Nga Klodian Aliu
Zhvillimet e fundit për (ri)lejimin e importit të mbetjeve për qëllime riciklimi më shtynë t’i rikthehem sërish çështjes me disa konstatime dhe sugjerime për përmirësimin e procesit, bazuar keto ne përvojën e importit gjatë viteve 2010-2013 por, edhe më parë.
Importi i mbetjeve (të parrezikshme) për qëllime riciklimi u autorizua nga Qeveria në vitin 2010 me VKM nr.825 datë 13.10.2010 “Për miratimin e listave të mbetjeve që lejohen të importohen për qëllime përdorimi, riciklimi dhe përpunimi”. Nga këndvështrimi ligjor, ky proces ishte legjitimuar që në vitin 2003 (me VKM nr.806, datë 04.12.2003) por, miratimi i një vendimi me rregullat e posatçme dhe specifik për “listën e mbetjeve” vonoi disa vite. Megjithë këtë mangësi në rregullat specifike, importi i mbetjeve si lëndë e parë, ishte zhvilluar mbështetur në rregullime të tjera ligjore si, nëpërmjet mekanizimit “regjimi i përpunimit aktiv”.
Si ekspert, kam qene dakord me importin kjo bazuar në praktikat europiane dhe domosdoshmërinë e këtij procesi për të ruajtur industrinë e riciklimit në vend. Por kjo duhej të pasohej detyrimisht nga ngritja dhe vënia në funksionim e sistemit të menxhimit të integruar të mbetjeve në vend, në mënyrë që të ricikloheshin më shumë mbetje të vendit. Faktikisht pak progres është bërë në drejtim të ndarjes së mbetjeve të riciklueshme dhe duket se industria kërkon ndihmën dhe ndërhyrjen e Qeverisë për të siguruar mbijetesën e saj.
Disa nga problemet e hasura gjatë importit të mbetjeve në periudhën 2010-2013 janë:
1. Ministria e Mjedisit, pavarsisht përpjekjeve për zbatimin korrekt të procedurës së shqyrtimit të kërkesave për import nga kompanitë ricikluese, dështoi të ishte plotësisht transparente dhe bindëse për sigurinë e zhvillimit të këtij procesi. Në këtë pikë dua të theksoj se gjatë zhvillimit të procedurës te licensimit dhe miratimit te kerkeses per import kryhej një proces konsultimi me palët e interesuara. Megjithate pas miratimit të autorizimit të importit të mbetjeve nga strukturat e Ministrisë nuk pati transparence të vazhdueshme në lidhje me ecurine e procesit dhe permbushjen e detyrimeve ligjore nga kompanite.
2. Gjithashtu, gjate kesaj periudhe u miratuan leje dhe liçenca për riciklimin e mbetjeve për shumë kompani vendase, të cilat, në pjesën më të madhe nuk përmbushnin kushtet teknologjike të nevojshme për trajtimin e sigurt të mbetjeve. Për rrjedhojë, zhvillim i bujshëm i këtij biznesi rezultoi në rritjen e orkesit për import në kushtet kur mungonin kapacitetet teknike dhe financiare për garantimin e kësaj përgjegjësie. Pavarësisht qëllimit riciklues/përpunues, liçensimi i kompanive duhet bazuar mbi kritere të faktuara teknike e financiare që keto kompani duhet të përmbushin, dhe jo vetëm në dosje e dokumenta formale. Kjo praktikë krijoi idenë se importi i mbetjeve ishte një biznes me leverdi dhe se sasitë e importit do ishin të mëdha. E gjithë kjo situatë krijoi terrenin për dyshime e spekulime të mundshme gjatë procesit të importit.
