Vetingu pastron drejtësinë e ndihmon shoqërinë.Komisioni do të pyesë kandidatët për justifikimin e pasurisë e parave në banka, për lidhjet politike, apo lidhje me rrjete kriminale, thotë eurodeputetja Monica Macovei në një intervistë për Deutsche Welle.
Drejtuesja e Delegacionit të Komitetit Parlamentar të Stabilizim Asociimit Shqipëri-BE, Macovei e konsideron të një rëndësie kyçe reformën në drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit, me argumentin se një drejtësi e pastër, mban të tillë të gjithë shoqërinë e forcon sundimin e ligjit.
Zonja Monica Macovei si kryesuese e Delegacionit të Komitetit Parlamentar të Stabilizim Asociimit Shqipëri -BE, si e vlerësoni ngërçin aktual në Shqipëri lidhur me reformën në drejtësi?
Monica Macovei: Reforma në drejtësi dhe lufta kundër korrupsionit janë shumë të rëndësishme dhe të parat që duhen marrë në dorë, sepse nëse ju keni një drejtësi të pastër që performon si duhet, atëherë ju mund të mbani të pastër të gjithë shoqërinë dhe të forconi rregullin e ligjin. Ka pasur shumë punë deri më tani në nivelin teorik, së bashku me opozitën, shoqërinë civile etj., tani vëmë re se implementimi është faza më e vështirë. Kemi ardhur në një nga pikat e fundit të legjislacionit para futjes në fuqi të reformës, pikërisht tek vetingu i gjykatësve dhe prokurorëve.
Partia Demokratike në opozitë nuk ra plotësisht dakord me një propozim amerikan, duke theksuar se ndërkombëtarët duhet të kenë rol vëzhgues, por jo kompetenca kushtetuese në vend. Gjendja është sërish e nderë. Ku mund të çojë kjo situatë?
Situata mund të zhbllokohet. Flasim për pak vota që mungojnë deri më 21 korrik, kur qeveria duhet të çojë ligjin në parlament. Fjala është tani për një komision të formuar nga ekspertë nga sistemi i drejtësisë, të cilët do të zgjidhen në mënyrë të barabartë nga politika, gjashtë nga opozita, gjashtë nga mazhoranca. Janë këta ekspertë që do të bëjnë Vetingun e gjykatësve dhe prokurorëve, por gjithashtu edhe përfaqësues ndërkombëtarë, ata nga BE, nga SHBA do të jenë pjesë e procesit, ata do ta monitorojnë atë, dhe do të kenë të drejtën të bllokojnë dosje apo kandidatura, që mendohet se nuk i plotësojnë kushtet. Ky ishte edhe propozimi, për të cilin ra dakord edhe Victoria Nuland.
Ishte ky po ashtu edhe propozim nga BE, sepse më së shumti është dëgjuar pala amerikane për këtë?
Po, edhe i BE-së. Të gjithë ishim dakord. Komisioni për gykatësit dhe prokurorët do të shikojë tre aspekte: Do të pyesë kandidatët për të justifikuar pasuritë dhe paratë në xhirollogaritë e bankave, nëse ka një diferencë mes të ardhurës dhe asaj që ata kanë në realitet. Por ashtu lidhjet politike, nëse ka të provuara lidhje politike të caktuara, po ashtu nëse ka lidhje të natyrës kriminale, si për shembull nëse janë miq apo pjesë e rrjeteve, ku ka edhe kriminelë. Besoj se kjo është shumë e rëndësishme të bëhet.
Shqetësimi i opozitës janë kompetencat kushtetuese që iu jepen ndërkombëtarëve. Shikoni ju ndonjë problem këtu?
Nuk e di pse iu referohen kompetencave kushtetuese. Sepse – kur të vijë koha e vërtetë, për vetingun flas, ai bëhet njëherë, pra ai mund të marrë, nuk e di sa kohë, pak muaj, një vit, pastaj mbaron, është “finished”. Ju keni pas kësaj gjykatës e prokurorë që fillojnë punën, me pavarësinë e plotë, emërimin e përhershëm e të tjera. Është logjike. Juva ua jepni të gjitha garancitë, atyre që i keni verifikuar. Kjo ndodh edhe në perëndim, ju kaloni stade të ndryshme testimi të integritetit.
Duket një shpëlarje e sistemit të drejtësisë në Shqipëri, por pse këmbëngul atëherë opozita që ndërkombëtarët të mos jenë vendimmarrës në proces?
