Nga Mimoza Koçiu
Lulzim Basha dështoi ta bënte Dibrën pikën e ndryshimit, të nisjes së revolucionit të demokratëve për parlamentaret e 2017-ës. U impenjua personalisht në Dibër, çka e bën përgjegjësinë e humbjes edhe më të dukshme.
Përtej situatës së brendshme në PD në qendër, apo në bazë, në degët vendore, përfshi Dibrën, Partia Demokratike dëshmoi mungesë aftësie pikërisht në atë çka premtoi me forcë, e në mënyrë të përsëritur publikisht, mbrojtjen e votës së zgjedhësve në Dibër.
Vetëbesimi për fitore me koston e Shukriut, e kandidimi i një profesionist të spikatur si Sherefedin Shehu, u shndërrua në vetëkënaqësi naive për PD-në, e shpalosur pa kriter e masë, duke lënë pas dore edhe kujdesin bazik që imponon çdo lloj beteje elektorale, që tek komunikimi i dobët e rastësor politik, tek imazhi i pamenduar i aleatëve që iu shfaqën në krah, e siç tregoi rezultati, deri tek strukturat aspak vigjilente të PD-së, ndaj çfarë po ndodhte në Dibër.
Dukej se demokratët, pavarësisht tureve të takimeve me qytetarët ngado nëpër Shqipëri, harruan të lexonin si duhet brishtësinë e votuesve të një bashkie të lënë pas dore, përballë pushtetit e fuqisë së tij. Duket e pabesueshme që opozita që ka identifikuar e denoncuar në këto tre vjet raste pa fund të abuzimit e përfitimeve me pushtetin, të shpresonte që të akuzuarit e saj të cilët i pati përballë në këto zgjedhje, do të reflektonin apo do respektonin standardet zgjedhore.
Dhe gjithçka ndodhi teksa prezenca numerike e pushtetit në Dibër ishte pothuaj e barabartë me atë të opozitës.
Demokratët kishin përballë kishin një mjek kirurg që punonte e jetonte në Dibër, pikë e fortë kjo për kandidatin socialist, por jo aq sa për të justifikuar atë humbje të thellë të kandidatit demokrat. Bashkia Vlorë sot drejtohet nga një mjek, që socialistët e katapultuan nga Tirana, për ta kandiduar para një viti në një bashki, ku kryetari i mëparshëm socialist ishte nën hetim. Përballë pati një kandidat vendas nga PD-ja, një njeri që jetonte e investonte në Vlorë.
Por kjo nuk i pengoi vlonjatët të zgjidhnin kryetar Dr. Lelin që banimin e kishte në Tiranë. Për pasojë, kjo “mangësi” e Sherefedin Shehut, e amplifikuar strategjikisht nga Partia Socialiste, nuk qëndron si justifikim bazë i “fajit” të Bashës në zgjedhjen e kandidatit për atë rezultat aq të thellë. Nga ana tjetër, le t’i themi gjërat hapur: pjesa dërrmuese e kryetarëve të bashkive, aktualë apo të kaluar, e kanë të paktën një banesë në kryeqytet, e ka nga ata që kanë edhe biznese të ngritura në Tiranë.
Për pasojë, si në atë historinë me fshatarin që i vodhën gomarin, ku të gjithë fajësonin fshatarin, që nuk e kishte ruajtur si duhet pronën e vet, e askush nuk merrej me hajdutin, edhe rezultati i zgjedhjeve të pjesshme në Dibër, duhet parë në të dy anët e medaljes që ofron, jo për t’i qarë hallin opozitës që humbi, por për të parë prapa asaj diference të jashtëzakonshme që “prodhuan” socialistët, duke instaluar një model që do na kushtojë fort në të ardhmen e afërt.
Panorama në Dibër nuk kishte të panjohura që do justifikonin atë lloj rezultati. Një zonë ku PD ka qeverisur për 12 vite rresht, e ku qeveria Berisha ishte e vetmja qe i hapi një shteg për të dalë nga izolimi i nje sistemi rrugor të kohës së diktaturës. Në fund të mandatit të dytë të saj rindërtoi rrugën Peshkopi- Kukës, që i dha frymëmarrje Dibrës në pjesën veriore te saj.
Bashkinë e morën në dorë socialistët para një viti dhe e vetmja gjë për t’u shënuar e “shërbëtorit” të garantuar nga vetë kryeministri, ishin të brendshmet e grisura të kryetarit që kërkonte seks në këmbim të një vendi pune. As Rilindja urbane e qyteteve me të cilën krenohet Rama, ende nuk e ka konsideruar Dibrën, që pas tre mandatesh me te djathtët, kaloi tek e majta. Vetë kryeministri, ricikloi për herë të tretë premtimin për rrugën e Arbrit, njëlloj si në 2013 e 2015, pa shpallur një afat të përmbushjes së tij.
Kjo panoramë mund të justifikojë deri diku prezencën e jashtëzakonshme numerike të njerëzve të pushtetit në Dibër. Por arsyeja nuk ishte marrja e bashkisë me patjetër. Pas skandalit seksual të Shukriut, rikthimi i Dibrës tek e djathta, nuk do bënte diferencë për këtë mazhorancë, e as për vetë Edi Ramën.
