Qeveria premtoi gjetjen e mbi 6 mijë viktimave pa varr të komunizmit, por një vit më pas, pak gjë është bërë. Problemi i fondeve dhe ndasitë në përballjen me të shkuarën vështirësojnë ecurinë e procesit.
Put your money where your mouth is”! Bilal Kola, avokat dhe kryetar i Institutit të ish-të Përndjekurve Politikë zgjedh anglishten për të përmbledhur ambiguitetin e shtetit shqiptar në procesin e gjetjes së të zhdukurve dhe hapjen e dosjeve të ish-Sigurimit, policisë sekrete të regjimit komunist.
Kola, i ardhur vetë nga komuniteti i të përndjekurve shpresonte që procesi i gjetjes së rreth 6 mijë të pushkatuarve pa varr do të mbështetej më së pari financiarisht nga shteti, para se të kërkoheshin financime nga donatorët ndërkombëtarë, biznesi apo nga diaspora shqiptare.
Megjithatë, 10-12 milionë USD sa llogaritet i gjithë procesi për gjetjen e të zhdukurve nuk është kaq i lehtë për t’u administruar nga qeveria shqiptare.
Muaj më parë, ky projekt zuri gati të gjitha faqet e para të medias. U lajmërua krijimi i zyrës përkatëse, që do merrej enkas për gjetjen e të zhdukurve të komunizmit, ngritur me urdhër të kryeministrit Edi Rama, ndërkohë që ish-zv\ministrja e Ministrisë së Mirëqenies Sociale, Gentiana Sula investoi të gjithë staturën e vet në këtë proces.
Por argumenti i Kolës të çon në rrjedhime interesante, pasi vullneti do të duhej të testohej fillimisht gjatë projektit pilot.
Në mars 2015, qeveria shqiptare ftoi Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur, ICMP për të përmbushur premtimin e saj për gjetjen e varreve të të pushkatuarve gjatë komunizmit. Në dhjetor u prezantua një udhërrëfyes i procesit kompleks, i cili zë fill me projektin pilot për identifikimin e 56 viktimave në Dajt dhe 86 të zhdukurve të tjerë në Ballsh.
Projekti pilot-i shoqëruar me faturën e llogaritur në 950 mijë euro do të sillte angazhimin e menjëhershëm të ICMP dhe do të shërbente si histori suksesi për të ngjallur shpresën e familjarëve, përfshirjen e organeve shtetërore dhe nxitjen e donatorëve të mundshëm. Por procesi po ndjek ritmin e breshkës.
“Që ditën që kam marrë detyrën për të ndjekur çështjet që lidheshin me të kaluarën diktatoriale jam ndeshur me faktin që shoqëria jonë është shumë e ndarë në raport me të shkuarën,” thotë Genta Sula, sot Anëtare e Autoritetit për Hapjen e Dosjeve, miratuar nga Parlamenti shqiptar.
“Ka moskuptime e keq-informime të një shkalle të paneglizhueshme gjë që ka pasojat e veta edhe në mungesën e njohjes dhe nivelin e empatisë për vuajtjet e qindra-mijëra personave. Po ashtu, si ka ndasi edhe për ngjarje madhore dhe të rëndësishme historike”.
Zvarritja e procesit
Procesi i gjetjes së zhdukurve duket kaq i avashtë dhe kaq pa vullnet, sa njerëzit e të përndjekurve kanë pak shpresë, pavarësisht shenjave pozitive. Falë inicimit të punës prej Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, BE pritet të japë 500 mijë euro financim për fazën pilot të projektit. Që paratë të mos shpërdorohen, është kërkuar që projekti do zbatohet nga vete BE-ja në bashkëpunim me ICMP.
Ndërsa burokratët po punojnë, paradoksi është se komisionet përgjegjëse të parlamentit e zvarrisin punën. Në emër të shtetit shqiptar, Presidenti duhej të përgatiste me kohë një deklaratë që të shprehej se ishte i gatshëm të bashkëpunonte me ICMP-në, një trupë e specializuar ndërkombëtare që do hulumtojë.
Aktualisht për të pagjeturit është funksionale një zyrë te Instituti i të Përndjekurve dhe vijon ende gatishmëria e ICMP-së, e cila ka atashuar edhe një zyrtar të saj në Tiranë.
Nga Dhjetori 2015, kur edhe u bë mbledhja e dështuar e donatorëve për të pagjeturit, gjërat kanë rrjedhur disi, por kurrsesi në parashikimin optimist të bëra nga politika në javët e shtatorit dhe tetorit të shkuar. Paralelisht, edhe Autoriteti për hapjen e Dosjeve po vonon të ngrihet.
Kandidatët janë intervistuar nga Komisioni i Ligjeve dhe janë pajisur me certifikata sigurie. Në kalendarin e Kuvendit, votimi i tyre është parashikuar brenda 9 prillit, por afati ka pak gjasa të kapet.
