Ligji i ri, hyjnë në fuqi supergjobat deri në 10 milionë lekë për tregtinë e kimikateve

Sot ka hyrë në fuqi pas botimit në fletoren zyrtare ligji i ri për kimikatët. Qëllimi kryesor i ligjit te ri është të sigurojë një nivel të lartë të mbrojtjes së shëndetit të njeriut dhe mjedisit nëpërmjet përcaktimit të kufizimit të prodhimit, vendosjes në treg dhe përdorimit të kimikateve, përdorimit të kimikateve në artikuj, importit dhe eksportit të kimikateve të caktuara. Penalitet për tregtin e parregullt të tyre variojnë nga 300 000 deri në 10 000 000 lekë. Ja te gjitha penalitet:

1. Prodhimi, vendosja në treg apo përdorimi i kimikateve dhe artikujve të rrezikshëm, të caktuar në kundërshtim me kufizimet, sipas nenit 22, të këtij ligji, dhe akteve nënligjore në zbatim të tij, dënohet me gjobë në vlerën:
a) 300 000 deri në 500 000 lekë për përdoruesin;
b) 500 000 deri në 1 000 000 lekë për furnizuesin;
c) 1 000 000 deri në 2 000 000 lekë për prodhuesin apo importuesin.

2. Prodhimi, vendosja në treg apo përdorimi i një kimikati të rrezikshëm nga persona nën moshën 18 vjeç, në kundërshtim me pikën 12, të nenit 29, të këtij ligji, dënohet me gjobë nga 50 000 deri në 100 000 lekë.

3. Prodhimi, vendosja në treg e kimikateve të rrezikshme të paklasifikuara, të papaketuara dhe të paetiketuara, në kundërshtim me nenin 8, të këtij ligji, dënohet me gjobë nga 1 000 000 deri në 2 000 000 lekë.

4. Prodhimi, vendosja në treg e kimikateve të rrezikshme, në kundërshtim me rregullat për klasifikimin, etiketimin dhe paketimin e kimikateve, të përcaktuara sipas pikës 6, të nenit 8, të këtij ligji, dënohet me gjobë në vlerën:
a) 500 000 deri në 1 000 000 lekë, kur kimikatet nuk janë të klasifikuara në mënyrën e duhur, në përputhje me rregullat e detajuara në legjislacionin specifik;
b) 100 000 deri në 300 000 lekë, kur kimikatet nuk janë të paketuara në mënyrën e duhur (p.sh. paketimi i të cilave nuk siguron mbylljen e shtrëngueshme, si dhe nuk përmban shenjat e prekshme për të mbrojtur fëmijët dhe të verbrit), në përputhje me rregullat e detajuara në legjislacionin specifik;
c) 100 000 deri në 300 000 lekë, kur kimikatet nuk janë të etiketuara në mënyrën e duhur, në përputhje me rregullat e detajuara në legjislacionin specifik; ç) 500 000 deri në 1 000 000 lekë, kur etiketa e kimikatit nuk është në gjuhën shqipe.

5. Reklamimi i kimikateve që i takojnë një apo më shumë kategorive të specifikuara si të rrezikshme, në kundërshtim me kërkesat e përcaktuara në pikën 1, të nenit 11, të këtij ligji, dënohet me gjobë nga 500 000 deri në 1 000 000 lekë.

6. Tregtimi i kimikateve pa etiketë, në kundërshtim me kërkesat e përcaktuara në pikën 2, të nenit 11, të këtij ligji, dënohet me gjobë nga 300 000 deri në 800 000 lekë.

7. Reklamimi i kimikateve duke fshehur rreziqet që ato mund të paraqesin për shëndetin e njeriut dhe mjedisin, në kundërshtim me përcaktimin e pikave 3 dhe 6, të nenit 11, të këtij ligji, dënohet me gjobë nga 300 000 deri në 800 000 lekë.

8. Reklamimi i kimikateve që sjell përshtypje të gabuar, lidhur me rreziqet që ato paraqesin për shëndetin e njeriut dhe mjedisin ose për pranueshmërinë e tyre mjedisore dhe, për pasojë, nxitja e përdorimit, trajtimit ose asgjësimit të tyre në mënyrë të papërshtatshme, në kundërshtim me pikat 3 dhe 4, të nenit 11, të këtij ligji, dënohet me gjobë nga 500 000 deri në 1 000 000 lekë.

