Si ndodhi që një komb i vogël në zemër të BE-së të bëhet burimi kryesor i terrorizmit islamik? Më poshtë po paraqesim gjithçka që ju duhet të dini:
Çfarë shkoi gabim në Belgjikë?
Vendi tashmë është i lidhur me 3 sulmet më të fundit të mëdha terroriste në truallin evropian. Vrasësit e gazetarëve të “Charlie Hebdo” i morën armë në Belgjikë; sulmuesit e frymëzuar nga ISIS-i, që vranë në Paris në nëntor të vitit të kaluar 130 njerëz, e organizuan masakrën në Belgjikë; dhe së fundmi terroristët e lindur në Belgjikë goditën vetë vendin e tyre – duke vrarë 35 persona dhe plagosur më shumë se 300 të tjerë në kryeqytetin Bruksel. Një kombinim toksik i qeverisë jofunksionale, emigracionit masiv, dhe sigurisë së dobët ka lejuar pjesë të këtij kombi me vetëm 11.2 milionë njerëz, të bëhen vatra të ekstremizmit islamik, veçanërisht lagjja Molenbek në Bruksel. Zyrtarët e sigurisë kanë frikë, se është vetëm çështje kohe para se terroristët belge të ndërmarrin sulmin e tyre të ardhshëm – në Belgjikë, ose në vendet fqinje në Paris, Frankfurt, apo Amsterdam. “Situata është lënë të degradojë prej një kohe të gjatë”- thotë eksperti i antiterrorit Klod Monik, “dhe ne i lejuam islamikët radikalë të marrin kontrollin e situatës”.
Sa e madhe është popullsia myslimane e Belgjikës?
Në vend jetojnë rreth 640.000 myslimanë – shumë prej tyre të gjeneratës së dytë dhe të tretë të pasardhësëve të emigrantëve marokenë dhe turq që shkuan aty si krah i lirë pune në vitet ‘60. Belgjika ka bërë pak përpjekje për ta asimiluar këtë komunitet emigrantësh. Kultura kombëtare e vendit është e fragmentuar, me ndarje të thella gjuhësore dhe ideologjike mes flamandëve që flasin holandisht dhe valonëve frëngjishtfolës.
Prandaj emigrantët u inkurajuan të formojnë enklavat e tyre të izoluara urbane. Kur fabrikat filluan të mbyllen në vitet ‘70, papunësia, varfëria, dhe alienimi u bënë mbizotëruese në këto zona. Sot, nipërit e emigrantëve myslimanë ndjehen ende të huaj në vendin e tyre, dhe një pakicë e vogël por e rrezikshme i është futur botës së krimit dhe u angazhuar në ekstremizmin islamik. “Ekzistojnë kaq shumë njerëz që janë në mëshirë të fatit, dhe e përcaktojnë terrorizmin si një rrugë të shkurtër për të shkuar në parajsë”- shprehet prokurorja spanjolle kundër terrorizmit Dolores Delgado. “Kjo u jep atyre një shans për t’u hakmarrë ndaj shoqërisë”.
Kush i rekruton terroristët?
Predikuesit radikalë të rrugës, dhe grupet ekstremiste si ‘Sharia për Belgjikën’. Këta rekrutues, enden nëpër lagjet e varfra të emigrantëve, duke u thënë të rinjve të pakënaqur se janë duke u diskriminuar për shkak se janë myslimanë, ndërsa i inkurajojnë ata të luftojnë përkrah grupeve xhihadiste në Lindjen e Mesme. Belgjika ka siguruar numrin më të madh për frymë të rekrutëve të ISIS-it në botën perëndimore, me rreth 560 belgë që luftojnë për xhihad në Irak dhe Siri. Në fillim, zyrtarët e antiterrorit belg ishin në fakt të lumtur teksa i shihnin këta ekstremistë të rinj të largoheshin nga vendi. Por teksa lufta e koalicionit perëndimor kundër ISIS-it, ka rrudhur ndjeshëm territorin që kontrollon grupi xhihadist në Irak dhe Siri, luftëtarët e rinj evropianë kthehen drejt vendeve të tyre duke i pare ato si fushëbeteja të reja. Rreth 120 xhihadistë belgë janë kthyer deri më tani, dhe misioni i tyre është realizimi i sulmeve terroriste, thonë zyrtarët e inteligjencës.
Si është duke reaguar Belgjika?
