NGA FLIRI MOSHO
Një nga problematikat e ditëve të fundit është debati që i takon njërit prej tregjeve më të ndjeshme nga këndvështrimi i konsumatorit, siç është ai për tregun e sigurimeve. Kompanitë e sigurimeve janë kompani tepër të rëndësishme dhe në tregje të zhvilluara të kapitaleve, ato mbajnë edhe statusin e investitorit institucional. Ndaj fokusi dhe interesi i autoriteteve, enteve publike, organizatave të mbrojtjes së konsumatorëve, i gazetarëve të ekonomisë dhe i individëve që kanë ndjeshmëri civile ndaj skemave të tilla investuese, kudo ne bote është i respektuar.
Do ta filloja këtë shkrim, duke u ndjerë në detyrim për të sqaruar që problematikat që ngre unë që lidhen me tregun e sigurimeve, nuk konsiderojnë fare kompanitë e sigurimit si vendi ku krijohen apo zgjidhen problemet. Ato janë kompani private, të cilat me sa duket duhet të përshtaten në kaosin e atij tregu.
Unë dhe Shqiptarët, problemet kërkojmë të na zgjidhen nga autoritetet dhe entet shtetërore, që paguhen nga tarifa apo taksa të paguara nga të gjithë ne.
Duke njohur dhe vlerësuar autoritetin dhe përgjegjësitë që Ligji i njeh Autoritetit te Mbikëqyrjes Financiare, debatin e ditëve të fundit e shoh me vlerë të paktën për faktin që më në fund pas dhjetë vitesh që nga krijimi, qytetarët mësuan për ekzistencën e AMF. U desh debati për çmimin e policave dhe habia për nisma si sigurimi i detyrueshëm i apartamenteve, që media, gazetarë dhe individë me ndjeshmëri qytetare, të bënin atë që ka dhjetë vjet që nuk e bën AMF. Te informonin publikun, që çështje që lidhen me siguracionet janë problematika që ligji ka vendosur t’ia nënshtrojë mbikëqyrjes nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare.
E duke qenë kështu, pritej që përfaqësues ligjore të AMF, ata që kanë tagrin ligjor që të përfaqësojnë AMF me të tretët (shpresoj që me ketë fjali të mos hap ndonjë debat pafund brenda bordit të AMF për faktin se kujt i përket përfaqësimi i AMF), të reagonin për shqiptarët, dhe jo nëpër telefona redaksish për të shuar debatin e këtyre ditëve.
Nuk është as sekret, as e paditur nga AMF që qytetarët, nuk shërbehen me drejtësi për dëmet e shkaktuara nga të tretët, ne ngjarjet me pasojë sigurimi. Nuk është sekret tashmë as fakti që ka një çështje hetimore të hapur edhe nga prokuroria e që ka lidhje pikërisht me respektimin e radhës së pagesave të dëmeve nga fondi i kompensimit. Nuk është sekret që anëtarët e bordit të AMF kanë qenë shpesh të përfshirë në konflikt për çështje të vendimmarrjes, (shpresoj shumë që konflikti të ketë pasur në qendër debate nga pozita parimore, megjithëse nuk kam dijeni për vendime që kanë rregulluar çështje sensitive për qytetarët).
Nuk është sekret as fakti që AMF ka një mbikëqyrës. Dhe ky është Kuvendi i Republikës së Shqipërisë. Kuvendi ka instrumente të kontrollit parlamentar të cilët duhej dhe duhet ti përdorë në këtë rast.
Por mbledhjet e raportimeve vjetore të AMF kanë qenë gjithmonë si ceremoni shpërndarje dekoratash për bordin e AMF dhe Kuvendi i Shqipërisë nuk ka prodhuar asnjëherë rezoluta në mbrojtje të interesave të shtetasve shqiptarë sa i takon rezolutave të lidhura me AMF.
Edhe këtë vit, debati i seancave për raportimin e Autoritetit po futet në hullinë e fabrikimit të kamerdareve të shpëtimit për AMF. I tillë është në vlerësimin tim devijimi i debatit publik për përdorimin e fondit të kompensimit dhe rritjen e çmimit të siguracionit të automjeteve, tek gjasme çështjet e lidhura me sistemin bonus-malus.
Çështja e parë është shlyerja e detyrimeve super te prapambetura të dëmeve që duhen paguar nga fondi i kompensimit. Janë dëme të pësuara nga qytetarë të rregullt. Skema e sigurimit të detyrueshëm funksionon enkas për ta, dhe është ideuar për të mbrojtur ata. Tani po bëhet sikur harrohet dhe shqiptarëve po u hidhet për konsum debati për skemën bonus-malus, të cilën do ta përktheja si skemë që vlerëson sjelljen e mirë apo të keqe dhe në vartësi të sjelljes, zysha e edukatës vendos notën (çmimin e siguracionit në të ardhmen).
E pastaj shkohet edhe më tej, se megjithëse çështja ngrihet nga parlamentarë (mbikëqyrësit e AMF në teori), ngrihen supet dhe mosveprimi justifikohet me faktin që është AMF që nuk çon ligjin në Kuvend. Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare është ent i pavarur që nuk ka nismë ligjvënëse. Çdo tekst i shkruar nga AMF, që të vijojë rrugën e formatimit, kodifikimit dhe miratimit si nismë ligjvënëse, duhet të prezantohet në Ministrinë e Financave. Por nuk ka autoritet as ligjor e as kushtetues që të bllokojë hartimin dhe inicimin e nismave ligjvënëse nga vetë Ministria e Financave. Ndaj Mbikëqyrësi i AMF është në kohë të bëjë dhe ai detyrën.
Por përpara se të ulet e të shqyrtojë detyrën duhet të nxjerrë nga ajo sallë, të gjithë personat e lidhur me interesa biznesi, apo me lidhje të afërta fisnore me kompanitë e sigurimit, apo individë të punësuar ne AMF….. Pastaj çështjet do dalin vetë për diskutim. Pa vonesë!
(Boldnews)