Ishte 82 vjeç dhe një nga pengjet e tij më të mëdha ishte që Kisha Katolike kishte rënë në duar të të huajve. Veten e ndiente tepër plak që të mund të ndikonte në përmirësimin e gjërave, edhe pse të vetmen herë që i kishte shkruar Papa Gjon Palit II, ai i ishte përgjigjur.
Tash që janë mbushur 9 vjet nga vdekja e tij, At Zef Pllumi na rikthehet në kujtesë, jo vetëm si martiri i Kishës Katolike, si njeriu që u shpëtoi gjallë burgjeve të komunizmit, por edhe si njeriu i shqetësuar për ardhmërinë e Kishës dhe të njerëzve të vet. E gërryente ideja që populli i tij nuk ngrihej kundër atyre gjërave që i dukeshin të padrejta.
BELINA BUDINI
Një prirje e çuditshme dhe e fortë e përqendrimit të pushtetit të Kishës Katolike Shqiptare në duart e klerikëve të huaj duket se është bërë shumë shqetësuese për komunitetin katolik në Shqipëri, por jo vetëm aty. Si e gjykoni këtë fakt si besimtar dhe si qytetar shqiptar?
Në fakt, fetë e mëdha si kristianizmi e islamizmi janë internacionale, superkombëtare, fe të të gjitha kombeve. Tue kenë kështu, i pari i fesë mund të pranohet nga të gjitha kombet. Ama, fakti asht kështu: që fetë e çdo kombi përdorin elementin kombëtar. Historikisht papa asht i përbotshëm siç asht mund të jetë i të gjithë kombeve. Ne kemë pasë edhe nji papë shqiptar, Papë Klementin XI. Megjithatë, kleri që punon në vende të tjera zgjidhej prej kombit, kur ky komb ka priftin dhe kishtarët e vet. Tani, për sa i përket pjesës së dytë të pyetjes mbi gjykimin tem për këte problem, unë jam 80 vjeç dhe ne të vjetërve shumë punë të ju të rijve nuk na pëlqejnë. Punët tona na janë dukë ma të mira. Janë kenë ma të vështira, por prapë ma të mira. Personalisht kjo që po ndodh nuk më pëlqen aspak, por nuk e çan njeri kryet për këtë mendimin tem.
Kjo nuk është e vërtetë, ju mund të ndikoni në opinionin publik.
Unë jam në moshë të thyeme dhe mund të thonë “ky asht i marrë”. Ama, kur ato që unë them nuk u pëlqejnë, më quejnë të marrë; kur u kanë pëlqye, thonë: ky di shumë. Por tani që puna ka përfundue, mendimi em ndoshta nuk zen vend. Ne jemë nji popull që kemë kalue nji diktaturë shumë të vështirë. Por, para kësaj diktature, përveç nji periudhe shumë të shkurtë lirie, kemë kalue nji robni 500-vjeçare. Në këte mënyrë, ky popull asht mësue që, edhe me i shtie opangën në gojë, nuk flet, as bërtet. Këtu nuk jam dakord unë me popullin tem.
Pra, ju mendoni se duhet të ketë një reagim publik ndaj këtij problemi, nga komuniteti katolik apo tjetër, gjë që nuk ka ndodhur…?
Reagim duhet me pasë patjetër, por jo vetëm nga komuniteti katolik. E di si asht puna? Ne themi: “Vetëm dora jote di me të krue”. Nji i huej nuk e din ku i dhemb shqiptarit. Kleriku i huej do nji jetë të tanë që të bahet shqiptar dhe nuk di a mbërrin.
Kjo gjendje megjithatë nuk është krijuar papritur, ka pasur një ecuri derisa ka mbërritur në pikën kur është mbushur kupa, apo jo?
Kupa asht mbush ka herë e ka mot. Në don ta dish, kleri katolik ka dalë nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, që për nga egërsia ia ka kalue edhe komunizmit të Stalinit. Gjin Marku më ka tregue në burg se ka qenë përkthyesi i parë në takimin e Enver Hoxhës me Stalinin. Stalini madje e ka pyetë Enver Hoxhën: “Çfarë keni me klerin katolik?
A keni bërë ndonjë ligj për komunitetet fetare? Ju duhet të bëni një ligj për komunitetet fetare, bëni disa nene dhe në bazë të tyre mund t’i kapni dhe t’i arrestoni, por jo me marrë e me i arrestue dhe pushkatua kot, se ju jeni në kufi me Perëndimin, i cili sheh e dëgjon. Ju kështu jeni duke i bërë një propagandë të keqe komunizmit në botë duke persekutuar klerin katolik”.
