Nuk e shkrepi ai armën, por ishte njëlloj si ta kishte bërë ai. Nikola Gilasi, i ati i komunistit dhe anti-titistit, Milovan Gilas, ishte komandanti i trupës që luftoi me heroin Isa Boletini, deri në vrasjen e këtij të fundit.
Është pikërisht Milovan Gilas, që në librin e tij “Toka pa drejtësi” (“Zemlja bez pravde”), do të rrëfente ndër të tjera edhe për vrasjen e Isa Boletinit. Sipas tij, i ati ndihej krenar që ishte pikërisht trupa që ai drejtonte që vrau rebelin Boletini, edhe pse ai e vlerësonte pa masë trimërinë e tij. Sipas dëshmisë së Gilasit, rrëfyer prej të atit, Boletini kishte luftuar trimërisht, i vetëm kundër forcave malazeze.
Sigurisht autori i librit do të justifikonte veprimin e të atit me faktin që Boletini kishte shfrytëzuar një moment të brishtë në Mal të Zi, për ta sulmuar atë. “Heroi i shquar shqiptar, Isoja i Boletinëve, zgjodhi pikërisht këtë çast të një rrënimi të përgjithshëm, të dëshpërimit dhe të kaosit, për të sulmuar Podgoricën”. Më poshtë, një pjesë e shkëputur nga libri i Gilasit, ku përshkruhet përplasja e Isa Boletinit me trupat malazeze në 1916n.
PJESE NGA LIBRI
…Dhe kështu në epilog të këtij vështrimi tonin historik, mbërrijmë edhe një herë te njeriu i cili udhëhoqi vrasjen e Isa Boletinit, Nikola Gilas – babai i Milovan Gilasit. Dhe që vritet prej shqiptarëve “fashistë” më 1943shin në Kosovë. Vrasjet që nuk ndalin për familjen Gilas. Vritet baba Nikola, vritet vëllai Milivoje. Vritet vëllai tjetër Aleksa. Vritet motra Dobrana! Të gjithë në vitet ’40 të Luftës.
Vëllezër dhe motra si partizanë komunistë në luftë kundër fashizmit. Ndërsa Nikola Gilas, vetëm ngaqë ishte babai i tyre? Apo si hakmarrje e shqiptarëve ndaj njeriut, i cili kishte udhëhequr vrasjen e një heroi të tyre kombëtar me emrin Isa Boletini? … Tash për tash nuk jam në gjendje t’u përgjigjem unë këtyre pyetjeve. Ndoshta u takon historianëve të Kosovës. Ose më mirë me thënë, u takon gjithnjë atyre që dinë ta rishkruajnë me ndershmëri historinë.
Qoftë edhe mbas 100 vjetëve, teksa vërtetuam vrasjen e Isa Boletinit, edhe prej babës së Milovan Gilasit – edhe pse ndoshta jo drejtpërdrejt prej tij – i cili madje i merr si trofe lufte mauzerin e argjendtë. Më 1945n, krejt papritmas, Milovan Gilasi ka vizituar Shqipërinë, duke u stepur tek Ura e Bunës. “Nuk mund t’i rezistoja dëshirës për t’u ndalë mbi Urën e Bojanës (Bunës), – shkruan ai, – sepse poezia jonë i këndonte zërit të argjendtë të këtij lumi” të Shkodrës, “qyteti i magjepsur dhe i mrekullueshëm, i pavdekshëm në vargjet e poezisë sonë popullore”.
Në Tiranë, Gilasi është pritur me bujë nga miqtë e tij, krerët komunistë shqiptarë. Nuk di a mund të ketë rënë biseda te Nikola Gilasi. Po aq nuk di a e zotëronte ende familja Gilas, mauzerin e Isa Boletinit që e kishte marrë si relikte Nikola Gilas… Nëse e kishte, i takonte Milovan Gilasit t’ia kthente Shqipërisë ose Kosovës mauzerin e Boletinit. Kam dëgjuar nga njerëz seriozë se udhëheqësit komunist jugosllav Aleksandër Rankoviç (1909 – 1983), udhëheqësit shqiptarë i kanë dhuruar çiften e rrallë me tri gryka të Maliq Bushatit, kryeministrit të pushkatuar prej tyre, të cilit ia kishte dhuruar Kruppi i madh gjerman. Mistere të vogla, por të një kuptimi të madh historik edhe këto…
DO TË ISHTE BUKUR TË BIJE SI ISA BOLETINI
Nga MILOVAN GILAS
…Gjithmonë ka shumë gabime dhe shumë dhimbje në një tragjedi të një kombi. Nëse babai im nuk do të ishte kthyer shpejt, do të filloja të besoja se në jetë nuk do të kishte më asgjë të bukur e të sigurt. Dhe vetëm atëherë, për herë të parë, isha në gjendje të kisha një pamje të qartë të figurës së babait tim; madje edhe pse dija shumë gjëra për të, edhe pse e ndieja praninë e tij të përhershme, pavarë sisht nga largësia dhe lufta që na kishte ndarë.
