Agjentët e sigurimeve në rrugën “Vasil Shanto” ne Tiranë këtë herë nuk ishin lajmëruar për rritjen e çmimeve së siguracioneve të automjeteve. Siç pohuan disa prej tyre çmimi është shfaqur ‘surprizë” në aplikacionin që kompanitë e sigurimeve po përdorin për fiksimin e çmimeve dhe arkëtimin përbashkët te primeve.
Por pas këtij vendimi të beftë që ka çuar çmimin e siguracionit në 19 mijë lekë me një rritje 25% vetëm me një klik, ka disa arsye themelore sipas agjentëve, qe i sjell Monitor.
Përqendrimi
Arsye a e parë lidhet me përqendrimet e fundit në tregun e sigurimeve. Ish kompania shtetërore e sigurimeve INSIG sh.a. u privatizua këtë vit dhe ndryshoi pronësinë e aksioneve, tw cilat zotërohen ne masën 100% nga Shoqëria e Sigurimeve “EUROSIG” sh.a.
Nga ana tjetër Sigma, Interalbanian dhe Intersig janë në çadrën e Vienna Insurance Group. Kështu numri i kompanive të sigurimeve nga 9 ka shkuar në 6. Sigal kryeson tregun me 21 %, ndërsa Eurosig dhe INSIG, tashmë të shkrira në një kompani dominojnë 21.8 për qind të tregut, sipas të dhënave nga AMF. Por agjentët shpjegojnë se përqendrimi në pak aksionere i ka bërë më të lehtë vendimet për ndryshimet e çmimeve.
INSIG deri sa ishte në pronësi të shtetit nuk ishte pjesë e aplikacionit “Star Broker” që kompanitë përdorimin për ndarjen e primeve sipas përqindjes që kanë në treg. http://www.monitor.al/kompanite-fiksojne-cdo-tre-dite-cmimet-e-siguracioneve-te-makinave-nga-sistemi-star-broker/. Duke mos qenë pjesë e oligopolit qeveria e ka përdorur shpesh INSIG për ofruar prime më të lira kur kompanitë tjera binin dakord për rritjen e çmimeve në grup. Por tani që INSIG është në pronësi private, shteti nuk mund të ushtrojë më presion mbi tregun kështu që çmimet mund të ndryshohen lirisht, nga dy kompanitë që zotërojnë gati gjysmën e tregut.
Aksidentet
Agjentët në tregun e sigurimeve pohojnë se një nga arsyet që ka çuar në rritjen e çmimeve të siguracioneve të automjeteve lidhet me rritjen e numrit të aksidenteve nga viti në vit, ndërsa autoriteti rregullator ka rritur kërkesat për provigjionet dhe kompensimin e dëmeve.
Treguesi i humbjeve i matur si raport i dëmeve të paguara ndaj primeve të shkruara bruto, është rritur në nivelin 25.9% më 2015 nga 24.4% një vit më parë, rrjedhojë e ritmit më të lartë të dëmeve krahasuar me primet bruto. Raporti tregon se afërsisht 1/4 e dëmeve mbulohen nga primet e shkruara. Treguesi dëme të paguara bruto u rrit me 28.3% në terma vjetorë në nivelin 3.6 miliardë lekë.
Bonus- Malus, zgjidhja
Qytetarët më shumë se sa për rritjen e çmimeve të siguracioneve të makinave janë të shqetësuar për mosfunksionimin e sistemit bonus-malus, i cili siguron çmime të ulta për një “CV” të mirë shoferi. Agjentët e kompanive të sigurimeve pohojnë se edhe Kosova aplikon tarifa sipas bonus –malus, çka do të thotë se sa më i vjetër të jetë shoferi dhe sa më pak aksidente dhe gjoba të ketë aq më të ulët do të ketë çmimin e siguracionit.
Në aplikacionin që kompanitë përdorin për fiksimin e çmimeve dhe ndarjen e arkëtimeve është azhurnuar edhe dritarja për bonus-malus, por kompanitë e sigurimit ende nuk i kanë orientuar agjentët të presin sigurime me këtë sistem. Agjentët pohojnë se aplikimi i këtij sistemi do të zhvishte kompanitë e sigurimeve nga metoda e fiksimit të çmimeve.
AMF ka përfunduar zbatimin teknik të sistemit Bonus-Malus. Ky sistem bën të mundur tarifimin me fokus rrezikun në sigurimin motorik. Sipas AMF, aktualisht agjentët e shitjeve të policave të sigurimit mund të kërkojnë të dhëna mbi automjetin dhe pronarin e automjetit nëpërmjet targës dhe numrit të shasisë. Në këtë fazë, përveç të dhënave të mësipërme të automjetit, sistemi gjeneron dhe dërgon edhe të dhëna rreth kategorisë së automjetit sipas informacionit bazuar në Regjistrin Kombëtar të Automjeteve, por agjentët nuk kanë të drejtë t’i ndryshojnë të dhënat duke parandaluar në këtë mënyrë abuzime të ndryshme.
Një fazë tjetër,e përfunduar është dhe lidhja në kohë reale nëpërmjet Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit me Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile duke ofruar numrin personal të pronarit të mjetit si çelës për kërkimin e historikut Bonus-Malus dhe kategorizimin e saktë të pronarëve në nivelet e rrezikut, i cili është në përdorim nga shoqëritë e sigurimit që nga data 3 mars 2015. Mirëpo asnjë nga kompanitë e sigurimeve deri tani nuk i ka udhëzuar agjentët e vet që presin siguracion bazuar në kriteret e bonus-malus.
Klientët nuk mund të zgjedhin
Nëse kërkon të sigurosh makinën tek kompania që preferon nuk është mundur. Varet nga momenti që ti e kërkon këtë shërbim. Agjentet e kompanive të sigurimeve pohojnë se ndihen keq. Nuk u shpjegojnë dot klientëve praktikën e kompanive për të ndarë të ardhurat sipas një dakordësie paraprake dhe jo në bazë të shërbimeve që ofrojnë dhe emrit të kompanisë.
Arkëtimet e para nga të gjithë agjentët shkojnë për kompaninë që zë përqindjen më të madhe në treg. Më pas kur kuota plotësohet, kompania ikën nga sistemi dhe arkëtimet vijojnë për kompanitë e tjera në radhë në bazë të peshës që kane në treg. Agjentët pohojnë se ka shumë klientë që refuzojnë të sigurohen tek kompania që ka radhën duke pritur në shumë raste momentin për tu siguruar tek kompania e preferuar.
AMF urdhëron kthimin e tarifave të meparshme
Pak dite pasi kompanitë e sigurimit rritën njëherazi tarifat e sigurimit të detyrueshëm të automjeteve (Lexo: http://www.monitor.al/sigurimet-cmimet-e-tpl-ve-rriten-deri-ne-25-mesatarisht-arrijne-ne-18500-leke/), AMF-ja iu nisi të gjitha shoqërive të sigurimit, që bëjnë pjesë në tregun e Jo – Jetës, një shkresë zyrtare ku citon: “Referuar rregullores nr.110, në rast se shoqëritë e sigurimit nuk njoftojnë në Autoritet tarifat e ndryshuara, në Qendrën e Informacionit mbeten të fiksuara tarifat e mëparshme”. Për këtë arsye, AMF-ja ka kërkuar ndërprerjen e menjëhershme të aplikimit të tarifave të reja. megjithatë të mërkurën në mëngjes, sipas një vëzhgimi, pjesa më e madhe e kompanive punonin ende me tarifat e rritura. /Monitor/