Kreditë me probleme janë tregues i cilësisë dhe qëndrueshmërisë së zhvillimit të ekonomisë në përgjithësi dhe disa degëve të saj në veçanti.
Ky tregues në vetvete është pjesë e kulturës dhe cilësisë menaxheriale të sipërmarrësve shqiptarë, po aq sa janë dhe pjesë e cilësisë së kredidhënies dhe standardeve të bankave në vlerësimin e riskut, vlerësimin e plan-bizneseve dhe kolateraleve, për të konkluduar me studimet dhe vlerësimin e shëndetit ekonomik të sektorëve për të cilët akordohet kredia.
Në vitin 2015 bankat tregtare në vend konfirmuan nivelin me të lartë të kredive me probleme, që arriti në më shumë se 22% të totalit të kredisë së dhënë, duke futur në një rreth vicioz, ekonominë dhe kredinë që mund të rrezikonin rritjen e qëndrueshme afatgjatë të vendit. Në këtë kushte Qeveria së bashku me Bankën e Shqipërisë ndihmuar nga FMN dhe Banka Botërore, hartuan një plan masash për reduktimin e kredive me probleme.
Ndër to përfshihej njohja si shpenzim i zbritshëm nga taksat i fshirjes së kredive të këqija, forcimi i ekzekutimit të garancive dhe një ndër masat më të rëndësishme ndërmjetësimi mes bankave dhe borxhlinjve për ristrukturimin e kredive.
Ristrukturmi i kredisë me probleme për individë apo biznese
Ekspertët e bankingut, e shohin proçesin e ristrukturimit të kredisë me probleme, për individë apo biznese si alternativa më e mirë që mund të lehtësojë dhe ‘shpëtojë’ problemin financiar si për klientin ashtu edhe për bankën.
Elsa Peca Drejtore e Departamentit të Riskut në një bankë tregtare shpjegon se, ristrukturimi i huave është modifikimi që i bëhet planit fillestar të pagesës që ka nënshkruar klienti me bankën, në momentin e marrjes së një huaje, në momentin kur kjo hua shfaqë probleme në pagesën në kohë të detyrimit. Ristrukturimi është një proçes që i jep mundësi klientëve të bankës ( individë apo biznese) që kanë vështirësi financiare, për të zvogëluar pagesën aktuale të këstit nëpërmjet zgjatjes së afatit të mbetur të huas. Njëkohësisht, gjatë ristrukturimit banka mund të përmirësojë pozitën e mëparshme të kolateralit, si dhe të rishikojë normën e interesit dhe kushtet e tjera të huas.
Peca thotë se, ristrukturimi i huas mund të iniciohet nga vetë klienti, ose nga banka. Por që të bëhet i mundur ristrukturimi, duhet të plotësohen njëkohë- sisht dy kushte: 1.Klienti duhet të gjenerojë të ardhura, nga biznesi ose paga. 2. Klienti duhet të ketë treguar vullnet për të paguar, pra është i gatshëm të paguajë huan dhe se vonesat në pagesa kanë ardhur nga pamundësia financiare dhe jo nga mosdëshira për të paguar.
Hapat e ristrukkturimit të kredisë me probleme
Sipas ekspertes, banka janë shumë të kujdesshme me vendim marrjen për ristrukturimin, pasi ristrukturimi i huasë shoqërohet me kosto shtesë për bankën. Bankës i duhet të provizionojë huan e ristrukturuar në masën 10 për qind të shumës së ristrukturimit dhe të mbajë këtë nivel provizionesh edhe për të paktën 6 muaj, pas ristrukturimit, nëse klienti paguan 6 këste të plota në mënyrë të rregullt.
Ndërkohë, si kosto shtesë për klientin, përveç atyre administrative për marrëveshjen e re që do të lidhë me bankën, e që përfshin noterizimin e kontratave dhe bllokimet e kolateraleve në hipotekë (nëse aplikohen të tilla), përfshihen edhe kostot e mundshme të përmbarimit, në rast se klienti nuk i përmbahet marrëveshjes së re të ristrukturimit.Të gjitha këto kosto i duhen bërë të ditura klientit, përpara se ai të marrë vendimin për ristrukturimin. Procesi i ristrukturimit duhet parë si një zgjidhje afatgjatë dhe jo afatshkurtër për bankën, në mënyrë që banka të mos gjendet në të njëjtën situatë pas pak muajsh.
