Nga Mero Baze
Ismail Mulleti dhe partneri i tij izraelit po gjykohen nga opinioni publik, për shkak se kompania e tyre GFI, rezulton e regjistruar në një nga parajsat fiskale të Panamasë, por në të vërtet në historinë e markimit të karburanteve, duhet të hetohet kompania anonime Petroleum Consulting Partners A.G. (PCP), e regjistruar në Zvicer, pas të cilës qëndrojnë pronarët realë të koncesionit të markimit të karburanteve.
Por ka disa gjurmë të qarta që të çojnë në dyert e Familjes Berisha. Është skema e njëjtë e përdorur në koncesion apo privatizim të pistë në Shqipëri, studioja e njëjtë ligjore, dhe mekanizmi i transferimit të aksioneve.
Kompania e konsulencës ligjore Zaka, të cilës siç thonë konkurrentët e saj në treg, ja delegonte punët Familja prej vitit 2008 qëndron së paku pas tre operacioneve të mëdha të pista, në privatizimin e ARMO, në privatizimin e dështuar të Albpetrolit dhe në koncesionin e ngjyrosjes së karburantit. Në të treja këto afera është përdorur po ashtu e njëjta skemë e transferimi të aksioneve.
Tek rasti i ARMO, i ashtuquajturi konsorcium, përbëhej nga një firmë e Rezart Taçit, nga Teksas Rafinery nga SHBA të cilës i atribuohej përvoja profesionale dhe nga Mërkuri e Zvicerës, që ishte e regjistruar në Qipro.
Një ditë para nënshrkimit të Kontratës më 20 nëntor 2008, Mërkuri u tërhq dhe pjesën e bleu kompania e Taçit. Më pas doli nga loja dhe Teksas Rafinery, e cila në fakt ishte një kompani modeste karburantesh në SHBA me 5 punëtorë të siguruar.
Sipas ligjit shqiptar për koncesionet, ndryshimi i partnerëve, duhet të sillte anullimin e kontratës, por në atë kohë Berisha e kishte më lehtë të më akuzonte dhe sulmonte mua që e denoncoja, se sa ta mbronte ligjin. Dhe sot pas 8 vitesh ka hapur një gropë 500 milionë euro në ARMO, shumica e të cilave kanë përfunduar në llogaritë e familjes. Dhe për çudi gjithë ata gazetarë të paguar atëhere të mbronin privatizimin, sot bëjnë sikur nuk e kuptojnë çka ndodhur “pasi nuk i dinin këto gjëra”.
E njëjta skemë u ndoq dhe tek privatizimi i dështuar i Albpetrolit. Një kompani e regjistruar në parajsat fiskale të Singaporit, dha një çmim stratosferik, dhe mashtroi publikisht me mospagesën e garancisë prej 80 milionë euro, që duhet të paguante në momentin që u shpall fitues. Përkundrazi procedura shkoi deri tek lidhja e kontratës ku ajo duhet të paguante 25 për qind, dhe nuk pagoi asgjë. Sërish kompania e konsulencës ligjore ishte Zaka.
Në historinë e Ismail Mulletit, është e njëjta skemë. Ismail Mulleti dhe shtetasi izrealit Assaf Halkin, që pëfaqësojnë GIF Albania, kishin partner një kompani mëmë kanadeze që kontrollonte 75 për qind të GIF Albania, dhe që ishte arsyetimi profesional përse ju dha konçesioni, për markimin e karburanteve, dhe një kompani anonime me qendër në Zvicer Petroleum Consulting Partners A.G. (PCP), e cila zotëronte 25 përqind.
Në shtator të 2015, fare papritur raportet ndryshojnë dhe kompania me bazë në Zvicer ka 99. 93 për qind të aksioneve dhe GIF i Kanadasë, regjistruar në parajsa fiskale vetëm 0.7 për qind, çka do të thotë se si në dy rastet e tjera, ARMO e Albpetrol, aksionet shkojnë tek pronarët e vërtetë sapo fillon puna.
