NGA VIKTOR BAKILLARI
Sot (26.6.2016) lexova një shkrim të Prof. Artan Fugës.
Shkrimi titullohej “Referendumi si procedure jodemokratike”.
***
I nderuar Profesor,
Fjalorët janë të zhveshur nga emocionet, prandaj edhe janë të besueshëm. Jam i bindur se në çdo fjalor që hapet te fjala “referendum” (unë hapa disa të tillë), gjendet shpjegimi i tij si formë, apo “procedure” DEMOKRATIKE.
Pra, siç shihet, qysh në embrion bie poshtë teza juaj.
***
Unë nuk njoh ndonjë rast ku populli të ketë marrë vendim të qortueshëm. Ndryshe do të gabonte proverbi “Vox populi, vox Dei” = Zani i popullit asht zani i Zotit!
Ju, i dashur Profesor, duhej ta shkruanit atë shkrim vetëm pasi të hidhnit poshtë proverbin e mësipërm.
***
“Ka ca gjera qe pasi vendosen nuk mund te hidhen ne referendum sidomos kur ben vape” – e nis shkrimin autori.
Sigurisht që fjala është për referendumin që u zhvillua në Mbretërinë e Bashkuar ( = Angli, Uells, Irlandë e Veriut dhe Skoci) në 23 Qershor 2016 në një temperaturë mesatare nga 20 – 23 gradë.
A thua të quhet vapë një temperaturë e tillë???
***
Unë e ndoqa me vëmendje referendumin demokratik britanik të Mbretërisë së Bashkuar dhe NUK më pëlqeu asfare rezultati i tij. Po cili jam unë dhe kujt i hyn në punë qejfmbetja ime? Unë, ashtu si ju, i dashur profesor, ashtu si edhe miliona e miliona të tjerë, kemi të drejtë të merremi për këtë çështje nëpër muhabete kafenesh, por jo të rrëmbejmë lapsin e t’u tregojmë atyre për vendimin e tyre katastrofik; ne nuk kemi të drejtë të fusim hundët në punët e Çërçillësve dhe God -Save -the –Queen-ësve: “(= Zot mbroje Mbretëreshën”); ne nuk duhet të gjykojmë vendimin e shumicës votuese britanike (e theksoj, fatkeqësisht, në dëm të Europës, në dëm të Shqipërisë që kërkon t’i “zërë” vendin, qoftë kjo edhe një shumicë e thjeshtë matematikore, vendimmarrje e një kombi me vetëdije të epërme.
***
Prof. Fuga është i mendimit se “Mund te bej referendum për çështje te vogla locale: a doni bulevard apo doni unaze? Por jo për çështje epokale qe njerëzit as ja kane haberin.”
Besoj se shumica mendon ndryshe, që pjesëmarrja e popullit në referendum, e cila ka të bëjë me të ardhmen e brezpasbrezshme është shenjë e qenësishme e një regjimi demokratik. Nuk mund të lihet e ardhmja “epokale” në duar të një grushti njerëzish (ku një pjesë ndoshta, kërkojnë të bëjnë edhe eksperimente), sado të zgjuar qofshin. Jo, kjo do të ishte sipërmarrje e madhe!
T’i heqësh të drejtën popullit për referendum, do të thotë që të braktisësh idealin demokratik dhe t’i varësh shpresat te një trum(b)ë teknokratësh dhe oligarkësh.
Përse iu dashka besuar popullit që ai qenka i aftë të zgjedhë përfaqësuesit e vetë dhe t’i hiqet e drejta për diçka edhe më të rëndësishme?
***
“Referendumi është një gjendje psikologjike kolektive e një çasti te dhënë dhe nuk mund te vendosi për dekada a shekuj.” – vazhdon më tej Profesori.
Referendumet kombëtare zakonisht zhvillohen për çështje shumë të ndërlikuara. Nga ana tjetër, vendi shkon në referendum jo sot për nesër, por pasi zhurmon mas-media, pasi është bërë spektator i një debati të ashpër, pasi dëgjon të mirat dhe të këqijat e tij; pra ai dëgjon përplasjet dhe përballjet e më të mëdhenjve, pra të të zgjedhurve të tij dhe gjykon se kush ka më shumë të drejtë. Dhe, pasi është i bindur se cila është kauza më e drejtë, shkon në votim; ndryshe, nuk të pyet fare, nuk arrihet kuorumi i votuesve, rri në shtëpi, ose shkon kalon ditën diku gjetkë.
