Disa shkallë, një godinë me çati mbuluar nga muret prej blloqesh betoni; planimetri me tri dhoma dhe një aneks kuzhinë, foto të njerëzve të dashur jetëprerë nga marrëzia, të varur në mure, ku gëlqerja e bardhë përpiqet të shuajë ngjyrën e viteve, por jo kujtimin e gjakut që spërkati këto mure…
Dysheme e ftohtë mbushur me ajër të mbytur nga ngashërimet. Kjo është shtëpia ku, më 29 maj të vitit 1992, ndodhi ngjarja më e rëndë e asaj kohe, e etiketuar si “Masakra e Libofshës”. Shtëpia ndodhet në brendësi të fshatit Libofshë, në një kënd, ku është luajtur tragjedia më e dhimbshme dhe e skalitur në memorien e gjithë shqiptarëve.
Pesë anëtarët e familjes Pupa u masakruan dhe u vranë brenda shtëpisë, ndërsa drejtësia shpalli fajtor dhe ekzekutoi me dënimin me vdekje, varje me litar, vëllezërit Josif dhe Dritëbardh Çuko, nga fshati Libofshë. Në këtë shtëpi prej vitesh jeton pjesa e mbetur gjallë e familjes; Mustafa Pupa, 62 vjeç, me bashkëshorten Vezire, 56 vjeçe. Familja përjeton 24vjetorin e vdekjes së tyre. Por, për ata, gjithçka duket sikur ka ndodhur dje. Pengu më i madh, që i shoqëron në jetë, është pse nuk u ngritën kur dëgjuan zhurmat dhe lehjen e qenve, për të ardhur nga shtëpia e tyre, në shtëpinë ku jetonin babai me nënën dhe vëllai me bashkëshorten, po ashtu edhe foshnja 8 muajshe, Petriti, Zenepja, Agimi, Rajmonda dhe Magdalena Pupa. Ku i dihet, mbase edhe mund t`i kishin shpëtuar.
Kujtesë e frikshme Të dy bashkëshortët ritregojnë prej vitesh atë që kanë përjetuar atë mëngjes të datës 29 Maj, ndërsa Mustafaj kërkon nga shteti vënien përballë drejtësisë të autorëve të tjerë që kanë marrë pjesë në këtë ngjarje. Sipas tij, nuk mund ta kryenin atë masakër dy persona. Të tjerët janë të lirë pohon ai. “Më ka ngelur si peng. Ndjej shtrëngim në frymëmarrje dhe një ngërç, që më ka sëmurur e detyruar të marr ilaçe. Mund të kisha shpëtuar vëllanë, babanë, nënën dhe, sidomos, mbesën… Isha në gjumë! E kam parasysh si tani atë natë. Vëllai ishte përgatitur të shiste disa dele nga tufa e tij në pazar. Po gdhihej. Qentë lehën aq fortë dhe gjatë sa dhe ime shoqe më tha që diçka po ndodhte në shtëpinë ngjitur,që ishte e vëllait. Shtëpi e re, e ndërtuar me kontribut vullnetar nga bashkëfshatarët që nuk merrnin lekë nga krahu i punës, por vetëm falënderime dhe ushqim për të gjithë. Unë e qetësova dhe i thashë se ishin bashkëfshatarë që shkonin për pazar. Nuk e merrja kurrë më mend se kur unë flija gjumë, familja ime masakrohej me sëpatë dhe me thika nga hajdutët. Në mëngjes dëgjova bariun e dhënëve që thërriste sa emrin e babait dhe më pas emrin e vëllait. Çudi, mendova, të jenë duke fjetur ende?! Kapërceva murin ndarës të shtëpive dhe pashë se vazot e luleve ishin lëvizur nga vendi. Pastaj pashë copa qelqeje nga xhami i dritareve. Dera kryesore ishte paksa e hapur. Në korridor gjeta nënën duke dhënë shpirt mes gjakut. Në njërën dhomë babanë, rënë në krevat. Në dhomën tjetër ishin vëllai Agimi me nusen. Ajo kishte dorën vënë përmbi kokë sikur po mbrohej nga goditjet. Mbesa e vogël, po në mes të gjakut, merrte frymë lehtë. Vetëm gjak në mure dhe në dysheme. Kjo më është ngulitur thellë në mëndje dhe sa herë kaloj nëpër korridor apo hyj në dhoma, shikoj trupat e tyre mes gjakut”.