Po tu hedhësh një sy aktiviteteve të tjera të Mulletit, e kupton se ai ka qenë thjeshtë sekser në këtë histori, pasi në vitin 2014, ai së bashku me mikun e tij izraelit, dhe një avokate, Entela Shehaj, që punon tek studio Zaka, kanë hapur një kompani tjetër biznesi dhe janë marrë me punët e tyre. Vet Ismail Mulleti, në jetën e tij private, tani është burri i Tefta Zakës, me të cilën jeton në SHBA, dhe kjo të bind, se më shumë se sa Mulleti ka kërkuar të jetë sekser në këtë mes, ja kanë kërkuar të jetë i tillë. Pra atë e kanë gjetur si njeri të besuar për shkak të gruas së tij me të cilën Berisha ka bërë gjithë gropat e mëdha të privatizimeve në pushtetin e tij.
Aq shumë ishte e interesuar familja Berisha për këtë koncesion, sa kur çështja shkoi në Gjykatë Kushtetuese, së paku katër gjyqtarë u vunë në presion për të mos e prishur konçesionin. Unë kam dëgjuar regjistrimin që i është bërë një prej gjyqtarëve, i cili dëshmon se si kolegu i tyre u tërhoq për shkak të ndereve që i kishte bërë Berisha dhe familja e tij. Kolegu im gazetar që ka regjistrimin, duhet ta peshojë mirë rëndësinë që ka për opinionin publik ai regjistrim, që të çon në derën e Sali Berishës, lidhur me interesin që Familja Berisha ka për këtë koncesion. E di që është e vështirë, por së paku t’ia dorëzojë drejtësisë, nëse nuk e transmeton dot.
Por përtej kësaj, heshtja e Sali Berishës ndaj këtij skandali nuk lidhet me Ismail Mulletin, por me kompaninë që është në Zvicer, dhe nga e cila mund të deshifrohet pronari i vërtetë. Qeveria shqiptare e cila ndjehet komode që nuk është e përfshirë në këtë skandal, e ka shumë të thjeshtë ta zbërthejë pronarët e vërtet të këtj koncesioni dhe ti bëjë ata publik.
Edi Rama nuk është pronar i shtetit shqiptar, por thjesht një administrator i përkoshëm i tij. Ai e ka detyrim të bëjë transparencën për çdo person të përfshirë në këtë kompani qofshin këto edhe anonime. Nëse i ka dhe nuk i bën, atëhere i bie të dyshojmë se ai i përdor për qëllime mafjoze, për tu bërë presion atyre. Nëse nuk i ka ende, është i paaftë si kryeministër për të luftuar të keqen reale të kapjes së politikës nga krimi në Shqipëri. Ne nuk kemi pse presim kur të lexohen emailet e Shqipërisë nga kolegët tanë gazetarë në Perëndim se kush na i ka vjedh lekët tona. Për këtë kemi qeverinë tonë që duhet të na e tregojë.
Në rastin konkret, kemi të bëjmë me një skemë klasike që Berisha e ka përdorur në cdo pisllëk të tij gjatë tetë viteve në pushtet. Të njëjtën studjo ligjore, të njëtën skemë , dhe të njëjtët njerëz.
Ismail Mulleti është dhëndër brenda në këtë skemë, por nuk është koka e saj. Ai është sekseri në kuptimin e plotë të kësaj fjale, por hetimet e vërteta duhet të zhvillohen ndaj kompanisë që ka 99.93 për qind të këtij koncesioni dhe që të gjithë bëjnë sikur nuk e dinë kush është. Biles për çudi, Berishën se ka njoftuar asnjë qytetar digital këto tre ditë, i biri nga mërzitja ka harruar xhaminë dhe po pi klubeve të natës me të dashurën, ndërsa e bija ndjehet mirë që ja la Zakës të gjitha punët me zarar që nga 2008. Dhe për pak na e propozoi dhe për presidente më 2012.