Profesor Fuga,
Normalisht dhe logjikisht, ai që është demokrat nuk mund ta hedhë poshtë idenë e referendumit, cilado qoftë arsyeja.
Më duket i kaluar mase mendimi juaj. Gjithçka mund të pritej, por që të kërkohej qysh në titull “konfiskimi” i kësaj forme të lartë të demokracisë nga ana juaj?!
Kjo jo, jo, jo! Kurrë nuk më kishte shkuar ndër mend.
***
“Referendumi është forme impotence e klasës politike qe nuk merr përgjegjësi ndonëse paguhet për këtë dhe ja hedh vendimin gjoja popullit.” – shkruan profesori.
Bash e kundërta është e vërtetë: Referendumi është formë potence (= fuqie) e klasës politike që merr përgjegjësi, sepse paguhet për këtë dhe fton popullin pasi e ka sqaruar se ç’vendim duhet të marrë.
Profesor,
Po cili është më i interesuar për të ardhmen e shtetit të fortë, për të ardhmen e vetë Kombit më shumë se sa populli i vet?
Vendimmarrja e të zgjedhurve të tij lidhur me referendumin është shumë e vështirë. Duke mos ditur t’u vënë pikat mbi i, të zgjedhurit në përmbushje të plotë të kushtetutës dhe ligjeve të miratuara pas debatesh si në asnjë vend tjetër, i drejtohen popullit.
Ata që kërkojnë referendum, sigurisht që nuk e kanë të lehtë. Referendumi është armë e vështirë për t’u përdorur.
Fare mirë kjo armë ka rrezik të madh që mos të shkrepë. Pra, mundet që populli, nëse nuk është i bindur për rëndësinë, në vend që të marrë pjesë, rri në shtëpi. Dhe ç’i mbetet pastaj qeverisë që e organizoi dhe harxhoi për referendumin?
Dhe, a i përfytyroni dot pasojat e katastrofës nëse nuk rezulton të merret vendimi i duhur?
Në rast dështimi të një vendimmarrjeje, ata, të zgjedhurit, oligarkët, teknokratët, euro-dhe burokratët, braktisin anijen, japin dorëheqje, kërkojnë një ndjesë, ikin “si minjtë” me avionë private dhe nuk u hyn gjemb në këmbë dhe gjithçka e “ha dhe e pi the people”.
Profesor,
A mund të na citoni, gjatë gjithë Historisë qoftë edhe një rast të vetëm ku populli të ketë marrë vendim në dëm të vetvetes, të ketë gabuar? Dhe të mos harrojmë se, në rastin në fjalë, bëhet fjalë për Britanikët, jo për ata që edhe mund të marrin (hipotetikisht) vendimet nën efektin e vapës apo të gjaknxehtësisë….
***
Referendumi, në një rast të tillë, patjetër që duhej, i dashur professor. Ju do të ishit në lartësinë e duhur dhe mund t’i mbronit tezat tuaja nëse Shqypnia, nga TirOna e cila avullon nga Dielli i nxehtë mesdhetar dhe shkëlqimtar, gjithsesi më pak bujar se në… Kabul – Katar, do të kishit rrëmbyer bririn e do t’u kishit bërë thirrje Britanikëve (edhe nga Fejbuku, sigurisht) që të votonin për mosdalje nga BE-ja. Kush e di, ndoshta – ndoshta, vinte fjala juan në vesh të Perëndisë e mund t’u ishte prishur mendja rreth 2, 3, 4, 5 % votuesve dhe të triumfonte teza dhe mendimi juaj dhe të plotësoheshin orekset e ne të tjerëve. Por tani që ata shkuan dhe morën vendimin siç ua deshi kokrra e qejfit, juve, mua, të gjithë të pakënaqurve të tjerë, s’na mbetet veçse të rrimë urtë!
