Ligji për punësimin e të huajve do t’u nënshtrohet sërish ndryshimeve. Shtrëngohen kriteret për të huajt që do të ndërmarrin investime strategjike, por dhe që do të duan të kenë leje të përhershme qëndrimi në Shqipëri. Kushti? 2 mln euro investim, 100 vende pune për 1 vit. Lehtësi për të punësuarit me përkatësi etnike shqiptare. Pajisja me leje pune do të bëhet pa pagesë.
I miratuar rreth tre vjet më parë, ligji “Për të huajt” do t’i nënshtrohet sërish ndryshimeve. Arsyeja ka të bëjë me problemet që janë hasur në zbatimin në praktikë, ku janë krijuar më shumë hapësira për keqinterpretime.
Në Kuvend është paraqitur drafti me ndryshimet ligjore që synojnë përmirësimin e regjimit të trajtimit të të huajve, përfshirë ata me përkatësi etnike shqiptare, kategorisë së të huajve të punësuar apo vetëpunësuar.
Aspektet që priten të preken nga këto ndryshime kanë të bëjnë me politikat e vizave, në fushën e punësimit dhe në atë të përafrimit me direktivat europiane.
Një pjesë e rëndësishme e këtij projektligji ka të bëjë me trajtimin e të huajve që do të ndërmarrin investime të rëndësishme në Shqipëri (ndryshime që janë diktuar edhe për shkak të ligjit të ri të investimeve strategjike). Rastet e veçanta janë ato që bëjnë përjashtim nga rregulli i përgjithshëm që kërkon 5 vjet qëndrim të ligjshëm, në mënyrë që i huaji të kualifikohet për leje të përhershme qëndrimi.
Janë forcuar kërkesat për përfitimin e këtij statusi si në vlerën e investimit (nga 1 milion në 2 milionë euro), ashtu dhe në sasinë e vendeve të punës të hapura nga ky investim (nga 10 në 100).
Ndërsa nga trajtimi më preferencial i të punësuarve që do të vijnë nga etnitë shqiptare, ku parashikohet përjashtimi nga pagesa e lejes së qëndrimit, buxheti do të humbasë rreth 1.7 milionë lekë.
Juristët vlerësojnë ndryshimet që po i bëhen ligjit “Për të huajt” dhe shpjegojnë se çfarë efektesh do të japin.
Kushti
Projektligji është shtrëngues në përcaktimin e kritereve të reja, për të përfituar lejen e përhershme të qëndrimit për raste të veçanta për investitorin, për shkak se nëse do të miratohet, shtetasit të huaj do t’i duhet të investojë jo më pak se 2 milionë euro (aktualisht dispozita përcakton një shumë mbi 1 milion euro) dhe të dokumentojë se ka krijuar mbi 100 vende pune, minimalisht për një periudhë 1-vjeçare, (aktualisht dispozita përcakton punësim të mbi 10 shtetasve shqiptarë, për një periudhë së paku 1-vjeçare).
Ja çfarë ndryshon
Projektligji për “Të huajt” pritet të sjellë një sërë elementesh të reja, që do të saktësojnë trajtimin e rasteve të atyre që do të vijnë të punojnë në Shqipëri. Ja cilat janë pikat që ndryshojnë:
– Janë krijuar lehtësi në lidhje me transferimet brenda korporatave, për kategoritë menaxherë, specialistë dhe praktikantë, duke krijuar kushte transparente dhe të harmonizuara të pranimit, qëndrimit dhe të punës.
– Në kuadër të qëndrimit dhe punësimit të ofruesve të shërbimeve me kontratë, janë bërë ndryshime në strukturën, kriteret dhe kategoritë e parashikuara në ligj, ku përcaktohet lëshimi i lejes së punës për “shërbime kontraktuese”. Në këtë drejtim janë përcaktuar qartë kategoritë e të huajve, të cilët përfitojnë këtë tip leje pune.
– Gjithashtu, një nga risitë që sjell ky projektligj, është kategoria e profesionistëve të pavarur, të cilët mund të ofrojnë shërbime në vendin tonë.
