NGA ARTAN FUGA*
Dikur, më kujtohet se organizoheshin ato që quheshin manifestime.
Nuk e dinë këta të rinjtë e sotëm se çfarë ishte një manifestim! Këta njohin pub-e, lloto, kafe, llogje, vetura që fishkëllejnë gomat, kokoshka në sallë kinemaje ku shfaqet ndonjë film lëre mos e pyet, dhe kujtojnë se kështu ka qenë gjithmonë.
Ne kishim Manifestimin.
Manifestimi ishte një shfaqje që rinia jepte në stadium duke bërë ushtrime fizkulture të ndryshme dhe mbushur fushën e blertë si edhe shkallaret përballë Tribunës Qendrore ku vinin udhëheqësit për të parë sa rini të shëndetshme, të gëzuar, dhe energjike kishte krijuar kombi.
Vinin edhe diplomatë të huaj që shihnin imazhin e Shqipërisë që grusht bashkuar rreth sportit tregonte se çfarë ishte në gjendje të bënte.
Ishin manifestime politiko-sportive që bëheshin një herë në pesë vjet ose me raste ngjarjesh të rëndësishme.
Jepeshin edhe në televizion për popullin që bombardohej me imazhe televizive ngjyra – ngjyra që e ngazëllenin duke e mbushur me krenari për brezin e ri që ishte në gjendje të jepte ato shfaqje të bukura.
Dukej si një teatër gjigand ku mijëra të rinj e të reja shpalosnin me ngjyra të ndezura veshjet e tyre sportive, bënin ushtrime me shkopa që imitonin pushkët, vajzat hidheshin në litar, buqeta me lule i lëviznin nëpër duar e mbi kokë duke ndryshuar nga një çast në tjetër pamjet që fanepseshin në televizor ose edhe në sytë e udhëheqjes që shihte nga tribuna. Në sytë e udhëheqjes, por edhe të ofiqarëve të tjerë.
Fap, një komandë, dhe ne hapnim mbi kokat tonat një nga faqet e një libri stërmadh me kartona me ngjyra të ndryshme. Nuk e dinim se çfarë figure krijohej nga ai gjest dhe veprim që bënim.
Kartonët i mbanim mbi kokë.
Më vonë e shihnim se çfarë kishim bërë duke shfletuar mekanikisht kartonët mbi kokat tona, pra kur shihnim veten në televizor në darkë, në ritransmetim.
Pse nuk dinim se çfarë imazhi formonim duke hapur faqen e libri mbi kokë?
E para, sepse ne hapnim faqen e librit sipër kokës sipas komandës që na jepej, por ajo që ndodhte kryhej mbi kokat tona. Ne ishim poshtë librit të madh prej kartoni që mijëra vetë mbanin mbi kokë. Ne ishim poshtë librit që shpalosnim vetë në një errësirë të plotë, si në tunel.
E dyta sepse secili ndryshonte mbi kokë faqen e librit të tij, por nuk dinte se çfarë kishte libri i tjetrit, i të tjerëve, secili ishte i pafajshëm për figurën tërësore që krijohej.
Vetëm nga tribuna ose në televizor syri i popullit dhe i udhëheqjes kryesore arrinte të shihte se çfarë imazhi krijohej. Prandaj duartrokisnin të entuziazmuar.
Rinia e vendit, rinia e tyre, rinia po jepte një manifestim politiko-erotiko-sportiv mbushur me fjalët që përdorte media e kohës :
“heroike”,
“e dashur”,
“i shtrenjtë”,
“sytë e ballit”,
“gjokset tona”.
Një pështjellim që sot të vjen për të vjellë ku djersa, sporti, fasada, politika, vuajtja, imazhi, madhështia, propaganda, përzjeheshin sëbashku në stadium.
Të guxonte kush të thoshte : Ore, çfarë po bëhet këtu?
Komandat vinin njëra pas tjetrës.
Njishiiiiiiiiii,
bërtiste dikush me piskamë, dhe të gjithë ne shfletonim faqet prej kartoni të rëndë mbi kokat tona. Më vonë shihnim në televizor se kishim krijuar ta zëmë portretin e ministrit të mbrojtjes.
Dyshiiiiii,
fap lëviznim me shpejtësi duart, pa ditur atë çast seçfarë rezultati kishte dhënë veprimi i secilit bashkuar me atë të të tjerëve.
Më vonë shihnim se dyshiiiiiii kishte krijuar portretin e sekretarit të parë të partisë të Tiranës.
Treshiiiiii,
dhe mbi kokat tona ishte krijuar imazhi i një përqafimi i kryeministrit të asaj kohe me Cuen Lain që kishte ardhur nga Kina a nga Koreja se nuk e mbaj mend mirë.
Katraaaaaaa, dhe fap një uzinë çeliku.
Pesaaaaa, një ushtar sypatrembur që qëllonte pa mëshirë mbi armiqtë e brendshëm.
Gjashtaaaaaa, sa hap e mbyll sytë, një bujkeshë me qengja nëpër duar që shikonte me sytë me ngazëllim nga Tribuna Qendrore.
Shtataaaaaaa, kopshte fëmijësh ku rriteshin të lumtur fëmijë tre-vjeçarë plot hare.
Tetaaaaaaaa, dhe portreti i madh i Udhëheqësit kryesorë, atij që i vinte dhe i hiqte të gjithë, krijohej mbi kokat tona pa e ditur as vetë ne.
Ne nuk dinim se çfarë bënim në stadium, në atë miting erotiko, politiko, sportiv.
Udhëheqësi i lumtur në tribunë shihte veten në imazh përball dhe duartrokiste shfaqjen tonë, manifestimin tonë, që kishim krijuar Veten e Tij në imazh.
Vetëm ai e kuptonte se çfarë figure kishim bërë të fanepsej mbi kokat tona.
Ne vetë, ishim të zhytur në errësirë poshtë imazhit të bukur që kishim krijuar.
E krijonim çdo pesë vjet.
Njishiiiiii
Dyshiiiiiiiiiiiii
Treshiiiiiiiiiiiiiiii
Katraaaaaaaaaaaa
Pesaaaaaaaaaaaaaaa
Njëqindepesëdhjetreshiiiiiiiiiii
Pesëqindedymbëdhjetaaaaaaaaaa
Dymijëgjashtëmbëdhjetaaaaaaaaaaaaaaa
Tremijenjishiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiii
Fap e fap, ne si robotë lëviznim duart mbi kokë duke shfletuar librin e madh. Poshtë kartonave, në errësirë, dëgjonim duartrokitjet e të gjithë stadiumit.
Kushedi çfarë figurash kishim krijuar të gjithë bashkë mbi kokat tona që i mbanim mbi supe.
Sporti ishte lidhja e popullit me politikën që krijohet mbi kokat tona.
Solidaritet i pathyeshëm i krijuar nga vetë ne.
Pa e ditur as vetë çfarë kishim bërë.
Parë nga lart – poshtë shiheshin figura plot ngjyra që kishin një gjallëri lulesh të të gjitha stinëve.
Kurse ndjerë nga poshtë – lart, errësirë dhe djersë, ne që qendronim në errësirë, poshtë katramave, plot djersë, duke na u marrë fryma, dhe që me komandë lëviznim duart duke shfletuar secili kartonët me ngjyra mbi kokat tona.