Ish -ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj, e gjykon me tone pesimiste daljen e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian. Sipas tij, largimi i Britanisë është me pasoja negative edhe për Shqipërinë dhe se do të shtyhet në një afat të pacaktuar data e çeljes së negociatave. Në një analizë për “Panorama”, Mustafaj i këshillon Kryeministrit Rama që të ndryshojë politikat e tij për të përshpejtuar mbërritjen e Shqipërisë në Bruksel.
Besnik Mustafaj është marrë botërisht vesh tashmë, britanikët zgjodhën me referendum daljen e vendit të tyre nga Bashkimi Europian. Titulli më i përdorur në mediat e mbarë botës, përfshirë edhe ato britanike, për ta përcaktuar këtë ditë, ishte: “E premtja e zezë për Europën”.
Përqasja e mendimit çon tek e premtja e zezë e kryqëzimit të Krishtit. Gjatë 24 orëve që pasuan, folën politikanët, politologët, gazetarët, përfaqësuesit e biznesit, artistët. Të rrallë qenë ata që shprehën gëzim. Midis atyre që u gëzuan, të paktën dy meritojnë të përmenden: Presidenti rus Putin dhe kandidati për President i SHBA, Donald Trump.
Vetëm Kryeministri Rama nuk u dëgjua. U bënë dhe vazhdojnë të bëhen prognoza pa fund, kryesisht pesimiste, rreth zhvillimeve të afërme që do të ketë qoftë brenda Britanisë së Madhe e qoftë brenda Europës së Bashkuar dhe pasojave mbi ekonominë, politikën, lëvizjen e lirë të njerëzve, e kështu me radhë. Në përgjithësi, politikanët dhe analistët e politikës kishin një pikë të ngjashme vështrimi: Si do të ndikojnë mbi vendin e tyre përkatës këto zhvillime të paparashikuara nga themeluesit e Bashkimit Europian dhe nga dokumentet themeltare, mbi të cilat mbështetet funksionimi i sotëm i këtij Bashkimi?
Që do të thotë se të gjithë janë të bindur se dalja e Britanisë së Madhe nga BE përbën një tërmet planetar, goditjet e të cilit prekin vendet e mëdha e të vogla, të pasurat e të varfrat, anëtare të BE e jo. Shqipëria nuk mund të bëjë përjashtim, edhe pse qeveria jonë nuk duket hiç e shqetësuar. Le të përpiqemi të parashikojmë çfarë pasojash do të kenë për Shqipërinë këto zhvillime. Qysh në mëngjesin e së premtes, kur sapo ishte zyrtarizuar rezultati i referendumit, Presidenti i Komisionit Europian, Jean¬Claude Juncker, deklaroi se në vazhdim do të ketë “më pak Europë për të vegjlit”.
Përjashtuar Turqinë, të gjitha vendet aspirante për në Bashkimin Europian, e që janë Serbia, Shqipëria, Bosnje¬Hercegovina, Maqedonia, Mali i Zi e Kosova bëjnë pjesë te “të vegjlit”. Sepse të vegjlit që janë brenda Bashkimit me siguri që do të marrin më shumë Europë në të ardhmen, si domosdoshmëri për t’i prerë rrugën orvatjes që shembulli anglez të përhapet si një sëmundje vdekjeprurëse. Një nga të vegjlit që janë brenda Bashkimit, konkretisht Republika Çeke, la të kuptohej qysh ditën e parë se një referendum i tillë mund të zhvillohej edhe atje. Dëmet, sidomos ato ekonomike, që pësoi Britania e Madhe u shfaqën qysh në orët e para, kur monedha e tyre, paundi, u zhvlerësua marramendthi me 10 për qind. Këto dëme me siguri që do t’i shtyjnë vendet e Europës t’i vënë gishtin kokës para se të flasin për dalje nga BE. Unë besoj në këto vende do të zvogëlohet euroskepticizmi pikërisht si pasojë e pasqyrës së frikshme britanike. Kjo gjë duket se është kuptuar menjëherë edhe në Bruksel dhe do të bëhet gjithçka për ta rënduar situatën për britanikët.