3. Kontrolli doganor i cilësisë së mbetjeve ishte një ndër pikat më kyçe të procesit për të garantuar zhvillimin e sigurt dhe konform akteve ligjore dhe rregullatore të tij . Aktualisht, nuk ekziston ndonjë raport për analizat/matjet laboratorike të përbërjes së mbetjeve që importohen dhe rasti më tipik mund të jetë niveli i radioaktivitetit nga mbetjet metalore (skrapet). Doganat kanë përgjegjësi të sigurohen për origjinën e këtij “malli” dhe sidmos të kryjnë testet laboratorike përpara hyrjes së mbetjeve në territorin Shqiptar. Për të kuptuar më mirë rëndësinë e kësaj matje, citojmë një raportim nga Drejtoria e Doganave Maqedonese[1] të vitit 2008, i cili konstaton: “Në datë 16.06.2008 rreth orës 20.30 në vendkalimin kufitar Bllacë për hyrje në Republikën e Maqedonisë është paraqitur kamion me targa regjistrimi të Kosovës i ngarkuar me mbeturina hekuri të vjetër nga Kosova të dedikuar për një firmë importuese nga Elbasani, Republika e Shqipërisë. Me matjen plotësuese është konstatuar se niveli i rrezatimit radioaktiv arrin 75 msv ku për rreth 300 herë është më e madhe nga vlera normale maksimale”. Vetiu lind pyetja: A ka hyrë çelik me rrezatim në Shqipëri dhe ç’fat ka patur? A është përdorur në ndërtimin e apartamenteve të reja dhe a ka patur masa për mbrojtjen e shëndetit publik nga rrezatimi i mundshëm? A kryhen dhe si mund te verifikohen procedurat e sigurisë nga radioktiviteti në zyrat doganore? Aktualisht, Drejtoria e Akreditimit nuk ka akredituar asnje nga laboratorët e Doganës apo Institutit të Fizikës Bërthamore për të tilla matje të radioktivitetit.
4. Kontrolli dhe inspektimi. Pas miratimit të autorizimit për import rol kryesor në garantimin e zbatimit të ligjit marrin strukturat e inspektimi mjedisor dhe të tjera (doganore, shëndetsore). Kjo strukturë kishte dhe ka përgjegjësinë për mbikqyrjen e zbatimit të kushteve për ruajtjen e mjedisit percaktuar në lejen e mjedisit dhe autorizimin e importit të mbetjeve. Përveç ndonje rasti sporadik, aktivizimi i kësaj strukture për çeshtjet e mbetjeve bëhej vetem pas publikimit në media, si në rastin e dampës së skorjeve të gjeneruara nga trajtimi i metaleve për riciklim nga kompania “KurumInternational” Sh.A. (Prill 2015). Sjell në vëmendje se, në Prill 2015 Inspektoriati i Mjedisit dhe Pyjeve konstatoi praninë e një dampe të madhe (200m e gjatë x 20 m e lartë) skorjesh me mbetje metalore të depozituara nga kjo kompani në bregun/ shtratin e Lumit Shkumbin (vepër penale). Pas këtij konstatimi, kompanise iu vendosen masa e detyrime pë menaxhimin ligjor të tyre por, ende sot nuk është bërë publik asnjë informacion çfarë ka ndodhur më tej? A janë larguar këto mbetje tepër të rrezikshme për ekosistemet ujore dhe shëndetin e njeriut nga shtrati i Shkumbini? Kjo dampë e stërmadhe duhej dhe mund të parandalohej nga Inspektoriati i Mjedisit dhe, pikërisht për këtë dëm të madh në mjedis që në Kodin Penal cilësohet si vepër penale, importi i mëtejshem i skrapit për këtë kompani duhej të pezullohej menjëherë. Del qartë se hallka më e rëndësishme e procesit, mbikqyrja e importit (inspektimi), rezultoi e dobët dhe nuk dha sigurinë e nevojshme që procesi i importit garantonte mbrojtjen e mjedisit dhe shëndetit publik.
5. Së fundi, raportimi dhe përgjegjshmëria e kompanive që importuan mbetje ka qenë në nivele të ulta (perpjekje serioze ka bërë vetëm një kompani që riciklon plastikë në Kashar, që mban emrin e një mali të lartë, e cila ka ndërmarre aktivitete transparence për veprimtarinë e saj). Ndonëse ndjeshmëria publike ndaj importit të mbetjeve ishte e lartë, kompanitë nuk realizuan transparencë të vazhdueshme dhe bindese per procesin, veçanërisht në lidhje me “mbetjet e mbetjeve”. Sa përqind e sasisë së importuar rezultonin mbetje që nuk mund të futeshin në cikël prodhimi? Si trajtoheshin ato? A krijohej kosto e importuar mjedisore nga këto “mbetje të mbetjeve”? Si do të sigurohej asgjësimi mjedisor i tyre, për më tepër që në Shqipëri nuk ka ende ndonjë impiant të mirëfilltë asgjësimi të mbetjeve (përveç groposjes, që është një mënyrë vetëm për mbetje urbane dhe mund të kryhet vetëm ne 3 vendepozitime në të gjithë Shqipërinë, krejtësisht të pamjaftueshme edhe për mbetjet që prodhohen në vend).
