Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka dhënë një intervistë nga Filadelfia për “Zërin e Amerikës”, ku ka folur për miratimin e reformës në drejtësi dhe për miratimin e ligjit të “Vettingu”-t.
Basha është shprehur se 7 ligjet nuk mund të kalojnë ditën e nesërme, pasi sipas tij, është në shkelje të Kushtetutës.
“Nuk mund të kalojnë, sepse këtë e ndalon Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë. Ky është një komunikim që unë e kam patur me partnerët amerikanë dhe europianë dhe do të ishte absurd që ata të mbështesnin nisjen e procesit të reformës në drejtësi duke shkelur Kushtetutën e vendit. Por, PD ka shprehur gatishmërinë për të nisur punën me ekspertët për të shqyrtuar për draftin për “Vetingun”, në mënyrë që mos ketë asnjë vonesë në miratimin e ligjit”.
“Projektligji na është vënë në dispozicion mbrëmë vonë dhe do të bëhen publike sugjerimet tona. Nuk mund t’ua them, sepse ekspertët tanë nuk e kanë shqyrtuar ende dhe sapo të ndodhë do të ketë një reagim, – tha kryeopozitari për VOA. – Opozita është e gatshme të sakrifikojë nga ditët e pushimeve zyrtare për reformën, e rëndësishme është që mazhoranca të mos punojë me hile. Shoh përpjekje për të rikthyer tensionin. PD është e vendosur t’u japë shqiptarëve një reformë sipas standardeve dhe nuk kemi pasur asnjë mëdyshje për reformën në drejtësi”, tha Basha.
INTERVISTA
Zoti Basha siç keni qenë dëshmitar këto ditë. Femra e parë siguron kandidaturën për presidente të një partie të madhe. Në vendin tuaj gratë nuk e kanë këtë forcë politike. A mendoni se mund të shërbejë pozitivisht ky shembull edhe për Shqipërinë?
Padyshim që ky është një shembull frymëzues për të gjithë botën demokratike dhe natyrisht edhe për Shqipërinë. Me këtë rast dua ta përgëzoj nga zemra Partinë Demokratike amerikane për këtë përzgjedhje historike të zonjës Clinton, e cila është një shërbyese publike e interesave amerikane por edhe e interesave globale për paqen e liritë anembanë botës dhe natyrisht një personalitet me kontribute të jashtëzakonshme për Shqipërinë, Kosovën, për shqiptarët kudo që janë. Një personalitet që kam patur nderin të bashkëpunoj si ministër i jashtëm, për anëtarësimin në NATO dhe njohjen e pavarësisë së Kosovës. Bashkëpunim që ka dhënë fryte të jashtëzakonshme. Edhe pas largimit nga detyra si ministër i jashtëm kam ruajtur komunikimin me ish-sekretaren e shtetit dhe tashmë kandidaten zyrtare për presidente të SHBA-ve, Hillary Clinton. Prania ime këtu me këtë rast, sjell me vete përveç formaliteteve zyrtare sjell edhe emocionet e jashtëzakonshme të bashkëpunimit dhe të komunikimit që kam patur dhe kam ruajtur me kandidaten për presidente Hillary Clinton.
Kreu i parlamentit Ilir Meta njoftoi se ndërpreu vizitën në SHBA për të sqaruar konfuzionin e krijuar ditët e fundit me qëllim prishjen e konsensusit për reformën në drejtësi. Ju si e konsideroni kërkesën e maxhorancës për të miratuar me shpejtësi një nga 7 ligjet që lidhet me vlerësimin e gjyqtarëve? A është e mundur sipas jush që ky ligj të kalojë nesër dhe pasnesër?
Absolutisht jo, sepse këtë e ndalon kushtetuta e Republikës së Shqipërisë. Ky është një komunikim që unë e kam patur me partnerët tanë amerikanë dhe europianë dhe do të ishte absurde që ata të mbështesnin nisjen e procesit të reformës në drejtësi duke shkelur kushtetutën e vendit. Por PD ka shprehur gatishmërinë e saj për të nisur punën me ekspertët e saj për të shqyrtuar draftin për vettingun në mënyrë që të mos ketë asnjë vonesë për miratimin e ligjit.
Maxhoranca i është përgjigjur kësaj me një hile, e cila tashmë është sqaruar, është një furtunë në një gotë uji. Pretendohet që drafti ka qenë gati më 4 korrik, ndërkohë që drafti zyrtarisht është përcjellë mbrëmë, natën e mbrëmshme në orën 22:30. Ne e kemi marrë tashmë në dorëzim. Ekspertët tanë po e shqyrtojnë dhe pas kësaj do të procedohet sipas hapave të zakonshëm. Pra, nuk është gjë tjetër veçse një manovër e qartë politike, e tipi që pengoi deri çastin e fundit konsensusin me PD, ndonëse PD prej fillimit ishte zotuar për një mbështetje totale të reformës në drejtësi sipas vlerave dhe parimeve perëndimore të mishëruara në rekomandimet e Venecias, me propozimin hibrid të ndihmës sekretares Nuland dhe me vërejtjet e eurokomisionerit Hahn por që tashmë ka marrë fund. Është pjesë e një historie që duhet të shqyrtohet me kujdes për të parë përgjegjësitë e palëve. Rezultati është historik. Ndryshimet kushtetuese unanime nga Kuvendi i Shqipërisë, shpartallim i një kompleti për të përjashtuar opozitën dhe një konsensus që edhe pse u bllokua deri në çastin e fundit, përsëri triumfoi sepse triumfoi vullneti ynë dhe ranë poshtë të gjitha manovrat politike, të cilat kanë qenë prej fillimit pengesa e vetme për të arritur edhe më herët një konsensus sipas Venecias.