Afatet normale për të përfunduar procedurat e daljes nga BE do të duhej të shkonin deri në 2 vjet. Por, me sa duket, gjërat nuk do të shkojnë kështu. Presidenti i Komisionit Europian, Jean¬Claude Juncker, Presidenti i Parlamentit Europian, Martin Schulz, dhe Presidenti i Këshillit të Europës, Donald Tusk, në një deklaratë të përbashkët kanë kërkuar që “Britania të largohet sa më shpejt të jetë e mundur, për të mos zgjatur paqartësitë”.
Pra, të vegjlit, për të cilët në vazhdim do të ketë më pak Europë, jemi ne, pavarësisht se zgjedhja jonë është krejt e kundërta. Shqipëria është vend kandidat për në Bashkimin Europian dhe në prag të çeljes së negociatave. Në rastin më të keq, këto negociata do të çeleshin vitin e ardhshëm. Kam ndjekur me vëmendje të veçantë sidomos deklaratat e udhëheqësve të vendeve me peshë të madhe në Bashkimin Europian lidhur me të ardhmen e Bashkimit pas daljes së Britanisë së Madhe. Pothuaj të gjithë, qofshin në pushtet e qofshin në opozitë, e kanë prekur çështjen e zgjerimit. Këtu nuk e kam fjalën për udhëheqësit populistë të partive antieuropiane, por për ata që punojnë me zell për forcimin e Bashkimit. Ata kanë përmendur ose që “zgjerimi do të stopohet”, ose që “zgjerimi do të ngadalësohet”, gjë që është në fund të fundit e njëjta gjë. Në asnjërin rast nuk na kanë dhënë shpresë të madhe. Një qëndrim i tillë ka shpjegimin e vet.
Një nga argumentet më të theksuara nga ithtarët e daljes gjatë fushatës katërmujore në Britani, ishte se është tepruar me zgjerimin, Bashkimi Europian me 28 anëtarë është bërë një organizëm i rëndë, i pamanovrueshëm dhe se anëtarët e rinj, të ardhur nga Lindja ish¬komuniste, vetëm janë bërë barrë mbi taksapaguesit europianë me fondet që thithin nëpërmjet Brukselit, siç edhe krahu i punës i ardhur nga këto vende është konkurrent i pandershëm për punëkërkuesit në vendet perëndimore nëpërmjet pagave të ulëta që pranon. Në të vërtetë, të gjitha vendet e vogla të Ballkanit Perëndimor kanë së bashku popullsi më pak se një vend i madhësisë mesatare anëtar i BE. Kësisoj, sikur të gjashta këto vende së bashku të pranoheshin nesër në BE, nuk do të përbënin dot realisht një peshë për të rënduar as buxhetin, as tregun e punës. Por udhëheqësit e BE kanë nevojë urgjente t’i tregojnë opinionit publik në vendet e tyre se kanë nxjerrë mësimet e duhura nga përvoja e hidhur britanike. Në këto rrethana ne jemi të pafuqishëm të bëjmë diçka. Por për shoqërinë e një vendi si Shqipëria, mesazhet që vijnë nga Brukseli kanë një rëndësi jetike.