Të gjitha konstatimet si më lart, kërkojnë adresim “institucional” përpara lejimit të importit të mbetjeve dhe në këto kushte nxjerr keto rekomandime:
Ministria e Mjedisit duhet të rishikojë lejet dhe liçensat e dhëna dhe të prandalojë importin e mbetjeve nga subjekte me mangësi teknike e financiare, përfshi dhe ato që nuk kanë sistem të menaxhimit dhe mbrojtjes së mjedisit, thënë qartë, që nuk kanë mundësi e zgjidhje të trajtojnë dhe asgjesojnë “mbetjet e mbetjeve” të importuara. Në ndryshim nga viti 2010, kuadri ligjor për mbetjet ka avancuar dhe aktualisht mundëson gjurmimin e çdo lloj mbetje deri në asgjësimin final, për çdo gjenerues.
Inspektoriati i Mjedisit dhe Pyjeve, pavarësisht ndryshimeve strukturore të shpeshta, vijon të përbëjë hallkën më të dobët të mbrojtjes së mjedisit. Kjo strukturë në kushtet aktuale ka pak gjasa që të marrë përgjegjësinë që i takon në këtë proces. Nderkohe qe pavarsisht diplomimit ne shkencat mjedisore ne vend mungon ekspertiza me pervoje per menaxhimin e mbetjeve dhe sidomos trajtimin teknologjik te tyre.
Kontrolli doganor duhet të futet në sitën e sigurisë dhe kjo duhet të bëhet përpara lejimit të importit. Lind pyetja: A është e mundur që të gjitha pikat doganore të japin garancitë teknike (sidmos kontrollin laboratorik) për importin e mbetjeve? Kush e kontrollon doganën dhe sigurohet që ajo zbaton kriteret e kërkuara për importin e mbetjeve? A ka dogana në çdo pikë të saj kapacitete teknike e profesionale të zbatojnë standartet e mbrojtjes nga rrezatimi radioaktiv? Përgjigje të tilla duan vlerësim objektiv ekspertësh. Dua të theksoj se, fakti që nuk lejohen të importohen mbetje të rrezikshme nuk zhduk shqetësimin që mbetjet e cilësuara në letër si të tilla nuk janë ose “kthehen” në të rrezikshme. Këtu sjell përsëri në vëmndje rastin e depozitimin të skorjeve të mbetjeve nga Kurumi në shtratin e lumit Shkumbin. Në këto mbetje gjenden shumë metale të rëndë që treten në ujë dhe dëmtojnë sistemet nervore të gjallesave përfshi edhe njeriun si konsumator i peshkut dhe ujit (pra të gjitha komunitetet përgjatë lumit deri në det). Kush e paguan koston e këtij dëmi disavjeçar dhe shumë kompleks? Ndërkohë që, “përgjegjësia mjedisore”, mekanizëm i parashikuar në Ligjin e ri të mbrojtjes së mjedisit (nr.10431/2011) eshte ende e paplotësuar me aktet nënligjore të posatçme dhe me kapacitetet profesionale prane Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, të cilat të mund të kostojnë dhe sigurojnë dëmshpërblim nga ndotësit e mjedisit. Më konkretisht, kompania Kurum që ka depozituar skorjet në shtratin e lumit Shkumbin por tashmë ka shpallur falimentin: kush dhe si do të mbulohen kostot për largimin e skorjeve ndotëse të kësaj kompanie?
Procedura e re duhet të detyrojë të gjitha institucionet posacerisht doganen, Ministrine e Mjedisit dhe kompanitë e përfshira në proces të publikojnë dokumentacionin e plotë të mbetjeve që importohen, përfshi analizën për sigurinë mjedisore (rrezatimin etj.) si dhe çdo akt administrativ të doganave deri në trajtimin përfundimtar të mbetjeve të mbetjeve (pra duhet të garantohet një cikël i plotë gjurimi i mbetjeve të importuara). Nëse do lejohet importi i mbetjeve per riciklim duhet qe të zgjidhen problemet më sipër (mbase dhe te tjera) duke garantuar dhe demostruar kushtet për sigurinë e importit dhe adresuar ne menyre transparente shqetesimet e publikut. Nderkohe qe Qeveria duhet te asistoje Bashkite qe te hartojne projekte dhe sigurojne investime per menaxhimin e mbetjeve. Kapacitetet teknike per menaxhimin e mbetjeve ne Bashkite e vendit mungojne dhe nese do te pritet qe ato te ushtrojne kete funksion me kapacitetet e tyre ka gjasa keq menaxhimi i mbetjeve te ngurta te vijoje dhe per shume kohe.
[1] http://www.customs.gov.mk/sq/ShowNews.aspx?ItemID=184&mid=1099&tabId=1&tabindex=0