Sekretari për Aksionin Qytetar në PD dhe anëtari i Kryesisë së PD, Ervin Salianji deklaron se është kundër angazhimit dhe përfshirjes së ish-ministrave të qeverisë Berisha në fushatën për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Në një intervistë për Opinion.al, Salianji, ka shpjeguar votën e tij kundër tyre ish-ministrave Imami, Noka, Ruli, Bode, Pollo, Halimi dhe pse duhet të jetë ekipi i ri Basha në krye të zgjedhjeve të 2017.
Sipas tij, lista e propozuar për 12 drejtuesit në qarqe për fushatën e ardhshme, me emrat e mësipërm nuk e përcjell frymën dhe imazhin e ri që përfaqëson kreu i PD, Lulzim Basha. Salianji thotë se ky nuk është mendimi i tij personal por ajo që i përcillet nga qytetarët gjatë takimeve.
Interesimi ynë kryesor dhe besoj edhe i lexuesve tanë shkon për mbledhjen e Kryesisë së PD e cila u zhvillua gjatë javës. Aty u morën disa vendime në lidhje me zgjedhjet e ardhshme dhe u caktuan 12 drejtuesit e fushatës në qarqe, ku 7 prej tyre janë ish-ministra të qeverisë Berisha. Siç kemi mësuar nga burimet dhe është bërë tashmë publike fakti se ju keni kontestuar. Si qëndron e vërteta? Cili është qendrimi që ju keni mbajtur në Kryesi?
Kryesia e partisë është struktura më e lartë dhe aty diskutohen vendimet dhe propozimet e Kryetarit. Në ushtrimin e funksionit tim si anëtar i kryesisë kam gjykuar dhe votuar kundër propozimit për delegimin në krye të degëve të listës së propozuar me arsyetimin se, demokratët dhe shqiptarët presin një frymë dhe imazh të ri.
Lulzim Basha ka fituar me 82% zgjedhjet e brendshme partiake pikërisht sepse ai përfaqëson frymën e të ardhmes, dhe per aftësine për të vazhduar, përfaqësuar dhe ngjizur përfundimisht frymën pozitive dhe të ndryshimit do të na gjykojnë, jo vetëm demokratët, por të gjithë shqiptarët.
Sa më përket mua lista e propozuar nuk e përcillte këtë frymë. Personalisht vlerësoj çdo kontribut të gjithësecilit. Ajo listë ka themelues të PD, ka njerëz me kontribute të gjata në parti, të cilët me eksperiencën e tyre duhet ti shërbejnë demokratëve dhe qytetarëve shqiptarë në funksionet jo të vogla që kanë si deputetë të Kuvendit, apo funksionarë të lartë partiakë. Lista nuk mund të qortohet te emrat e përvecëm, por se nuk ka ndërthurje mes përvojës, frymës së të ardhmes dhe imazhit të pakonsumuar. Gjithsesi, kryetari Basha e sqaroi se ky grup do te jete deri ne 31 Korrik kur te perfundoje riorganizimi i partise!
Unë e refuzoj debatin ‘kush ka qenë ministër ka kontribut më shumë se dikush që ka qenë komisioner në çdo palë zgjedhje’apo më shumë se simpatizanti dhe anëtari që ka qenë nëmbështetje të plotë të PD, pa asnjë interes të drejtpërdrejtë, por vetëm ka besuar dhe beson te PD si forcë e lirisë dhe e realizimit të aspiratave të tyre politike.
Si sekretar për aksionin qytetar këtë periudhe, si koordinator apo drejtues departamenti më parë, unë kam shkelur në të gjithë Shqipërinë duke biseduar me qytetarë dhe struktura të partisë, njerëz që japin djersë, kontribute, përplasen me qeverinë dhe rrezikojnë biznesin te tatimet, humbjen e vendit të punës, mungesën e shërbimeve, terrorin policor apo dhe kërcënimin e banditit te dera e shtepisë. E ndieja për detyrë që, më së paku,t’i ngrija në strukturat tona më të larta bisedat që kam bërë me qytetarët. Kam mirënjohje pafund për çdo demokrat të vërtetë e të devotshëm. Do të punojmë me ta dhe për ta po njësoj, për t’i dhënë zë dhe shpresë problemeve dhe halleve të tyre, tashmë jo vetëm me denoncime apo ndihmë ligjore por dhe me alternativë dhe program konkret të përfunduar nga departamentet e Partisë Demokratike.
Çfarë do të thotë ekipi Basha? Ose më saktë nëse do të mbështetej ideja jote në Kryesi për figura të reja, kush do të ishin ata?
Dua ta theksoj që ‘ekipi Basha’ është gjithë Partia Demokratike, nga militanti më i thjeshtë deri te nënkryetarët e partisë. Basha është Kryetari dhe ai bën lëvizjet, koordinimin, vlerësimin e kontributeve dhe eksperiencës, kalkulimet elektorale dhe gjithçka tjetër. Unë nuk dua të hyj në emra, por vlerësoj se ka kapacitete dhe burime njerëzore të pafundme në PD, ka njerëz që kanë shërbyer në nivele dytësore dhe nuk kanë pasur role vendimarrëse, të cilat për shkak të një konsumimi, të pashmangshëm që, sikur asgjë, e sjell edhe koha, krijojnë kosto elektorale. Ka plot kapacitete edhe te departamentet, këshilli kombëtar apo koordinatorët. Duke njohur këto kapacitete mendova që duhej një ndërthurje për të mos krijuar perceptimin publik që, në bllok, vlerësojmë vetëm përvojen, ndërkohë që duhet të bëjme me kujdes qarkullimin e elitave, të vlerësojmë angazhimin dhe meritokracinë që kush punon dhe ka aftësi duhet të promovohet.
