Në vendin tonë ka shumë të rinj të cilët arrijnë të kenë rezultate shumë të mira në studimet e tyre. Disa kalojnë pa u vënë re, të tjerë i shmangen protagonizmit. Ata mund të jenë shembuj të mirë për shumë bashkëmoshatarë të tyre që duan të shkollohen dhe përgatiten në një fushë të caktuar.
Sot kemi folur me një vajzë që ditët e fundit i është përfolur emri për një bursë që ka fituar nga gjiganti “Google”, Erisa Terolli, e dashuruar me teknologjinë dhe informatikën. Ka përfunduar studimet e larta në këtë degë dhe momentalisht është duke ndjekur doktoraturën në Universitetin “La Sapienza”, Itali. Ajo që ka lumturuar 25-vjeçaren është fitimi i një mundësie studimi, falas pas një garë të fortë mes studentëve nga e gjithë bota. Është hera e parë që përzgjidhen nxënës nga Shqipëria.
Për të njohur më shumë Erisën, këtë “shkencëtare” të re, ne folëm mbi studimet dhe jetën e saj.
Terolli ka lindur në Pogradec dhe për sa i përket familjes, thotë se “kam prindërit dhe një motër më të madhe e cila ka mbaruar studimet për inxhinieri industriale, një fushë krejt ndryshe nga e imja. Prindërve dhe motrës u është dashur të punojnë shumë që unë të marr edukimin më të mirë të mundshëm në Shqipëri. Nuk mund t’ua shpërblej dot gjithë sakrificat. Ata janë heronjtë e mi”.
Rezultatet e të qenit një studente e shkëlqyer ia detyron faktit se ka qenë sistematike në mësime, pasi për të studimi i detajuar është ai që bën ndryshimin. Me fillimin e doktoraturës në Itali njohu edhe mundësi të reja për të marr pjesë në konkurse në fushën ku ajo studion. Një prej tyre është edhe mundësia që i është dhënë nga “Google”.
Nëpërmjet kësaj bisede në Dita, mësojmë më shumë për këtë studente të talentuar.
-Erisa, na trego në fillim diçka për veten, ku keni lindur dhe si ka qenë fëmijëria juaj?
Quhem Erisa Terolli, jam 25 vjeçe. Kam lindur në qytetin e mrekullueshëm të Pogradecit. Për sa i përket fëmijërisë mund të them që kam pasur gjithçka i duhet një fëmije për të qenë i lumtur, një familje të dashur dhe shumë të përkushtuar. Veten e mbaj mend duke luajtur me shoqet e lagjes ose duke zgjidhur probleme matematike. Në përgjithësi kam qenë një fëmijë i urtë dhe i dëgjueshëm.
-Ka ndikuar kjo periudhë e jetës në atë që ju jeni sot?
Mendoj se mësimet që kam marrë kur kam qenë fëmijë janë themelet që kanë ndërtuar atë që jam sot. Jam fatlume që prindërit kanë qenë insistonte që me bënin të kuptoja rëndësinë e shkollës dhe kërkimit te dijes.
-Ke lindur në Pogradec, aty ke përfunduar edhe shkollën e mesme?
Shkollën e mesme e kam mbaruar në kolegjin turk “Mehmet Akif” në Tiranë. Mund të them që vitet e adoleshencës kanë qenë vitet të qeta ku i jam përkushtuar më së shumti shkollës pasi të jesh nxënës në një nga shkollat më të mira të Tiranës kërkon sakrificat e saj.
-Cila ka qenë lënda juaj e preferuar dhe pse?
Matematika ka qenë lënda ime e preferuar pasi çdo problem matematikor na jepte përshtypjen e një misteri që kisha mundësi ta zbuloja dhe zgjidhja e tij më jepte një sadisfaksion shumë të madh.
-Jeni më shumë e dhënë pas shkencave ekzakte apo…?
Gjithmonë kam preferuar shkencat ekzakte. Mendoj se ka ndikuar edhe geni familjar. Gjyshi im ka qenë mësuar matematike dhe kimie.
-Jeni studente që qëndroni më orë të tëra mbi libra apo i kapni gjërat lehtë?
Lë të themi që jam një kombinim i të dyjave. Studimi është shumë i rëndësishëm, pavarësisht faktit sa shpejt arrin t’i kapësh gjërat, pasi mendoj se studimi i detajuar është ai që bën ndryshimin.
-Për nxënësit që janë ‘absolutë’, shpesh thonë që ata ditën vetëm të mësojnë, asgjë tjetër. Si është rasti juaj?
Mendoj se nuk kam patur probleme në aspektin social, pasi gjithmonë kam qenë e rrethuar nga njerëz dhe miq të mrekullueshëm.
