Një milion lekë për ekzekutimin e vendimit të gjykatës dhe kompletimi i shtëpisë me perde të reja. Ky është pazari që bën drejtori i IMTV-së së Lushnjës, Dilaver Dupi, me një qytetare në këtë qytet, e cila prej vitesh është duke kërkuar nëpër dyert e gjykatave dhe të Bashkisë së Lushnjës pronën që i ka lënë babai.
Nurieta Shefa nga qyteti i Lushnjës është sorollatur për katër vite nëpër dyert e gjykatave për këtë, por sikur të mos mjaftonte, ka hasur në një tjetër problem. Edhe pse pronare me të drejta të plota, kjo e mbështetur dhe me një vendim gjykatë të formës së prerë, nuk mundi t’i shpëtonte dot mitmarrjes në administratë.
Drejtori I IMTV-së në Bashkinë Lushnjë, Dilaver Dupi, nuk zbaton vendimin e formës prerë të gjykatës, pa marrë “kafen “e tij.
Nurieta Shefa ka deklaruar që me kthimin e saj nga Greqia ku punonte me bashkëshortin dhe fëmijët në emigracion, ka parë që në sipërfaqen e tokës së saj së trashëguar nga i ati, ishte ngritur një mur avllie i ndërtesës së fqinjëve të saj.
Fillimisht ajo është ankuar në Bashkinë Lushnjë, për këtë fakt duke denoncuar fqinjin e saj. Kryebashkiaku Fatos Tushe ka urdhëruar ngritjen e një komisioni me specialistë të bashkisë për të vërtetuar nëse prona ishte zënë dhe për të caktuar në terren kufijtë e pronës së zonjës dhe fqinjit të saj. Ndërkohë një nga anëtarët e komisionit të matjes së sipërfaqes së tokës dhe konstatimit të pronës, ka qenë edhe Dilaver Dupi, i cili sot mban postin e drejtorit të IMTV-së. Në atë kohë kur është mbajtur procesverbali nga bashkia, ai sipas zonjës Shefa, i ka kërkuar asaj 300 000 lekë. Gjithashtu i kërkon edhe kompletimin e shtëpisë së tij në Tiranë me perde dhe korniza inoksi, pasi Nurieta zotëron një dyqan perdesh në qytetin e Lushnjës.
Shuma e kërkuar ishte për të përshpejtuar matjen e sipërfaqes tokës dhe kthimin e përgjigjes nga ana e Bashkisë së Lushnjës. Komisioni vërteton se prona është e zonjës dhe kryebashkiaku e drejton në gjykatë, që të merret servituti i kalimit. Pra, të caktohej një rrugë kalimi për familjen me të cilën ishte në konflikt zonja Shefa.
Pas një maratone katër vjeçare, familja e zonjës Shefas ka fituar gjyqin në 2 shkallët e gjykimit duke marrë edhe formën e prerë. Gjykata lëshon urdhër ekzekutimi për lirim dhe dorëzim sendi (truallin). Ky vendim u dha në janar 2015 dhe përmbarimi vendosi piketat në maj 2015. Por edhe pse ka një vit që ky vendim është marrë nga ana e gjykatës, ai nuk është zbatuar akoma nga ana e Bashkisë së Lushnjës.
Kjo pasi sipas zonjës Nurieta Shefa, është Laver Dupi, aktualisht drejtor i IMTV –së në Bashkinë Lushnje, i cili edhe pse ka marrë urdhër nga kryebashkiaku i Lushnjës, nuk e zbaton vendimin.
Zonja Shefa e ka denoncuar këtë fakt në emisionin “Fiks Fare”.
Fillimisht në dyqanin e zonjës ka ardhur zoti Laver Dupi, i cili me të marrë urdhrin, i ka treguar zonjës se ishte ai që do e zbatonte vendimin e gjykatës. Sërish kërkon kompletim të shtëpisë së tij, në Lushnjë kësaj radhe, me perde, të cilat sipas zonjës Shefa kapnin shumën e 1 milion lekëve (të vjetra). Drejtori Dupi prapë nuk e ekzekutoi urdhrin me pretekstin se duhet të jetë e pranishme zyra e përmbarimit. Pasi zyra e përmbarimit kthen përgjigje se e ka mbaruar punën e saj në terren ku janë vendosur piketat ku duhet të ndërhyhet nga ana e inspektorëve të bashkisë, drejtori i IMTV, zoti Dupi thërret në zyrën e tij qytetaren Nurieta Shefa. Gjatë bisedës ai pranon se është paguar 2 herë nga ajo, por kërkon një shifër tjetër për ekzekutimin e vendimit të gjykatës. Shifra që ai thotë është me tre zero, por që do ia bëjë të ditur të saktë pas kryerjes së punës.
