Opozita ka vijuar edhe sot me akuzat ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj, lidhur me vdekjen tragjike në landfillin e Sharrës të 17-vjeçarit Ardit Gjoklaj.
Nga selia blu, Grida Duma, publikoi fakte të reja që sipas PD implikojnë kryebashkiakun Veliaj.
Sipas saj, edhe pse firma e zgjedhur nga Veliaj për të kryer seleksionimin e mbeturinave në Sharrë, ka nisur punimet, nuk rezulton zyrtarisht një administrator përgjegjës për landfillin.
Më poshtë deklarata e plotë e Dumës dhe dokumentet e publikuara prej saj.
Krimi në landifllin e Erion Veliajt e ka origjinën në një skemë të pastër korrupsioni e paligjshmërie.
E gjitha nisi në maj të këtij viti, kur Veliaj kaloi në Këshill Bashkiak ndërmarrjen Eco-Tirana.
Pa garë, pa konkurencë, ai i dha një kompanie italiane 49 përqind të aksioneve, ndërkohë që vetë mbajti 51 përqind të saj.
E bëri firmën italiane pronare të mbetjeve të Tiranës, dhe i dha asaj ekskluzivitetin e tregtimit, riciklimit dhe përfitimit prej kësaj industrie.
Dhe për më tepër, Erion Veliaj, vendosi ti dhurojë edhe 2.5 milionë euro vetëm vitin e parë. Shumë që sipas planit të miratuar do të rritet nga viti në vit.
Të gjitha këto janë një grumbull me shkelje të Erion Veliajt.
Por më e rënda është se ende sot që flasim, edhe pse firma e tij ka nisur punimet, nuk rezulton zyrtarisht një administrator përgjegjës për landfillin, pra personi që është përgjegjës për sigurinë dhe respektimin e kodit të punës.
Kjo vërtetohet nga një kërkim i thjeshtë që bëhet në faqen e QKR.
Sic mund ta shihni në ekran, tabela e administratorit ekzekutiv është pa emër.
Aktet e kaluara në Këshill, bëjnë direkt përgjegjës Erion Veliajn, i cili është i ngarkuar për caktimin e administratorit, sipas pikës 5 të vendimit të këshillit Bashkiak.
Ja ku është vendimi.
Dy janë mundësitë.
Ose Erion Veliaj ka shkelur vendimin e Këshillit Bashkiak duke mos e caktuar administratorin ekzekutiv, gjë që në këtë rast e bën atë direkt përgjegjës, ose pas vdekjes së Arditit dhe zbulimit të paligjshmërisë së madhe atje, e kanë fshirë, e kanë zhdukur emrin e administratorit nga faqja e QKR.
Këto fakte e nxjerrin direkt përgjegjës Erjon Veliajn, për paligjshmërinë e landifllit, për atë aferë krimi e korrupsioni që mori jetën e Arditit.
Këto fakte e nxjerrin direkt përgjegjës Erion Veliajn për shrytëzimin e të miturve e mosrespektimin e normave të sigurisë dhe Kodit të Punës.
Eshte kjo arsyeja pse ai hesht, i fshihet kësaj ngjarjeve, është kjo arsyeja pse censuron median.
Ai po bën gjithcka për ta mbyllur këtë histori krimi dhe korrupsioni.
Përse nuk heton Prokuroria?
Pas këtyre fakteve, institucioni i akuzës është në detyrimin të nisë ndjekjen penale ndaj Erjon Veliajt?
Përse Erion Veliaj qëndron mbi ligjin?
Kush e ndalon ligjin të funksionojë në këtë rast?
Pse paska imunitet Erion Veliaj i kapur në krim dhe korrupsion, kur ai në të vërtetë ka përgjegjësi direkte ligjore e administrative për vdekjen e Arditit.