Forcat e sigurisë janë dëshmuar si tmerrësisht jofunksionale. Kur sulmuesi i dyshuar i Parisit, Salah Abdeslam, një shtetas belg, arriti që të hyjë sërish në Belgjikë pavarësisht rrethimit, zyrtarëve të antiterrorit iu deshën plot 4 muaj për të kapur njeriun më të kërkuar në Evropë – edhe pse ai jetonte në Molenbek, vetëm disa qindra metra larg nga shtëpia e tij e fëmijërisë. Pas kapjes së tij, “Politico” njoftoi javën e kaluar se zyrtarët e zbulimit e morën vetëm 1 orë në pyetje Abdeslam gjatë katër ditëve. Forcat e sigurisë së Belgjikës janë të vogla në numër, dhe të dobëta përballë kërcënimit ekstremist. “Sinqerisht, ne s’kemi infrastrukturën e duhur për të hetuar qindra individë të dyshuar për lidhje terroriste”- tha një zyrtar i antiterrorit në kushte anonimati për ‘BuzzFeed’. Ndërkaq qeveria belge është e paralizuar nga përçarja dhe burokracia.
Pse qeveria kaq e përçarë?
Belgjika përbëhet në thelb nga tre rajone të ndryshme të ngjitura së bashku:holandishtfolësit flamandë në veri, frëngjisht-folësit valonë në jug, dhe kryeqyteti Bruksel. Secila nga këto rajone ka qeverinë e vet të mbivendosur dhe ngatërruar. Për shembull qyteti i Brukselit, ka 19 komuna dhe 6 departamente të ndryshme policore. Zyrtarët e angazhuar në grindjet e vazhdueshme politike, e bëjnë të vështirë organizimin e një përgjigje të përbashkët kundër terrorizmit. Kryetarja e komunës së Molenbekut Fransuazë Shepmans ka pranuar se një muaj para sulmeve të Parisit, i ishte dhënë një listë me emrat dhe adresat e më shumë se 80 militantëve të dyshuar islamikë në zonën e saj, por ajo nuk arriti të veprojë. “E çfarë duhet të bëja me ta?”- thotë Shepmans. “Nuk është puna ime të gjurmoj terroristët e mundshëm”.
A mund t’i përshtatet Belgjika situatës emergjente?
Një shumë e madhe parash është duke u derdhur aktualisht në aparatin e sigurisë të Belgjikës, ndërsa shërbimet e inteligjencës po përpiqen të rekrutojnë sa më shumë analistë arabisht-folës në misionet e vëzhgimit. Zyrtarët e sigurisë kanë bërë thirrje edhe ndaj BE-së të bëjë një punë shumë më të mirë të shkëmbimit të informacionit, në lidhje me terroristë potencialë. Por mënyra më e mirë për të trajtuar problemin e terroristëve të lindur brenda vendit, është parandalimi në rradhë të parë i radikalizimit, thotë Iv Goldshtajn, shef i kabinetit të presidentit rajonal të Brukselit. Kjo do të kërkonte integrimin e getove si Molenbeku në shoqërinë belge; diversifikimin e shkollave; dhe ndërtimin i kafene, bizneseve si dhe oferta të reja kulturore. “Ne kemi nevojë të hapim mendjet e këtyre të rinjve. Çfarë mund të bëjmë për të menaxhuar të rinjtë që preferojnë vdekjen në vend të jetës?”- thotë Goldshtajn.
Molenbek: Kryeqyteti i xhihadit në Evropë
I mbushur me dyqane qebapi dhe çajtore, lagjja e banuar kryesisht nga marokenë e Brukselit, Molenbek, është bërë zemra e një rrjeti terrorist që ka prodhuar masakra në të gjithë Evropën. Distrikti- me një popullsi prej 100.000 banorësh – është shtëpia e disa prej atentatorëve të Parisit, si dhe të dyshuarve të tjerë si terroristë. Braktisja e gjimnazit dhe normat e papunësisë së të rinjve në Molenbek, janë ndër më të lartat në të gjithën Belgjikën, dhe predikuesit radikalë qëndrojnë nëpër kafene dhe xhamitë e zonës, duke u përpjekur të bindin këta të rinj të pakënaqur por edhe gratë të përqafojnë ekstremizmin islamik, si një burim i kuptimit të jetës dhe lavdisë. Shumë prej rekrutëve të rinj tashmë janë të përfshirë në botën e krimit. Dhe kur myslimanët belgë i drejtohen ekstremizmit, ata mbrohen shpesh prej autoriteteve nga fqinjët e tyre. “Kur kryhet bastisja e një shtëpie, në zonat normale njerëzit flasin ose ndihmojnë policinë nëse ata mendojnë se dikush qe një terrorist”- thotë prokurori federal belg Erik Van der Sipt. ‘”Njerëzit në Molenbek nuk po bashkëpunojnë. Ata qëllojnë me gurë në drejtim të policisë”. “The Week” – Në shqip nga www.bota.al
(Boldnews)