Nuk e di pse opozita e thotë këtë. Unë mendoj se është plotësisht e justifikuar që të kemi ekspertë shqiptarë, por po ashtu asistencë dhe monitorim të ndërkombëtarëve. Sepse do të jenë njerëz me eksperiencë në reformën e drejtësisë dhe përzgjedhjen e gjykatësve dhe prokurorëve nga vende të ndryshme anëtare, nga Holanda, Franca, Italia, Gjermania, SHBA, apo Komisioni Europian. Pra që të refuzosh ekspertizën e njerëzve që dinë si ta bëjë këtë, është për mua e pajustifikueshme.
Duhet thënë se vetë shqiptarët nuk kanë ndonjë besim të madh tek drejtësia e tyre, e shpesh dëgjon se ndërkombëtarët mund të kenë një rol pozitiv…
Kjo është kështu në shumë vende të Ballkanit. Dua të theksoj se njerëzit aty nuk kanë po ashtu besim as tek politikanët, dhe tek drejtësia. Por besimi tek drejtësia është vital, sepse pa të nuk mund të ndërtosh një demokraci të stabilizuar.
Në Shqipëri ekziston shpresa se me këtë reformë mund të marrë fund edhe kultura e pandëshkueshmërisë, e cila zuri rrënjë me skandalet që bënë bujë, por nuk u sqaruan asnjëherë deri në fund… besoni se vetingu është mekanizmi që do të sjellë ndryshimin?
Ky është një shans, një ide shumë e mirë, dhe po të shikosh tre aspektet, ku do të përqëndrohet komisioni i vetingut, duket shumë korrekte, për mendimin tim. Rezultatet mbetet të priten. Të njëjtin proces e bëri edhe Bosnja-Hercegovina. Varet shumë se si bëhet ky proces, nëse është korrekt, atëherë do të funksionojë.
Ju keni qenë vetë më parë ministre e Drejtësisë në Rumani. Cila është përvoja juaj me reformën e drejtësisë aty?
E di si ka kaluar kjo reformë në vendet post-komuniste. Kryesisht në këto vende, nuk pati një proces vetingu pas 1990-s, atëherë të njëjtët gjykatës dhe prokurorë duhet të bënin reformën, u bënë këshilla gjyqësorë të mbushur me gjykatës e prokurorë që nuk ishin kontrolluar më parë. Kështu pushteti për të bërë reformën dhe për të pastruar sistemin e drejtësisë iu dha po atyre gjykatësve dhe prokurorëve.
Por kush e pastron vetveten në këto kushte. Dy vite para se Rumania të bëhej anëtare e BE-së, edhe Rumania duhej të bënte një reformë të drejtësisë, ndryshe nuk mund t’i bashkohej BE-së, atëherë kam qenë ministre e Drejtësisë, në vitin 2005-2006, e mund të them se në çdo pjesë të legjislacionit që kaloi, opozita socialiste votoi gjithmonë kundër, pra për një reformë që ishte në interes të anëtarësimit.
Opozita në Shqipëri ka paralajmëruar nga një votim i reformës pa praninë e saj? Çfarë mund të ndodhë?
E kam parë në Shqipëri herë pas here këtë, që opozita bllokon parlamentin. Këtë e bënë socialistët, kur demokratët ishin në pushtet, u shfaq edhe tani kur socialistët erdhën në pushtet, pastaj demokratët u rikthyen në parlament. Kjo është mungesë e pjekurisë politike, pasi problemet zgjidhen në parlament.
A mund të flasim pas refuzimit demokrat për një moment të ri krize që mund ta bllokojë reformën në drejtësi më 21 korrik?
Kjo është një pengesë, por nuk ka gjë që arrihet pa pengesa. Unë shpresoj, që në fund të ditës të fitojë mençuria, mençuria për të bërë një hap përpara, sepse ndryshe do të bllokohet çdo gjë që është bërë deri më tani. E kam thënë këtë në Shqipëri e kudo: Shikoni interesin e vendit, ky nuk është një interes partiak.
Po nëse Shqipëria arrin të votojë reformën, atëherë a hapen dyert për fillimin e negociatave të anëtarësimit me BE?
Le të themi se ka shpresa, të shohim. Shpresoj që ata ta bëjnë këtë hap, janë momente të vështira këto ditë në Shqipëri. Për reformën duhet 2/3 e votave, që mazhoranca nuk i ka, prandaj ndoshta ka edhe deputetë nga opozita që mendojnë, se pse janë në parlament, ata janë aty t’u shërbejnë shqiptarëve dhe jo një partie.