Rrëfim
“I kam thënë për 24 vjet këto fjalë. Kam treguar qindra herë këtë ngjarje. Por pengu, pengu që në këtë ditë që ne flasim ka ende në liri njerëz që vranë vëllanë tim dhe familjen time, të padënuar, më mban frymën”,ofshan ai.
Pse thoni se ka patur persona të tjerë në këtë ngjarje?
“Ata hajdutët, vrasësit, nuk ishin vetëm. Nuk mund të shuanin një familje me pesë anëtarë dy kriminelë ordinerë. U arrestuan edhe të tjerë, por u liruan. Dy vetë arritën të futeshin brenda nëpërmjet dhomës ku flinte vajza e vogël, mbesa ime Magdalena. Përthyen hekurat e dritares dhe krijuan një pjesë të lirë për tu futur brenda shtëpisë. Të tjerët ruanin jashtë. Njëri rrinte te hyrja e shtëpisë time për të më ruajtur mua që nëse dilja, të më vriste. Ata e dinin që unë dilja nga shtëpia, sepse prisja ato ditë lopën që ishte barsë. Por atë natë nuk dola. Komshinjtë i kanë parë hijet që rrinin jashtë. Ishin më shumë se dy. Këta më ato punë merreshin. Pas orës një e gjysmë të natës vidhnin duke hapur dyert. Gjyqtari këtë tha në gjyq. Këta meritojnë varje! Në shtëpitë e vrasësve gjetën mjaft gjëra të vjedhura nëpër fshat”!
Tashmë pas 24 vjetësh si shkoni me familjen e autorëve?
– Në fillim ishte gjaknxehtësi. Ata janë tre barqe fëmijësh. Barku i tyre, i sjellë më vete në fshat nga nëna, u eliminuan nga shteti. Të tjerët janë bark tjetër, siç i themi ne. Ata kanë punuar dhe ndërtuar këtë shtëpi ku jetoj unë tani e që ka qenë e vëllait. Ndihem keq kur shikoj fotot e vëllait, kunatës, mbesës. Ishin më të rinj se unë. Tani kam tre djem. Jetoj për ata. Nuk dua të përzihem me askënd e, aq më keq, me fisin e vrasësve. Ata në punë të tyre, unë në punë time.
Keni ngritur akuzë për pjesëmarrës të tjerë?
Po! Kam shkuar në prokurori, tek ajo më e larta. Kam takuar edhe Azem Hajdarin ato ditë. Fillimisht ai më tha duke i rënë drejt. Nuk na lë Europa të varim njerëz, sidomos dy vëllezër. Por drejtësia do t`i ndëshkojë vrasësit, më siguroi. Gjyqi u bë shpejt dhe vrasësit u varën. Prokuroria nuk e pranoi atëherë kërkesën time.
Gruaja Vezire Pupa sot është 56 vjeçe. Tregon se ka qenë një ditë më parë në varreza.
“Mundohemi të mbajmë gjallë, jo vetëm kujtimin e tyre, por edhe këtë shtëpi që ata e ndërtuan dhe e lanë me gjak. Ka qenë e enjte… E mbaj mend shumë mirë sepse të premten ishte ditë pazari. Kanë ardhur shumë gazetarë këtu në këtë prag shtëpie. Por nuk kanë shkruar e thënë të gjithë të vërtetën që kemi pohuar ne. Kanë shkruar edhe sikur jemi takuar me hasmin. Jo. Kurrë! Nuk jemi takuar dhe as folur me ta! S`kemi punë dhe shikojmë hallin tonë. Kunati kishte ndarë tri dele mënjanë për t`i shitur. E kishte vendosur që të shkonte në pazar. Pasi i dhashë të pinte djalit, ramë të flinim me burrin. Dëgjova zhurma dhe lehje qensh. “Është ditë pazari”, –më tha burri. Dhe fjetëm. Të nesërmen pasi çobani thirri dhe s’po përgjigjej njëri, burri u ngrit dhe më tha: Është bërë një gjë andej nga babai. Po dyshoj… Dhe pasi hoqi një vazo lulesh për të kaluar, pa se vazot e tjera ishin larguar nga vendi dhe xhamat e dritares ishin hequr e disa kishin përfunduar të thyer. Dera ishte e hapur. Mamaja ishte në korridor, babai në një dhomë, çifti në dhomën tjetër. Të gjithë në mes të gjakut. Pastaj s’mbaj mend ç’ndodhi. Vetëm ulërima, thirrje, njerëz, polici, tmerr. Vranë sepse e dinin që ai ishte njeri punëtor dhe donin të vidhnin pasurinë e tij, lekët. Por, të lutem, shkruaje! Kam peng që të paktën të ishte mbesa e vogël gjallë. Të gëzonte ajo këtë shtëpi. Shitëm tonën dhe erdhëm këtu. Por sa do të doja që kjo shtëpi të ishte të paktën e mbesës”.