Ai do të mbërrinte mbi një mëz të lartë e tuphedhur, ashtu i hijshëm në uniformën e tij gri, krejt i përpiktë, qysh te çizmet, e deri te revolveri që austriakët nuk ia kishin prekur – siç thoshte – edhe pse e kishin takuar gjatë rrugës. E shihja babanë tim ashtu të hajthëm, disi të zbehtë dhe të lodhur, të ngjashëm me një ujk që ka bërë shumë rrugë përmes maleve. Kjo brishtësi fizike e një trupi të lehtë, e bënte më të bukur dhe më të dashur për vështrimin tonë.
Gjatë gjithë kësaj kohe ai kishte treguar një padurim të madh që i vinte prej dëshirës të pamatë për të parë bijtë e tij dhe shtëpinë e tij. Kishte kaluar luftën në Shqipëri, dhe saktësisht në zonën e pushtuar të Metohisë, duke luftuar pa kompromis rebelët shqiptarë, e andej kah fundi edhe ndaj austriakëve, të cilët ishin lëshuar turr në ndjekje të ushtrisë së dobësuar serbe. Në luftën kundër rebelëve ishin të domosdoshme dinakëria dhe zotësia, përveçse kuraja; në betejën kundër austriakëve – e cila për fat nuk zgjati shumë – duhej gjithashtu fort vendosmëri, mbasi artileria e tyre ishte e suksesshme ndaj trupave tona të armatosura keq për të përballuar një kundërshtar të tillë. Nga lufta, përveç revolverit dhe kalit, babai do të përcillte për ne edhe shumë gjëra për të treguar: historinë mallëngjyese të një mjeku të verbër dhe një tjetër, krejt të ndryshme, që i përkiste vdekjes së Isa Boletinit (Iso Boljetinit), luftëtarit shqiptar, kreu i një fshati afër Kosovës.
I verbëri ishte i ri, biond, me një fytyrë si e të gjithë bashkatdhetarëve të tij; madje ai ishte i gëzuar që ishte plagosë dhe që kishte rënë rob i vëllezërve të tij sllavë. Babai im, jo më pak i kënaqur, kishte dhënë urdhër që ai të fashohej dhe të kujdeseshin për të. Mandej, ai ishte nisur për të drejtuar sulmin kundër armikut, mirëpo kur u rikthye, e gjeti të verbrin të vdekur, i vrarë me një plumb në ballë. Një malazez, i etur për të rrëmbyer sahatin e tij, e kishte qëlluar mû në ballë. Vrasësi nuk qe arrestuar, dhe përveç të tjerave, askush nuk u mundua ta bënte një gjë të tillë, edhe pse vrasja e tij qe konsideruar e poshtër. Kjo histori ne na dukej tejet e trishtueshme; ndoshta ngaqë babai na kishte bërë një portret tejet të gjallë të këtij të verbëri të panjohur, e ne fëmijët kishim formuar përshtypjen se e njihnim edhe më mirë nga çfarë njihnim fqinjët tonë.
Apo ndoshta edhe ngaqë ai ishte vrarë duke qenë i sigurt se do të mund të jetonte me vëllezërit e tij, kur përkundrazi kishte gjetur vdekjen mû prej dorës së tyre. Për shumë kohë ne e qanim fatin e të verbrit dhe së bashku me portretin e tij mendonim grykën e zezë të atij revolveri, pa u bindur se prej saj kishte dalë plumbi. Mos ndoshta ai kishte vdekur në çast, pa kuptuar se sa i kotë kishte qenë gëzimi i tij ngaqë ishte takuar me vëllezërit e tij dhe se kishte qenë pikërisht një dorë vëllazërore ajo që e kishte vrarë? Apo mos ndoshta ka parë dhe ka kuptuar gjithçka?… Ndërkaq, me repartet e tij të lëvizshme, babai im po zmbrapsej për në Podgoricë.
