NGA FATOS LUBONJA
Lexova para disa ditësh shkrimin investigativ të Birn me autore Lindita Çelën: “Resortet turistike në bregdetin e jugut po ndërtohen në prona të grabitura”. Ishte një ilustrim i qartë dhe i plotë i asaj se si në këtë vend një grup të pasuruarish të dyshimtë, në bashkëpunim me politikanë e gjyqtarë edhe më të dyshimtë se këta me moral blozë, kanë grabitur ndër vite dhe vazhdojnë të grabisin shqiptarët pa u hyrë gjemb në këmbë. Ai është, po ashtu, edhe një çjerrje maske e kryeministrit të radhës, i cili ulëret e bërtet për Reformën në Drejtësi e vetingje gjyqtarësh e prokurorësh, duke i akuzuar se kanë grabitur shqiptarët, ndërkohë që është ai, dora vetë, në krye të grabitësve.
Për ta përmbledhur me dy fjalë (shpresoj që lexuesi e ka lexuar vetë http:// www.reporter.al/resortet-turistike-ne-bregdetin-e-jugut-po-ndertohen-ne-prona-te-grabitura/), shkrimi na tregon se si u është grabitur katër familjeve himarjote trualli në një nga perlat e bregdetit të Jugut, poshtë Palasës, nëpërmjet një serie falsifikimesh e korruptimesh, për të përfunduar në duar oligarkësh famëkeq, të njohur tashmë si të lidhur me të gjitha partitë/banda që kemi pasur e kemi në pushtet. Shkrimi na tregon se drama e grabitjes, e filluar që me firmat piramidale, është zhvilluar me disa akte. Ata të fundit (duke filluar që nga dhënia e lejes së ndërtimit në 2014 në një kohë që tjetërsimi i pronave ishte objekt hetimi i Prokurorisë) i ka kryer kryerilindasi Rama i cili, në përfundim, ka gjetur edhe mënyrën për t’i fshirë gjurmët e krimit. Ai i ka dhënë në 2015 investimit në pronat e grabitura statusin e investimit strategjik, pasi ka miratuar me Parlament një ligj mbi investimet strategjike, i cili lejon shpronësime të pasurive së paluajtshme për interesa publike.
Nuk dua të merrem këtu me anën investigative sepse shkrimi i BIRN e ka treguar qartë e bukur mekanizmin e grabitjes. As me faktin se investitori është përsëri Mane&Co që na del gjithandej si kryeministri hije i Shqipërisë në qeveritë Berisha dhe Rama, ndërtuesi i Rolling Hills, ku ka strehën një pjesë e mirë e kastës që na ka sunduar e sundon, çka shpjegon edhe heshtjen e opozitës e të medieve kryesore për akte të tilla skandaloze.
Dua të merrem me gjethen e fikut të përdorur nga Kryeministri dhe oligarkët e tij: se investimi na qenka strategjik në turizëm dhe në interesin publik, pasi atje u investuakan mbi 50 milionë euro dhe u punësuakan, për nja dy vjet, mbi 80 veta.
A është me interes publik ai horror që shohim në foton e publikuar nga Birn, ku peizazhi aq i bukur, i virgjër i bregut poshtë Palasës është betonizuar me një seri vilash ngjitur njëra pas tjetrës në një dendësi që të kujtojnë kompleksin e shëmtuar moralisht dhe arkitektonikisht të Rolling Hills, ku duket qartë se synimi është ndërtimi i sa më shumë vilave në sa më pak metër katror sipërfaqe për të rritur fitimin privat?
Jo dhe jo. Ajo që shohim aty është strategjia e grabitjes së pasurisë publike dhe private me synim pasurimin e një grushti njerëzish e ndjekur kudo në vend, ku pronat publike apo të njerëzve të thjeshtë të palidhur me pushtetin janë zaptuar nga të fortët. Është “strategjia” që privatizoi plazhin e Durrësit, duke e kthyer më në fund në një plehër antituristike (plus disa laguna me vila të njerëzve të kastës) e që tani, si metastazat e një tumori i është qepur bregdetit të Jugut.
