Nga Ilir Kalemaj
Shpesh më kë rastisur në biseda me të huaj, të njoh elementë të shoqërisë dhe jetës sonë së përditshme që ngaqë ndoshta jemi mësuar dhe jetojmë rëndom me to, kanë pushuar së na bëri përshtypje, ose pse jo, na duken edhe normale. Herë të tjera, nuk mund të vë re, jo pa trishtim sesi ne shqiptarët nuk kemi hequr dorë nga zakoni i vjetër i ‘qarjes së gjithë halleve’ të huajit të parë që na del përpara, duke rrekur t`i mbushim mendjen se jemi vend unikal përsa i përket gjithë të këqijave të globit, duke futur në një thes, mbrapshtësinë e politikës (duke përfshirë gjithë politikanët pa dallim), shoqërinë dhe madje dhe gjenetikën tonë të ‘mbrapshtë’. Shpesh ndodh që edhe këta të huaj, sidomos ata që merren me sondazhe apo lëvrojnë publicistikën, ti marrin dhe të botojnë raporte pas raportesh që na nxjerrin diku aty mes Malit dhe Burkina Fasos, apo e kundërta të na përshkruajnë si një xhungël ekzotike, ndonëse jemi në kërthizë të Europës gjeografikisht.
Jo, se ne nuk kemi kusuret tona, madje ndoshta edhe me tepri, jo se nuk shfaqen edhe fenomenë që janë të rrallë dhe për standarte ballkanike, jo se është gjithmonë faji i krerëve që zgjedhim dhe që rrallëherë, për mos të thënë asnjëherë, kanë cilësitë më të mira të atyre që drejtojnë, por nuk ka sesi të mos kuptosh që është e nevojshme, madje imperative që gjithmonë duhen bërë diferencime dhe për më tepër të kuptuarit që nuk jemi një ishull i vecuar apo një fenomen i një lloji krejt të vecantë i këtij skaji të globit. Ka gjithmonë vend për krahasime dhe ka gjithnjë vend për të gjetur të përbashkëtat ashtu sikundër ka dhe për diferencim, kyr lyp nevoja.
Për shembull, nuk ka sesi mos të ndjesh një lloj trishtimi kur në bisedë me një grup miqsh të huaj të tregojnë që Bosnje-Herzegovina duket shumë më evropiane në infrastrukturë, sinjalistikë, stil arkitekturor apo edhe thjesht zbatim të rregullave të përgjithshme qytetare se vendi ynë. Me përjashtim të Tiranës, është tepër vështirë, për mos të thënë e pamundur të gjesh një copëz Evropë në pjesë të tjera të vendit. Apo kur të krahasojnë me Maqedoninë, rrugët e së cilës janë ku e ku më të mira se këto tonat që nuk përfundojnë kurrë, ku për pak mijëra kilometra katrorë të duhet kaq shumë kohë, amortizim makine dhe naftë e shtrenjtë sa të heq çdolloj dëshire për eksplorim dhe ku jo pa faj, shqiptarët dynden plazheve të Turqisë, Kroacisë apo Malit të Zi, apo shkojnë në bëjnë ski në Maqedoninë fqinje.
Nuk ka pra si mos të ndjehesh ligsht kur pas reflektimesh të kësaj natyre të mos të të shkojë mendja sesi ka mundësi që federata tri-kokëshe e Bosnjes, e përçarë, me probleme të thella etnike dhe prirje edhe për separatizëm formal (përvçse të materializuar tashmë) të Republikës Serbska të duket më evropian se vendi yt. Apo që maqedonasit të cilët ende diskutohen nëse kanë një shtet të pakontestuar nga pothuajse të gjithë fqinjët apo jo dhe me probleme të shumta etnike etj, janë ku e ke më të papenguar në lëvizjen e lirë drejt vendeve evropiane se shqiptarët fatkeqë të cilët me stoicizëm vazhdojnë të qëndrojnë në krye të listës së popujve më pro-Evropë, pro-Amerikë, pro-NATO, pro- civilizim perëndimor, pro-gjithçkaje që për ta nënkupton progresin, racionalitetin, prosperitetin dhe vlerat.