9. Reklamimi i kimikateve të rrezikshme në kundërshtim me përcaktimin e pikës 4, të nenit 11, të këtij ligji, dënohet me gjobë nga 300 000 deri në 800 000 lekë.

10. Kryerja nga prodhuesi dhe importuesi i vlerësimit të sigurisë së kimikateve nëpërmjet kryerjes së testimeve shtesë, pa u bazuar mbi të dhënat shkencore e teknike në dispozicion, në kundërshtim me përcaktimin e pikës 1, të nenit 12, të këtij ligji, dënohet me gjobë nga 1 000 000 deri në 2 000 000 lekë.

11. Zhvillimi i testimeve të kimikateve të rrezikshme nga prodhuesit, të cilat janë të ndaluara të kryhen në qenie shtazore, në kundërshtim me përcaktimet në pikat 5 e 6, të nenit 12, të këtij ligji, dënohet me gjobë nga 1 000 000 deri në 2 000 000 lekë.

12. Zhvillimi i testimeve të kimikateve të rrezikshme, të cilat janë të ndaluara të kryhen në njerëz, bletët, majmunët dhe primatët e tjerë jonjerëzorë, në kundërshtim me përcaktimet në pikat 7 e 8, të nenit 12, të këtij ligji, dënohet me gjobë nga 700 000 deri në 1 500 000 lekë

!3.Kryerja e çdo testimi të ri eko-toksikologjik dhe toksikologjik në mospërputhje me parimet e GLP-së dhe standardet e tjera ndërkombëtare, në kundërshtim me përcaktimet në pikat 3 e 4, të nenit 12, të këtij ligji, dënohet me gjobë nga 1 000 000 deri në 2 000 000 lekë.

14. Moszbatimi i kushteve për GLP-së nga laboratorët që kryejnë testimin, në kundërshtim me pikën 4, të nenit 12, të këtij ligji, dënohet me gjobë nga 1 000 000 deri në 2 000 000 lekë.

15. Vlerësimi i sigurisë së kimikateve nga prodhuesi e importuesi, në kundërshtim me rregullat e detajuara dhe metodat për kryerjen e vlerësimit të sigurisë së kimikatit, sipas përcaktimit në nenin 13, të këtij ligji, dënohet me gjobë nga 500 000 deri në 1 000 000 lekë.

16. Mospërmbushja e kërkesave nga prodhuesi e importuesi për grumbullimin dhe mbajtjen në dispozicion të të gjithë informacionit për një periudhë të paktën 10-vjeçare, sipas përcaktimit të pikës 1, të nenit 14, të këtij ligji, dënohet me gjobë në vlerën nga 300 000 deri në 500 000 lekë.

17. Mospërmbushja e kërkesave nga furnizuesi për grumbullimin dhe mbajtjen në dispozicion të të gjithë informacionit për një periudhë të paktën 10- vjeçare, sipas përcaktimit të pikës 2, të nenit 14, të këtij ligji, dënohet me gjobë në vlerën nga 300 000 deri në 500 000 lekë.

18. Mospërmbushja e kërkesave nga pala përgjegjëse për vendosjen në treg të substancës ose përzierjes, sipas përcaktimit të pikës 3, të nenit 14, të këtij ligji, dënohet me gjobë në vlerën nga 300 000 deri në 500 000 lekë.

19. Mospërmbushja e kërkesave nga prodhuesi, importuesi dhe furnizuesi për dhënien e informacionit të kërkuar nga ministria, sipas përcaktimit të pikës 4, të nenit 14, të këtij ligji, dënohet me gjobë në vlerën nga 300 000 deri në 500 000 lekë.

20. Mossigurimi i Dokumentit me të Dhënat e Sigurisë për Kimikatet për përdoruesit nga prodhuesi, importuesi dhe furnizuesi, sipas përcaktimit të pikave 1 e 5, të nenit 15, të këtij ligji, dënohet me gjobë në vlerën: a) 1 000 000 deri në 2 000 000 lekë për furnizuesit; b) 2 000 000 deri në 3 000 000 lekë për prodhuesit dhe importuesit.