Pas urdhrit që nxjerr sërish bashkia, drejtori Dupi paraqitet në dyqanin e zonjës Shefa, i tregon urdhrin dhe që kanë mbërritur në pikën ku duhej. Kryetari i Bashkisë së Lushnjës nxjerr vendimin për ndërhyrjen e IMTV-së e cila do mbështetej nga ana e policisë bashkiake dhe policisë së shtetit, si dhe ka urdhëruar edhe ngritjen e një komision prej pesë vetash për të kryer edhe ekzekutimin e vendimit të gjykatës. Më 16. 5. 2016 do bëhej edhe ekzekutimi i vendimit të formës së prerë të gjykatës. Drejtori Laver Dupi paraqitet për të disatën herë në dyqanin e Nurietës dhe i kërkon që atyre tre zerove t’u shtojë dhe një njësh përpara. Ai shprehet: “1 milion, nuk dua më tepër dhe kompletimin me perde për shtëpinë e vajzës në Tiranë. Lekët i dua pasi të mbarohet puna.”
Një ditë para ekzekutimit të vendimit të gjykatës, Dilaver Dupi i kërkon zonjës Shefa të takohet urgjentisht më të. Takohen në dyqanin e zonjës Shefa dhe i kërkon asaj lekët. I numëron në sy të saj dhe e këshillon që të mos flasë me njeri për këtë marrëveshje që ka bërë, madje të nesërmen të sillet sa më keq më të, që mos u bjerë në sy të shokëve se është paguar.
Të nesërmen më dt 16 Maj 2016 mblidhen të gjithë bashkë me policinë e shtetit , për të ekzekutyar vendimin e gjykatës. Por gjatë ekzekutimit paraqitet një zotëri I cili pretendon se prona është e tij. Edhe pse ka një vendim gjykate të formës së prerë për t’u ekzekutuar, ekzekutimi ndërpritet ditën e parë, mbahet një procesverbal deri në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve midis palëve në konflikt.
Pas takimit me kryebashkiakun Tusha, komisioni i bashkisë, i cili është konsultuar me juristët e Bashkisë, ka marrë urdhër të zbatonte të nesërmen vendimin e gjykatës. Sërish në vendin e ekzekutimit të vendimit të gjykatës ka ardhur edhe punonjësit e policisë së shtetit si dhe policisë bashkiake dhe komisioni i bashkisë. Sapo IMTV –ja ka nisur heqjen e rrjetës dhe prishjen e avllisë, ekzekutimi lihet në mes. Prishet një pjesë e objektit.
Në Bashkinë e Lushnjës është zhvilluar një takim mes palëve në konflikt, ku fillimisht nënkryetari i bashkisë u ka kërkuar atyre të merren vesh me njëri-tjetrin. Por pas mosdakordësisë, zv. kryetari i Bashkisë së Lushnjës i ka kërkuar drejtorit të IMTV-së dhe komisionit të Bashkisë të zbatonte vendimin e gjykatës. Sipas tij, “vendimin e gjykatës nuk ka Perëndi që e lëviz”. Ndaj ai i lë afat familjes që ka zënë sipërfaqen e tokës pesë ditë kohë nëse ajo ka ndonjë dokument tjetër që hedh poshtë vendimin e gjykatës apo jo. Në të kundërt, do zbatohet vendimi i gjykatës.
“Fiks fare” kërkoi informacion për këtë problem në Bashkinë e Lushnjës. Menjëherë drejtori i IMTV-së është paraqitur në dyqanin e zonjës Shefa ku ka kërkuar të kthejë mbrapsht lekët që ka marrë, pasi në këtë rast kryetari i bashkisë e kishte kuptuar që ai kishte kërkuar para për të kryer detyrën.
Sipas drejtorit të IMTV–së, Dilaver Dupi, kryetari i Bashksië së Lushnjës ka thirrur anëtarët e komisionit, duke u kërkuar atyre që personi që kishte marrë një milion lekë për zbatimin e vendimit të gjykatës duhet t’i kthente mbrapsht dhe të jepte dorëheqjen.
I trembur nga një kërkesë e tillë e kryebashkiakut, Dupi i ka rikthyer një milion lekët Nurieta Shefës, ndërsa më pas e ka telefonuar se zbatimi i vendimit të gjykatës do bëhet pikërisht në 17 maj 2016