Matthew Holliday-drejtor i Programeve të ICMP për Ballkanin Perëndimor sikur e parashikoi zvarritjen, kur iu përgjigj kakofonisë së zërave të përfaqësuesve të të përndjekurve me një këshillë të thjeshtë: “krijoni regjistrin qendror të të humburve dhe mos humbisni kohë. Veproni!”.
Në konferencën e dhjetorit, Holliday paralajmëroi se fillimi i këtij procesi të madh do jetë i mundimshëm dhe se më shumë se çdo gjë tjetër, kërkon vullnet dhe përpjekje të gjithë institucioneve. Pala shqiptare është endur sërish në hallakatje dhe përfolje dhe kuptohet thjesht anatemë për komunizmin.
Sot e kësaj dite, vetë të afërmit janë shumë dyshues dhe aspak aktivë për procesin, që ashtu si ai i Dosjeve, bëhet edhe zhbëhet.
Ndasi për të shkuarën
Problemi koklavitet që tek emrat dhe numrat e të zhdukurve. Deri tani, është thënë se numri i të pushkatuarve dhe të vdekurve gjatë komunizmit që nuk kanë ende një varr është rreth 6 mijë.
Përveç Institutit të drejtuar nga Kola, edhe Instituti i Studimeve të Krimeve të Komunizmit po përpiqet të vendosë rend mes shifrave të të zhdukurve. “Topografia e terrorit komunist” është harta e përgatitur nga institucioni, ku do të jenë të evidentuara të gjitha kampet e punës së detyruara, po ashtu burgjet në të gjitha trevat e Shqipërisë.
Shifra e fundit e të vrarëve dhe të vdekurve, referuar nga Instituti i Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit e çon numrin në 7.022 persona.
Ish-funksionarë të Sigurimit e hedhin poshtë këtë pretendim. Sipas tyre, Ministria e Brendshme kishte evidenca të qarta si dhe dokumentim për çdo vdekje dhe vendvarrim, ndërsa pretendojnë se ish-të përndjekurit flasin për shifra të ekzagjeruara.
“Të vrarët me akuza politike janë afërsisht vetëm 1600,” i tha BIRN një ish-zyrtar i lartë i Sigurimit në kushtet e anonimatit. Të dhënat e shumë burimeve flasin megjithatë për mijëra qytetarë të vrarë mes viteve 1944-1955, për të cilët nuk rezulton asgjë në arkiva.
Instituti i të Përndjekurve zotëron gjithashtu një hartë me vendet kryesore të ekzekutimit, ku të pushkatuarit me dhe pa gjyq apo të vdekurit në burgje janë groposur në varre kolektive.
Të përndjekurit kanë frikë se shumë prej trupave janë zhdukur, për shkak se janë varrosur në rrëpira ose brigje shumë të ekspozuar ndaj problemeve gjeomorfologjikë dhe atmosferikë, që e bën nisjen e shpejtë të procesit sa më të nevojshëm.
Këtyre rreziqeve i shtohet edhe problemi real, që mbetet ai financiar. Pas krijimit të një database me ADN-të e familjarëve, kostoja për gjetjen dhe identifikimin e çdo viktime i tejkalon 1500 dollarët.
Shteti e llogarit faturën 12 milionëshe globalisht dhe kjo është frikuese në morinë e problemeve ekonomike që po kalon vendit.
Puna e Ministrisë së Mirëqenies Sociale për thirrjen e ICMP-së ishte e paqme. ICMP është pioniere e përdorimit të efektshëm të ADN-së për të identifikuar personat e zhdukur dhe ardhja e tyre mund të konsiderohet si shenjë e mirë.
Ky organizëm i themeluar më 1996, që sot funksionon nën ombrellën e OKB-së ka pasur një rol udhëheqës në ndihmën për identifikimin e më shumë se 70% të rreth 40 mijë të zhdukurve nga konfliktet në ish-Jugosllavi.
Megjithatë, përvoja e së shkuarës ka treguar se më shumë sesa rezultat, kjo çështje ka prodhuar konsum politik.
Që prej vitit 1991, autoritetet shqiptare kanë miratuar më shumë se 24 akte ligjore në lidhje me viktimat e ish-regjimit, por pothuaj s’është bërë gjë për viktimat e komunizmit dhe identifikimin e tyre.
Procesi i të zhdukurve shihet pak sot si kauzë morale që do të lehtësonte shtresën e të përndjekurve politikë apo do të ndihmonte përballjen e Shqipërisë së sotme me krimet e së shkuarës. Njësoj si hapja e Dosjeve, ky proces e ka humbur shpresën e njerëzve! /Reporter.al/
(Boldnews)