Aty mbretëronte çrregullimi. Austriakët nuk kishin arritur ende në qytet, ku administrata lokale tashmâ qe shpërbërë. Gjenerali Radomir Veshoviç (Vešovi?), i vetmi që kishte mbetur prej qeverisë malazeze, trupat. Babai e njihte mirë Veshoviçin. Ai ishte një njeri krejt i veçantë tek i cili bashkohej një heroizëm i pandalshëm, i një karakteri të skajshëm, të paqëndrueshëm. Gjatë vitit 1913 ai kishte qenë komandant i administratës malazeze në Metohi, një lloj guvernatori ushtarak i rajonit; ku ishte bërë shumë shpejt i famshëm për veprimet e tij të pam ëshirshme.
Kishte respekt për babanë tim, madje e donte fort, teksa gëzohej sa herë që e shihte, qysh atëherë dhe deri mbas viteve të luftës. I hajthëm, brun, me një mjekër prej diplomati, i veshur plot kujdes dhe elegancë, në vështrimin e parë Veshoviçi, tip muskuloz, të linte përshtypjen se ishte një njeri plot nerv e i zoti për të dhënë e marrë vendime të menjëhershme, pa dashur t’ia dijë për asnjë autoritet mbi vete, pa harruar të themi, se kështu vepronte edhe ndaj kujtdo që mund të guxonte të prekte nderin e tij. Ai ishte shquar në sulmin kundër Bardhajve, afër Shkodrës, kur komandonte trupat e klanit të tij Vasojeviç.
Kishte arritur edhe ndonjë sukses duke i paguar me gjak sulmet e tij trimërore të udhëhequra drejtpërsëdrejti po prej tij si komandant i aksioneve të njësisë së tij luftarake. Qëndronte në krye të trupave të shpërndara, me shpatën flakëruese, teksa u ulërinte me fjalë kuraje njerëzve të tij. Një breshëri plumbash ia kishte përshkruar kapelën e tij dhe një tjetër ia kishte copëtuar shpatën. Por ai vazhdonte të sulej përpara pa u frikësuar assesi. Kuraja e tij e njohur prej të gjithëve, megjithatë nuk do të tërhiqte mirënjohjen e njerëzve për shkak të humbjeve të mëdha të papranueshme që pësuan trupat, sidomos të atyre të klanit Vasojeviç.
Trupat e tij qenë shkartisur të copëzuara siç ishin, ndërsa ai ishte i detyruar të përdorte shpatën për t’i mbajtur oficerët në vijën e frontit. Megjithatë, pa mundur t’ia arrijë që t’ia kthente besimin ushtrisë së tij, e cila kishte humbur për shkak të mossukseseve e masakrave të para absurde. Se i çfarë race komandantësh ishte Veshoviçi këtë e tregon qortimi tij ndaj një oficeri, bir i një familjeje të shquar, i cili nuk po guxonte ta drejtonte grupin e tij në kalimin e shtratit të një lumi në një zonë luftimi.
Gjenerali e tërhoqi duke ia kapur me dy gishta hundën oficerit, shtyu kalin e tij në ujë dhe kësisoj mbërriti në bregun tjetër, i ndjekur prej ushtrisë. Ky pra ishte njeriu, i cili ishte caktuar të priste austriakët, kur Mali i Zi kapitulloi, dhe i cili në cilësinë e një kryeministri, duhej të përpiqej të shpëtonte çka mund të shpëtohej prej Malit të Zi. E gjithë qeveria, apo aq sa ajo kishte mbetur, ishte në duart e tij.
Mbreti dhe thuajse gjithë ministrat kishin ikur në Itali. Nuk e kishin marrë me vete ushtrinë, siç kishte bërë qeveria serbe, e për ata kishte qenë më e lehtë. Veshoviçi, dy ministra dhe djali i Mbretit, Mirko, ishin ngarkuar për t’u marrë vesh me austriakët. Asnjëri prej tyre, për shkak të situatës, nuk dinin se çfarë do të donte Mbreti dhe Qeveria, aq më tepër se këta e kishin shpërndarë ushtrinë, duke proklamuar se ajo nuk ekzistonte më dhe se vetëm populli vazhdonte të ekzistonte.