Prej komunizmit t’Enver Hoxhës Kisha Katolike ka dalë vetëm me 27 priftën të plakun, unë jam kenë ma i riu, që isha 66 vjeç, dhe Don Simon Jubani. Prandaj ky ishte nji kler i lodhun, që kërkonte ndihmën e të huejve, sepse siç thashë besimet kryesore janë internacionale. Megjithatë, ne kërkuem ndihmën e të huejve, por jo sundimin e tyne.
Mendoni se ka një sundim të të huajve në Kishën Katolike…
Me sundim due me thanë se ata kanë pushtetin. Se dihet që, në të gjithë botën, njerëz të mirë e të këqij luftojnë për para, për pushtet (që sjell para) dhe ka nji pjesë dhe për femna…
Ky problem mos shihet ndoshta me syze patriotizmi apo atdhetarie…?
Jo, jo. Na jemë fetarë, por megjithëse kristianizmi ose islamizmi janë fe internacionale, secili popull ka dijet, zakonet dhe të metat e veta. Këto ma mirë i din ai që asht vendas se i ardhuni, prandej nuk i bahet kurrnji shërbim ma i mirë fesë prej të huejit se sa prej popullit të vet. Sepse feja asht fjala. Kur fjala nuk flitet e kjartë, kur nuk flitet si flet populli, atëherë populli nuk e kupton. Të jesh filozof sa të duesh, kur flet nji gjuhë tjetër, asgja nuk përçohet në popull. U banë tash 15 vjet që ky popull nuk ka ndigjue të flitet prej klerit katolik fjala shqip. Kemë folë na të vjetrit aq sa kemë folë. Dhe tani kanë ardhë me na folun këta të huajt…
A ka në të vërtetë klerikë shqiptarë të përgatitur për të drejtuar kishën?
Mbas 15 vjetësh ka ma shumë se 30 priftën shqiptarë dhe di që këta priftin shqiptarë janë t’arsimuem dhe shumë të pregatitun. Megjithatë, asnjeri prej tyne nuk ka asnjë pozicion në hierarkinë kishtare.
Po priftërinj të huaj sa janë?
Tani, numër të saktë unë nuk kam, por e di që ma shumë se gjysma e klerit katolik në Shqipni janë të huej. Por nuk janë vetëm priftin. Ka edhe shumë murgesha të hueja, kryesisht nga Italia, që kanë ardhë në Shqipni. Se si kanë ardhë, se pse kanë ardhë e ç’ka kanë ardhë me ba ato, ala nuk e kam marrë vesh prej 15 vjetsh. Megjithatë, në Shqipni ka shumë klerikë të pregatitun dhe t’aftë për me kenë në pozicione drejtimi në hierarkinë e Kishës Katolike shqiptare.
Ideja e një shërbimi të mirë fetar është e lidhur domosdoshmërisht me një shërbim kombëtar?
Kombi dhe ideja kombëtare asht mbajtë prej klerit katolik tue fillue nga Gjon Buzuku, siç tregojnë dokumentet, imzot Pjetër Budi, imzot Bogdani, imzot Kazazi, të cilët që në kohën e Turqisë dhe robnisë, kur shqiptarët filluen me e lanë besimin katolik kristian e u banë myslimanë. Klerikët katolikë, tue mbajtë gjuhën, kanë mbajtë kombin, kanë mbajtë edhe fenë. Ata janë të interesuar kryesisht për fe. Por duhet me dijtë se feja në ate kohë ishte shumë ma emociononte sesa kombi. Ideja kombtare ka le ma vonë. E megjithatë, klerikët mbajtën edhe idenë e kombit.
Pra, ka pasur një ndjeshmëri kombëtare qysh herët në radhët e klerikëve katolikë. Po tani?
Tani popujt i përfaqëson shteti. Fatet e kombit përcaktohen nga shteti.
A këshillohet Vatikani me palën shqiptare, domethënë me shtetin shqiptar, për zgjedhjen e arqipeshkve?
Nuk e di a e çan kryet Vatikani për klerin shqiptar. Unë nuk kam marrëdhanie me Vatikanin. Nji herë të vetme kam komunikue me papën Gjon Pal II me anë të nji letre dhe zani em, në të vërtetë, u ndigjue. Për tjera herë, mua nuk më ka pyetë kush. Por për nji gja jam i sigurt: që Vatikani luen politikën e të gjitha vendeve të botës dhe nuk mund të vendosë nji udhëheqës shpirtnor pa pyetë autoritetet shtetnore, edhe komuniste në kjofshin ato. Vatikani merr pëlqimin e tyne për drejtuesit e propozuem. Nuk ka kurrfarë dyshimi, pra, që fajin kryesor e ka qeveria. Kjo asht vepër e qeverisë shqiptare.