Në Dibër, në një garë lokale, në fakt u luajt loja e aktorëve të mëdhenj. Lulzim Basha e tentoi si mundësi për të nxitur ndryshimin për parlamentaret e 2017-së. Ndërsa Edi Rama kreu një test impresionues për koalicionin e vet. Në vendoret e para një viti, kandidati i PS e LSI në kohët e tyre të mira mes tyre, fitoi me rreth 440 vota ndaj kandidatit demokrat, kur vetë e djathta kishte edhe 3 kandidatë të tjerë që garonin jashtë saj, e për votat e saj.
Ndërsa një vit më vonë, me koston minimumi njerëzore të një kryetari të shkarkuar për skandal seksual, një premtim ende në ajër për rrugën e Arbrit, e duke mos e pasur de fakto në krah LSI-në, kandidati socialist fiton me një avantazh prej afro 4200 votash, pa asnjë arsye të vlefshme për këtë “ndëshkim” kaq të thellë të dibranëve ndaj PD-së, prej tre vitesh në opozitë.
Të gjithë biem dakord se në Dibër nuk pati një garë mes kandidatëve (pavarësisht se ishin cilësorë), e programeve të tyre. Diferenca që djeg, nxori në pah arsyen e mobilizimit të jashtëzakonshëm të njerëzve të pushtetit në Dibër. Nuk ishte fitorja e mjekut socialist, së paku, jo qëllimi kryesor.
Synimi ishte sprova e koalicionit qeverisës, madje “vrojtimi” i aleatit LSI, çarja me të cilin është shumë më serioze nga sa perceptohet në publik. Për pasojë në Dibër, duhej rrëzuar protagonizmi i LSI-së, të cilën aktualisht PS po e lut publikisht për një koalicion të ardhshëm. E për ta arritur, u fut në lojë PDIU, aleati i pas 2013-ës i Ramës, që nëse do arrinte një rezultat konkret, do mund të merrte cka pretendon me ngulm të paktën prej zgjedhjeve të fundit vendore, edhe një post ministror.
Nuk dihet sa do ketë efekt kjo sprovë për të shfryrë LSI-në, apo a do i nënshtrohet Ilir Meta këtij shantazhi politik, por zelli për t’i dhënë një mësim Metës, e derdhi gotën e masës së pranueshme logjike, duke prodhuar një rezultat, që siç a tha vetë, nuk e priste as kandidati fitues, mjeku Muharrem Rama.
Teksa PD u shokua nga rezultati, qe dukshëm as imagjinonte, duke prodhuar një heshtje të gjatë publike, Rilindja me strategjinë e sprovuar të komunikimit politik e mbushi atë vakum, duke injektuar tek opinion publik variantin se Lulzim Basha dëshmoi edhe njëherë paaftësi për të frymëzuar qytetarët, duke humbur thellë.
Të gjitha bateritë kryesisht nga njerëz të medias, si me komandë, iu kthyen kryetarit të PD-së. E kur PD u përmend për të reaguar, nisi faza e dytë: dalja e organizuar në çdo dritare mediatike e “vullnetarëve” të qeverisë për të justifikuar me “paaftësinë” e opozitës, atë diferencë të pajustifikueshme në Dibër.
Çka e bën edhe më të errët njollën që iu vu asaj gare zgjedhore, edhe pa materialet investigative të Fiks Fare, ku vota dukshëm pati blerës pushteti.
Por përtej sprovës së forcës që u luajt në Dibër mes PS-PDIU dhe LSI, imazhet e shëmtuara të pazareve me votën, dëshmuan mekanizmin që po ndërtohet e përdoret gradualisht në këtë vend. Pasi qytetarëve iu mor në 2008-ën një pjesë e të drejtës për të zgjedhur përmes sistemit me lista të mbyllura, kur secili nga ne është i detyruar të votojë listën e një kryetari partie, të Ramës, Metës a Bashës, me këtë deformim flagrant të votës në terren (edhe në vendoret e 2015-ës ka pasur diferenca po kaq të pazakonta), votuesve po u merret edhe pjesa e mbetur e të drejtës së tyre, përzgjedhja e lirë mes zgjedhjeve të bëra nga vetë kryetarët e partive.
E thënë troç: kryetarët po i zgjedhin vetë kandidatët, e si në rastin e Dibrës, po i votojnë po vetë. Populli mbetet për dekor, për t’u lutur për ndihmë ekonomike a për një vend pune, për duartrokitje në mitingje, që kryetari të ndihet lider, edhe kur bën batuta të lodhura.
Ajo që ndodhi në Dibër ka një kosto shumë të lartë, që e gërryen më tej demokracinë tonë të brishtë. Një kosto që shkon përtej fatit politik të Lulzim Bashës, apo të koalicionit Rama-Meta. Me këtë model, të fortët, analfabetët realë e funksionalë thjesht do shtohen në parlament a qeverisjen qendrore e vendore, me mision të vetëm, siç u pa në Dibër, “orientimin” me hir a pahir të vullnetit të qytetarëve në zgjedhje, e më tej duke vendosur a projektuar të ardhmen e secilit prej nesh. Kjo është një betejë që nuk e bëjnë dot partitë politike për ne, sado shpresë të ofrojnë.