Versioni zyrtar i masakrës I përmendur qindra herë në raportimet e gazetarëve të medieve të ndryshme raporti zyrtar sjell para publikut dinamikën e ngjarjes së ndodhur 24 vjet më parë. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 00. 45, të datës 29 Maj 1992, në shtëpinë pronë e familjes Pupa. Ata kanë shfrytëzuar dritaren e njërës prej dhomave ku flinte foshnja tetë muajsh, Magdalena. Kanë përkulur majat e hekurave të dritares, kanë hequr njërin prej katrorëve të xhamave të saj dhe janë futur në brendësi të banesës. Me qetësi kanë goditur me një sëpatë mbi 30 vjeçarin, Agim Pupa, që kishte vetëm pak ditë që ishte kthyer nga Greqia, ku kishte emigruar për afro 1 vit. Po me sëpatë ata kanë qëlluar mbi bashkëshorten e Agimit. Ajo ka ndier nëpër gjumë hapat e hajdutëve dhe është përpjekur të dalë nga dhoma. Aty mes dhomës është qëlluar me sëpatë, duke vdekur me dorën mbi ballë, për tu mbrojtur nga goditja. Autorët, më pas kanë lidhur nënën e Agimit, Zenepen, dhe, pasi janë përleshur me burrin e saj, Petritin, e kanë qëlluar atë për vdekje. Vrasësit kanë torturuar gruan e moshuar, duke dashur që ajo të tregonte lekët, kursime të të birit, dhe e kanë lënë duke dhënë shpirt në korridor. Foshnja e vogël ka qarë vazhdimisht dhe autorët e kanë goditur atë me levë pas qafe, madje i kanë përdredhur edhe kokën. Mustafa Pupa është përballur me skenën e llahtarshme në mëngjesin e ditës pasardhëse. Fillimisht ai ka parë nënën e përgjakur të shtrirë në korridor, muret dhe deri dhe tavanet e gjakosur. Nëna, Zenepja ka vdekur dy orë më pas, rrugës për në spital. Ekspertiza mjekoligjore ka nxjerrë se çifti i bashkëshortëve, Agim dhe Rajmonda Pupa, vdiqën në vend pas goditjes. Të katër viktimat kanë patur shenja të goditjeve të thella me sëpatë. E mitura, goditje me levë dhe spërdredhje të kokës! Andon Beta, gjyqtari i fundit që dha vendim për dënim me varje Kryetari i trupës gjykuese të kësaj çështjeje ka qenë Andon Beta. Sot ai ushtron profesionin e avokatit pranë Dhomës së Avokatëve, Fier. Atë ngjarje s`mund ta harrojë lehtë. E pranon. Di çdo detaj të atij vendimi, madje mban mend edhe sallën ku u mbajt seanca. Sigurisht nuk ka qenë si gjithë seancat e tjera të jetës së tij: “Atë ngjarje mundohem ta harroj, por s’mundem. Ishte tmerr! Me prova shkencore u provua autorësia e tyre, Plus dhe dy të pandehurit e pranuan vetë autorësinë, pa harruar këtu edhe dëshmitarë të ngjarjes, që identifikuan autorët. Kujtoj se dënimi u krye shpejt. Ngjarja ishte tronditëse. Jo vetëm se dënimin e kërkonte opinioni qytetar, por të bazuar në ligj shpejtuam gjykimin. Shorti më ra mua. U futa të studioja çështjen, përcaktova masat për gjykim, lajmërimin e të pandehurve, palës mbrojtëse, dëshmitarëve. Gjyqi është zhvilluar në një nga sallat kryesore të gjykatës. U zhvillua me ftesa. Salla mbante brenda saj 250 vetë. Kaq mund të them se morën pjesë atë ditë në seancë.
