Nga Ledio Braho*
Në fund të korrikut u duk se 140 votat e deputetëve për miratimin e amendimeve kushtetuese do të sillnin në mënyrë të menjëhershme përmirësimin e sistemit gjyqësor, por e vërteta është që ende nuk ka ndodhur asgjë tjetër që do të afronte në kohë zbatimin e reformës. Një prej ligjeve është edhe ai “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar” nëpërmjet të cilit do të krijohet Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (më tej SPAK) në varësi të të cilës do të funksionojë edhe e shumëpërfolura Byroja Kombëtare e Hetimit.
Neni 148 § 4 i Kushtetutës, në lidhje me këtë strukturë të posaçme, parashikon se “Prokuroria e Posaçme dhe Njësia e Posaçme Hetimore për ndjekjen penale dhe hetimin e veprave penale të korrupsionit, krimit të organizuar dhe çështjeve penale sipas nenit 135, paragrafi 2, të Kushtetutës janë të pavarura nga Prokurori i Përgjithshëm. Njësia e Posaçme Hetimore është në varësi të Prokurorisë së Posaçme”. Nësei referohemi nenit 135 § 2 të Kushtetutës, do gjejmë parashikimin se “Gjykatat e posaçme gjykojnë veprat penale të korrupsionit dhe të krimit të organizuar, si dhe akuzat penale kundër Presidentit të Republikës, Kryetarit të Kuvendit, Kryeministrit, anëtarit të Këshillit të Ministrave, gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë, Prokurorit të Përgjithshëm, Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, Kryetarit të Bashkisë, deputetit, zëvendësministrit, anëtarit të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, dhe drejtuesve të institucioneve qendrore ose të pavarura të përcaktuara në Kushtetutë ose në ligj, si dhe akuzat kundër ish-funksionarëve të sipërpërmendur”. Ajo çka vihet re ne lidhje me SPAK-un është se ndryshimi i saj nga struktura normale e Prokurorisë ka të bëjë pikërisht me subjektet aktive që do të hetohen nga ajo pasi do të jenë kryesisht subjekte të posaçme që njëkohësisht do të gëzojnë edhe statusin e të qënit personazhe publike.
Por pikërisht gjatë muajit gusht, mediat zbulojnë se në projektligjin “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar” rishtazi është përfshirë një nen 13 i cili parashikon një seri kufizimesh në përpjekjen për të siguruar pavarësinë e SPAK-ut, përfshirë edhe instrumentat informues.
“Çdo lloj influence e papërshtashme e ushtruar mbi punën e prokurorëve të posaçëm apo aktivitetin e tyre mbi çështje konkrete përmes autoriteteve publike, mediave apo çdo mënyre, apo personi tjetër që ndikon mbi pavarësinë e prokurorëve gjatë ushtrimit të detyrave të tyre, ndalohet dhe dënohet me ligj”, parashikohet në nenin në fjalë.
Pyetja parë që lind është se çfarë kuptojnë draftshkruesit me termin “influencë e papërshtatshme”? Në lidhje me subjektet “autoritete publike” dhe “persona të tjerë”, për aq kohë sa kjo strukturëështë e pavarur, është krejtësisht normale qëçdo lloj influence të jetë e dënueshme, por pyetja tjetër që lind është se si mund të influencojë media, ose më saktë se si nuk duhet të influencojë, pasi duke e vënë në të njëjtën kategori me autoritetet publike tregon se media në Shqipëri e paska bërë rrugë këtë lloj influence? Ka edhe një pyetje tjetër, çfarë do të kuptojmë me media – gazetarin, kryeredaktorin, administratorin apo ortakët, apo median si person juridik, apo edhe të gjithë së bashku?
Gjithsesi pak të rëndësishme janë të gjitha këto pyetje pasi sado të përkufizohen në një ligj të gjitha pyetjet e mësipërme sërish do ta cënojnë lirinë e shprehjes të sanksionuar në nenet 22 dhe 23 të Kushtetutës dhe nenin 10 të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut (më tej KEDNj).
Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut (GjEDNj në vijim) ka një praktikë të pasur në lidhje me lirinë e shprehjes. Sipas kësaj praktike ka një vijë shumë të hollë që ndan lirinë e shprehjes me atë të privatësisë apo të procesit të rregullt ligjor. Tashmë ka një unifikim të asaj se deri ku mund të shkojë kufizimi i lirisë së shprehjes.
Nëçeshtjen “Nikula kundër Finlandës” aplikanti Nikula ishtë dënuar nga Gjykata Finlandeze pasi në cilësinë e avokatit të palës që përfaqësonte kishte kritikuar prokurorin e çështjes në lidhje me procedurën e ndjekur. Detyra e GjEDNj-së ishte që të përcaktonte nëse, në të gjitha rrethanat, kufizimi i lirisë së shprehjes i përgjigjet një “nevoje sociale të ngutshme” dhe nëse është “në proporcion me qëllimin legjitim të ndjekur” dhe nëse arsyet e dhëna nga gjykatat kombëtare në arsyetimin e tyre ishin “të rëndësishme dhe të mjaftueshme”. Në rastin në fjalë, ajo çka gjykata interpreton së pari ka të bëjë me subjektet të cilave i drejtohet kritika, ajo i ndan në persona privatë, nëpunës civilë dhe politikanë dhe respektivisht edhe kufiri i kritikës së pranuar ndaj këtyre subjekteve vjen në rritje, pra sa më publik të jetë subjekti që i drejtohet kritika, aq më e pakufizuar është liria e shprehjes për të gjithë ata që kanë pretendime për figurën apo punën e tij. Në rastin në fjalë Gjykata e gjeti në shkelje të nenit 10 të KEDNj dënimin e aplikantes për shpifje duke cënuar lirinë e saj të shprehjes.