Të përqendrohemi tek këto 7 ligje dytësore ose shoqëruese. Ndryshimet të cilat juve ju u referuat, janë ndryshime që lidhen me ndryshimet që iu bënë draftit kushtetues që u miratua në parlament, bëhet fjalë për ndryshime të vogla. A keni shqetësime të thella nga pr.ligji që ju e keni marrë në dorë, a duhen bërë ndryshime të mëdha?
Projektligji na është vënë në dispozicion mbrëmë në orët e vona të natës. Ekspertët tanë po e shqyrtojnë dhe menjëherë në mënyrë transparente do të bëhen të qarta të gjitha sugjerimet dhe kontributi i PD-së.
Sipas jush, ky projektligj që iu është vënë në dispozicion mbrëmë, ka ndryshime të mëdha nga projektligji që ju është dorëzuar më 4 korrik?
S’mund t’ju a them sepse na është vënë në dispozicion mbrëmë në orët e vona dhe ekspertët tanë do ta mbarojnë së shqyrtuari brenda ditës së sotme ose ditën e nesërme. Sapo të jetë shqyrtuar nga ana e ekspertëve tanë, të jeni i sigurt do të ketë si gjithmonë një komunikim transparent, publik për sugjerimet dhe kontributet tona. Gjithçka në bazë të rekomandimeve të Venecias, në bazë të rakordimit me partnerët tanë, SHBA-të dhe natyrisht edhe BE-në.
Ju në fillim ju referuat afateve kushtetuese në Shqipëri, kam përshtypjen për 2-javorshin që duhet që të hyjnë në fuqi ndryshimet kushtetuese pasi ato shpallen në fletoren zyrtare. Pra, i bie nga mesi i gushtit diku, ndryshimet kushtetuese të hyjnë në fuqi. A mendoni se do jeni në gjendje në atë kohë, në mes të gushtit për të thirrur parlamentin që të miratoni projektligjet e tjera?
Kjo është një pyetje për kryetarin e Kuvendit por opozita është e gatshme të sakrifikojë me pushimet e dimrit, nga ditët e pushimeve zyrtare për të kontribuuar me mish e me shpirt me ekspertizën më të mirë, me sugjerimet më të mira për të përfunduar procesin e reformës në drejtësi, duke miratuar ligjet me konsensus siç është rënë dakord përmes partnerëve tanë me maxhorancën. E rëndësishme është që maxhoranca të mos i bishtojë përsëri këtij detyrimi për të punuar me konsensus dhe të mos punojë me hile por me transparencë dhe vullnet për t’i dhënë shqiptarëve ligje të miratuara me konsensus. PD do të marrë përgjegjësinë e saj.
A shikoni në këto momente shenja të fillimit të një tensioni siç u vu re me ndryshimet kushtetuese apo procesi do të jetë më i butë këtë herë, duke patur parasysh dhe marrëveshjet dhe koordinimin e mirë të punës që u arrit për ndryshimet e thella kushtetuese?
Shoh përpjekje për të rikthyer tensionin, nga të njëjtët që projektuan tensionin dhe përjashtimin e opozitës nga procesi. Jam i sigurt që ata që dështuan në këtë projekt në rrafshin kushtetues do të dështojnë nëse përpiqen të bëjnë të njëjtën gjë në rrafshin ligjor. PD është e vendosur t’iu japë shqiptarëve një reformë në drejtësi sipas standardeve europiano-perëndimore, sipas standardeve amerikane. Kjo ka qenë beteja jonë prej fillimit. Ne nuk kemi patur asnjëherë, asnjë mëdyshje për reformën në drejtësi. Reforma në drejtësi ka patur mbështetjen tonë të plotë por konsensusi për të arritur reformën në drejtësi ka pasur armiq të fortë, të cilët kanë bërë gjithçka për ta përjashtuar opozitën. Ndaj është rasti të falënderoj nga zemra edhe njëherë sekretarin Kerry, në veçanti ndihmës sekretaren Nuland, Kongresin Amerikan, kryetarin e komitetit për Europën, ambasadorin Lu, ndihma e të cilëve e bëri të pamundur realizimin e këtij projekti destabilizues për Shqipërinë dhe iu dha shqiptarëve një reformë në drejtësi , një draft kushtetues të miratuar me konsensus të plotë nga opozita.
Nuk është fitore e PD-së, nuk është fitore e Lulzim Bashës, por e çdo shqiptari.