Ne kemi një klasë politike pa ideale demokratike dhe pa aftësi shtetformuese të vërteta. Por kemi një opinion publik me dëshirë të madhe për t’u integruar në Bashkimin Europian. Në këto kushte, ka pasur dhe ka një aleancë të qëndrueshme midis institucioneve europiane dhe opinionit tonë publik. Rrjedhimisht, ku më shumë e ku më pak, shoqëria jonë i ka plotësuar nevojat e veta për reforma nëpërmjet presionit që institucionet europiane kanë ushtruar mbi klasën politike shqiptare. Ky presion do ta humbte peshën në rast se atij i hiqej ose i dobësohej argumenti i vet madhor: plotësimi i kushteve për çeljen e negociatave. Ndërkohë që jemi në fazën finalizuese të Reformës në Drejtësi, jemi në fazë të rëndësishme të reformës zgjedhore, pa të cilën nuk do të kemi zgjedhje të lira dhe të drejta vitin e ardhshëm. Janë edhe një sërë reformash të tjera, të njoftuara, me rëndësi të madhe për ekonominë, të cilat vështirë të realizohen në kohë dhe në cilësi vetëm me vullnetin e politikëbërësve tanë. Është edhe programi i paraaderimit (IPA).
Gjatë këtyre 25 vjetëve Shqipëria ka marrë nga Bashkimi Europian më shumë se një miliard euro mbështetje. Këto fonde nuk kanë qenë as kredi e as ndihmë humanitare. Ato kanë ardhur me qëllim për ta ndihmuar infrastrukturën shqiptare për të rritur standardet. Deri tani ishte premtuar një rritje e ndjeshme e këtyre fondeve pas çeljes së negociatave, siç ka ndodhur edhe në vendet e tjera ish-komuniste gjatë rrugëtimit për në BE. Ma merr mendja se Shqipërisë në javët e në muajt në vazhdim nuk do t’i thuhet zyrtarisht se mbërritja e saj në Bruksel është shtyrë për një afat të pacaktuar. Por de facto janë të gjitha gjasat që fondet për IPA të rrudhen. Edhe kjo masë do të bëjë pjesë te shembujt, që udhëheqësit europianë do të përpiqen që t’i japin shpejt e shpejt opinionit publik të vendeve të tyre mbi mësimet që kanë nxjerrë nga “gabimet e së shkuarës”.
Na pëlqen s’na pëlqen ne, edhe kjo sjellje e leadership¬it europian është e logjikshme. Për fatin tonë të keq, shumë nga këta udhëheqës shtetesh e qeverish vitin e ardhshëm kanë zgjedhje e do të sillen si në fushatë. Por çfarë do të bëjë leadership¬i ynë, e posaçërisht qeveria, në këto rrethana të reja? Pak ose aspak ka vend për besim se kryeministri ynë dhe ekipi i tij do të tregohen në lartësinë e rrethanave. Vetëm një gjë është e sigurt: Rama do të humbë një mundësi për të bërë shantazh mbi Brukselin. Ai, me një megalomani të verbër, ka pohuar disa herë publikisht gjatë këtyre tre vjetëve se po nuk u përshpejtuan procedurat e hapjes së negociatave, ne do të kërkojmë një drejtim tjetër për të ecur përpara.
Drejtimi tjetër që do ta zemëronte Europën ishte dhe është Rusia. Pavarësisht sa e rrënjosur ka qenë dhe është në kokën e tij kryeministrore një alternativë e tillë për politikën e jashtme të Shqipërisë, shqiptarët nuk do ta pranonin kurrë. Shqiptarët janë dhe do të mbeten pro perëndimorë, unë jam i bindur. Detyra e Ramës në këtë kontekst nuk është për të gjetur aleanca të reja. Ai e ka detyrë historike të ndryshojë sjelljen e vet, të ndryshojë dhe politikat e tij, për t’u dhënë një dinamikë të re, në mënyrë që besimin e shqiptarëve tek e ardhmja e vendit të tyre të mos e përcaktojë doemos kalendari i procesit integrues në BE. Po nuk e përballoi këtë detyrë, historia do ta ndëshkojë. Edi Rama, me po të njëjtën megalomani, ka deklaruar shpesh se punon për të nesërmen për të zënë një vend të madh në histori. Por, para se historia të bëjë punën e vet, duhet që zgjedhësit shqiptarë të bëjnë punën e tyre. Nuk ka rrugë tjetër për ta shpëtuar frymën perëndimore në atdheun tonë.