Nga Luan Kondi
Të mbërthyer prej disa kohësh tek shpallja e fituesve në universitetet publike nuk po dimë të themi asgjë më shumë se “shpëtimtarët” tanë politikë. Gjithçka vërtitet rreth udhëheqjes dhe madje zgjidhjen e presim po prej tyre. Specialistët, ata që e dinë vërtet ngërçin dhe mund të japin zgjidhje afatgjatë nuk shfaqen. E kur s’ka mendim profesional të pavarur nuk mund të ketë universitet të tillë. Na kanë marrë thuajse gjithçka veçse jetojmë dhe marrim frymë.
Kemi llapur gjithë jetën kot dhe frymën tonë harxhuar e kemi tek e njëjta melodi e vrimës ku na ka drejtuar fyelli i politikës. Ata janë në rregull. Kurrë nuk e kemi menduar atë që duhet të mirëbëjmë për t’ua prishur qetësinë, jetën e luksit atyre që duhet të jenë shërbëtorët tanë. Në të vërtetë ne i ledhatojmë aq shumë sa kujtojnë se jemi shërbëtorët e tyre. Kur na lëpihen një herë në katër vjet harrojnë indiferencën dhe moskokëçarjen e përhershme. E nuk ndalen me kaq. Na qëndrojnë në të vetmen herë pranë të veshur firmato dalluar nga veshja jonë e thjeshtë. Na përqafojnë të malluar edhe pse parfumi i tyre i shtrenjtë e humbet betejën me erën e djersës sonë. Këtu gënjehemi. Na hipnotizojnë dhe kur dalë na ka hipnoza shohim të na i kenë shtuar aq shumë hallet sa nuk kemi kohë të mendojnë për ta. Por ata nuk na lënë të qetë përsëri aktrojnë papushim nëpër televizione dhe paturpësisht na thonë se jetojmë të lumtur. Flasin në emrin tonë me lejen që na e morën në një apo pak ditë. Kurrë nuk na dhanë llogari. Na u regj lëkura me këta njerëz që vazhdojmë t’i kemi barrë në shpinë. Maturantët nuk e dinë këtë. Ata janë fëmijët tanë, por ne i kemi mbajtur larg. Jemi ne të trembur ndaj dhe frikën tonë ua fshehim. Sëmundjen tonë, përuljen, heshtjen për gjithçka duam t’ua ngjisim atyre, por s’mundemi.
Një grusht kandidatësh për studentë dolën nga rreshti dhe u rebeluan. Nuk kishin fituar në asnjë nga degët e preferuara të deklaruara në formularin e maturës. Ata protestuan ashtu siç ditën, pa udhëheje dhe të braktisur nga prindërit dhe familjarët. Ecejaket protestë në trekëndëshin ministri-kryeministri-kuvend në atmosferën mbytëse të Tiranës u dukën pavlerë. Por ata e thanë fjalën e tyre ashtu thjesht. I pashë me zili dhe ua vlerësova kurajën. Por vetëm kaq. Unë vazhdova rutinën time paskësaj. Maturantët qëndruan aty edhe pse protagonizmin ua morën. Politika i la të shfaqeshin aq sa donte.
Opozita reagoi, potësisht në terrenin e saj. Për të ky i kalonte përmasat e problemit. Për ta ishte skandal. Ky veprim, sipas tyre klientelist, favorizonte universitetet jo publike. Sa më i madh të jetë numri i jofituesve në universitetin publik aq më shumë regjistrime do të ketë privati. Qeveria kishte ndërtuar një sistem përzgjedhjeje jo të saktë për ta. Me pak fjalë, kryeminstri kishte dështuar me reformën në arsimin universitar.
Qeverisja u kap e papërgatitur. Ministrja i Arsimit nxitoi t’i priste maturantët që nuk e kishin gjetur veten fitues në asnjë degë, edhe pse kishin rezultate të larta. Ky takim nuk prodhoi asgjë. Përgjegjësit për këtë situatë mirëvlerësonin sistemin e përzgjedhjes së fituesve, vepër e tyre.
Aleati potencial i qeverisjes mori rolin e të interesuarit serioz, me mbledhje si qëmoti, ashtu sic edhe e duan shumica jonë.
Mediat nguturazi, lajm pas lajmi, pyesnin politikën. Maturantët dolën jashtë loje. Kaq u duheshin. Më shumë u intereson se çfarë thonë padronët e pronarëve të tyre. Turp!