Ristrukturimi i huas përmes metodës “së provës”,
Një metodë shumë efikase është periudha 3 mujore “e provës” për klientët përpara ristrukturimit, me këst të përafërt me këstin që do të ketë klienti pas ristrukturimit. Në këtë kuadër, bëhet një marrëveshje me shkrim me klientin, nëpërmjet një plani manual pagese, ku përcaktohet data e pagesës dhe kësti, për tre muajt e ardhshëm. Vetëm në rastet kur klienti paguan në mënyrë të rregullt të tre muajt në vijim dhe nëse analiza financiare që i bëhet atij e justifikon këstin e ri, i hapet rruga formalizimit të procesit të ristrukturimit dhe bëhet i mundur ristrukturimi në sistem, duke përgatitur kontrata të reja për marrëdhënien e re midis bankës dhe klientit, sipas kushteve dhe afateve të reja të huas. Në disa raste, përveç arsyeve të mësipërme, ristrukturimi mund të shihet edhe si një mënyrë për të forcuar pozitën e kolateralit, duke marrë një kolateral më të mirë se ai i mëparshmi, apo një kolateral të dytë, në rastet kur shihet që kolaterali ekzistues është jo i mirë, apo në rast se aktualisht ai nuk mbulon vlerën e huas, për shkak të zhvlerësimit që ka pësuar prona
BKT, 41 hua të ristrukturura
BKT ka ristrukturuar rreth 41 hua, të akorduara kryesisht gjatë viteve 2013-2015, e ndër këto hua rreth 30 klientë kanë treguar një ecuri shumë të mirë pas ristrukturimit, ndërkohë që vetëm 11 prej tyre kanë vazhduar të paguajnë me vonesa pas ristrukturimit; pra vetëm në 11 raste ristrukturimi nuk ka rezultuar efikas. Vlen të theksohet që huat e shumicës së këtyre klientëve kanë qenë të klasifikuara si “hua të humbura” përpara risktrukturimit, pra kanë qenë hua me më shume se 365 ditë – vonesë, e për të cilat procedura ligjore kishte filluar, por nuk kishte rezultuar efikase. Pjesa dërrmuese e tyre i përkasin shumave të huave që variojnë nga 30,000 – 50,000 euro, e që kanë marrë hua në monedhë
të huaj, kryesisht në euro. Në momentin e ristrukturimit bëhet kthimi i huas në monedhën vendase, duke marrë në konsideratë edhe monedhën në të cilën ishin të ardhurat e klientit, për të shmangur dhe zvogëluar rrezikun e kursit të këmbimit. Gjithashtu, duhet të theksohet që, afati fillestar i maturimit ka qenë kryesisht deri në 5 vjet, ndërkohë që afati pas ristrukturimit zgjatet, duke shkuar deri në 10 vjet, për t’i dhënë
mundësi klientit të paguajë një këst më të ulët, në varësi të situatës aktuale financiare të tij. Gjithashtu, bëhet edhe një rishikim i normës së interesit, duke marrë në konsideratë normat aktuale të tregut, gjë që ndikon pozitivisht në uljen e këstit për klientin.
Kreditë me probleme ulen në 18,4%
grafik212Sistemi bankar, gjatë një viti, ka arritur të kufizojë ndjeshëm sasinë e kredive me probleme. Niveli i kredive me probleme në janar të këtij viti u ul në 18.4%, nga 22.8% që ishte në janar të vitit 2015.
Ndryshimi është i dukshëm edhe në vlerën e portofolit të kredive me probleme, që, brenda një viti ka zbritur në 106 miliardë lekë, nga 133 miliardë lekë që ishte një vit më parë. Kjo rënie ka qenë kryesisht kontribut i nxjerrjes nga bilancet të kredive të humbura prej vitesh, por jo vetëm.
Duket se parametrat cilësorë të kredisë së sistemit bankar kanë arritur një farë përmirësimi, çka mund të gjykohet nga një analizë më e detajuar e kategorive të kredive. Kreditë klasifikohen si problematike kur kanë një vonesë në shlyerje më shumë se 90 ditë.
Kategoria e parë e kredive me probleme është ajo nënstandarde, ku përfshihen kreditë me vonesë nga 90 deri në 180 ditë. Totali i kredive nëstandarde në janar 2016 ishte 25.7 miliardë lekë, nga 37.6 miliardë lekë që kishin qenë një vit më parë.
Rënia e kredive në këtë kategori në thelb, nënkupton se gjatë 12 muajve të fundit sistemi bankar ka prodhuar më pak kredi problematike. Kjo tregon se, përveç fshirjes së kredive të pashpresa, ulja e kredive me probleme ka ardhur edhe falë një përmirësimi organik të cilësisë së portofolit të kredisë. Ky është një element optimizmi dhe përbën një bazë më solide drejt uljes së qëndrueshme të kredive me probleme.