21. Mosparaqitja e dokumentit me të dhënat e sigurisë për kimikatet në gjuhën shqipe, sipas përcaktimit të pikës 2, të nenit 15, të këtij ligji, dënohet me gjobë në vlerën 100 000 deri në 300 000 lekë.

LEXO EDHE  Ballkani i hapur/ Soko: Marrëveshja favorizon mallrat serbe, dobëson produktet shqiptare

22. Mosdhënia e informacionit nga prodhuesit, importuesit dhe furnizuesit për përdoruesin apo shpërndarësin lidhur me rreziqet që mund të shkaktojë një substancë ose përzierje, si dhe informacionit për trajtimin, ruajtjen dhe asgjësimin e sigurt të kimikatit në kundërshtim me pikën 3, të nenit 15, të këtij ligji, dënohet me gjobë nga 2 000 000 deri në 3 000 000 lekë.

23. Mosdhënia falas e dokumentit me të dhënat e sigurisë kimike nga prodhuesit, importuesit dhe furnizuesit për përdoruesin apo shpërndarësin, në kundërshtim me pikën 4, të nenit 15, të këtij ligji, dënohet me gjobë nga 2 000 000 deri në 3 000 000 lekë.

24. Mossigurimi nga furnizuesit i një artikulli të informacionit të mjaftueshëm për përdoruesit dhe konsumatorët, që lejon përdorimin e sigurt të artikullit, sipas përcaktimit të pikave 1 e 2, të nenit 16, të këtij ligji, dënohet me gjobë në vlerën 100 000 deri në 300 000 lekë.

25. Mosdhënia e informacionit për kimikatet e rrezikshme nga çdo aktor në zinxhirin e furnizimit të një kimikati, sipas përmbajtjes së specifikuar në nenin 17, të këtij ligji, gjatë furnizimit të palëve të treta, dënohet me gjobë nga 100 000 deri në 300 000 lekë.

. 26. Mossigurimi nga punëdhënësit të informacionit mbi kimikatet e rrezikshme për punëtorët e ekspozuar gjatë procesit të punës, sipas përcaktimit të nenit 18, të këtij ligji, dënohet me gjobë në vlerën 100 000 deri në 300 000 lekë.

27. Prodhimi, vendosja në treg apo përdorimi i një substance që gjendet në listën SVHC, në kundërshtim me pikën 1, të nenit 18, të këtij ligji, dënohet me gjobë në vlerën 10 000 000 lekë.

28. Mospajisja me autorizim të kushtëzuar për prodhimin, vendosjen në treg apo përdorimin e në vazhdim të një substance që gjendet në Listën e Substancave me Rrezikshmëri të Lartë SVHC, sipas përcaktimeve në pikën 6, të nenit 18, të këtij ligji, dënohet me gjobë në vlerën 10 000 000 lekë.

29. Kryerja e importit dhe eksportit të kimikateve, produkteve biocide dhe pesticideve në kundërshtim me rregullat për procedurën e njoftimit të eksportit, sipas përcaktimeve të pikave 1, 2 dhe 3, të nenit 25, të këtij ligji, dënohet me gjobë nga 500 000 deri në 1 000 000 lekë.

30. Mosdërgimi në afat në ministri nga eksportuesit dhe importuesit e kimikateve ose përzierjeve i të dhënave për sasitë e eksportuara e të importuara të kimikateve dhe përzierjeve të caktuara për shtetet, nga të cilat janë importuar ose eksportuar, si dhe i shënimeve për eksportuesin dhe importuesin e kimikateve, në kundërshtim me nenin 25, të këtij ligji, dënohet me gjobë nga 100 000 deri në 300 000 lekë.

31. Mosraportimi në afat në ministri nga eksportuesi i kimikateve dhe përzierjeve, për nevojat e organit kompetent të shtetit, nëpër territorin e të cilit zhvillohet eksporti dhe transiti i substancave dhe përzierjeve kimike, në kundërshtim me përcaktimet e pikës 4, të nenit 25, të këtij ligji, dënohet me gjobë nga 100 000 deri në 300 000 lekë.