Por në fakt thuhet që feja me shtetin janë të ndara…
Kjo asht e vërtetë që janë të dame, por politika e Vatikanit asht e tillë që nuk e kundërshton shtetin. Doktrina fetare dhe politika e Vatikanit janë dy çastje të dame.
A mendoni se problemi i përkatësisë kombëtare të klerit e tejkalon sferën e besimit katolik, duke u bërë një problem për shoqërinë?
Ata thirren “udhëheqës shpirtnorë”. Dhe udhëheqës shpirtnorë nuk janë vetëm priftënt, por edhe ipeshkëvijtë. Besimtarët, tek të cilët ushtrohet ndikimi i tyre, janë pjesë e kombit dhe kombi shqiptar asht nji komb i veçantë. Zakonisht kombe të tjera janë ose të nji besimi, siç asht në Greqi ose në vende të tjera perëndimore, ku asht kristianizmi. Ndërsa në Shqipni kombi asht një ndërtesë me katër mure, ku nji mur është katolicizmi, muri ma i naltë e ma i madh asht islamizmi dhe tjetri asht ortodoksia shqiptare. Faqeta asht shteti shqiptar. Pra, a asht çashtje shoqnore, a asht çashtje shtetnore, kjo mendoj se i përket shtetit e shoqnisë e gjithkujt.
Si shpjegohet fakti që nuk ka pasur reagime ndaj këtij problemi as nga komuniteti katolik? Apo ndoshta njerëzit po i largohen besimit, të paktën atij të angazhuar…
Jo. Ankesa të ndryshme edhe mue më kanë mbërritë. Njerëzit nuk janë dakord me këte që po ndodh. Njerëzit gjithashtu besojnë. Por ne jemi nji popull i shtypun dhe durojmë aty ku nuk durohet. Shqetësimi ma i madh për besimtarët asht se klerikët e huej nuk dinë me folë shqip. Popullit do t’i flitet shqip dhe jo me nji shqipe ma zi se kinezët. Sepse, siç thotë Ungjilli, e para ishte fjala. Fjala asht gjaja kryesore.
A mendoni se fakti që emërohen kaq shumë klerikë të huaj në hierarkinë e Kishës Katolike shqiptare tregon një shpërfillje të Vatikanit ndaj klerit katolik shqiptar?
Vatikani ka për me mbikqyrë tanë botën dhe 500 mijë katolikë shqiptarë për Vatikanin nuk janë as nji hundë burnut. Shqipnija për Vatikanin asht shumë e vogël. Por nuk mund të them se asht shpërfillje. Jo pse kam frikë, se unë tash në prag të jetës tjetër jam. Por asht puna që unë ma tepër se shpërfillje mendoj se asht mungesë informacioni, nuk ka nji informacion të saktë. Na shqiptarët nuk e kemë zakon me shkrue. Të huajt bajnë vaki e shkruejnë.
Pse kush duhet ta japë këtë informacion?
Gjithkush ka përgjegjësi për dhanin e informacionit. Na shqiptarët kemë nji shprehje: Në kjoftë se nuk qan fëmija, nana nuk i jep gji. Ky informacion duhet me i shkue Vatikanit nga Shqipnia. Unë vetë, vetëm nji herë i kam shkrue Vatikanit në kohën e Papa Gjon Palit II, letër e cila mori përgjigje pozitive prej tij dhe nuk kam shkrue ma. Ma e keqja asht se na nuk merremi me shkrime dhe lexime.
Prirja e fillimit, pra ajo e viteve ’90, duket se ka qenë e ndryshme. Pra, pati një lloj vlerësimi, edhe nga Vatikani, të klerikëve shqiptarë, atyre që kishin kaluar persekutimet e burgjet e diktaturës komuniste. Ky ishte vetëm momenti i parë?
Po, asht e vërtetë që në kohën e Gjon Palit II u vendosën disa ipeshkvij shqiptarë… Mbas këtij momenti të parë pozitiv, ka pas nji ramje nga viti në vit deri në këtë moment të dytë, kur Kishën Katolike e sundojnë klerikët e huej. Si mendon se duhet zgjidhur kjo situatë, kur tendenca e dominimit të Kishës Katolike nga klerikët e huaj është e qartë. Nuk di. Populli duhet të dije si me veprue. Unë tash i kam kalue të tetëdhetat dhe… Ndiheni i pafuqishëm për të bërë diçka? Jo, e di si asht puna? Unë gjatë 80 vjetëve të jetës seme nuk mujta t’i përmirësoj kushtet as popullit tim, as vetes sime. Kur nuk jam kenë për vete, as për popullin natyrisht. Ata që kanë në dorë fatet e popujve, ata duhet të mendojnë.
23 dhjetor, 2005