– Hyrja e përkohshme dhe qëndrimi i tyre në shërbim të palës së interesuar, do të jetë për një periudhë totale, jo më shumë se dymbëdhjetë muaj, ose për kohëzgjatjen e kontratës, cilado qoftë ajo, por gjithmonë kur qëndrimi nuk e kalon periudhën 12-mujore.
– Punonjësi stinor, për aktivitetin që ushtrohet për profesione të rregulluara, duhet të plotësojë kushtet e përcaktuara në përputhje me të drejtën kombëtare të ushtrimit të profesioneve të rregulluara.
– Për kategorinë “punonjës me kualifikim të lartë”, kontrata fillestare e punës, e cila është detyrim për pajisjen me këtë leje pune, do të kërkohet vetëm për 1 vit për herë të parë.
– Ka përmirësime në lidhje me kategoritë e të huajve, të cilët pajisen me certifikatë regjistrimi në punë dhe për ato kategori, të cilat pajisen me leje pune të tipit C, për raste të veçanta, si vizitorët e biznesit dhe ofruesit e shërbimeve të biznesit.
– Gjithashtu, ka ndryshime në lidhje me të huajt, të cilët bëjnë pjesë në kategoritë me mbrojtje të përkohshme dhe plotësuese, këtyre kategorive u jepet mundësia të integrohen në tregun shqiptar të punës.
Efektet financiare
Lehtësimi i pajisjes me leje qëndrimi, pa pagesë, të bashkëkombësve nga trevat shqiptare, që vijnë për motiv studimi në Republikën e Shqipërisë, sjell efekte financiare:
Ndërhyrja në nenin 105, bazuar në vlerën 10,000 lekë të tarifës së lejes së qëndrimit për shtetasit e huaj me afat 1−vjeçar për motiv studimi, përllogaritur për 179 shtetas nga këto treva për vitin 2016, rezulton një shumë prej 1,790,000 lekësh në vit.
Ndërhyrja në nenin 119, për periudhën nga miratimi i ligjit nr.108/2013 e në vijim, numri i të huajve të trajtuar me këtë masë ndalimi është 8.
Referuar dinamikës në rritje të flukseve migratore në rajon dhe më gjerë, mund të presim një rritje të moderuar të këtij numri, por gjithsesi do të kemi të bëjmë me kapacitete akomoduese të vogla dhe për periudha të kufizuara në kohë.
Janar – mars 2016, 15% më pak të huaj të punësuar
Numri i të huajve që punojnë në Shqipëri gjatë tremujorit të parë të vitit 2016 shënoi rënie me rreth 15% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Të dhënat zyrtare nga Drejtoria e Politikave të Punësimit dhe Migratore në Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë tregojnë se gjatë tremujorit të parë janë dhënë në total 570 leje pune dhe vërtetime, ku pjesën më të madhe e zënë lejet.
Vazhdojnë të mbizotërojnë shtetasit turq, me 144 leje pune, ose 44% e totalit. Por, numri i tyre kanë pasur rënie me 23%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Ndërsa në vend të dytë, po për lejet e punës, renditen shtetasit maqedonas, me 60 leje pune, ose rreth 18% ndaj totalit të lejeve të dhëna. Shtetasit turq janë të punësuar kryesisht në sektorin e ndërtimit, sektorin e arsimit dhe atë të shëndetësisë; shtetasit maqedonas në sektorin e tregtisë dhe në sektorin e shërbimeve.
Ndërsa sa u përket vërtetimeve të punësimit, shtetasit italianë vazhdojnë të jenë kategoria më e madhe e pajisur me këtë dokument, me rreth 44% të totalit, ndjekur nga shqiptarët e Kosovës me 21% (52 vërtetim-deklarime për punësim).
Pas tyre vijnë shtetasit grekë, me 32 vërtetim-deklarime, ose 13% ndaj totalit të këtij zëri.
Shifrat zyrtare tregojnë se në lidhje me zhvillimin e aktivitetit ekonomik, sektori më i preferuar për këtë periudhë është ai i ndërtimit, me 200 leje pune dhe vërtetime të miratuara.
