”.
John Alite shprehet se është penduar për disa nga vrasjet që ka bërë. “Kam takuar disa nga viktimat e mia, disa familjarë të tyre dhe flas me fëmijët, pasi nuk e kam ndërmend t’ua ndryshoj bindjet të rriturve”. “Kam vrarë njerëz që kanë përdhunuar femra, për të cilën gjë nuk pendohem aspak. E kam thënë edhe gjatë gjyqit: nëse do të mund t’i ngjallja dhe t’i vrisja prapë, do ta bëja këtë gjë. Kur ia bën këtë gjë një gruaje, meriton të vritesh. Kështu besoj unë. E them shpesh që jetoj sipas rregullave të mia. Dhe sipas tyre, nëse ia bën këtë gjë një gruaje, duhet të vritesh. Nuk ka tjetër rrugë. Për të tillë njerëz nuk kam kurrfarë pendimi. Për të tjerët, natyrisht”.
Ai ka thënë se në këtë “lojë”, gjërat nuk ndryshojnë edhe nëse heq dorë. “Nuk po mundohem të arsyetoj atë që kam bërë, por jemi të gjithë në këtë botë, dhe ia them familjes sime, që nëse nesër më vret dikush, unë e kam zgjedhur këtë jetë. Deri në fund. Nuk dua që ata të më qajnë, pasi unë vet e kam marrë këtë vendim. Dhe gjërat nuk mbarojnë edhe kur heq dorë, e kuptoj këtë gjë. Jeta ime do të jetë e këtillë deri në fund, më pëlqeu ose jo. Megjithëse unë nuk jetoj më ashtu, nuk do të thotë se edhe tjetri bën të njëjtën gjë”.