Përse atëherë ky fat i keq? A mos ndoshta gjenetikisht jemi një popull që nuk bëhet, që na mungon aftësia shtetformuese, apo që bëjmë gjithnjë zgjedhje të gabuara të prirur nga një patologji që na e bën të nevojshme dëshirën për t`u gënjyer? Ndoshta atëherë është i vërtetë ai mallkimi Leninian që ‘çdo popull ka qeverisjen që meriton’. Por nuk ka sesi mos të reflektosh edhe për faktin që shqiptarët në këto 25 vite demokraci, kanë votuar thuajse gjithmonë për alternativën më të mirë, apo e thënë ndryshe të keqen më të vogël. Si në rastin kur votuan ndryshimin e madh në 91-shin për t`u shkëputur në mënyrë përfundimtare dhe deçizive nga e kaluara komuniste, si në 1996-ën ku për efekt të prosperitetit (të rremë) ekonomik (për efekt të firmave piramidale që i premtuan parajsën kapitaliste shqiptarëve të varfër) përsëri votuan partinë në pushtet, si në rastin e votës pro të majtës në 1997-ën ku me të drejtë lideri socialist i asaj kohe shihej si një revolucionar idealist i vërtet, si kur ri-votuan të majtën në 2001-shin, për efekt të rrugëve që përfunduan gjatë përfundimit të mandatit të parë, ashtu edhe kur votuan ndryshimin në 2005-ën të lodhur nga korrupsioni tashmë i institucionalizuar i Nanos së ri-kthyer apo edhe në 2013-ën, ku më tepër votuan kundër se pro, ndonëse diferencën e bëri aritmetika numerike se sa votimi i projektit te Rilindjes.
Problemi më tepër se të shqiptarët është te mundësitë e pakta që u janë ofruar, mungesa e alternativave, shpërdorimi i besimit të tyre që ata e kanë shfaqur në kutitë e votimit, neglizhenca që iu është bërë sipas shprehjes së njohur popullore “kalova lumin, të dhjefsha kalin” dhe pamundësia për të detyruar të zgjedhurit e vetë që të mbajnë premtimet përvec mjeteve të limituara, nga të cilat ai i medias (asaj të lirë dhe jo të kapur), është për t`u veçuar dhe theksuar më fort.
Edhe qënia jonë si një ishull i veçuar edhe në kontekstin ballkanik, një fenomen sui generis që u mbijeton ndryshimeve që ndodhin rreth e rrotull nesh, është kthyer tashmë në një mit, pasi shpesh është thjesht çështje perceptimi dhe klima armiqësore e klasës politike, antagoniste dhe e fragmentizuar, kurthet elektorale apo ‘kapja e shtetit’ nuk mund të jenë përfaqësues të asaj që na bën të ndryshëm me të tjerët. Përkundrazi, edhe në ato raste ku diferencohemi me të tjerët, si shkalla e individualizmit dhe mentalitetit perëndimor, sekularizmi dhe toleranca fetare, respektimi dhe mikpritja e të huajit apo fenomene të ngjashme, jemi modele pozitive që kanë pak të bëjnë me deformimet e klasës politike.
Me fjalë të tjera, pak apo aspak i meritojmë epitetet e tmerrshme me të cilat shpeshherë na referojnë apo edhe rëndom i referohemi njëri-tjetrit, shpesh të nxitur nga një dëshirë e fshehur mazokiste që vjen si rrjedhojë logjike e një diskursi të kapur në një rreth vicioz, ku ne shajmë dhe shfryjmë, ndërkombëtarët përpilojnë raporte bazuar në këto shfryrje dhe këto pastaj na përsëriten si citatet e Maos pikërisht nga ata politikanë që janë fajtorët kryesorë në rradhë të parë. Dhe ky është një nga paradokset e kthyer në paradigmë që na pengon të shohim përtej konstatimit, përtej zgjidhjeve dhe mendimit konstruktiv, përtej debatit kritik por jo nihilist dhe përtej pamundësisë për të ndryshuar, që tashmë është kthyer jo më thjesht në nevojë por tashmë në domosdoshmëri.