Shtetasit italianë janë të punësuar kryesisht në industrinë tekstile, në industrinë përpunuese, në fushën e shërbimeve të marketingut, në fushën e tregtisë dhe atë të informacionit dhe telekomunikacionit. Shtetasit shqiptarë të Kosovës janë të punësuar në industrinë përpunuese, në fushën e prodhimit të brumërave (furrë buke, pastiçeri) si dhe në fushën e arsimit.
Ndërsa shtetasit grekë janë të punësuar kryesisht në tregti, shëndetësi, në industrinë përpunuese dhe në fushën informacionit dhe telekomunikacionit.
Pjesa më e madhe e të huajve, që janë të pajisur me leje pune, janë punëmarrës (191), pjesa tjetër të vetëpunësuar (49) dhe investitorë janë regjistruar vetëm 4 gjatë periudhës janar-mars 2016.
Të dhënat e ofruara nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë tregojnë gjithashtu se nga 326 leje pune të dhëna gjithsej për këtë periudhë, 29, ose 9% e tyre, janë dhënë për shtetase të huaja femra. Ndërsa nga 244 vërtetim-deklarime për punësim të dhëna gjithsej për këtë periudhë, 35 ose 14% e tyre janë dhënë për shtetase të huaja femra.
Kritere më të forta për investitorët që do të duan leje të përhershme. Flet av. Erlind Kodhelaj, Departamenti Ligjor, Deloitte Albania
Kuvendi pritet të marrë në shqyrtim projektligjin e propozuar nga Këshilli i Ministrave, që lidhet me disa ndryshime dhe shtesa në ligjin 108/2013, datë 28.03.2013 “Për të huajt”. Qëllimi i ndërhyrjes (duke huazuar fjalët e nismëtarit të iniciativës për ndryshimin e ligjit) është zgjidhja e problematikave të hasura gjatë zbatimit të ligjit dhe përafrimin e mëtejshëm me ‘acquis’ të Bashkimit Europian dhe konkretisht të dispozitave që rregullojnë regjimin e hyrjes, qëndrimit, punësimit dhe të daljes së të huajve ne/nga Republika e Shqipërisë, si dhe ndryshimeve e zhvillimeve që kanë ndodhur në fushën e imigracionit.
Projektligji prek dispozita të ndryshme, duke filluar nga saktësimi dhe plotësimi i përkufizimeve të ndryshme, si për shembull përkufizimi i “personelit kyç”, i cili tashmë plotësohet me kategori të mirëpërcaktuara si vizitorë biznesi, menaxherë, specialistë dhe praktikant i diplomuar.
Kjo ndërhyrje është e rëndësishme për vetë trajtimin më të favorshëm që u rezervohet këtyre personave për sa i përket punësimit në vend.
Një tjetër risi për t’u përmendur është trajtimi me leje qëndrimi të përhershme, për raste të veçanta të të huajve që bëjnë investime të rëndësishme.
Rastet e veçanta janë ato që bëjnë përjashtim nga rregulli i përgjithshëm që kërkon 5 vjet qëndrim të ligjshëm, në mënyrë që i huaji të kualifikohet për leje të përhershme qëndrimi.
Konkretisht, projektligji është shtrëngues në përcaktimin e kritereve të reja, për të përfituar lejen e përhershme të qëndrimit për raste të veçanta për investitorin, kjo për shkak se nëse do të miratohet, shtetasit të huaj do t’i duhet të investojë jo më pak se 2 milionë euro (aktualisht dispozita përcakton një shumë mbi 1 milion euro) dhe të dokumentojë se ka krijuar mbi 100 vende pune, minimalisht për një periudhë njëvjeçare (aktualisht dispozita përcakton punësim të mbi 10 shtetasve shqiptarë, për një periudhë së paku 1-vjeçare).
Ndër risi të tjera të projektligjit, veçojmë dispozitat për të transferuarit brenda ndërmarrjes, ndryshimet e afateve për ripërtëritjen e lejeve të punës për investitorët e huaj dhe përjashtimin nga tarifa shtetërore për bashkëkombësit në Republikën e Kosovës, atë të Serbisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë që qëndrojnë në vendin tonë për arsye studimi. Monitor