Ne PD nuk ka ‘të rinj’ dhe ‘të vjetër’, kushdo që spekulon me këtë nuk ka argument tjetër, ka mbetur shterpë. Në PD ka njerëz që punojnë apo që nuk punojnë, njerëz me shumë konsum, me pak ose aspak! Pas moshës 18 vjeç, e kanë zgjidhur demokracitë konstitucionale, je i aftë të zgjedhësh dhe të zgjidhesh jo, për shkak të moshës por për shkak të aftësisë!
Pse mendoni se nuk mund të shkohet sërish në zgjedhje nën drejtimin e Arben Imamit, Genc Pollos, Genc Rulin apo Flamur Nokës, etj.?
Siç e thashë edhe më sipër unë e vlerësoj kontributin e gjithësecilit prej këtyre emrave e të tjerëve në atë listë. Unë jam në PD për bindjet e mia, të shkuarën time dhe tashmë për të ushtruar funksionin tim, ndërsa performancën e gjithsecilit e gjykojnë demokratët dhe kryetari i partisë. Po ashtu kam detyrën dhe përgjegjësinë të përcjell atë që qytetarët na thonë dhe që presin prej nesh. Qëndrimi im nuk ishte aspak personal, unë jam përcjellës i një perceptimi të demokratëve të bazës dhe u detyrohem atyre njerëzve ngritjen e atij shqetësimi në forumet e rëndësishme të partisë.
A keni një koment për lënien jashtë të Topallit dhe Patozit (dyish-figura drejtuese në PD)?
Në çdo forum kam shprehur vlerësimin tim për kontributet e tyre. Diskutimi në mbledhjen e kryesisë nuk ka qenë për emra por për parim.
Duke folur gjithnjë mbi bazën e atyre informacioneve që kanë dalë në media, ka patur kritika për organizimin. Sa e vertetë është kjo? Dhe për çfarë kritikohet kontretisht?
Organizimi i partisë është funksion kyç. Mbledhja e fundit e kryesisë fokusonte organizimin dhe performancën. Megjithëse nuk ka pasur një analizë për punën e organizimit te Partisë, unë mendoj që PD në aspektin organizativ duhet të përmirësohet. Për këtë mund të bëjmë të gjithë më shumë.
E fundit. Që lidhet direkt me detyrën tuaj në PD, (aksionin qytetar). A mendoni se PD-SË po i lë betejat në mes. Në rastin konkret Parku i Liqenit. Pse nuk ka më asnjë reagim nga PD për këtë ndërtim?
Në realitet Shqipëria është në revoltë në çdo cep, pavarësisht se sa pasqyrohet në media. Brenda një muaji qytetarët kanë protestuar nga Malësia e Madhe per mungesen e sherbimeve, në Vlorë për grabitjen e pronave, në Korçë për papunesine, në Gjirokaster për spitalin, ne Lushnje per produktet bukqesore e keshtu me radhe. Kjo është beteja jonë e përditshme, e cila me një qeveri si kjo që fut në burg për 30 mijë lekë faturë dritash, apo që nxjerr jashtë stadiumit persona publikë të rëndësishëm, në një qëvërisje ku kriminelët kërcënojnë majat e institucioneve nuk mundet të pritet që opozita të bëjë “mbishtetin”.
PD është dhe do të jetë në çdo cep të vendit për ti dhënë zë dhe shpresë çdo shqiptari që përballet sot me varfërimin e përditshëm dhe frikën nga dhuna e pushtetit. Diku ju marrin pronën pa ligj diku, diku tjetër gjobisin më shumë se taksat, diku i janë rritur taksat sa ti falimentojnë, kudo po gëlon droga dhe trafikimi.
Përsa i përket masakrës së parkut të liqenit, protestat tona kanë qenë vazhdë dhe të pandala.
Partia Demokratike ka mbështetur protestuesit e shoqërisë civile, ka ndërgjegjësuar qytetarët e Tiranës, ka bërë kallëzime në prokurori për kryebashkiakun, ka ndërmarrë nisma për të mbështetur qytetarët në mbrojtje të parkut, ka kërkuar referendum për të pyetur qytetarët nëse e duan ose jo ndërtimin dhe betonizimin e parkut. Ka paraqitur disa kërkesa në këshillin bashkiak, është çdo ditë në terren duke i shpjeguar qytetarëve të Tiranës së çfarë po ndodh me betonizimin e qytetit dhe është zotuar që kur të jetë në pushtet do të mbrojë me ligj dhe me çdo mjet parkun e Tiranës!
Ajo çfarë kuptohet qartë në pyetjen tuaj është reflektimi I nevojës gjithnjë e më të madhe për opozitën përballë një qeverisje të paprecedent për Shqipërinë, si kjo e kësaj maxhorance.
Në këndvështrimin tim pas 25 vitesh pluralizëm kësaj opozite i ka rënë përgjegjësia të luftojë në shumë më shumë fronte. Situata politike është aq komplekse dhe e dhunshme sa për herë të parë ambasadorët më të rëndësishëm në vend detyrohen të flasin me emra konkretë.
Aksioni ynë I dekriminalizimit është fitore e madhe. Qëndrimi ynë për moskapjen e drejtësisë po ashtu. Ndërgjegjësimi ynë ndaj ndërkombëtarëve që Partia Demokratike realizon standard demokratik në zgjëdhje është një arritje.
Pas 25 viteve thuajse çdo denoncim politik po shoqërohet me paraqitje dokumentacioni dhe kallëzimi në organet përkatëse.Ndërkohë të gjitha kapacitetet janë angazhuar që të kemi një program alternative qeverisëse, dhe do të kemi programin qeverisës një vit para zgjedhjeve, çka bën të mundur plotësimin e tij në çdo pikë me qytetarët dhe grupet e interesit!