Emiljano Shullazi po ndiqej prej muajit shkurt të këtij viti nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Një biznesmen ndërtimi e kishte kallëzuar në prokurori më 2 shkurt. Ai kishte trokitur në dyert e Prokurorisë për të kërkuar ndihmë. Një grupi prokurorësh ai u tregoi se Shullazi i kishte kërkuar një pronë të tijën, që e kalonte vlerën e 1 milionë eurove. E kishte kërcënuar se nëse nuk do t’ia dhuronte, do të kishte pasoja. Me dhurim, Shullazi, sipas një dokumenti të publikuar nga ish –kryeministri Berisha, ka marrë edhe pronësinë e hotel Vollgës, në Durrës.
Biznesmeni kishte refuzuar të firmoste dhurimin e pronës së tij tek ai që opozita e ka denoncuar si “tmerrin e bizneseve”. Dhe një muaj nga kallëzimi në prokurori, ai mori paralajmërimin e parë. Një sasi tritoli shpërtheu në një garazh në pronësi të Arjan Zikos, pranë Policisë Bashkiake të Tiranës, pak metra larg shtëpisë së Shullazit, në zonën e rrugës së Kavajës.
Ishte data 13 mars 2015, ora 00.05. Prokuroria, që kishte regjistruar procedimin penal për Shullazin, këtë shpërthim ia shtoi dosjes së tij. Policia e referoi materialin për shpërthimin si ngjarje pa autor, pa paturi dijeni se prokuroria ishte disa hapa para dhe se këtë ngjarje ia kishte bashkangjitur veprave penale të dyshuara si akte të kryera nga Shullazi dhe anëtarët e bandës së tij. Biznesmeni nuk kishte deklaruar asgjë në polici. Babai i tij kishte folur për një konflikt me pronarin e pallatit, i cili u shoqërua dhe u la i lirë pas disa orësh. Policia nuk mundi të gjente asnjë pistë hetimore dhe ia dorëzoi dosjen prokurorisë.
Por Prokuroria për Krimet e Rënda e kishte tablonë e qartë. Hetimet po kryheshin intesivisht. Grupi i Shullazit po mbahej nën vëzhgim. Përgjimet mësohet se kanë provuar edhe aktivitet të tjera kriminale të tij. Një pjesë e tyre janë kryer nga SHISH, me kërkesë të Prokurorisë. SHISH mësohet se ka referuar edhe materiale të tjera. Për Shullazin ishin regjistruar 4 procedime për kërcënim për marrje të pronave, vendosje eksplozivi, kërcënim dhe krijim të grupit të strukturuar kriminal.
Ngritja zyrtarisht e akuzave për Shullazin ishte kështu ccështje orësh. Prokuroria e kishte gati udhër –ndalimin. Por për shkak të dyshimeve se ai kishte lidhje të forta me drejtues të lartë të policisë dhe zyrtarë në qeveri, prokurorët po diskutonin mbi detajet se si do të realizohej arrestimi i tij, në mënyrë që të operacioni të mos dekonspirohej.
Kur në organin e hetimit po thurej plani i arrestimit, të dielën Emiljano Shullazi u denoncua publikisht nga ish-kryeministri Sali Berisha, për kërcënim të Mynir Konit, dekanit të Fakultetit të Shkencave Sociale që garon për postin e Rektorit të UT. Koni e pranoi edhe në polici kërcënimin, por pa përmendur emrat të kërcënuesve. Për shkak se Shullazi ishte i dyshuari kryesor, sipas denoncimit publik të Berishës, prokuroria kërkoi që ai të merrej në pyetje.
Lapsi.al mësoi se drejtues të policisë e kanë kontaktuar Shullazin dhe i kanë komunikuar se do të duhej të jepte një deklaratë në lidhje me këtë ngjarje, për shkak të agresivitetit të deklaratës së Berishës, që e lidhte atë me kryeministrin Edi Rama.
38-vjeçari ka pranuar. Ka rakorduar për ta pritur patrullën e policisë në një lokal pranë rrugës së Kavajës. Me vete nuk kishte as telefon. Një grup tjetër i policisë bëri kontroll në shtëpinë e tij dhe nuk gjeti asgjë të paligjshme. Më pas janë shoqëruar edhe Gilmando Dani dhe Blerim Shullazi. Në polici asnjëri prej tyre nuk e ka pranuar akuzën për kërcënim të Mynir Konit. Kanë thënë se as që e njohin. As Koni nuk ka përmendur emrat e tyre. Në një situatë të tillë, Shullazi dhe dy shokët e tij pritej të dilnin nga Drejtoria e Policisë së Tiranës. Por Prokuroria e shfrytëzoi më së miri shoqrimin e tij. Një telefonatë e bërë nga Prokuroria e Përgjithshme ndryshoi rrjedhën e ngjarjes dhe e la Shullazin në qeli.
Adriatik Llalla kërkoi takim urgjent me kreun e policisë, Haki Çakon, pasi drejtori i Policisë së Tiranës, Ervin Hodaj, e kishte vënë më parë në dijeni se kishte marrë udhër që të mos e lironte Shullazin. Në takim shkoi edhe Hodaj, i cili duket se kishte dalë garant për shoqërimin e Shullazit. Kryeprokurori kishte thirrur edhe kreun e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Besim Hajdarmataj dhe atë të prokurorisë së Tiranës, Petrit Fushën.
Tre drejtuesit kryesorë të organit të hetimit kishin bërë gati gjithçka. Lapsi.al mëson se dy drejtuesit e policisë kanë hezituar. Ata janë kapur në befasi nga kërkesa e prokurorisë për ta ndaluar Shullazin. Për këtë arsye takimi mes tyre zgjati nga ora 23:00 deri pas mesnate. Dy orë e gjysmë pas këtij takimi Emiljano Shullazit iu komunikua urdhëri i ndalimit. Ishte ora 1:30 pas mesnate. Ai mësoi se ndaj tij kishte një kallëzim nga biznesmeni, kishte përgjime e prova të tjera, për akuza të rënda, që nëse provohen, do ta lënë gjatë pas hekurave. /Lapsi.al