32. importimi dhe eksportimi i substancave dhe përzierjeve, përdorimi i të cilave është i ndaluar, me qëllim për të mbrojtur shëndetin e njeriut dhe mjedisin, në kundërshtim me pikën 1, të nenit 25, të këtij ligji, dënohet me gjobë nga 2 000 000 deri në 3 000 000 lekë.
33. Mosregjistrimi i kimikateve nga prodhuesit dhe importuesit, sipas përcaktimeve të pikave 1 dhe 4, të nenit 27, të këtij ligji, dënohet me gjobë nga 300 000 deri në 600 000 lekë.

34. Mosraportimi në ministri nga prodhuesi, importuesi, eksportuesi brenda datës 31 mars të vitit vijues për sasinë e prodhuar, të importuar, të eksportuar të kimikateve për vitin e kaluar, në kundërshtim me pikat 1 dhe 4, të nenit 27, të këtij ligji, dënohet me gjobë nga 100 000 deri në 300 000 lekë.
35. Prodhimi, vendosja në treg, përdorimi, depozitimi, ruajtja e kimikateve të rrezikshme nga persona të papajisur me licencë, në kundërshtim me nenin 28, të këtij ligji, dënohet me gjobë nga 300 000 deri në 500 000 lekë.

36. Shkelja e kushteve të licencës së kimikateve nga ana e poseduesit të saj, në kundërshtim me nenin 28, të këtij ligji, dënohet me gjobë nga 100 000 deri në 300 000 lekë.
37. Shkarkimet e asbestit në ajër ose derdhjet e tij në mjedis, në kundërshtim me vlerat kufi të parashikuara në legjislacionin specifik, në përputhje me këtë ligj, dënohet me gjobë nga 1 000 000 deri në 2 000 000 lekë.

38. Kryerja e eksportit të mërkurit metalik, komponimeve dhe përzierjeve të caktuara të merkurit, në kundërshtim me rregullat e ndalimit, sipas përcaktimeve në pikën 2, të nenit 23, të këtij ligji, dënohet me gjobë nga 1 000 000 deri në 2 000 000 lekë.
39. Ruajtja e mërkurit metalik në kundërshtim me rregullat e përcaktuara në pikën 2, të nenit 23, të këtij ligji, dënohet me gjobë nga 300 000 deri në 500 000 lekë.

40. Ruajtja e mërkurit metalik të konsideruar si në kundërshtim me kriteret specifike të ruajtjes, sipas përcaktimeve në pikën 2, të nenit 23, të këtij ligji, dënohet me gjobë nga 1 000 000 deri në 1 500 000 lekë.
41. Mospërmbushja e kushteve themelore për ruajtjen e kimikateve të rrezikshme në një objekt të përgatitur për magazinimin e kimikateve, në kundërshtim me nenin 29, të këtij ligji, dënohet me gjobë nga 100 000 deri në 300 000 lekë.

42. Mosmbajtja dhe mosruajtja mirë e substancave dhe e përzierjeve të rrezikshme, në përputhje me llojin e rrezikut që mund të shkaktohet nga ndikimet e jashtme nga palët e paautorizuara apo që mund të shkaktojë konfuzion për ngjashmëri me mallrat e konsumit të përgjithshëm, veçanërisht me ushqime, në kundërshtim me nenin 29, të këtij ligji, dënohen me gjobë nga 300 000 deri në 500 000 lekë.

43. Mosidentifikimi në mënyrë të qartë i substancave dhe i përzierjeve të rrezikshme gjatë ruajtjes në magazinë, si dhe mosmbajtja e tyre të ndara nga mallrat e tjera, në kundërshtim me nenin 29, të këtij ligji, dënohen me gjobë nga 100 000 deri në 300 000 lekë.
44. Ruajtja e substancave dhe e përzierjeve të rrezikshme, të cilat janë të furnizuara, në enë ose paketime që shkaktojnë konfuzion te konsumatori për shkak të ngjashmërisë me paketimet e produkteve ushqimore, kozmetike, produkteve terapeutike ose ushqimin e kafshëve, në kundërshtim me nenin 29, të këtij ligji, dënohet me gjobë nga 100 000 deri në 300 000 lekë. Zbatimi i kundërvajtjeve administrative nuk e shkarkon subjektin, drejt të cilit ajo është lëshuar, nga detyrimet e tjera të parashikuara në këtë ligj dhe nga përgjegjësia civile për dëmet e shkaktuara, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

(Monitor/Boldnews)



PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here