Heroi i shquar shqiptar, Isoja i Boletinëve, zgjodhi pikërisht këtë çast të një rrënimi të përgjithshëm, të dëshpërimit dhe të kaosit, për të sulmuar Podgoricën. Ai ishte cilësuar që me kohë si një rebel, si një xhonturk ose si një favorit i Mbretit Nikolla, pranë të cilit kishte qëndruar si refugjat, mbas dështimit të revoltës. Ai gëzonte një popullaritet të madh midis shqiptarëve; e madje edhe malazezët e trajtonin me një respekt e frikë. Në çastin e disfatës ai hoqi dorë nga miqësia me Mbretin dhe Malin e Zi dhe vendosi të shfrytë zonte çrregullimin për interesin e vet. Çka dukej krejt e lehtë, sepse Podgorica nuk kishte forca të afta e të organizuara për të bërë një rezistencë. E kësisoj mund të plaçkitej qyteti dhe kasafortat e Shtetit. Kudo mbretëronte terrori, plaçkitja, kaosi.
Ndoshta Isaja mund të mos ketë dashur t’ia dinte edhe që ekzistonte një trupë ushtarake, e cila ende qëndronte në këmbë: ishte ajo që komandonte babai im. Dhe sapo kishte mbërritur në qytet, ajo ishte urdhëruar të mbante rregullin. “Skuadrat fluturuese” përbënin, si të thuash, pjesën më eksperimentale të ushtrisë malazeze. Në të vërtetë ato ishin formacione të policisë ushtarake, të cilat emrin “skuadrat fluturuese” e kishin marrë prej shqiponjave të dukshme krahëhapura që mbanin në beretat e tyre.
Detyra e tyre ishte të mbanin rregullin e brendshëm, dhe si të gjitha forcat e policisë, ishin shquar për vendosmërinë e tyre, pamëshirën egërsinë dhe zotësinë e tyre. Kundërshtarët e despotizmit të Mbretit Nikolla dhe klika e tyre kishin arsye t’i kujtonin për një kohë të gjatë. Por askush nuk e ka mohuar kurajën e tyre dhe shpirtin e tyre të sakrificës në luftë. Beteja me të parregulltit e Isasë nuk do të zgjaste shumë, pavarësisht prej heroizmit të ashpër të shqiptarëve. Breshëria e goditjeve rrëzoi komandantin dhe ndjekësit e tij më të devotshëm. Isaja kishte mbetur kështu, i vetëm, ende i mbijetuar prej grupit që po luftonte përreth tij, ndërsa pjesa tjetër e trupave të tij qe shpërbërë. Do të mbërrinte edhe radha e tij.
Por ai do të luftonte jashtë çdo parashikimi dhe për një kohë të gjatë, i vetëm, mbi rrugë, në një terren të haptë. I plagosur ngrihet në gjunjë, dhe tashmâ mjaft i pafuqishëm për të mbajtur pushkën, qëllon me revole me shpresë se do të vriste një jetë tjetër, për të shpëtuar jetën e vet. Babai im i lëshohet kundër, po ndërkohë shqiptari i paparashikueshëm e merr në shenjë me pistoletën e shtrënguar në dorën e majtë. Por nuk kishte kohë për të qëlluar. Një ushtar e kishte marrë në shenjë dhe më në fund ai bie.
Kur babai im i mbërrin aty afër, teksa e vështron nga lart, Isaja e shikon me një shprehje ende të hekurt me sytë ende të hapur, teksa thotë diçka në gjuhën e vet, që babai im nuk e kupton, dhe lëshon frymën e fundit. Ndërkaq, babai ia merr mauzerin e larë në argjend, e do ta ruante si një kujtim të çmueshëm. Nuk ka përse të çuditemi që ne si fëmijë do të trishtoheshim prej vdekjes së Isa Boletinit. Babai im provonte edhe ai po këto ndjenja, ndonëse ishte krenar që Isa Boletini kishte rënë përmes duarve të njerëzve që komandonte ai.
Pa dyshim që ishte një dhimbje e një natyre të veçantë, ngushtësisht e lidhur me admirimin për këtë hero të patrembur shqiptar: për një njeri i cili kishte luftuar deri në fund, pa iu lutë askujt, pa kërkuar falje, aty, në fushë të hapët, në një rrugë të boshatisur, në këmbë dhe pa u përpjekur për t’u fshehur diku. Ishte admirimi përmes dhimbjes sonë: kur të vjen koha për të vdekur, do të ishte bukur të bije si Isa Boletini. Dhe të mbetesh i përkujtueshëm, të paktën prej atyre që kanë qenë të pranishëm, apo dhe prej atyre që kanë dëgjuar të flitet për një vdekje të tillë. /Panorama/
(E përktheu Besnik Dizdari)
(Boldnews)