Kuvendi, arena e kllounëve ku shakatë e doktorit për pak sa nuk e bënë ministren të qajë. Lotët i ndali vetë edhe pse e trishtuar sa më s’ka. Sulmet drejt saj u ndalën kur tha se një veriori nuk i kishte hije një retorikë si e doktorit. “Edhe unë jam veriore”, përsëriti drejtuesja e dikasterit të Arsimit. Madje, ajo u shfaq në disa ekrane e “suksesshme” se ankesat ishin fare pak. Për të sistemi i përzgjedhjes ishte testuar dhe rezultoi më i mirë se ai që kishim pasur. E gjithë kjo skenë ku po luhej komedi me fatin e maturantëve po bëhej e neveritshme.
Edhe ndonjë specialist që nuk e di se nga e zbuluan, ishte për korrigjimin e sistemit të përzgjedhjes së kandidatëve për studentë dhe jo për rrëzimin e tij. Askush nuk u ndie kur politika shprehet se sistemi i përzgjedhjes është nga më inovativët, më të mirët në Europë. Nuk thanë se nga ku e kishin marrë, në cilin vend aplikohet. Megjithatë çfarë kemi marrë nga kontinenti i vjetër dhe e kemi implementuar siç duhet, apo siç është?! A janë kushtet për të marrë nga këto vende sisteme të tilla të Maturës Shtetërore? Mendoj se duhen konsideruar këto pyetje të thjeshta që pastaj të mos bëjmë kryqëzime sistemesh nga ku kemi marrë deri tani fryte të çuditshme. Askënd nuk dëgjova të fliste me këmbë në tokë dhe realisht për këtë sistem përzgjedhjeje dhe të jepte edhe mendimin realist për të. Askush nuk ofroi zgjidhje. Si gjithnjë zgjidhja erdhi nga politika. As që bëhej fjalë të rrëzohej ligji, por me disa ndryshime në një udhëzim u shuan edhe zjarri i ndezur në shpirtin e revoltës së maturantëve dhe gojët e liga që shpreheshin kundër ligjit. E vetmja qemane që bie është ajo e opozitës, por me vesh se partiturat nuk i kanë gjetur ende. Ka kohë që u kanë humbur. Ose dikush ua ka fshehur e s’po ua jep. Më vjen keq për këtë se prisja më shumë oponencë nga opozita, edhe pse nuk mendoj se zgjidhja duhet të vijë nga politika.
Thjesht fare duhet të pyes se a besoni në këtë politikë?! Unë jo….
Në Ligjin 80/2015 “Për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor” në Kreun VII, ku bëhet fjalë për organizimin e studentëve në institucionet e arsimit të lartë, neni 69, pika 3 shkruhet: Pranimet e studentëve në institucionet e arsimit të lartë në të gjitha programet e studimit bëhen me vendim të institucioneve, në përputhje me standardet shtetërore, të kapaciteteve akademike dhe infrastrukturore. Këto standarde verifikohen dhe certifikohen nga ministria përgjegjëse për arsimin përpara deklarimit të kuotave të pranimit nga të gjitha institucionet e arsimit të lartë. Politika nuk do t’ia lërë në dorë universiteteve përzgjedhjen. Ajo do rol parësor në këtë proces edhe pse nuk duhet të ndodhë këshu. Ajo e përdorë këtë për të siguruar të ardhmen e partive nëpërmjet rekrutimit në radhët e kandidatëve për studentë. Disa nga fanatikët e tyre të sotëm kanë qenë përfituesit e shkollës së lartë me lista shtesë për pranime në universitete nga kryeministra e ministra të djeshëm. Ka ndodhur edhe kështu….
Nëse studentët pas certifikmit të rezultateve do t’u drejtoheshin vetë lirisht universiteteve dhe fakulteteve ku ata dëshironin, politika do ta humbiste protagonizmin në këtë proces. Ashtu siç mban shtërnguar punësimin në administratë, vendet të cilat i marrin pa meritë dhe konkurs militantë injorantë, me shkollim në universitete kashtore, e diploma të paqëna, ashtu dhe kandidatët për në universitet do të kalojnë nga dera e partisë në pushtet. Universitetet e hapura, si çdo gjë tjetër e lirë, nuk i interesojnë politikës, sepse ata do të braktisen nga të gjithë. Ndaj nuk munden.