VENDIMI
“THEMELIMIN DHE PJESËMARRJEN E BASHKISË SË TIRANËS NË SHOQËRINË AKSIONARE “ECO TIRANA” SH.A., MIRATIMIN E AKTIT TË THEMELIMIT dhe STATUTIT”
Në mbështetje të nenit 8, pika 2, nenit 9, pika 1/1.4, pika 1/1.6 shkronja “b”, nenit 23, neni 26, nenit 33, pika 1 shkronja “d”, neni 54, shkronja “d” të Ligjit nr. 139/2015 për “Vetëqeverisjen vendore”; neni 3, Pjesa V “Shoqёritё Aksionare” dhe neni 213, Ligjit nr. 9901, datë 14.4.2008, për “Tregtarët dhe shoqëritë tregtare” (i ndryshuar), me propozim të Kryetarit të Bashkisë Tiranë, ju paraqesim çështjen si më poshtë vijon:
V E N D O S I:
Të miratojё themelimin dhe pjesëmarrjen e Bashkisë së Tiranës në shoqёrinё aksionare me ofertё private e quajtur “Eco Tirana” sh.a., me kapital tё barabartё me 3.900.000 (tremilion e nёntёqind mijё) Lekё, me një vlerë nominale prej 1.000 (njё mijё) Lekё secili, ose ekuivalenti nё Euro sipas kursit tё këmbimit tё Bankёs sё Shqipёrisё nё ditёn e themelimit tё saj.
Bashkia e Tiranёs tё zotërojё 1.989 (njё mijё e nёntёqindetetёdhjetëenëntё) aksione, të cilat përbëjnë 51% (pesëdhjetë e një për qind) të kapitalit themeltar tё “Eco Tirana” sh.a., me një vlerë prej 1.989.000 (njё milion e nёntёqindetetёdhjetenentё mijё) Lekё ose ekuivalentin nё Euro sipas kursit tё këmbimit tё Bankёs sё Shqipёrisё nё ditёn e themelimit tё saj.
Të miratojё Aktin e Themelimit dhe Statutin e shoqёrisё “Eco Tirana” sh.a. bashkëlidhur këtij vendimi si Shtojca nr. 1.
Për një periudhë fillestare, jo më të gjatë se 18 (tetëmbëdhjetë) muaj, “Eco Tirana” sh.a. do të mbulojë shёrbimin e mbledhjes dhe largimit tё mbetjeve urbane pёr atё pjesë të territorit të Bashkisë së Tiranës të identifikuar në Shtojcën nr. 2 si “Zona e Kuqe”. Vlera vjetore e kontratës sё shёrbimit pёr Zonën e Kuqe do të jetë jo mё pak se 2.500.000,00 ( dy milion e pesёqindmijё) Euro pa TVSH e barbartё me 330.000.000 (treqindetridhjet milion) Lekë pa TVSH ose ekuivalentin sipas kursit tё këmbimit tё Bankёs sё Shqipёrisё nё ditёn e nёnshkrimit -, e shtuar me një vlerë të barabartë me 10% (dhjetё pёr qind) sapo “Eco Tirana” sh.a. fillon mbledhjen e diferencuar të mbetjeve.
Në përfundim të muajit të 18 (tetëmbëdhjetë), në mungesë të ankesave objektive dhe të dokumentuara mbi mbarëvajtjen e shërbimit, administrimi i mbledhjes sё mbeturinave urbane do të zgjerohet automatikisht dhe gradualisht në të gjithë Bashkinë e Tiranës. Shёrbimi i ofruar nga “Eco Tirana” Sh.A. pёr Bashkinё e Tiranёs do tё ketё njё kohëzgjatje jo më tё vogёl se 25 (njёzetepesё)
Ngarkohet Kryetari i Bashkisë ose personi i autorizuar prej tij të përfaqësojë Bashkinë e Tiranës për kryerjen e të gjitha veprimeve të nevojshme për themelimin e shoqёrisё “Eco Tirana” sh.a. sipas pёrcaktimeve të pikës 1, 2 dhe 3 të këtij vendimi dhe lidhjen e marrёveshjes midis ortakёve.
Ngarkohet për zbatimin këtij vendimi Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Drejtoria e Pёrgjithshme e Punёve Publike dhe Drejtoria e Përgjithshme e Menaxhimit Financiar.
Ky vendim hyn në fuqi 10 (dhjetë) ditë pas shpalljes.
K R Y E T A R
ALDRIN DALIPI