Nesër në bregun poshtë Palasës, që ishte një perlë që kurrsesi nuk duhej prekur, ndërsa pronarët duhet të kompensoheshin, do të kemi një zonë me vila, ku do të gjejmë shumë nga banorët e Rolling Hills, dhe ndoshta edhe disa hotele super të shtrenjta të rrethuar me mure të larta. Ndërkohë, me siguri edhe bregu do të bëhet i pakalueshëm për të gjithë të tjerët, vendës dhe turistë të huaj. Dhe ironia më e madhe është se për t’ua nxjerrë sa më të lirë koston këtyre ndërtimeve private në dhjetor të vitit 2015, Rama paska miratuar edhe 10 vendime, medemek me qëllim lehtësimin dhe rregullimin e procedurave për investitorët strategjikë. Sipas këtyre, me paratë e gjithë shqiptarëve, që nesër as do të mund të hyjnë në atë zonë, shteti do t’i ofrojë Manes&Co infrastrukturë ndihmëse, si furnizim dhe përshtatje të rrjetit elektrik, furnizim me ujë të pijshëm, kanalizime, trajtim të ujërave të ndotura dhe infrastrukturë rrugore.
JO, kjo nuk është strategji zhvillimi të turizmit, nëse me të tilla nënkuptojmë projekte që shikojnë larg në kohë dhe që përfshijnë interesa vërtet publike, që i interesojnë gjithë popullsisë së Jugut: të atyre që jetojnë sot, por edhe të atyre që do të lindin nesër. Sikur të mos ishte syverbësia e babëzisë, nuk do të ishte vështirë që Ministria e Turizmit të gjente shembujt për t’u ndjekur në vendet më të njohura për turizëm sot. Atje do të shohësh se, përveç ndërtimeve historike, brigjet deri thellë ruhen të paprekura, sepse nuk është hoteleria vlera kryesore për të cilën vijnë turistët, por natyra, klima, peizazhi, trashëgimia kulturore ku hyn edhe kuzhina. Hoteleria gjithnjë e më shumë bëhet në të ashtuquajturat agroturizme që janë edhe një mënyrë që komuniteti rrotull të zhvillojnë një ekonomi të qëndrueshme.
Në raste si zona në fjalë ajo që do të duhej të bëhej më së pari në Jug duhet të ishte ndalimi i ndërtimeve të reja për ruajtjen e peizazhit. Pastaj restaurimi i shtëpive të fshatrave të vjetra – shumë më të bukura dhe tërheqëse sesa vilat standarde të Manes që s’kanë asnjë lidhje me traditën. Një pjesë e këtyre shtëpive do të shërbenin pastaj edhe për hoteleri, duke u bërë burim të ardhurash për komunitetin. Nëse kjo hoteleri nuk do të ishte e mjaftueshme (për sezonin e verës), zgjidhja kurrsesi nuk mund të ishte shkatërrimi i natyrës e i peizazhit me ndërtime gjatë bregut, le më pastaj për vila private. Duke pasur parasysh ndërtimet në Vlorë e Sarandë, hoteleria mjafton e tepron për ata që duan të shijojnë detin, të eksplorojnë peizazhin dhe traditën e Jugut. Asgjë nuk u kushton atyre të marrin makinën siç bëjnë në Toskanë apo në Sardenjë dhe të lëvizin pastaj nga Vlora apo Saranda, apo nga agroturizmet që duhet të jenë lart, për në gjiret e ndryshëm të virgjër të bregut e për të vizituar fshatrat e bukur të Jugut të restauruar, ku edhe do të mund të hanin e pinin në restorante që ruajnë traditën. Kurse ndërtime të tilla veçse i largojnë turistët nga këto zona sepse u shëmtojnë peizazhin, por edhe pse ua zaptojnë plazhin me ndërtime private.
Prandaj, këto nuk janë investime strategjike për interes publik, por strategji grabitjeje për interesa private. Është strategjia kafsho një copë Shqipëri, mbush xhepat e ik, që ka shkatërruar tash 25 vjet shumëçka që përbënte pasuritë më të vyera që i kishin mbetur këtij vendi, duke filluar që nga toka buke, pyje, lumenj, brigje deti e deri në trashëgiminë kulturore. Është e njëjta strategji që po na sjell së fundi edhe plehrat nga Evropa./Panorama