Çfarë mbani mend nga dhënia e vendimit?
Përgjegjësia ishte e madhe për të dhënë një dënim kapital. Nuk është e lehtë të japësh një vendim të tillë. Duke patur parasysh rrezikshmërinë e veprës, egërsinë me të cilin ishte kryer vepra penale, sidomos ekzekutimi, jo vetëm i katër viktimave, por i fëmijës, mbaj mend në këtë proces skenën e demonstrimit të të pandehurit për pesë viktimat. Sidomos të fëmijës së goditur me levë, e thyer qafën. Dhashë vendim; dënim kapital me varje në litar! Lexova vendimin .Salla ishte e tëra sy e veshë. Pastaj lexova pjesën e fundit ku u shpreha se kishin të drejtë të apelonin vendimin në shkallën e dytë! Jam larguar dhe në dalje të sallës më prisnin kolegë të mitë. Më dhanë dorën dhe nuk flisnin. Në shtëpi atë natë s`kam futur gjumë në sy. Ndihesha mirë si zbatues ligji. Keq si njeri. Nuk u ankimua si vendim. Presidenca nuk ushtroi të drejtën e faljes!
Sot a jeni takuar ndonjëherë me pjesëtarë të familjes së të dënuarve me varje?
Po, më kanë takuar e ëma dhe motra e tyre. Fillimisht kishin paqartësi. I kam pritur dhe takuar e kam biseduar me to. Është nënë. Është motër. Fillimisht kishin kritika. Thoshin se në këtë ngjarje kishin gisht edhe të tjerë. Mirëpo nuk u provua që kishte të tjerë autorë. Plus që dy të varurit pranuan gjithçka, deri dhe autorësinë. Ato kanë ardhur vazhdimisht. Ndërsa sa herë me vjen nëpër mend ajo ngjarje ndihem keq. Sidomos për viktimat.
Vendimi:Varje në litar
Varja në litar e dy vëllezërve nga Libofsha ka shënuar ekzekutimin e fundit të dënimeve me vdekje në Shqipëri. Ky dënim u kundërshtua fort nga organizmat ndërkombëtarë, ndërsa opinion vendas nisur nga natyra e krimit, por edhe numri i viktimave, i ka dhënë dënimit mbështetje maksimale. Pamjet e transmetuara nga televizioni i vetëm në Shqipëri, ai shtetëror, tronditën ato kohë publikun, ende të pamësuar me kronika të llojit të tillë, skajshmërisht makabre. Procesi gjyqësor zgjati 24 ditë. Në fund të atij procesi, në sheshin qendror të qytetit u vendosën trekëndëshat me litar. Vendimi u ekzekutua në orët e para të ditës së 25 Qershorit 1992. Josif dhe Dritëbardh Çuko, nga fshati Libofshë u varën në mes të qytetit të Fierit dhe trupat u lanë të varur deri mbrëmjen tjetër, për t’u parë nga turma njerëzisht që erdhën dhe nga qytetet e tjera. Dëshmitarë të ndryshëm, por edhe foto të kohës, tregojnë ato çaste kur të dy vëllezërit kanë qëndruar të varur për tu parë nga të gjithë grupmoshat, fëmijë, të rinj, të moshuar. Krimi ishte goditur edhe pse me metoda komuniste. Pasditen e datës 25 qershor, moti përkeqësohet papritur. Një shi me erë të fortë e suferinë i bashkëshoqëruar dhe me shkreptima rrufesh ka pushtuar zonën. Moti i egër dhe trupat e pajetë që tundeshin në erë, janë dëshmia e fundit e ngjarjes monstruoze të njohur me emrin “Masakra e Libofshës”! Shekulli