Nëçështjen “Grinberg kundër Rusisë”, GjEDNj ritheksoi parimet e përgjithshme mbi të cilat bazohet liria e shprehjes.Sipas Gjykatës “Liria e shprehjes përbën një nga themelet bazë të një shoqërie demokratike dhe një nga kushtet bazë për progresin e saj dhe vetë-përmbushjen e çdo individi. Në pajtim me paragrafin 2 të nenit 10, ajo është e aplikueshme jo vetëm për “informacionin” ose “idetë”, të cilat janë marrë në mënyrë të favorshme ose që konsiderohen si të padëmshme apo si çështje jothelbësore, por edhe për ato që fyejnë, trondisin apo sjellin shqetësim. Të tilla janë kërkesat për pluralizëm, tolerancë dhe largpamësi, pa të cilat nuk ka “shoqëri demokratike”.
Sipas GjEDNj media plotëson një funksion thelbësor në një shoqëri demokratike. Edhe pse ajo nuk duhet të kalojë disa kufij, veçanërisht lidhur me reputacionin dhe të drejtat e të tjerëve dhe nevojën për të parandaluar zbulimin e informacionit sekret, detyra e saj është gjithsesi të vërë në dukje, në përputhje me detyrimet dhe përgjegjësitë e saj, informata dhe ide në të gjitha çështje me interes publik. Jo vetëm që ajo ka detyrën e zbardhjes dhe transmetimit të informacioneve të tilla, por njëkohësisht edhe publiku ka të drejtë t’i marrë ato. Në rast të kundërt, media nuk do të ishte në gjendje të luante rolin e saj të rëndësishëm të “mbikëqyrjes publike”.Gjykata shkon edhe më tej kur thekson se“liria gazetareske mbulon përdorimin e mundshëm të një shkalle ekzagjerimi, ose edhe provokimi. Kjo liri është subjekt i përjashtimeve të përcaktuara në nenin 10 § 2 të KEDNj-së, e cila duhet, megjithatë, të interpretohet në mënyrë strikte. Nevoja për çdo kufizim duhet të vendoset në mënyrë bindëse”.
Nëçështjen “Fressoz dhe Roire kundër Francës” Gjykata ka theskuar se “në parim gazetarët nuk mund të lirohen nga përgjegjësia për të zbatuar legjislacionin penal me arsyetimin se neni 10 i KEDNj u siguron atyre mbrojtjen e lirisë së shprehjes. Megjithatë, në rrethana të veçanta interesi i publikut për t’u informuar dhe roli jetik i medias mund të justifikojë publikimin e dokumenteve që janë nën kushtet e konfidencialitetit”. Nëçështjen “Feldek kundër Sllovakisë” Gjykata theksoi për të disatën herë se “Gjykata sllovake e Kasacionit nuk kishte vendosur bindshëm ndonjë nevojë të ngutshme sociale për vënien e mbrojtjes së të drejtës personale të një figure publike në raport me të drejtën e kërkuesit për lirinë e shprehjes dhe të interesit të përgjithshëm për të promovuar këtë liri kur çështjet me interes publik janë cënuar”. Figura publike në rastin në fjalëështë një ish-ministër kulture që ishte etiketuar si “fashist” nga kërkuesi gazetar.
Siç shihet fare mirë, GjEDNj, e cila ka edhe jurisprudencën më të plotë në lidhje me të drejtat e njeriut dhe zbatimin e Konventës Europianë të të Drejtave të Njeriut është shprehur në qindra raste në favor të gazetarëve dhe kundër shteteve në lidhje me lirinë e shprehjes. Liria e shprehjes konsiderohet themelore në një shoqëri demokratike, por situata bëhet akoma më e qartë kur informacioni që përcillet në media ka të bëjë me subjekte si ato që do të jenë nën hetim nga SPAK, pasi pikërisht aty media duhet të jetë më e pranishme dhe më e parrezikuar në lirinë e shprehjes, kjo për t’i dhënë rëndësinë e duhur interesit të publikut për t’u informuar. Kjo nuk është një risi shqiptare, e kundërta, pra ajo që po ofrohet nëpërmjet kësaj pyke ligjore për të kriminalizuar lirinë e shprehjes ndaj të pushtetshmëve do të ishte një risi në jurisprudencën europiane të të drejtave të njeriut dhe të moszbatimit të reformave në drejtësi.
Ajo që duhet të kriminalizohet është pikërisht të vënit në një kategori e autoriteve publike që kanë shfrytëzuar podiumet dhe sheshet për të ushtruar presion ndaj gjykatave dhe prokurorisë me gazetarët që me lirinë e shprehjes e bëjnëçdo shoqëri më demokratike dhe çdo qytetar më të informuar.
* Autori është diplomuar pranë Europa Universität Viadrina për të drejtat ndërkombëtare të njeriut dhe ligj humanitar