-Aktualisht ku jeni dhe cila është dega për të cilën studioni aktualisht?
Për momentin jam studente e doktoraturës për Informatikë në Universitetin “La Sapienza” të Romës.
-Pse keni zgjedhur këtë degë?
Kam zgjedhur informatikën për dy arsye. E para sepse të jep mundësinë të merresh me probleme komplekse dhe tepër impenjuese dhe e dyta, sepse me anë të informatikës mund të bësh ndryshime pozitive në jetën e shumë personave.
-Informatika është e gjerë, për çfarë po specializohesh?
Puna ime kërkimore është e fokusuar tek sistemet e rekomandimit, data science dhe machine learning.
-Keni dashur gjithmonë të studioni jashtë?
Kam dashur gjithmonë të ndjek doktoraturën jashtë Shqipërisë, pasi për momentin puna kërkimore nuk është e konsoliduar plotësisht.
-Cilat janë Universitete që keni synuar?
Si fillim kam aplikuar në Universitetin e Helsinkit, por atje jam refuzuar. Më pas kam aplikuar në Universitetin “La Sapienza” në Itali, ku jam dhe sot studente e vitit të dytë të doktoraturës.
-Tashmë jeni njohur si “Studentja shqiptare fiton bursë nga “Google”. Na shpjego pak më shumë çdo të thotë kjo bursë?
Bursa “Google Anita Borg Memorial Scholarship” është një bursë e dhënë nga Google në kujtim të informaticienes Anita Borg me qëllim motivimin dhe inkurajimin e femrave në informatikë dhe teknologji dhe zbutjen e hendekut gjinor që ekziston në këto fusha. Bursa targeton të gjitha studentet femra që studiojnë shkenca kompjuterike, inxhinieri kompjuterike, informatike ose fusha të ngjashme me këto.
-Sa e rëndësishme është për ty kjo?
Fitimi i një burse i dhënë për kujtim të një shkencëtare brilante si është Anita Borg është një privilegj i jashtëzakonshëm, por është dhe përgjegjësi pasi është shumë e rëndësishme të punohet shumë për të ngushtuar hendekun gjinor që akoma ekziston në fushat teknike, iniciative të cilën nisi Dr.Borg vite më parë.
-Si do funksionoi kjo puna e bursës nga Google, ka një profil të caktuar në të cilin do specializohesh. Ku?
Bursa konsiston në një shumë monetare që i jepet fituesit për të përballuar shpenzimet e studimeve si dhe bëhet pjesë e një komuniteti global i përberë nga gjithë fitueset ndër vite që punojnë për të ngushtuar hendekun gjinor që ekziston në këto fusha.
-Si u bëre pjesë e këtij konkursi?
Profesori im këtu në La Sapienza, më ka informuar për këtë bursë. Kam përgatitur gjithë dokumentet e nevojshme, CV dhe listë notash, kam plotësuar pyetësorin e aplikimit dhe kam aplikuar. Pas disa muajsh, kanë dalë rezultatet me emrat e fituesve dhe unë isha një nga 40 fitueset për Europën, Afrikën dhe Lindjen e Mesme.
Ka disa kritere për ta fituar apo jo, cilat?
Për të aplikuar duhet të jesh një studente femër e regjistruar në Informatikë, Shkenca Kompjuterike, ose në çdo fushë teknike të ngjashme me këto. Pa dyshim e rëndësishme është backgroundi akademik dhe kontributi i dhënë nga aplikuesi për shoqërinë.
-Cilat janë ambiciet e tua në këtë fushë?
Synimi im kryesor për momentin është mbyllja me sukses e doktoratës si dhe publikimi i punimeve shkencore në konferencat më me emër në botë.
-Mendon që të kthehesh e të punosh një ditë në Shqipëri?
Përse jo. Mendoj se njeriu gjithmonë e jep më të mirën në vendin e tij.
-Si është jeta jote në Itali, a je ti një ndër studentet më të mira?
Jeta në Itali është shume e ngjashme me Tiranën. Italianët janë persona shumë të dashur dhe mikpritës dhe të them të drejtën jam përshtatur shumë shpejt këtu. Studentët këtu janë shumë të përgatitur dhe të suksesshëm. Unë mundohem të jap maksimumin tim dhe mendoj se deri tani kam arritur rezultate të kënaqshme.
-Çfarë të thonë ku u tregon që je nga Shqipëria?
Këtu në “La Sapienza” kane një mendim shumë të mirë për studentët shqiptarë, pasi studentët shqiptare që kanë qenë para nesh në këtë departament kanë shkëlqyer dhe ja kanë dalë të impresionojnë profesorët italianë./Entela Resuli, Gazeta Dita.