***
Populli vepron pagabueshëm dhe në mënyrë racionale, ndërsa elita politike thjesht nëpërmjet disa librushkave dhe studimeve dhe urdhrave politikë-partiakë.
Edhe nëse ka njerëz me logjikë të fortë, ata prapëseprapë, shpeshherë ndodhen në mëdyshje: O dorëheqje, o t’u binden verbërisht vendimeve të njërës parti. Dhe parti, do të thotë pjesë. Dhe t’i bindesh pjesës, nuk do të thotë që ke marrë vendim të drejtë.
Prandaj dhe Mbretëria e Bashkuar iu drejtua referendumit, i dashur professor.
***
SHumë referendume do ta zvetënonin vetë nocionin e referendumit. Por, për çështje të mprehta për shoqërinë si p.sh eutanazinë, dënimin me vdekje, martesën e homoseksualëve, hyrjen në Bashkimin Europian, apo daljen prej Tij, sigurisht që DUHET të kalojnë vetëm me referendum.
Ta kalosh, apo të lësh, p.sh, ligjin e martesave të homoseksualëve vetëm në dorë të një duzine njerëzish, ku një pjesë mund të jenë të tillë, një pjesë mund të blihen (ju e përfytyroni si mund të derdhet paraja për miratime të tilla, për të kaluar ligje të tilla), kjo mua më duket marrëzi e kulluar.
Prandaj çështje të tilla duhet patjetër që t’i nënshtrohen plebishitit mbarëpopullor.
Çështje të tilla duhet të kalojnë vetëm nëpërmjet referendumeve.
***
Dhe tani, qershia mbi tortë e shkrimit të Profesorit vjen tek këto dy rreshta dhe përfundon me një pyetje:
“Edhe kombet e vjetër dhe të mëdhenj lajthisin.
…
Me referendum ne shqiptaret kërkojmë bashkim me Italinë…
A mendoni se nuk duhet e beje shume vape?”
***
Pikërisht, kjo është me të vërtetë pyetja që rimarr unë kësaj here professor.
Vetë profesori i ka dhënë një përgjigje të gjaaaaaatë.
Ju, i dashur lexues, nuk e di se si do t’i përgjigjeshit Z. FiLLozof, qoftë për “lajthitjen e kombeve të vjetër e të mëdhenj”, qoftë edhe për “bashkimin me Italinë”.
***
Së fundi, më lejoni që për Britaninë e Madhe të sjell do mendime, me siguri shkruar jo nën efektin e vapës, të mikut tim Prof. Bert Sheqi hedhur para do ditësh në rrjetin social Fb.
Ja se si e përjeton ai Brexit-in:
***
Britania i beri naftën Papës, sepse Shenjtëria e tij nuk i jepte divorcin mbretit, (ne një kohe kur kjo gjë dukej e fundbotshme);
Britania i humbi 13 kolonitë, sepse ato nuk pranonin t’i nënshtroheshin mbretit, (ata britanike krijuan ShBA-te, kombin me te fuqishem te botes);
Britania nuk iu nënshtrua Napoleonit, kur ai vuri nen thundër gjithë Evropën, (dhe e mundi pikërisht kur kjo dukej e pamundur);
Britania nuk iu nënshtrua as Kaizerit as Hitlerit, dhe i mundi te dy njeri pas tjetrit;
Britania as nuk mund, as nuk donte t’i nënshtrohej BE-rkel-Hollande.
Mesazhi shume i thjeshte:
Ose behet si do Britania, ose Britania sheh punën e vet. No hard feelings…!
Pike. (Albert Sheqi)
***
Nëse Mbretëria e Bashkuar është penduar / nxituar për referendumin, për të ndrequr “gafën”, Ajo prapë vetë e ka në dorë.
Ne, thjesht nuk na rrihet dhe flasim në vesh të shurdhër, ose ulërasim, por jemi të bindur që nuk kemi aq shumë fuqi saqë zëri ynë të dëgjohet atje ku duhet…
Në fund të fundit, nuk i ka mbetur “Shekspirit” që t’i mësojmë ne se si shkruhen dramat.